Turqia po përballet me një krizë të thellë ekonomike, teksa regjimi autoritar i Rexhep Tajip Erdogan vazhdon goditjet e tij kundër opozitës. Lira turke ra në një nivel historikisht të ulët prej 42 për dollar, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga korriku i vitit 2023. Aksionet dhe obligacionet turke gjithashtu u shembën, duke reflektuar mungesën e stabilitetit ekonomik dhe pasiguritë e tregut.
Kriza erdhi pasi Erdogan urdhëroi arrestimin e rivalit të tij kryesor politik, kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu. Opozita e cilësoi këtë akt si një “përpjekje për grusht shteti” dhe një manovër të pastër politike për të eliminuar kundërshtarët e tij në prag të zgjedhjeve. Imamoglu pritej të ishte kandidati kryesor i opozitës përballë Erdogan, por tashmë ai është vënë në shënjestër të një sulmi të orkestruar nga regjimi.
Panik në tregje, investitorët po largohen
Pas arrestimit të Imamoglu, lira turke pësoi një goditje të rëndë, duke humbur mbi 12.7% të vlerës së saj. Banka qendrore turke u detyrua të ndërhynte duke shitur miliarda dollarë nga rezervat valutore për të ndaluar rënien e monedhës, por pa sukses. Analistët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej, duke vënë në dyshim të ardhmen e ekonomisë turke.
Aksionet kryesore në bursën e Stambollit ranë me gati 6%, duke shënuar performancën më të keqe ditore që nga fundi i vitit 2023. Nën-indeksi bankar u shemb me 9.67%, duke detyruar Borsën e Stambollit të ndërpresë përkohësisht tregtimin për të shmangur një kolaps të plotë. Investitorët e huaj po tërhiqen me shpejtësi nga Turqia, duke rritur shqetësimet për një krizë të re financiare në vend.
Politikat e gabuara të Erdogan, shkaktare e krizës
Kjo situatë dramatike është rezultat i viteve të politikave të gabuara të Erdoganit, i cili ka mbështetur politika ekonomike joortodokse që kanë nxitur inflacionin dhe kanë dëmtuar besimin e investitorëve. Pas një periudhe të gjatë manipulimesh financiare dhe ndërhyrjeve në bankën qendrore, Erdogan është detyruar të mbështesë politika më ortodokse, por dëmi tashmë është bërë.
Ekspertët paralajmërojnë se me këtë krizë të thellë ekonomike dhe represion politik në rritje, Turqia po shkon drejt një pike pa kthim. Arrestimi i Imamoglu dhe shtypja e opozitës tregojnë se Erdogan është i gatshëm të sakrifikojë stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht./ Reuters – Syri.Net