Në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, u promovua romani “Shtëpia me dy çati” i autorit Rezart Palluqi, autor i cili jeton në Amsterdam. Librin e botoi “2 Lindje- Perëndime”.
Romani në fjalë është i katërti me radhë i autorit në fjalë. Për romanin e tij folën dhe diskutuan studiues dhe krijues nga Kosova dhe Shqipëria. Sipas referimit të studiuesit Adil Olluri, romani është arritje tjetër e autorit, aq më tepër, një roman i shkruar për çështjen çame me objektivitet sikur të ishte autor grek, pa humbur lidhjen tematike e ideore. Ndërsa, sipas studiueses Meliza Krasniqi:
“Titulli figure/metafore “Shtëpia me dy cati” aq sa është intriguese si titull është i çuditshëm dhe të bën kurreshtar përnjëherësh.
Romani më i ri i shkrimtarit Rezart Palluqit “Shtëpia me dy çati” nis, përfundon dhe fokusohet në konfliktin midis personazhit kryesor Panajotit dhe Andonit, antagonistit. Janë dy çështje në dukje kontradiktore në këtë roman, idealet personale që janë mjet dhe motiv individual i personazhit të Panajotit dhe idealet shoqërore/politike që promovojnë lirinë. Palluqi ndërton një kufi të ashpër për të krijuar një tension dhe konflikt dramatik përbenda romanit.
Romani shtrihet në disa linja rrëfimi, më të dukshmet janë, historia e grekëve të Azisë së vogël, historia e gjenocidit grek në Çamëri dhe religjioni ortodoks, rishkrimi i historisë së periudhës bizantine, helenizmi e paganizmi, thotë ajo. Po ashtu, në diskutuan edhe studentë dhe krijues të tjerë. Qëndrim Morina, ndër të tjera tha:
“Romani “Shtëpia me dy çati” dëshmon bashkëjetesën interesante të artit me historinë. Gjithashtu ky roman ruan në tërësi trajtën e një rrëfimi të lirë poetik, pa ndonjë kufizim në shtjellimin e subjektit. Ky roman jep një shembull të qartë të çlirimit kompozicional nga dogmat e ngurta letrare të klasicizmit.
Kontributi unik i romanit është i madh pasiqë tekstet janë kombinuara aq mirë saqë mundësohet lidhja në mes narratorit e lexuesit. Në këtë mënyrë krijohet vëmendja e lexuesit në zërin, ndjenjat dhe përjetimet e autorit.”
Për librin diskutoi edhe Verjon Fasho, i cili tërhoqi disa paralele në mes prozës së Palluqit dhe asaj të huaj.
Komentet