Policia në Amsterdam e ka ndërprerë një protestë propalestineze të dielën, pasi një gjykatë e mbajti në fuqi vendimin për ndalimin e demonstratave në kryeqytetin holandez, pas përleshjeve ku u përfshinë edhe tifozët izraelitë të futbollit këtë javë.
Qindra protestues e shpërfillën ndalesën dhe u mblodhën në qendër të kryeqytetit holandez, ku brohoritën thirrje për ndaljen e luftës në Rripin e Gazës dhe “Liri për Palestinën”.
Por, pasi gjykata e miratoi ndalesën e vendosur nga autoritetet e qytetit, policia ndërhyri, duke i udhëzuar protestuesit të shpërndaheshin.
Disa njerëz u tërhoqën zvarrë nga oficerët e policisë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Autoritetet vendosën të premten t’i ndalojnë protestat për tri ditët e ardhshme, pas sulmeve ndaj tifozëve izraelitë të futbollit, pas një ndeshjeje të enjten mes Maccabi Tel Avivit dhe Ajax Amsterdamit.
Të paktën pesë njerëz u lënduan të premten, kur tifozët izraelitë u sulmuan nga ato që kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, i përshkroi si “grupe antisemitike”.
Prokurorët thanë të shtunën vonë se katër të dyshuar po mbahen në paraburgim për akte të dhunshme, përfshirë dy të mitur, dhe se 40 persona u gjobitën për trazira publike dhe 10 për vepra të tjera, përfshirë vandalizmin.
Ata theksuan se presin të bëjnë më shumë arrestime.
Një grup i madh i tifozëve të Maccabi Tel Avivit u pa në një video të postuar në internet nga faqja e lajmeve Bender duke u armatosur me shkopinj, tuba dhe gurë, dhe duke u përleshur dy herë me kundërshtarët kur marshuan në qytet pas ndeshjes.
Videoja nuk është verifikuar nga Reuters.
Incidentet antisemitike janë rritur dukshëm në Holandë që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit të kaluar. REL
Ka thene nje te vertete dhe Edukata prinderore ka ndikuar shume se faktori greke ka bere presion te vazhdushem ndaj gjithe emigranteve . Dhe une kam punuar 4 muaj ne gumenice dhe policia greke me ndiqete kemba kembes