Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka mirëpritur dhe përshëndetur aprovimin me unanimitet të plotë të Rezolutës për Kosovën nga 57 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik – OBI, në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.
“Mirënjohës OBI-t dhe shteteve anëtare për miratimin me unanimitet të Rezolutës, duke thirrur mbi shtetet e saj anëtare që ta njohin Kosovën dhe mbështesin anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj me OBI-n dhe do të rrisë edhe më tej lidhjet”, ka thënë Pacolli, pas aprovimit të kësaj Rezolute, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Pacolli pret që edhe 19 shtete të kësaj organizate ta njohin Kosovën
“Tashmë 38 shtete anëtare të OBI-t e njohin Republikën e Kosovës. Ne presim që edhe 19 shtetet anëtare të kësaj organizate, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim ta bëjnë këtë së shpejti. Rezoluta bën thirrje pikërisht për këtë dhe presim lëvizje të reja në këtë drejtim”, është shprehur Pacolli.
Gjatë pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të Kosovës në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në Abu Dhabi, ministri i jashtëm kosovar, Pacolli, ka takuar shumicën e homologëve të tij nga 57 shtetet anëtare që morën pjesë në këtë takim dhe që vijnë nga katër kontinente të ndryshme të botës.


Komentet