Frymëzuar nga historia e jetës së tij, intelektuali i spikatur nga shtresa e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, shkrimtari, eseisti, publicisti e përkthyesi Eugjen Merlika sjell për lexuesin shqiptar “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare”, pjesë e kolanës “Scripta Manent” të botimeve UET Press.
Me një kulturë gjuhe ku shpërfaqet i spikatur formimi i tij intelektual dhe e gjithë përvoja e jetës në mjediset elitare të mendimit shqiptar, Eugjen Merlika sjell një tekst-traktat që sfidon historiografinë shqiptare.
Eugjen Merlika
“Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare” është një endje e përfytyruar në periudha të ndryshme të së shkuarës sonë, një orvatje modeste për t’u përnjisuar me shpirtin e atyre kohëve nga një qytetar shqiptar i viteve njëzetë të shekullit njëzetenjë. Është një përpjekje, sui generis, për t’u kthyer mbrapa me mendime, përsiatje dhe përfytyrime në shtigjet e thepisura të historisë sonë, pa marrë rolin e historianit, që koha dhe rrethanat shoqërore nuk ia bënë të mundur, edhe se shumë kohë të zotimit të tij ia ka kushtuar pikërisht asaj lamije të dijes njerëzore të cilën, me të drejtë, një i urtë I botës së lashtë, Mark Tul Ciceroni, e quante “mësuese jete”. Ky rrugëtim i përfytyruar bëhet nëpërmjet librave, dokumentave, letërkëmbimeve të cilët autori i ka qëmtuar me zell e dëshirë të fuqishme për të mësuar të vërtetën.
Ai ka pësuar në vetë të parë historinë e gjysmës së dytë të qindvjetorit të shkuar, atë që rëndom quhet “komunizmi shqiptar”apo epoka e “socializmit”, të dyja, sinonime të llahtarshme të një sistemi që mbante, për zgjedhje të krijuesve të tij, emrin “diktaturë e proletariatit”. E ka filluar ecjen e tij si një foshnje binjake e një viti, të shënuar më shumë për keq se për mirë në analet e historisë së gjatë të kombit të tij, vitit 1944. Ishte vetëm tre vjeç kur, i vulosur me nofkën e “armikut të klasës”, e filloi lundrimin së bashku me familjen, në një det të trazuar e të përshkuar nga rrufetë e pambaruara të “Zeusit” të saj, siç ishte Shqipëria e dalë nga lufta e Dytë botërore. N’atë lundrim i takoi të provojë, mes shumë të tjerave, “ gojëçthurjen e zyrtarit, vonimin e ligjës, përdhunën e krenarit dhe shkelmat që çdo vlerë zemërgjërë nga të pavlershmit merr…”, nëse do t’i lejohej të huazonte pak fjalë nga vetëbiseda e Princit të Danimarkës. N’atë shtegtim të vazhduar, të shoqëruar gjithmonë nga syri “vigjilent” i Sigurimit të Shtetit shqiptar, njohu dhjetëvjeçarë internimi e pak vite burgimi, të cilëve, fatmirësisht u mbijetoi me varrat e Gjergj Elez Alisë në shpirt….
Libri, që sot përurohet këtu, është prodhimi i një të mbijetuari që, me gjithë synimin e mbrapshtë të sunduesve të regjimit komunist, u gjend në një ditë fatlume të jetës së tij, jashtë hullisë ogurzezë në të cilën ishte zhytur prej afër gjysmë shekulli, në një Vend të huaj, por që ishte Vendi në të cilin kishte lindur dhe ishte rritur nëna e tij. Vazhdoi rrugëtimin në Italinë fqinjë, me vullnetin për të çuar përpara një familje, ku fëmijët nuk duhej të përsërisnin përvojën e tij. Në lirinë që i jepte Vendi mikpritës, ata duhej të studionin e të ndërtonin jetën e tyre simbas aftësive, vullnetit e zotimit madhor të tyre. Ata e kryen atë detyrë, karshi vetes së pari, karshi prindërve që vazhduan të flijoheshin në punët e tyre të rëndomta, për të plotësuar nevojat më të ngutëshme të familjes. Ata ecën drejt në jetën e tyre e ajo ecje qe kënaqësia më e madhe që shkruesi i këtyre radhëve mori nga jeta, mbas gati një gjysmë shekulli mohimesh të thella njerëzore, të pësuar nga një sistem mizor që mbështetej vetëm në dhunën, shtypjen, mashtrimin e çdo lloj përdhunimi të të drejtave më parake njerëzore.
Me pak fjalë, kjo qe historia e jetës s’autorit të këtij libri. Është munduar të paraqesë pjesë të njohura e më pak të njohura të së vërtetës jetësore shekullore të të parëve të tij. Ka trajtuar personazhe të njohur e më pak të njohur të historisë sonë, me një vëmendje të veçantë kundrejt personaliteteve të shquar të dy perandorive më të mëdha të kohëve, Romës e Bizantit. Kishin një veçanti ata personazhe që sendërtuan ato histori, ishin me prejardhje ilire, ishin përfaqësues të të parëve tanë, që zotëronin të gjithë hapësirën e Ballkanit e shtriheshin edhe më gjerë. Megjithëse për 230 vite, të marra së bashku, ata punuan për Romën e Bizantin, nëpërmjet veprimtarisë së tyre shpalosën gjallërinë e forcën e popullit të tyre. Në këtë drejtim ata pasqyrojnë dhe historinë e bëmat e atij populli.
Autori ndalet në epokën e Skënderbeut e të “shekullit të madh”, në kahun e fljimit të domosdoshëm që koha e lavdisë detyroi mbi gjinden arbërore, për mbijetesën e saj e mbrojtjen e vlerave të Krishterimit, n’Evropën mosmirënjohëse në shumë shekuj për fatet e Shqipërisë. Por mbi të gjitha, autori ndalet në trashëgiminë e vlerave që Skënderbeu dhe epoka e tij i lanë kombit shqiptar në tërësinë e tij.
“Lidhja e Prizrenit” është një tjetër kapitull i këtij libri në të cilin autori është munduar të nxjerrë në pah orvatjen e parë të madhe të shqiptarëve për të krijuar kombin, që shumë faktorë johenikë e penguan në përvojën e shekujve. Lidhur me këtë ngjarje madhore trajtohet edhe një material shumë me interes, një letër e popullit të Shkodrës drejtuar kryeministrit të Britanisë së Madhe, një dokument i vlefshëm, por i patrajtuar nga historiografia zyrtarie.
Një trajtim të veçantë në “Ravgimet e lira në shtigjet e historisë shqiptare” zë shekulli i njëzetë, më i ndërlikuari i gjithë historisë së tij. Është shekulli i krijimit të Shtetit të pavarur dhe i fillimit të pafund të politikës shqiptare, që pati si veçori dalluese dasitë e mungesën e vullnetit politik për një dialektikë pohenike në shërbim të interesave të vërteta të Shqipërisë. Është shekulli i copëtimit të trojeve, i Shqipërisë së rrudhur në maksimum në kufijtë e saj, i luftës së Parë Botërore, me pushtimet tërësore të tokave të saj.
Është shekulli i Qeverisë së parë të Shtetit të pavarur, një qeveri e tradhëtuar nga ministrat e saj që shkuan në shërbim të Esat Pashë Toptanit. Është shekulli i përballimit të dy prirjeve kryesore të mendimit politik e institucional, mes kërkesave për perëndimorizimin e jetës politike e shoqërore e frenimit të tij nga mjedise turkofile, e përvojës së dështuar të të vetmit princ nga Evropa në krye të Shtetit shqiptar. Është shekulli i luftërave botërore, i Evropës mes luftërave e i përpjekjes së Ahmet Zogut për të ndërtuar një Shtet të qëndrueshëm. Është shekulli i pushtimit fashist, i ribashkimit të trojeve shqiptare në vitet 1941 – 44, i të vetmit parlament mbarëshqiptar, i daljes në skenë të lëvisjes komuniste, të drejtuar nga të dërguarit e komitetit qëndror të PKJ, i luftës civile, i përpjekjeve të pafrytshme të kombëtarizmit shqiptar për të mbrojtur Shqipërinë e bashkuar, i fitores së Frontit nacional – çlirimtar, me tradhëtinë e ëndrrës kombëtare të shqiptarëve e, së bashku me të, të lirisë së tyre.
Autori, nëpërmjet hulumtimit, dokumentave e shkrimeve të ndryshme të shfrytëzuara, është orvatur të hedhë dritë mbi çastet më t’errëta të historisë bashkëkohore që, fatkeqësisht, prej tetëdhjetë vitesh i shërbehet shqiptarëve jo nëpërmjet së vërtetës, por kritereve të historiografisë së diktaturës. Për të ndihet si detyrë morale kulturore të shprehë në veprën e tij mendime e fakte historike që nuk përputhen me të, që synojnë të rivendosin të vërtetën historike, të varrosur prej gati një shekulli.
Është kritik autori edhe për periudhën 1990 – 2021, atë të “demokraturës”, siç i pëlqen atij t’a quajë, duke huazuar një term të një publiçisti të njohur ballkanas.
Sot ky libër i kalon lexuesve, me shpresë se do të gjejë mirëkuptim, sidomos tek të rinjtë që, krahas interesave për realizimet e shumta të teknikës bashkëkohore e shfaqjeve të saj të papërfytyrueshme, është mirë të kthejë vështrimin edhe nga e shkuara e prindërve të tyre, të cilët janë përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria e sotme, që nuk është më shumë mikpritëse se ajo e vitit 1990, e mërgimit biblik të shqiptarëve t’atyre viteve. Ndoshta secili prej nesh do të ndjejë nevojën për të bërë një mea culpa, në thellësi të ndërgjegjes për atë gjëndje….. /Gazeta Liberale
Komentet