Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka kundërshtuar shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për në vjeshtë, në bazë të marrëveshjes së arritur të hënën midis Kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesit opozitar maqedonas Hristijan Mickovski, të VMRO-DPMNE-së.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë procedurën e pritshme parlamentare rreth ligjit të ri për shtyrjen e censusit.
Projekt-propozimi pritet të futet në procedurën e parlamentit të mërkuren dhe sipas rregullave kërkohen debate deri në tre ditë në komisionet e parlamentit. Aleanca dhe Alternativa, që nuk dëshirojnë të shtyhet procesi i regjistrimit të pupullsisë, do ta shfrytëzojë mundësinë e kundërshtimit përmes votimit të dyfishtë, apo votimit me “Badenter”, siç njihet në opinionin publik të Maqedonisë së Veriut.
Dy partitë shqiptare vlerësojnë se marrëveshja midis partive maqedonase për shtyrjen e censusit mund të jetë fillimi i ndërprerjes së plotë të procesit, siç ndodhi në vitin 2011.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim e mbështet shtyrjen e cenusit për në vjeshtë, teksa çështja ka shkaktuar përplasje midis saj dhe opozitës shqiptare.
BDI thotë se vazhdimi i regjistrimit online të diasporës nga 1 marsi deri në 30 shtator ndihmon procesin e regjistrimit dhe jep mundësi shtesë për t’u regjistruar të gjithë mërgimtarët.
“Duke pasur parasysh bojkotin e opozitës, kontestimin e procesit nga ana e saj, bllokadën në parlament, nisjen e vaksinimit dhe imunizimit, shtyrja e regjistrimit të banorëve rezidentë nga muaji prill në muajin shtator të këtij viti paraqet vendim të duhur dhe të drejtë” thuhet në një komunikatë të BDI-së, e cila e akuzon opozitën shqiptare “për mungesën e konsistencës dhe sinqeritetit ndaj qytetarëve”.
Mbështetje marrëveshjes Zaev-Mickovski i dha edhe Presidenti Stevo Pendarovski, i cili mblodhi Këshillin kombëtar të Sigurisë për të diskutuar mbi gjendjen e vështirësuar me koronavirusin.
“Shtyrja e censusit nuk do të ketë pasoja për askënd dhe përkundrazi, me vaksinimin do të krijohen kushte për zbatimin e suksesshëm pa pasur asnjë bazë për dyshim ndaj legjitimitetit të tij (censusit)”, u shpreh presidenti maqedonas.
Censusi brenda vendit duhej filluar më 1 prill dhe të zgjaste deri më 21 prill. Maqedonia e Veriut censusin e fundit e ka bërë në vitin 2002, kur numri i përgjithshëm rezultoi në pak mbi dy milon banorë, prej të cilëve 25 përqind shqiptarë. Vonesa e gjatë e këtij operacioni statistikor ka bërë që një pjesë e investitorëve të huaj ta anashkalojnë vendin e vogël ballkanik për shkak të mungesës së të dhënave të nevojshme për zhvillimin e biznesit të tyre.
Kritikët thonë se censusi nuk do të rrezikonte përhapjen e koronavirusit, ndërsa zgjedhjet parlamentare u mbajtën vitin e kaluar në mes të pandemisë.
Sidoqoftë, shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja po vjen duke u rritur në disa javët e fundit. Të marten u regjistruan 33 vdekje, ndërsa një ditë më parë, 41. Deri tani janë 3749 viktima. Janë diagnostikuar gjithsej 128511 raste, prej tyre 18370 janë aktive.
Komentet