Liderët e tri partive opozitare në Kosovë kanë bërë me dije se nuk pranojnë që të dialogojnë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, por ia kanë ripërsëritur kërkesën që të heqë dorë nga dy marrëveshjet e nënshkruara.
Mustafa gjatë një konference të mbajtur sot ka ftuar në takim më 7 dhjetor liderët e tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës: Visar Ymerin nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limajn nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrin e parë, Hashim Thaçi.
Ymeri, Haradinaj e Limaj, gjatë një konference të përbashkët të mbajtur pas një takimi të zhvilluar në mbrëmje, kanë thënë se nuk e pranojnë ftesën e pozitës për dialog.
Lajmin për radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëdhënsi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e takimit.
“Sapo ka përfunduar takimi i liderëve opozitarë. Që të tretë nuk e kanë vlerësuar ofertën e kryeministrit ngase e kanë konsideruar vetëm formale dhe jo serioze. Ata kanë shprehur keqardhje pse një ftesë për dialog nuk ka ngjarë më herët”, ka thënë Nitaj.
Pos që nuk e kanë pranuar ftesën për dialog, Nitaj ka thënë se liderët opozitarë kanë dalë me një kundër-kërkesë.
“Liderët opozitarë ia kanë bërë kryeministrit një kundër-kërkesë, që të hiqen të dy marrëveshjet që e kanë shkaktuar krizën politike në vend dhe gjithçka tjetër do të bie në binarët e vet”, ka thënë Nitaj.
Ftesa e kjryeministrit Mustafa është bërë në kohën kur është thelluar kriza politike në Kosovë. Opozita kundërshton fuqishëm marrevshjen që ka nënshkruar Kosova me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Sipas opozitës, marrëveshja e parë çon në ndarje të Kosovës, ndërsa e dyta bën që një pjesë e territorit të Kosovës, pa të drejtë, t’i takojë Malit të Zi.
Për rrjedhojë, opozita, tash e disa muaj, është duke penguar punën e Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësuesit opozitarë kanë organizuar edhe protesta në rrugë, ndërsa një të tillë e kanë paralajmëruar edhe për të shtunën në Gjakovë.
Komentet