Një shtet i përdorur për të ruajtur pushtetin dhe një pushtet i degjeneruar deri në atë farë feje, sa të mos ruajë dot as funksionet e veta më kryesore, nuk është shkak në vetvete, është vetëm pasojë e faktit që grushti i oligarkisë, çdo vit e më shumë, është bërë kaq i rëndë e goditës, sa ka arritur ta shkallmojë parzmoren e politikës shqiptare. Fuqisë ekonomike i është hapur rrugë të sundojë fuqinë politike.
Ushtrimi i fshehtë i fuqisë politike – e drejtuar drejt sekretësisë dhe gënjeshtrës – përforcon sot një problem të rangut më të lartë në qeverisjen e sotme të regjimit, që pret zgjidhje qoftë në nivelin e veprimit politik, ashtu dhe në një nivel më të përgjithshëm, në atë të aktivitetit shoqëror. E kjo për faktin se një aspekt i saj i rëndësishëm ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë fatin e demokracisë së një vendi. Pushteti i padukshëm nuk konsiston thjesht në një pengesë për realizimin më të plotë apo më të mirë të një demokracie, por përbën faktorin bazë të degjenerimit të kësaj forme të qeverisjes. Transparenca e politikës dhe pushtetit është mënyra më qenësore e çdo modeli demokratik. Aty ku sfera e qeverisjes është e mbuluar nga errësira nuk mund të flitet më për menaxhim apo kontroll të pushtetit nga ana e qytetarëve.
Aty, ushtrimi i fshehtë i pushtetit i transformon njerëzit nga individë politikisht të lirë në individë të nënshtruar. E kjo për faktin se errësira, nga njëra anë, nevojitet të fshehë nga sytë e të qeverisurve veprimet e pushtetit që bien ndesh me parimet e legjitimitetit demokratik, dhe nga ana tjetër, kërkon të mbulojë strategjitë që pushteti përdor shpesh për të neutralizuar veprimet apo lëvizjet e “segmenteve të tjera të caktuara të klasave udhëheqëse”. Për rrjedhim, korrupsioni, menaxhimi instrumental i informacionit dhe i konflikteve sociale, përgjimi, shantazhimi (për të mos shkuar deri në mjete më të dhunshme si urrejtja apo si hakmarrja e kryeministrit të sotëm që është emblematike!), janë disa prej instrumenteve përmes të cilëve synohet të arrihet një neutralizim i tillë.
Duke sjellë ndërmend këto radhë të mësimeve politike, rrëqethesh me përpikërinë me të cilën puthitet ky shpjegim me gjendjen e sotme të qeverisjes shqiptare të bojaxhiut të shkarravinave. Sa herë me radhë këto 12 vjet qytetarët kanë qenë të fundit që janë informuar ose në shumicën e herës nuk janë informuar fare për ligje, norma, tenderë e trafiqe të kryera në errësirë nga shteti e qeverisja, e që kanë nxjerrë në dritë vetëm majën e tyre të ajsbergut, falë shpërthimit të vjedhjeve apo të një prej skandaleve fenomenale. Sa herë kemi dëgjuar për video që pritet të dalin, por nuk dalin kurrë, ose dalin vetëm ato video që i interesojnë pushtetit ose shtresave udhëheqëse të partive politike. Sa dosje skandaloze të korrupsionit qeveritar që disponon SPAKU dhe heziton t’i aktivizojë hetimet e tyre për shkak të presionit personal të kryeministrit të gjithëpushtetshëm?! Po skandalet e shpërthyera të përgjimit që si një flluskë fryhen dhe shfryhen dhe në fund shpesh dalin barazim si në ndeshje futbolli, ndoshta nga të dyja palët e politikës, a nuk janë shenja alarmante se pushteti i padukshëm në Shqipëri ka zënë rrënjë të forta, gati të pashkulshme, aq sa së fundi ai arrin të plekset me një masë të madhe njerëzish duke i orientuar ata me “forcën e parasë dhe të skamjes” drejt rrugës së kanabizimit.
Por ajo që e bën akoma dhe më të tmerrshëm kontrastin midis pushtetit të padukshëm dhe demokracisë sonë është se ky ka lindur dhe po vazhdon të zhvillohet si në planin e parimeve politike ashtu dhe në planin e konflikteve të interesit. Kjo e fundit është ajo që e bën kaq të rrezikshëm këtë fenomen, duke e shndërruar jo thjesht në një limit, siç përpiqet shumëkush ta thjeshtëzojë, por në një virus vdekjeprurës për demokracinë. Ky është skenari ku ka rrëshqitur shoqëria jonë, që bart mbi supe aq e aq konflikte të pazgjidhura pronash apo dhe interesash thjesht mbijetese apo të karakterit të padrejtësisë sociale.
Pushtetet e padukshme i kanë shtrirë metastazat në të gjithë sektorët e jetës, kryesisht ose tërësisht nëpërmjet oligarkisë kapilare në qeverisje. Mjafton të bëhen VKM (Vendimet e Këshillit të Ministrave) për ta bërë çdo tekë dhe fjalë të ligjshme, për ta dekretuar mendimin edhe për gjëra sipërfaqësore. Edhe vjedhjet gjigante këto vitet e fundit, nëpërmjet kësaj rruge kanë funksionuar. Kryeministrit tonë të paprekshëm nga ligji i kanë mjaftuar justifikimet – edhe absurde – për të ngritur kurthe, rrjetën e merimangës, për të tejshkuar deri në atrofizimin, ose edhe neutralizimin edhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo tendencë (e kthyer në histori dramatike) është bërë gara e ethshme e kryeministrit, alias Djallit tonë, që po lë pas në rrugën e tij të moskthimit vetëm tym e flakë…