Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të martën se është çështje ditësh kur do të përfundojnë aktet nënligjore që i hapin rrugë peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja, ndërsa kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për t’i dhënë fund frikësimit të serbëve në veri.
Ajo i bëri këto komente gjatë një vizite në komunën e Dragashit rreth 90 kilometra në Jug të Prishtinës, gjatë së cilës tha se institucionet e Kosovës kanë vullnet për përmbushjen e kërkesave për shtensionimin e situatës në veri.
“Është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket akteve nënligjore edhe atyre të ministrisë dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i përcaktojnë afatet dhe çështjet teknike procedurale lidhur me zbatimin e nenit 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale. Pra aktet nënligjore pasi të përfundojnë, i takon pastaj qytetarëve në veri se a dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë apo jo”, tha ajo.
Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.
Qeveria e Kosovës ka thënë se pret që deri në fillim të muajit shtator të përfundojë hartimi i një dokumenti, nëpërmjet të cilit pritet të përcaktohet rregullat se si të organizohet peticioni, që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre. Për të pasur sukses peticioni, sipas zyrtarëve të qeverisë duhet të shprehë vullnetin e 20 për qind të votuesve të një komune.
Presidentja Osmani tha se qytetarët në veri janë të gatshëm që të shfrytëzojnë të drejtën për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe zgjedhjen e kryetarëve të rinj.
“Mirëpo unë deri tani nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti Vuçiç që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët, nuk shoh vullnet nga ai që të ndërpresë dhunën që nëpërmjet strukturave kriminale vazhdimisht e ushtrojnë ndaj qytetarëve tanë në veri prandaj presioni duhet të jetë në Beograd që më në fund Beogradi të filloj të sillet në përputhje me standardet evropiane dhe jo si një shërbëtor i Putinit”, tha presidentja.
Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. Për shkak të mosveprimit të qeverisë së Kosovës, Bashkimi Evropian ka shpallur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani pret heqjen e masave që ajo i cilësoi si të tepruara.
“Sepse në një farë mënyre përshtypja ime ndonjëherë është që shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën ato ditë sikurse Kosova ta ketë pushtuar dikënd, Kosova nuk e pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj, Kosova ka vepruar në territorin e Republikës së saj, Republikë sovrane e cila është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri, një kërkesë kjo e Bashkimit Evropian i cili tha se hapat e qeverisë janë ende të pamjaftueshëm për uljen e tensioneve.