Fragment nga libri: “SHIJAKU – KY OAZ FISNIKËRIE, ATDHETARIE DHE HUMANIZMI”.
Pak fjalë për “tiranasin e madh” HAMIT MËZEZI, për këtë fisnik të rrallë, që ishte mirësia vetë. (1918 – 1980).
I lumtur është ai që e mbyll jetën me gjurmë mbresëlënëse, por akoma më të lumtur ndihen pasuesit e tij, që kanë të drejtë të krenohen me prindin e tyre, por që edhe me vazhdimësinë e vet e kanë ngritur akoma më lart figurën e tij.
Të tillë janë padyshim pinjollët e mrekullueshëm të familjes Mëzezi, djemtë dhe vajzat e humanistit të madh e të paharruar, Hamit Mëzezi.
Vitet që kalojnë zbehin vetëm ata që nuk lënë gjurmë në jetë, por jo njerëz si shpirtmadhi, gojëmbli, i palodhuri dhe i përkushtuari Hamit Mëzezi.
Ai u lind më 1918 në një familje të thjeshtë, por atdhetare tiranase. Bashkëmoshatarët do t’i mbanin mend vëllezërit Hamit e Hamdi Mëzezi, jo vetëm për thjeshtësinë dhe devotshmërinë e tyre, por sidomos për adhedashurinë e rrallë. Ata ishin nga të parët që e filluan veprimtarinë antifashiste ilegale, pa u trembur për rreziqet. Dhe ja Hamdiu, në moshë fare të re, do të jepte jetën për lirinë e vatanit. Por rrugën e tij do ta vazhdonte për vite me radhë, antifashisti i flaktë, Hamit Mezëzi.
Ishte nëntori i vitit 1944, kur partizanë të Komandës së vendit, të drejtuar nga trimi Hamit Mëzezi do të futeshin në Shijakun, tashmë të çliruar prej nazistëve.
Ishin kohë të vështira e që kërkonin sakrifica të mëdha. Shpejt komisari Hamit Mëzezi do të miqësohej dhe do të fitonte respektin e thellë të të gjithë banorëve të qytetit të Shijakut dhe të fshatrave të tij. Dhe ja ai do të njihej nga afër me familjen e shquar të Zeqir Shkodrës dhe… fati e deshi që me njërën nga vajzat, Sulltonen, të lidhej përjetësisht.
Veterani i nderuar Xhemal Kruja tregonte:
„Më kujtohet fare mirë 14 nëntori i vitit 1944. Nga katundi Rreth mbërriti formacioni partizan i Komandës së vendit, që kishte pasur qendrën në fshatin Shetel. Në krye të partizanëve qëndronin dy burra fisnikë, komisari Hamit Mëzezi dhe komandanti Qamil Kacmoli. Qindra njerëz, burra, gra e fëmijë mbushën qendrën e qytetit dhe me lule në dorë prisnin fitimtarët.
Ishin ditët e para të çlirimi, entuziazmi popullor ishte në kulm, por edhe problemet e shumta kërkonin zgjidhje të shpejta. Komiteti Ekzekutiv i nënprefekturës më në krye patriotin Qazim Domi nuk njihte lodhje. Bashkëpunimi i ngushtë më drejtuesit e Komadës së vendit, si Hamit Mëzezin dhe Qamil Kacmolin do të jepte rezultate nga dita në ditë. Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, por të moshuarit e mbajnë mend komisarin fisnik Hamit Mëzezi, i cili ku ngrysej nuk gdhihej. Ai priste e përcillte qytetarë dhe fshatarë nga fshtrat më të largëta që nga Ndroqi e Preza dhe gjithë kohën e gjeje në lëvizje. Këtu miku i shijakasve njohu dhe u lidh me shijakasen tonë të nderuar, Sulltane Shkodra dhe pa kaluar shumë ata do të largoheshin drejt Tiranës”.
Kur përmenda “Tiranasin e madh”, Hamit Mëzezi, domosdoshmërisht duhet të vazhdoj me krahun e djathtë të tij, me gruan e mrekullueshme dhe të përkushtuar si rrallëkush për familjen, të paharruarën, Sulltane Shkodrën (Mëzezi). Si mik, por më tepër si historian, e kam për detyrë dhe nder të theksoj shkurt kontributin e madh dhe shumëvjeçar të familjes së atdhetarit të nderuar shijakas, Zeqir Shkodra, që me të drejtë mund të quhet “emblema e Shijakut”. Banorët e qytetit dhe të fshatrave do t’i mbeten mirënjohës kësaj familjeje: nanë Xhejes, vajzave Sulltanës, Meremes, Sabrijes, Shyqyrisë, Balit dhe Rikut për kontributin e gjithanshëm si gjatë luftës për liri ashtu për dekada me radhë pas çlirimit, sidomos në drejtim të emancipimit të vajzave dhe grave të ish nënprefekturës së Shijakut, që përshinte territorin nga Ndroqi e deri në Prezë, ku injoranca dhe paragjykimet ishin ulur këmbëkryq. Midis tyre do të shkëlqente njëra nga aktivistet më të shkëlqyera në të gjithë vendin, edukatorja e rrallë, frymëzuesja e rinisë dhe e grave të qytetit dhe të fshatrave të Shijakut, Mereme Shkodra (ish studentja e shkollës “Nana Mbretneshë”, rekordmene e vendit në atletikë, pjesëtare e ekipit kombëtar të volejbollit, njohëse e disa gjuhëve të huaja, mësuese tepër e aftë, që më një nivel të lartë jepte të gjitha lëndët e shkollës 7 dhe 8-vjeçare, drejtuese e shkëlqyer e aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive në Shijak për dekada me radhë).
Vitet do të kalonin, por tashmë familjen Mëzezi do ta gjenim në Tiranë. Për një kohë tepër të gjatë Hamiti do të drejtonte njërën nga ndërmarrjet më në zë të vendit, me emrin e ndritur “Artistikja MIgjeni”. Prodhimet me cilësi dhe art të traditës shqiptare nga duart e artizanëve virtuozë të kësaj ndërmarrjeje do ta nderonin Shqipërinë kudo në botë. Ajo do të përmendej, mbase më tepër edhe për faktin kuptimplotë, sepse krijoi ansamblin amator “MIGJENI”, më të suksesshmin në gjithë historikun e lëvizjes artistike amatore në vend. Ky ansambël, jashtë mase i mirënjohur, me shfaqjet e tij të mrekullueshme, do ta nderonte Shqipërinë në shumë vende të Evropës. Të huajt nuk e besonin se ai ishte ansambël amator, por ngulmonin se ishte një ekip pofesionistësh të vërtetë.
Por as që mund të mendohen sukseset e ndërmarrjes artistike “Migjeni” si në prodhim ashtu edhe në lëvizjen artistike, pa rolin vendimtar e të pazëvendësueshëm të drejtuesit të palodhur të saj, organizatorit të rrallë, Hamit Mëzezi, që jetonte, jo vetëm me problemet e ndërmarrjes, por edhe me hallet e panumërta të punonjësve të vet të shumtë. Me dhjetra e dhjetra familje tiranase ruajnë edhe sot dashurinë dhe respektin e madh për “njeriun e vërtetë”, që me atë thjeshtësinë e vet dhe gadishmërinë e rrallë i ndihmonte për të kapërcyer vështirësitë e shumta të jetës.
Më kujtohet viti 1968, në Shijak do të përkujtoheshin dy ngjarje historike, krijimi këshillit nacionalçlirimtar të nënprefekturës, në familjen e atdhetarit të rrallë, Ali Dashir dhe përkujtimi i rënies së dëshmorit gjirokastrit Koço Kaftani. Në këto kushte iu drejtova “mikut të madh të shijakasve”, drejtorit fisnik Hamit Mëzezi. Edhe sot e kujtoj me respekt të veçantë gadishmërine e tij të rrallë: ai jo vetmë që i gdhendi pllakat në një kohë rekord, por ato ia bëri dhuratë pushtetit lokal.
Hamiti u shqua edhe si prind i rrallë dhe i devotshëm: fëmijët e shumtë (njëri më i mirë se tjetri) ia shtuan hallet për mirërritjen e tyre, por e bënë edhe njeriun më të lumtur.
Angazhimi i jashtëzakonshëm i këtij njeriu të përkushtuar në punë, në jetën shoqërore dhe në familje do të ndikonte në shëndetin e tij. Ai u nda shpejt nga jeta në vitin 1980, por la mbrapa gjurmë të tilla, që e bënë të përjetshëm.
Të rrojmë e ta kujtojmë përherë atdhetarin e shquar, drejtuesin e mrekullueshëm, prindin e paharruar, humanistin e vërtetë, HAMIT MËZEZI.