Përfaqësuesit e maxhorancës janë shprehur të hapur për të lejuar hetimin e plotë të skandalit me CEZin, ndërkohë që ky hetim është i pamundur në sajë të marrëveshjes që palët kanë nënshkruar më 23 qershor 2014 mes tyre.
Në marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ, përfaqësuesit e qeverisë u kanë dhënë garanci në të paktën katër pika çekëve që nuk do të lejojnë asnjë hetim ndaj tyre. Teksa e kaluan në Kuvend më 31 korrik 2014, me 85 vota, përfaqësuesit e maxhorancës nuk e kishin parashikuar publikimin e fakteve në lidhje me kompaninë “DIA” dhe përfshirjen e disa prej aktorëve politikë në aferën e CEZ, për të cilët është kërkuar edhe hetim ndërkombëtar.
MARRËVESHJA
Për Kryeministrin Rama dhe ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri, prishja me mirëkuptim e marrëveshjes me CEZ, pavarësisht dëmshpërblimit financiar që do të paguhet, ishte zgjidhja më e mirë. Ndërkohë që rihapja e çështjes dhe kërkesa për hetim pengohet nga nenet që vetë përfaqësuesit e maxhorancës kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Kështu, në nenin 9, pika 5, theksohet se në bazë të marrëveshjes në rast se ndonjë nga palët shqiptare do të vihet në dijeni për ndonjë procedim ndaj kompanisë CEZ, procedimet do të ndërpriten menjëherë duke rrëzuar çdo pretendim të ngritur.
Komentet