Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur kuvendin, ku pritet të zgjedhet kryetari i ri i partisë, pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga drejtimi i partisë.
Kuvendi i LDK-së ka nisur punimet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave.
Pak para nisjes së kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetari i kësaj partie, njëherësh ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni u tërhoq nga gara për kreun e partisë.
Përmes një postimi në Facebook, Quni tha se cilido nga kandidaturat e shpallura, sipas tij, do të garantojë “një drejtim të duhur për LDK-në”.
“Procesi i sotëm zgjedhor shënon një etapë të re për zhvillimin e demokracisë së brendshme të LDK-së, një etapë të ripërtëritjes dhe avancimit të reformave të brendshme”, tha Quni përmes një postimi në Facebook.
Në garë për kreun e LDK-së, deri më tani kandidaturën e kanë shpallur nënkryetari Lutfi Haziri si dhe anëtarët e kryesisë, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.
Por, sipas statusit të kësaj partie, që është themeluar më 1989, secili nga këta kandidatë, që zyrtarisht të hyjë në garë, i duhet që fillimisht të marrë aprovimin e 178 anëtarëve apo 50 për qind plus një të delegatëve të partisë.
Kjo parti ka 355 delegatë dhe ky kuvend, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se mbahet duke i respektuar masat kundër pandemisë së koronavirusit.
Mbajtja e këtij kuvendi të LDK-së, vjen pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku LDK-ja regjistroi rezultat të dobët, duke fituar 12.73 për qind të votave, gjë që çoi në njoftimin e Mustafës për tërheqjen nga udhëheqja e partisë.
“Vota e qytetarëve është ajo që respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtejshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, në një periudhë shumë të shpejtë kohore”, deklaroi Mustafa më 15 mars, kur njoftoi se po tërhiqet nga kreu i LDK-së.
Premtimet e kandidatëve
Në këtë kuvend zgjedhor, LDK-ja hyn pa nënkryetaren e partisë, Vjosa Osmani, e cila u shkarkua nga postet partiake në qershorin e vitit të kalaur.
Për rikthimin e Osmanit, ka premtuar se do të punojë Lutfi Haziri, nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në. Ai ka theksuar se është e domosdoshme, që kjo parti të hapet.
“Do të angazhohem për një vlerësim të drejtë, reformë të bazuar në meritë, konkurrencë, vlerësim të rezultatit dhe hapje të domosdoshme për brezin evropian të LDK-së në vendimmarrje”, ka deklaruar Haziri, më 10 mars në Gjilan, komunë të cilën ai e udhëheq.
Osmani u shkarkua nga të gjitha postet partiake, pasi kishte shprehur kundërshtitë e saj për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe ishte shprehur kundër ekzekutivit që pasoi, të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Osmani, që ka formuar një iniciativë të re politike, garoi në kuadër të listës së LVV-së dhe doli kandidatja më e votuar, duke fituar mbi 300 mijë vota.
Lumir Abdixhiku, që në LDK u bashkua më 2017, gjatë shpalljes së kandidaturës për kryetar, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte “ndëshkim nga njerëzit tanë nga qytetarët e vendit tonë, nga të njëjtit që dikur na kishin dhënë besim.
“E rëndë është rënia, por më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Ky rrugëtim kërkon ndryshim”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërkaq, Besian Mustafa, i cili njëherësh është ministër në detyrë i Bujqësisë, ka premtuar se do të krijojë unitet brenda partisë.
“Do të sigurohem që LDK-ja do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtarë e ish-anëtarë, ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka thënë Mustafa.
Kjo është hera e parë që një kryetar i LDK-së jep dorëheqje. Kjo parti është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.
Komentet