Kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar në Vushtrri në kuadër të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Kosovë me 6 tetor. Nga Vushtrria Osmani ka thënë se qytetarët e këtij qyteti do ta dëshmojnë përkrahjen e madhe për LDK’në me 6 tetor
“Vushtrria është qyteti i dytë pas Mitrovicës që gjithmonë më ka dhënë mbështetje. E gjithë Kosova ju njohin si Vushtrria e Hasan Prishtinës dhe Kolonel Ahmet Krasniqit. Ahmet Krasniqi i takoi popullit, por ajo që sot duhet ta dëgjojë e gjithë Kosova e sidomos ata që po tentojnë të ia keqpërdorin emrin kolonelit, është që kolonel Ahmet Krasniqi ka qenë komandat i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha, ka qenë ushtari i parë i Ibrahim Rugovës”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët do ta dërgojnë PDK’në në një opozitë ku do të qëndrojë për një kohë të gjatë.
“Të jeni të bindur që ne jemi gati më shumë se çdo herë më parë për të ia kthyer këtij vendi dinjitetin. Me 6 tetor qytetarët e Kosovës do ta vulosin fatin e vendit duke e dërguar në një opozitë shumë të gjatë partinë që e krijoi modelin e zhvatjes e nëpërkëmbjes së shtetit, partinë që jetëgjatësinë e vetë e sheh duke i mbajtur në xhepat e qytetarëve, pra PDK’në do ta dërgojmë në një opozitë të gjatë një herë e përgjithmonë”, ka thënë Osmani.
Komentet