Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se mbi 1.600 personat e zhdukur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, mbeten “plaga më e thellë” e vendit.
Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se “Serbia po e përsërit krimin” duke “e mohuar të vërtetën” dhe se po shkel marrëveshjet e arritura duke mos i hapur arkivat.
“E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, shkroi Osmani në Facebook, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia, përmes Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, janë zotuar se do të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe se do t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Deri më tash, këto zotime kanë mbetur vetëm në letër.
Autoritetet në Serbi, ngjashëm, kanë fajësuar Kosovën për angazhim jo të duhur.
Në ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është e përkushtuar për trajtimin e secilës informatë që kontribuon në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Po atë ditë, ai ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Përgjatë viteve, mijëra trupa janë gjetur në lokacione të ndryshme, por, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 1.612 persona – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. REL