Kryesia e punës të Kuvendit, kryetari Faruk Tafa falenderon për besimin e dhënë
Në kuadrin e riorganizimit partiak, në Nürnberg të Bavarisë, u rihap Nëndega e LDK-së. Ky subjekt politik, ka lozur një rol të madh, sidomos në 10-vjeaçrin e viteve `90-a, duke ndihmuar Kosovën për mbijetesën financiare, e deri tek kontributet për luftën e saj për çlirim. Nuk qëndron vlerësimi paushall, se, kinse, organizimi partiak ka dëmtuar Mërgatën. Përkundrazi, mungesa e një Lobi, me mbikqyrjen, monitorimin e shtetit, subjektet politike, kanë kontribuar që mërgimtarët tanë të jenë të organizuar dhe t`i përgjigjen thirrjes të Atdheut financiarisht, si dhe me pjesëmarrjen fizike në luftën për çlirim. Disa syresh ranë dëshmorë në fushën e nderit, duke bërë detyrën për Atdheun-Kosovë.
LDK-ja, si lëvizje masive kombëtare, ishte prijetare në fillim-vitet `90-a. Shtriu aktivitetin partiak edhe në Mërgatë, duke themeluar Aktivat e saj në çdo mjedis, qytet e qyteza, ku mërgimtarët ishin me shumësi. Çuditërisht, një urdhër nga Qendra, Prishtina, u dha, pa pyetur dhe pa konsultuar anëtarësinë numerike të LDK-së: “Të shuhen Aktivat dhe të krijohen Nëndegët, vetëm në Bashkësitë lokale!” Këtu filloi devijimi, më saktë, rrënimi i LDK-së, i kësaj krijese zëmadhe të kryetarit Ibrahim Rugova. Zërat mospajtues dhe kundërshtues, në Kosovë dhe Mërgatë, u mbytën, madje lehtësisht, nga kryetari i katapultuar Isa Mustafa, me rrethin e tij vicioz, i cili do të konsolidohej si klan, për t`ia bërë gjëmën LDK-së, duke e zbritur në kuotën fatale 10.5 %! Që nga anëtarësia e deri ke ish-kryetari Fatmir Sejdiu, i cili në Kuvendin zgjedhor të LDK-së, i tërhoqi vërejtjen Lidershipit të atëhershëm, se shuarja e Aktivave është parathënie e zvetnimit, deri në shuarje të partisë të Presidentit Rugova, duke kërkuar të reflektohet, për ta shpëtuar LDK-në. Megjithatë, kryetari Mustafa dhe turma kuvendore, e seleksionuar dhe e përzgjedhur, për t`i shërbyer klanit, cinikisht e përbuzshëm, për të mos thënë rrugaçërisht, shpërfillën thirrjen, sa të arsyeshme, aq edhe fisnike, të ish titullarit të partisë dhe të anëtarësisë dhe të elektoratit – njëherësh!
Koha dëshmoi se “peshku ishte qëlbur në kokë”. Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij kriminal, kishin punuar bollshëm, për ta katapultuar njeriun e tyre në krye të LDK-së. Tandemi Hashimi-Isa, duke mbajtur të shantazhuarit në pushtet, e kontaminuan, deri në kriminalizim, jetën politike në Kosovë. Ndryshimi i shumëpritur u imponua pas humbjes së turpshme, që pësuan PAN-istat, me aleatët e tyre, paterica të krimit dhe të kriminelëve. Braktisja që elektorati, populli u bëri shkaktarëve të përgjakjes dhe kryehajnave të Kosovës, ishte gjyqi unik për falsifikatorët e historisë, për ta përvetësuar luftën faktike të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të popullit të Kosovës.
Lidërshipi i ri i LDK-së, i kryesuar nga kryetari i vyeshëm, Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij, nismoi reformat, duke ngjallë shpresë e besim, se LDK-ja do të vazhdojë të frymojë sërishmi me idealet dhe parimet e shenjta rugoviane. Për ta ripërtrirë organizimin dhe veprimtarinë e tyre të suksesshme, ndër vite dhe dekada, një masë mërgimtarësh vendosen për rithemelimin e Nëndegës të LDK-së në Nürnberg, të Bavarisë gjermane. Nismëtarë u bënë Vëllezërit Tafa, nga Tërstena e Vitisë, me një grup aktivistësh, të prirë nga vëllai i madh, baca Emrush , siç e thërrasim ne. Baca Emrush, me gjithë barrën e viteve, nuk dorëzohet. Ai me vëllezër dhe mërgimtarët tjerë, janë shquar në organizimin e shkollës shqipe; në begatimi e Fondit Shtetëror, të shprehur në 3 %-shin; në të gjitha aksionet e para luftës; si dhe me kontributet financiare për luftën.
Femrat mërgimtare pjesë e Kuvendit zgjedhor në Nürnberg
Kuvendin themelues e hapi kryetari i Këshillit zgjedhor të Nëndegës, Xhymshit Tafa, i cili në fjalën hapëse përshëndeti ish-kryeministrin Avdullah Hoti, njëherësh anëtar i Kryesisë të LDK-së dhe deputet; kryetaren e Degës të LDK-së të Bajernit. Sarandë Musliun; ish-kryetarin e Degës për Gjermani, Osman Ferizin; nënkryetarin federal të të Rinisë Paneuropiane, në Gjermani, Christian Hoferer; kryetarët e Nëndegëve të LDK-së, në Bavari; kryetarin e Komisionit të Fondit Shtertëror të 3 %.shit, Pjetër Colin; si dhe të gjithë të pranishmit. Interesimi për themelimin e kësaj Nëndege ishte i një mase të mërgimtarëve, të cilët jetojnë e punojnë në Nürnberg me rrethinë.
Zotëri Xhymshit Tafa ftoi zonjen Sarandë Musliu, për fjalën e rastit, e cila edhe e udhëhoqi Kuvendin zgjedhor. Në mes tjerash, ajo bëri një ekspoze të veprimtarisë të Degës për Bajern. “Kemi punuar shumë, por jo edhe aq sa duhet. LDK-ja mbanë vulën e paqes dhe të luftës. Shqiptarët e Kosovës shquhen për mënyrën se si kemi arritur ta realizojmë lirinë, në rrethanat e një pushtimi shekullor. Dhe, kjo falë mençurisë të liderit unik Dr. Ibrahim Rugova. Në saje të kësaj trashëgimie, LDK-ja sot vazhdon traditën e organizimit politik, me parësi interesin e shtetit, mbi atë partiak. Para 4 (katër) viteve kemi përjetuar një katars, goditje meritore, përshkak të interesave personale e grupore, para atyre partiake e shtetërore. E pësuam, por, edhe pse me vonesë, u këndellëm dhe nuk u dorëzuam. Dallimet fundamentale me subjektet tjera politike janë se ato e duan, thjeshtë, pushtetin, më parë se sa shtetin. Ndërsa LDK-ja synon pushtetin, për çuarjen përpara të proceseve, për konsolidimin dhe prosperimin e shtetit, si amanet, porosi e themeltarit të shtetit të Kosovës, Presidentit vizionar Ibrahim Rugova”.
Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, fillimisht, falenderoi organizatorët e këtij Kuvendi zgjedhor, për ftesën e bërë. Ai i përshëndeti me përzemësi të gjithë të pranishmit, duke uruar për mbarësi dhe punë të suksesshme Kuvendit Zgjedhor të Nëndegës të LDK-së, në Nürnberg. Unë ndjehem sa i privilegjuar, aq edhe i gëzuar që sonte jam në mesin tuaj dhe Lidhjes Demokratike i shtohet edhe një Nëndegë, duke e begatuar dhe forcuar atë në procesin e riorganizimit, për t`u përgaditur, për ta marrë përgjegjësinë e qeverisjes, në zgjedhjet e pritshme të shkurtit të afërt. Mërgata është pjesë integrale e Atdheut dhe forcë shtytëse, morale dhe materiale, për zhvillimin e tij. Unë uroj gjithë të mirat për ju mërgimtare dhe mërgimtarë të dashur, me thirrjen që të vazhdoni të jeni pjesëmarrës aktiv, në proceset e konsolidimit dhe të zhvillimit të Kosovës tonë”, – tha, veç tjerash, Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti.
Folës i radhës ishte Osman Ferizi, luftëtar dhe veprimtar aktiv, i cili pos tjerash, tha se “LDK-ja, me organizimin e ri, duhet t`i kthehet rugovizmit të mirëfilltë, me debatet racionale dhe angazhimet serioze, e hapur ndaj anëtarësisë, simpatizantëve, elektoratit dhe popullit të Kosovës. Distancimi nga e kaluara devijuese e rugovizmit, e cila dëmtoi, madje skajshëm, partinë, dikur krenare, të Ibrahim Rugovës, është i domosdoshëm. Jemi në prag të zgjedhjeve, të mobilizohemi për një fitore të dinjitetshme”.
Pamje kolektive nga Kuvendi zgjedhor i Nëndegës së LDK-së, në Nürnberg
Procesi zgjedhor u përshkua në frymë përbashkuese dhe entuziaste. Kuvendi zgjodhi kryetarin dhe Kryesinë e Nëndegës: Faruk Tafa – kryetar, Hamëz Morina – nënkryetar, Shpresa Sahiti, Armend Lulaj, Naim Imeraj, Tafë Povataj, Avdullah Maloku, Qamil Avdijaj, Xhymshit Tafa, Naser Haskaj – anëtarë. Për arsye të pritshmërisë për anëtarësim, plotësimi i Kryesisë do të bëhet në mbledhjen e radhës.
Kryetari Faruk Tafa, në mes tjerash, tha: “Ju faleminderit për pjesëmarrje të numerike. Ju përshëndes me përzemërsi të gjithëve, në veçanti, mysafirët e nderuar, duke veçuar nënkryetarin e LDK-së, Avdullah Hoti, i ardhur, enkas, nga Kosova dhe të gjithë ju, të tjerëve, të pranishëm në këtë sallë festive. Zotohem para jush, anëtarë dhe simpatizantë, se do të punojmë së bashku, për të mirën e LDK.së dhe të Kosovës. Në emër të Kryesisë të zgjedhur, ju faleminderit të gjithëve, që na besuat dhe votuat, për ta drejtuar Nëndegën e LDK-së, në Nürnberg, me premtimin se besimin tuaj do ta vlerësojmë dhe nuk do t`ju zhgënjejmë. Kryesia e zgjedhur do të punojë si një ansambël unik, kolegjiale, për t`u bërë shembull për të mirë, në të gjitha veprimtaritë, për ta justifikuar besimin tuaj”.
Baca Emrush, siç e thërrasim ne, është i pari i Vëllezërve Tafa. Familje e madhe edhe në Mërgatë, e shtuar me djemë e nuse, vajza e dhendurë, e cila gërsheton traditën e mirë shqiptare, me bashkëkohoren emancipuese vendore, ku aktualisht, jetojnë e punojnë, është si një Kosovë në miniaturë. Shtëpia e madhe, e ndarë në kate-banesa, është e bollshme për të gjithë Vëllezërit Tafa. Bizneset i kanë të suksesshme dhe punësojnë me dhjetra mërgimtarë bashkëkombas. Dhe, krahas kontributeve tjera për Atdheun, punësimet e bëra, janë një ndihmë shtesë. Thënë troç, janë familje fisnike, për lakmi.
Zgjodha për bisedë veteranin veprimtar të hershëm, pjesë e shumë organizimeve në Mërgatë, gjithherë për të mirë të Atdheut, bacën Emrush. – A mos jeni vonuar në riorganizimin partiak, respektivisht, në hapjen e kësaj Nëndege të LDK-së, pas shuarjes të Aktivit, në mjedisin ku jetoni?
“Realisht, edhe pas zvetnimit organizativ të Aktivave, për të mos thënë shuarje e qëllimshme, për çka ka edhe dyshime, ne nuk kemi pauzuar dhe kemi bërë qindra kilometra, në aktivitete të ndyshme të LDK-së, për t`u dëshmuar se nuk dorëzohemi. Më lehtë është ta bëjsh një organizim fillestar, se sa ta riorganizosh atë pas prishjes, sepse humbet besimi, serioziteti i asaj pune. Pas asaj hallakame brenda LDK-së, me rrjedhje të madhe të elektoratit të saj, rimëkëmbja, riorganizimi ishte i vështirë, sidomos, në kushte dhe rrethanat e Mërgatës. Mendoj se jemi në kohën e duhur dhe kemi punuar shumë, për mbushamendjen e komunitetit të këtueshëm, se duhet të riorganizohemi, tashmë, si Nëndegë. Dhe, masoviteti, shumësia e pjesëmarrësve, është dëshmi e suksesit të pritshëm”, na tha veprimtari i vyshëm, me një sinqeritet proverbial, bacë Emrush Tafa.
Prania e botës femërore, gra dhe vajza, në Kuvendin zgjedhor të Nëndegës, dëshmon për pjesëmarrje politike, emancipuese, përkrah meshkujve. Darka tradiconale e përgaditur nga gratë duar-arta të Nëndegës, për mysafirët numerikë, është dëshmi e respektimit dhe të mirëpritjes tipike shqiptare, edhe në Mërgatën tonë, pothuaj se, milionshe.
U ndamë nga bashkëpunëtorët dhe miqtë tanë të dashur, me urimin e çiltër: – Paçi mbarësi në punën Tuaj fisnike dhe qofshi gjithherë faqebardhë!
Komentet