Në Shqipëri Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Dega Rajonale e Tiranës, ka vendosur të premten mbylljen e aktivtetit të televizionit ORA News, ndërsa brenda 24 orëve vendosi disa gjoba prej 1 milion lekësh secila, me arsyetimin se në disa emisione të këtij televizini nuk është zbatuar urdhëri për praninë në studio të jo më shumë se dy personave. Por në njoftimin dërguar Autoritetit të Mediave Audiovizive, nga zyra qëndrore e ISHSH-së, përmenden vetëm masat administrative, dhe konkretisht vetëm dy gjoba, dhe jo mbyllja e aktivitetit të Televizionit. Drejtuesit e ORA News-it folën për një “skandal dhe akt të paprecedentë”. Vendimi provokoi reagime të shumta të komunitetit të gazetarëve si dhe të niveleve të larta politike në vend.
Sipas akteve të Inspektimit të Drejtorisë rajonale, kopje të të cilave u panë nga Zëri i Amerikës, inspektorët kanë propozuar ditën e enjte vendosjen e gjobave, pasi konstatuan se në një emision të datës 11 Maj dhe në dy emisione të tjera të datës 13 Maj, në panelet e debatit ka patur më shumë se dy persona, siç parashikojnë masat shtrënguese të ndërmarra nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. “Njoftimi i gjobës na u dorëzua në orën 22.30 të së enjtes, pa asnjë paralajmërim paraprak, siç ka ndodhur në raste të ngjashme, me televizione të tjera, madje në kulmin e epidemisë dhe jo më tani kur autoritetet kanë marrë masa lehtësuese në masë të gjerë”, i tha Zërit të Amerikës, drejtori i Informacionti të ORA News Brahim Shima.
Brenda 24 orëve, Inspektoriati ka dorëzuar një tjetër akt, ku përveç gjobës është dhe vendimi për mbylljen e aktivitetit duke qenë se në emisionin “360 Gradë”, të së enjtes në mbrëmje “kishte 6 persona” dhe se bëhet fjalë “për një shkelje të përsëritur”.
Që prej të hënës, në emisionet e mbrëmjes të televizionit ORA NEWS, numri i të ftuarve ka qenë më i madh se ai i parashikuar nga rregullat e përcaktuara në Aktin Normativ të miratuar nga Qeveria. Drejtori i Informacionit Shima shpjegon se diçka e tillë u bë në kuadër të lehtësimit të përgjithshëm të masave nga ana e Qeverisë “e cila ndoshta ka harruar të përfshijë dhe mediat, ndërkohë që ka lejuar lëvizjen e lirë në Tiranë, pa maska dhe janë hapur dhe Qendrat Tregtare me një super dyndje të qytetarëve. Inspektoriati shëndetësor nuk po bën më kontrolle dhe në këtë kontekst pamë të arsyeshme që debatet të ishin me një numër të moderuar pjesmarrësish, por duke respektuar distancën prej 2.5 m, pra ndjeshëm më e madhe se ajo e përcaktuar nga autoritetet. Studio e televizionit tonë është 400 metra katrorë”, shpjegoi Shima.
Për drejtuesit e televizionit “vendimi ka qenë i parapërgatitur dhe i qëllimshëm, për të penguar fjalën e lirë dhe publikimin e lajmeve që nuk i interesojnë segmenteve të caktuara të shumicës”. Zoti Shima tha se “të hënën do të nisim padi për kreun e ISSH-së dhe grupin e ekspertëve për shpërdorim detyre sepse në akt ekspertizë ka shumë momente që të lënë të kuptosh për një vendim të qëllimshëm. Do të ketë dhe ankimim në Gjykatën administrative si dhe në institucione të tjera ku parashikohet sipas ligjit”.
Në mbrëmje vonë, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) bëri të ditur se “nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni”, duke shpjeguar se ka qenë ky institucion që i ka bërë më datë 13 maj “një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje për subjektin ORA News për shkelje të udhëzimeve të Aktit Normativ, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga Covid-19”.
Edhe në shkresën që AMA ka marrë nga kryeinspektori i ISHSH-së nuk përmendet ndonjë urdhër për mbyllje të aktivitetit, por vetëm fakti se në datat 14 dhe 15 Maj janë vendosur dy gjoba.
Situata e krijuar me ORA NEWS-in solli reagime të shumta. Drejtuesit e dy emisioneve në të cilat është kontastuar një numër më i lartë të ftuarish se sa parashikon rregullorja folën për “shkelje të fjalës së lirë” gjatë prononcimeve të tyre në ekranin e ORA News. Për Artur Zhejin i cili drejton emisionin “360 gradë” “këto veprime dhe akte administrative janë prova gjenerale të një fushate frikësuese ndaj mediave që nuk respektojnë shkopin e dirigjentit të stafit kryeministror”. Ndërsa për Sonila Meçon e cila drejton emisionin tjetër “Tempora” është “e pashpjegueshme nga pikëpamja institucionale pse nuk është ndjekur procedura e paralajmërimit. Pastaj pse ky rregull nuk vlen për fasoneritë, parukeritë, parlamentin?”
Reagime pati dhe nga komuniteti vendas i gazetarëve dhe shoqatat e mediave. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë “e konsiderojnë këtë akt, një gjest selektiv, aspak në proporcion me dëmin e pretenduar, një keqpërdorim i pushtetit me pretekst epideminë, për të intimiduar mediat. Një zell selektiv ndaj RTV Ora, që nuk u përdor në raste të ngjashme. Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm, që mund të përdoret edhe ndaj mediave kritike me qeverinë, edhe pse vendi është në fazën e lirimit të masave shtrënguese për shkak të Covid-19”.
Reagime erdhën dhe nga politika. Presidenti Ilir Meta u shpreh “thellësisht i shqetësuar”. Sipas tij “duket se këto masa administrative janë shproporcionale. Çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme”.
Për deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ish kryetare e Komisionit te Medias në parlamentin shqiptar “ky dënim krejtësisht joproprocional është abuzim i rrezikshëm i pushtetit ekzekutiv dhe është bërë me urdhër dhe për llogari të Edi Ramës. Është Edi Rama autori i këtij urdhri si hakmarrje politike”.
Edhe për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, pas gjithë kësaj qëndron sipas saj kryeministri Rama. “Mbyllja e televizionit Ora është një akt lufte ndaj medias së lirë, fjalës së lirë, ndaj demokracisë në Shqipëri! Edi Rama është armik i demokracisë, i votës së lirë, i ekonomisë së tregut, i arsimit të të rinjve!”.
Masat ndaj Televizionit ORA News pasojnë kritikat në rritje ndaj qasjes së qeverisë me mediat në vend. Pak muaj me parë shumica u vu në konflikt të hapur me komunitetin mediatik, pas propozimit të të ashtuquajturit ligj të antishpifjes. Pavarësisht se i rezistoi fillimisht kritikave të shumta dhe ndërkombëtare, ajo u detyrua të tërhiqet nga trysnia në rritje dhe përfshirja më pas dhe e Komisionit të Venecias i cili pranoi kërkesën e Këshillit të Europës për të shqyrtuar propozimin ligjor të qeverisë shqiptare.
Komentet