Ndërsa, para pak ditësh, shkruaja për spiunazhin, historinë dhe praktikën e tij, në fakt mendoja kohën politike që jetojmë.
Dhe brenda saj, natyrisht, ca zëra të ngritur e kurajoz që, ndërkohë, ishin prehur në qetësi. Po rrjedhoi që prehja t’mos ketë qenë kulturë e denjë dhe e ditur opozitare. Ishte trallisje disfate që ata nuk e imagjinonin dot. Thjeshtë nuk pranonin kurrësesi realitetin që i kishte larguar nga tryeza pushtetare tek dhuronte copëza nga ardhmëria e djegur…
E pra, kush e ç’i zgjoi vallë nga letargjia?
Presidenti i serbëve tha njëj gjuhe apeli se, përsa kohë është Kurti aty (domethënë premier në Prishtinë) nuk mund të ketë dialog në Bruksel.
Ishte lëmuar t’i shtyjë lehtësisht interesat serbë në Kosovë dhe tani, i përballur me një format e agjendë tjetër shqiptare, ka rënë në apati.
Që këtej dhe thirrja deshpëruese për rrëzimin e tij.
I shihni tani gurëzit e vegjël që lëvizin sërish për të formuar mozaikun e vjetër?
Leka i madh, i ligështuar pak përballë gjeneralit pers Memmon, pleqëroi gjatë e fshehtas një taktikë. Vendosi t’ua lexonte letrat ushtarëve të vet për të gjetur ata që vuajnë, janë të squllosur, nuk e besojnë fitoren apo, madje, që punojnë tinëzisht për armikun.
Tashmë, ndër ne, ky truk i beftë i komandantit legjendar është i panevojshëm. Konsonanca duket krejtsisht e hapur. Fillimisht Edvin Rama do të ketë hedhur kartat e përbetimit. E, më pas, sa mjerim, një titullar i lëdëkësë me emrin Gashi, ndoqi atë si një zagar pas gjurmësh.
Tabela e qitjes për të dy është, ndaj, po ajo ku do pikësonte shenjën e zezë serbi Vuçiq: përmbysja e qeverisë Kurti!
A nuk është, vërtetë, një konkordancë përfekte mes tyre?
Fundja asgjë e re në vijajet. Lëdëkë-ja ishte mësuar qyshkur të qeveriste Kosovën bashkërisht me Serbinë. I patën njësuar efektivisht Realitetin dhe Simbolikën e fuqisë.
S’ka dukuri morale, por vetëm shpjegim moral të tyre, pohonte madhnori Niçe. Rrjedhimisht, gashët e rikëndellur nga kushtrimi serbian, përpiqen të shpjegojnë në mënyrën e vet dukuritë politike në votrën e tyre…
Eksponentë të hershëm nga mote bizantine i kishin rënë shpesh daulleve të Sërbisë në Kosovë. Mirëpo, të përsëritet ky refren tragjik në ditët e lira republikane s’është veçse një fqinjësi e ngrohtë me trathtinë!
Komentet