Bleta mbretëreshë ushqyer me qumësht mbretëreshe
jeton pesë herë më shumë se bletët e tjera
dhe thumbi i saj i madh është një raketë kozmike në galaktikat bletore
ndaj lulet (dhe pse ajo nuk shkon) përulin kurorat
dhe në mungesë të seksit pikturojnë petalet në orgazma diellore.
Shumë festivë bletët në çastin e shumëzimit (madje imitohen nga njerezit).
Kjo natyrë që vdes dita ditës duke thithur urrejtjen e pluhurave – thonë bletët
dhe kjo mbretëreshë me një të verdhë vjeshte në krahët e hiroshimta – thonë bletët
këto lule tragjike në lojën me rrënjët – them unë
dhe këta njerëz të lodhur që përpiqen të qeshin në këmbim të mundjes – them unë
kjo botë e rrumbullakët: gji i sapoprerë nga bisturia atomike – them unë dhe bletët
gjithçka është një shpresë prej mjalti – them unë dhe bletët.
Në sytë e vegjël të bletëve :

————–
- Varg i poetit turk Nazim Hikmet.
Komentet