Ndërsa demokracia dhe politika në Shqipëri, si një vend me emancipim të vonuar të shoqërisë, po shkel në rrugë të pashkelura, kjo shoqëri dalëngadalë po adopton me shumicë standartet e vendeve përëndimore dhe aziatike apo edhe standarte unike, nganjëherë të çuditshme të cilat na habisin neve që jetojmë në diasporën e largët të Amerikës. Unë do të flas vetëm për moralin personal si i lidhur ngushtë me karrierën dhe suksesin në politikë.
Mora shkas për këtë shkrim nga disa defiçenca logjike në debatet politike në televizionet shqiptare, ku nuk ka sesi mos të ngelësh gojëhapur kur dëgjon deklarime në lidhje me moralin në përgjithësi dhe sidomos moralin e jetës martesore të politikanëve të profilit të lartë. Vë re se sa herë dikush guxon të përmend ngjarje apo shkelje të etikës dhe te moralit nga politikanët, shikon një mbrojtje në bllok nga politikanë të tjerë apo edhe gazetarë dhe analistë me shpjegime si këto: “ ju lutem, mos ndërhyni në jetën private”, “s’kemi punë, është privatësia e tjetrit”, “lëreni atë temë, nuk shkon”, “ç’më duhet mua se çfarë bën ajo me jetën e saj”, “mos e ulni nivelin e debatit”, biles në një rast dëgjova edhe këtë: “ç’hall ke ti, të dhimsen vithet e saj”. Por më tepër një gazetar i karrierës pyeste me histeri: “Kush je ti që vendos moralin”?
Çdokush mund të ndërtojë një shtëpi të bukur, por ajo herët apo vonë do të shembet nëse nuk ka një themel të fortë. E njëjta gjë ndodh me vlerat njerëzore. Ashtu si themeli i shtëpisë, vlerat themelore përbëjnë bazën për veprimet, vendimet dhe sjelljet e njerëzve dhe sidomos të politikanëve.
Morali në përgjithësi si një nga vlerat thelbësore te njeriut, është një sistem rregullash specifike të drejtuara dhe të diktuara nga jeta e përditshme në marrdhënie me njerëzit dhe që rregullojnë dëshirën e një personi për të qenë i mirë. Një njeri, i cili nga të qenurit i zakonshëm vendos që të jetë përson publik apo politikan i karrierës, luksi i privatësisë së jetës së tij/saj perfundon. Nga ai moment, ky person është çdo ditë nën vëzhgim nga adhuruesit e sidomos nga kundërshtarët e tij/saj. Duke qenë nën vëzhgim, këto vlera pasi shfaqen në jetën e përditshme të këtij personi publik, ndjekësit e tij/saj, pak nga pak përvetësojnë vlerat që ky person publik mbart. Pra, ky /kjo person kthehet në një “rol model” për të tjerët dhe sidomos për të rinjtë. E parë nga ky kënd i vështrimit, një person publik apo politikan, duhet të jetë shumë i kujdesshëm në raport me vlerat tij/saj dhe sidomos të moralit, sepse në varësi të vlerave të tyre personale ata mud te ndryshojnë dhe ndikojnë në jetën të tjerëvë.
Jeta e politikanëve vjen me shumë shembuj ku ata pasqyrojnë vlerat e tyre themelore.
-Një politikan që vlerëson integritetin, nuk gënjen. Në rast se ka gabuar, bazuar në vlerën e ndershmërisë e pranon atë si gabim dhe kërkon falje. E kundërta ndodh me ata të cilët nuk besojnë në vlerën e integritetit. Ata gabojnë dhe gënjejnë dhe e mbrojnë me fanatizëm gabimin dhe gënjeshtrën e tyre.
-Nje politikan që vlerëson miqësinë dhe mendon se besnikëria ndaj një miku është virtyt, i qëndron besnik deri në fund dhe heq dorë nga gjithçka për të ndihmuar atë mik. Ata që nuk besojnë në vlerën e miqësisë dhe të luajalitetit, zakonisht e presin në besë mikun.
-Një politikan që vlerëson suksesin si rezultat i mundit dhe i djersës, punon ditën dhe netëve vonë për të arritur këtë sukses. Ata që e vlerësojnë suksesin si rezultat i katapultimit, rrugëve të pandershme apo si trashëgim nga të tjerët, edhe kur arrijnë majat e tij, në çdo moment mund ta humbin, shesin apo tjetërsojnë, mbasi nuk janë lodhur per ta arritur. Sidoqofte, derisa të përcaktojnë dhe të kuptojnë se çfarë do të thotë sukses i vërtetë për ta, edhe mund të korrin arritje apo fitore boshe apo të përkohshme.
-Një politikan që vlerëson besnikërinë dhe ruajtjen te pastër të jetës martesore dhe beson në shejtërinë e familjes, ka një jetë të gjatë dhe të lumtur martesore familjare dhe politike. Këta edhe nëse kanë momente të moskuptimit, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka deri edhe të shkojnë në terapi martesore për ta ruajtur familjen, përpara se të bëjnë divorc. Ata, që nuk e njohin vlerën e besnikërisë dhe të familjes, e thyejnë kurorën në rastin më të parë që të takojnë një “djalë të gjatë apo bukurosh” apo një vajzë provokuese. Për pasojë, vlera e bashkëshortit/es bie dhe njëkohësisht edhe vlera e familjes dhe çifti shkon drejt divorcit.
Lista e vlerave themelore te njeriut eshtë e gjatë, por një politikan që dëshiron të jetojë një jetë me integritet, veprimet e tij/saj duhet të përputhen me listën e tyre personale të vlerave dhe besimeve. Nëse këta politikanë nuk demonstrojnë atë çfarë besojnë, atëherë konfliktet deri tek skandalet janë te pandashme dhe të pandalshme për të vetmen arësye sepse nuk janë luajalë dhe të sinqertë me veten e tyre.
Pa një bazë morale, “shtëpia” e suksesit të politikanit vjen një kohë që rrënohet dhe ai/ajo e humbet ndjenjën e qëllimit dhe drejtimit. Edhe nëse mund t’ju duket se kanë sukses, prapëseprapë, ndjehen të humbur.
Ndersa një politikan që ka eksploruar këtë listë vlerash dhe besimesh dhe prej tyre ka përvetësuar ato vlera të cilat rezonojnë me të dhe janë në përputhje me atë që bën në jetën e përditshmë, ky politikan lehtësisht mund të them se po qëndron në integritetin e tij.
Nëse politikanët nuk i kuptojnë vlerat themelore që mbartin, mund t’i shkelin ato edhe pa e kuptuar. Vjen nje kohë që këto shkelje mund të çojnë në reagime, fyerje dhe përbuzje nga shoqëria dhe për pasojë ky/kjo politikane do të kalojë ndjenja faji dhe turpi dhe prapë nuk e kupton se pse.
Kur bëhet fjalë për vlerat thelbësore, dhe sidomos atë të moralit nuk ka qasje për nje standard të përgjithshëm. Të gjithë janë të ndryshëm dhe zakonisht ndershmëria, besnikëria, miqësia, integriteti, liria e të tjera si këto vijnë falë formimit dhe edukimit konservator dhe besimit në Zot të politikanit.
Mungesa e moralit ashtu sikurse edhe korrupsioni, jane tundime njerëzore të cilat më së shumti vijnë me pushtetin. Në botën e civilizuar, jo vetëm pregatitja profesionale, të qenurit orator/e, apo fizionomia mjaftojnë për të pasur një jetë të suksesshme në politikë. Morali personal dhe besnikërisa martesore në shumë raste përcaktojnë edhe fatin e këtij/kësaj individi në politikë. Kur rastet e amoralit zbulohen, ato i kushtojnë jo vetëm familjen por edhe karrierën politike apo të shërbimeve civile. Po jap vetëm pak raste të njohura:
-Kongresmeni nga Nevada, John Ensign dha dorëheqjen nga Senati, përballë akuzave për lidhjen e tij me një ish-punonjës të fushatës.
-Guvernatori i Nju Jorkut Eliot Spitzer dha dorëheqjen mbasi pranoi se ka punësuar prostituta.
-Kryebashkiaku i Detroitit Kwame Kilpatrick dha dorëheqjen pas akuzave dhe publikimit të mesazheve seksuale me shefen shtabit të tij.
-Mark Foley nga Florida jep dorëheqjen pas publikimit të mesazheve seksuale dërguar një adoleshenteje.
-Guvernatori i Nju Xhersit, Jim McGreevey, jep dorëheqjen në mes të akuzave për ngacmim seksual.
-Presidenti Bill Clinton shpallet fajtor në Kongres dhe gati i kushtoi karrigen pasi gënjeu per lidhjen jashtëmartesore me një ish-punonjëse të Shtëpisë së Bardhë.
-Governatori i New York-ut Andrew Cuomo dha dorëheqjen kohët e fundit pas akuzave për ngacmime seksuale.
-Anëtarja e Parlamentit irlandez, Iris Robinson, u shkarkua nga partia e saj pas zbulimeve se ajo kishte një të dashur 19-vjeçar, ndërsa ishte e martuar.
Në Shqipërinë tonë ndodh e kundërta. Po marr vetëm një shembull rëndom: deputetja Grita Duma u zu publikisht në një mardhënië jashtëmartesore, mbas publikimt të mesazheve seksuale me një koleg të saj, gjë e cila i kushtoi familjen.
Në vend të dorëheqjes apo përjashtimit, emërohet nënkryetare e Partisë më të madhe të djathtë dhe konservatore, parti e cila mbart dhe përcjell vlera të kundërta morale me këtë politikane.
Ky është vetëm një rast, sepse në Shqipëri amorali është një standard politik specifik, i paprekshëm, i padiskutueshëm dhe i mbrojtur si nga vetë politikanët e së njëjtës tufë po ashtu edhe nga mediat të cilat notojnë në të njëjtin moçal të ndyrë të imoralitetit. Ndërsa atij gazetarit profesionist mjekërthirë që pyet: “Kush je ti qe cakton moralin”, unë i përgjigjem: Jam zëri qytetar, njeriu i thjeshtë, që ndryshe nga ti, ia di vlerën moralit
Komentet