Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, që konsiderohen si “disidentë” nga partitë e tyre, Vjosa Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD) e Ilir Deda nga Lëvizja “Vetëvendosje”, kanë prezantuar një plan konkret për daljen nga kriza politike dhe legjislative në Kosovë. Ata këtë plan pretendojnë t’ua dorëzojnë liderëve të partive politike, Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Visar Ymerit dhe Fatmir Limajt, që ta nënshkruajnë dhe t’i japin fund krizës dhe bllokadës politike në vend.
Në këtë marrëveshje, e cila ka pesë pika, parashihet që Kuvendi i Kosovës ta themelojë një komision hetimor të udhëhequr nga opozita për ta shqyrtuar Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe aty thuhet se Kuvendi i Kosovës do t’i zgjedhë dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që vendimi i saj për kushtetutshmërinë e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe të bëhet me Gjykatë Kushtetuese të kompletuar.
Kurse në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i zgjidh dilemat për Asociacionin, ata propozojnë që Kuvendi t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për sqarime shtesë.
Deputetët, Deda dhe Osmani, kanë thënë se idenë e tyre e kanë përkrahur edhe kolegë të tjerë nga Kuvendi i Kosovës dhe po ashtu propozuan që kjo marrëveshje do të duhej të nënshkruhej nën mbikëqyrjen e presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend.
Kjo marrëveshje do të votohet si rezolutë e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës, më së largu 7 (shtatë) ditë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, thuhet në këtë propozim të Osmanit dhe Dedës…
Komentet