Filozofi francez-algjerian, autori dhe nobelisti i shekullit të 20-të, Albert Kamy, në romanin Murtaja shkruan: “Historia ka pasur aq shumë murtaja, sa edhe luftëra. Megjithatë njerëzit gjithmonë befasohen njësoj si nga murtajat, ashtu edhe nga luftërat.”
Analogjia e murtajës dhe luftës mund të transferohet në kontekstin e përhapjes botërore të sëmundjes infektive COVID-19 dhe shpërthimit të demonstratave për trajtim të barabartë racor. Në muajin mars pandemia e shkaktuar nga infektimi me një virus të ri, i identifiluar si Novel Coronavirus, kishte mbyllur shumë qytete dhe shtete amerikane për të ngadalësuar përhapjen në masën e popullsisë. Nju Jorku u kthye në epiqendër nga numri shumë i madh i të infektuarve dhe rasteve të vdekjeve. Jeta normale e vendit ishte paralizuar dhe qyteti i Nju Jorkut ishte zbrazur në formë të frikshme, sepse zyrat, muzeumet, shkollat, stadiumet, fabrikat, punishtet ishin mbyllur, gjithashtu edhe shitoret perveç ushqimoreve e farmacive.
Megjithatë në fund të majit, qindra e mijëra protestues (shumë prej tyre me maska që mbulojnë gojën dhe hundën siç ishin udhëzimet shtetërore për mjediset publike) dolën në protesta kundër racizmit dhe dhunës policore të shkaktuara nga vrasja e George Floyd në Mineapolis, qytet rreth 2,000 kilometra në perëndim të Nju Jorkut.
Kjo skicë jep vetëm një varg me mendime dhe vëzhgime personale të protestave në Nju Jork, si edhe bisedat e mia me përfaqësues të komunitetit dhe zyrtarë vendorë.
Mendësia e krijuar në momentet e përballjes me të keqen e përbashkët ka veçoritë e saj të kushtëzuara jo më nga individi por nga një fat kolektiv. Gjendja e pandemisë krijoi një lloj solidarizimi që ndodh kur njerëzimi ndeshet me një fatkeqësi të përmasave madhore. Kjo situatë u shoqërua me krizë ekonomike si mbyllja e bizneseve, humbja e vendeve të punës, pakësimi i të ardhurave, rrezikimi i sigurimeve shëndetësore. Rastet e fundit të vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga policia nxorrën në sipërfaqe disa pyetje për problemin racor në Amerikë.
Autori, eseisti dhe aktivisti amerikan i shekullit të kaluar, James Baldwin, e shtjellon temën e dallimeve racore në shumë rrafshe për të evidentuar marrëdhëniet e ndërlikuara raciale në Amerikë. Për Baldwin, njeriu mund të ndryshojë gjithçka me të cilën përballet por kurrgjë nuk mund të ndryshohet pa u përballur.
Shumë nga anketimet e opinionit tregojnë se protestat kanë fituar përkrahje të gjerë në publikun amerikan. Brenda një kohe të shkurtër, grupe demografike të ndryshme dhe me bindje të dallueshme politike janë të të njëjtit mendim se duhen kryer reforma të menjëhershme në legjislacion si edhe në praktikat policore. Nga një sondazh i Schar School of Policy and Government në Virxhinia (Fakulteti Schar për Studime Politike dhe Qeverisje) 81% e të anketuarve thonë se duhet të ketë më shumë reforma policore.
A kanë lidhje protestat kundër racizmit me komunitetin?
Asnjë organizatë e komunitetit shqiptar nuk ka dhënë prononcim zyrtar, Nga vëzhgimet e mia të protestave në Nju Jork dhe bisedat me anëtarë të shoqatave shqiptare kam vërejtur se pjesëmarrja e komunitetit është sporadike. Në marshime kam takuar individë dhe nxënës shqiptarë që protestojnë por jo në formë të organizuar. Në parim, organizatat shprehin solidarizim me luftën kundër diskriminimit racor, gjinor, etnik etj ndërsa në realitet, komuniteti nuk duket se e shikon këtë revoltë të lidhur me kauzën e vet. Përjetimi i represionit të egër komunist dhe persekutimi politik nga regjimi totalitar në Shqipëri janë temë më vete nga shtypja dhe robërimi fizik dhe mendor i një shtrese të popullsisë në Amerikë.
Për sa i takon akteve të shthurrjes së rendit publik dhe të vagabondazhit ndaj pronës në ditët e para të protestave, pati dëmtime të një numri të bizneseve në disa zona të Bronksit. Nga intervistat e mia me përfaqësuesit zyrtarë rezulton se pronarët italianë dhe shqiptarë në ato pjesë të Bronksit ishin të përgatitur dhe nuk pësuan dëme, ndërsa bizneset portorikane dhe pakica të tjera patën shkatërrime të mëdha.
Ç’është më kryesorja, komuniteti shqiptar ka raporte të tjera me forcat e ruajtjes së rendit. Një pjesë e brezit shqiptar-amerikan të ardhur apo të rritur këtu janë të punësuar në njësitë e ruajtjes dhe mbrojtjes, kanë kryer akademi ushtarake apo janë arsimuar në sajë të mobilizimit të tyre. Gjatë bisedave, ata thonë se janë në krahun e forcave policore. Në debatin e hapur në Nju Jork për eliminimin e fondeve të policisë, ata paraqesin pozitën e tyre për shtimin dhe jo pakësimin e fondeve në një vend si Nju Jorku që është në shënjestër të akteve terroriste.
Duke iu kthyer edhe një herë alegorisë së romanit, Albert Kamy shkruante se në botë ka murtaja dhe viktima dhe se ne e kemi në dorë të mos jemi në anën e murtajës. Në formë të perifrazuar, ai thotë se nuk mund të jap gjykimin nëse kjo është diçka naïve, megjithatë, Kamy është i bindur se është e vërtetë.

Foto nga Rafaela Prifti, marrë nga protestat ne Union Square, New York.

Komentet