Gazeta “SOT” shkruan se grupi që ka pajisjen e përgjimit është i veshur me pushtet dhe ka lidhje shumë të forta biznesi dhe politike. Sipas informacioneve, pajisja e përgjimit është blerë në Izrael nga vëllai i një politikani shqiptar, teksa mësohet se ky grup ka në plan të blejë dhe një dron që mund të monitorojë nga ajri. Bëhet fjalë për vëllanë e një politikani të njohur në vend dhe për individë të pushtetshëm që kanë rol shumë të rëndësishëm në ecurinë e vendit. Ditët e fundit është përfolur shumë se ekziston dhe një pajisje e tretë.
Kanë qenë gazetarët Artan Hoxha dhe Blendi Fevziu ata që kanë thënë se ajo përdoret nga persona privatë për shantazhe politike. Kjo pajisje tepër e sofistikuar është përdorur për të përgjuar individë të caktuar në politikë dhe më gjerë. Pra duket se në vend ka shpërthyer një skandal përgjimesh që është shumë herë më i gjerë sesa kaq.
Përveç autoriteteve shtetërore që lejohen sipas ligjit të përdorin aparatura të tilla, duket se edhe individë të caktuar përgjojnë politikanë, zyrtarë apo dhe qytetarë të thjeshtë. Pajisja që disponohet nga grupi në fjalë dyshohet që të jetë marrë me një çmim shumë të lartë dhe është e teknologjisë më të fundit, duke arritur që të kontrollojë dhe biseda në rrjete sociale, duke transkriptuar mesazhet në rrjete sociale.
Komentet