Maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për një draft përfundimtar për ligjin e dekriminalizimit, i cili mund të prekë edhe Kushtetutën.
Në përfundim të mbledhjes së sotme, nënkryetari socialist i komisionit të posaçëm, Taulant Balla tha se me opozitën kanë rënë dakord për një draft përfundimtar, por pa pranuar testin e drogës.
“Nuk ka dhe nuk kishte asnjë shans që të miratonim nenin qesharak të testit të drogës. Nuk ka asnjë vend në botë që ka një nen të ngjashëm. U them atyre që e kanë propozuar, për të damkosur Shqipërinë në sytë e gjithë botës, le ta miratojnë këtë nen në statutin e partisë së tyre. Le ta bëjnë atje testin e alkolit, drogës dhe duhanit po deshët. Jemi në fund të një procesi”, tha Balla.
Kurse kryetari i Komisionit, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka theksuar se paralelisht me këtë do punohet edhe për përmbylljen e paketës së ndryshimeve kushtetuese që reflektojnë këtë ligj shumë të rëndësishëm.
“Kur Kuvendi të miratojë ndryshimet me do ia lëmë ligjit të gjejë deputetët apo zyrtarët, përfshirë kryetarët e bashkive për verifikimet e nevojshme”- tha ai, duke theksuar se numri mund të dalë edhe më i madh nga sa është denoncuar nga opozita.
“Ka afate për miratimin e akteve dhe për verifikimet, për ata që janë sot në funksione publike do të operohet menjëherë dhe cdo person do humbasë mandatin sapo të dalë konkluzioni. Brenda muajit që vjen e kemi mbyllur kornizën zbatuese, e besoj do të jetë vitin tjetër në zbatim”- tha ai.
Komentet