Veçanërisht pas dështimit të koalicionit VLAN për të ardhur në pushtet, falë largimit të LDK-së nga ky koalicion dhe vijimit të saj në koalicion me PDK-në, në opinionin e Kosovës dhe në opinionin për Kosovën është ende në fuqi mendimi se opozita është e pamundshme, madje sipas monistëve në krye të PDK-LDK-së, ajo është e tepërt, e panevojshme.
Logjika që mban në fuqi një opinion të tillë është përtej çdo absurdi. Këto vite pas shpërbërjes së VLAN-it kanë treguar se opozita, pa LDK-në, është një opozitë më e fortë, më e vërtetë dhe më përfaqësuese e opozitarizmit në Kosovë se kur në krye të saj ishte LDK-ja, aleate e PDK-së që nga vdekja e Ibrahim Rugovës.
Detyrat kombëtare që vazhdojnë të shtrohen para shtetit të Kosovës, shoqërisë së Kosovës, ende të pazgjidhura gjatë këtyre 17 viteve të pasluftës dhe gjatë këtyre 8 viteve pas zyrtarizimit të pavarësisë, e bëjnë opozitën në Kosovë cilësisht dhe përmbajtësisht të ndryshme nga koalicioni qeveritar, sikurse një mori argumentesh dhe faktesh tregojnë se opozita në Kosovë është një mision i domosdoshëm dhe, prandaj, një mision mundshëm.
1.Opozita në Kosovë është opozitë shqiptare
Për shkak të formës së qeverisjes së praktikohet në Kosovë, opozita është shqiptare. Është shqiptare Nisma e drejtuar nga Fatmir Limaj. Është shqiptare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Është shqiptare Lëvizja për Vetëvendosje (LVV) e drejtuar nga Visar Imeri.
Edhe grupet e interesit që e mbështin opozitën sot në Kosovë dhe jashtë Kosovës, në atdhe e diasporë, janë shqiptare. Fryma opozitare, shpirti opozitar ku bazohet kjo opozitë janë shqiptare. Vizioni i opozitës për vazhdimësi të traditës shqiptare, të historisë shqiptare, të kulturës dhe qytetërimit shqiptar në jetën e Kosovës, në shtetndërtimin e Kosovës, në marrëdhëniet e brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës, zgjedhja e përparësive, mënyra e kësaj zgjedhjeje janë edhe vizion i të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe kudo për shtetin e ri shqiptar.
Edhe thjesht fakti se opozita i pranon dukshëm simbolet kombëtare shqiptare si fizionomi të shtetit të ri krahas simboleve të tij shtetërore, e nxjerr në pah shqiptarësinë e opozitës në Kosovë.
Kritikët e Kosovës, të vënë nga qeveria e PDK-LDK-së e ironizojnë opozitën se, ku ajo të vijë në pushtet (çka, sipas tyre, është e pamundur) do të jenë të detyruar të bashkëqeverisin me partitë e bashkësive joshqiptare në Kosovë. Por opozita e ka bërë të qartë mënyrën e saj të bashkëqeverisjes qëkur ishte e organizuar në kuadrin e VLAN-it. Qeverisja nesër për opozitën e sotme nuk do të jetë aspak sfiduese as në këtë aspekt për të.
2.Opozita në Kosovë është opozitë kombëtare
Koalicioni PDK-LDK, në gjithë këto vite të bashkëjetesës, nga 2006 e deri sot, është dëshmuar jopopullore dhe jokombëtare. Marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit, e para e rrëzuar nga populli i Kosovës nën udhëheqjen e opozitës, e dyta e rrëzuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas ankesës së bërë nga opozita, janë dy nga kulmet e veprimtarisë antikombëtare të koalicionit PDK-LDK.
Duke iu kundërvënë Demarkacionit, nëpërmje të cilit Malit të Zi do t’i jepeshin toka të Kosovës, opozita mbron tërësinë tokësore të Kosovës.
Duke iu kundërvënë Asosacionit, opozita nuk lejon që Kosova, nga republikë unitare e përcaktuar me kushtetutë, të shndërrohet në konfederatë edhe më të shpartallluar se Bosnja.
Mbrojtja e tërësisë tokësore të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit Kosovës në tërë sipërfaqen e saj, opozita mbron interesat kombëtare të të gjithë shqiptarëve.
Opozita ka kërkuar gjithnjë që Dialogu me Serbinë të jetë i kushtëzuar nga pala e Republikës së Kosovës. PDK-LDK-ja pranoi që dialogu të zhvillohej pa kushte. Kjo çoi në vënien e kushteve të njëpasnjëshme nga Serbia ndaj Kosovës që nga fillimi i dialogut e deri sot.
Opozita ka kërkuar gjithnjë marrëdhënie të ndërsjellëta me Serbinë. PDK-LDK-ja ka paralajmëruar gjithnjë se do t’i vendosë marrëdhëniet e ndërsjellëta, por asnjëherë nuk i është përmbajtur as kësaj retorike.
Opozita ka paralajmëruar se dialogu me Serbinë do të ndërpresë njohjet ndërkombëtare të Kosovës. PDK-LDK-ja ka pretenduar të kundërtën. Nga filli i dialogut e deri sot, në fakt, njohjet e Kosovës numrohen me gishtat e njërës dorë.
Opozita ka këmbëngulur se pozita inferiore e Kosovës ndaj Serbisë në dialog do të çojë në pengimin e faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës. PDK-LDK-ja ka pretenduar se dialogu do të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia. Realiteti tregoi se Serbia nuk e lejoi Kosovën të pranohet në UNESCO, nuk e lejoi të pranohet në Këshillin e Evropës dhe bën gjithçka për ta penguar Kosovën në çdo aspekt të marrëdhënieve ndërkombëtare.
E gjithë opozita ka kërkuar marrëdhënie të preferuara të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Një parti opozitare, LVV, mbron pikëpamjen se Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë. PDK-LDK-ja kanë dëshmuar arrogancë të panevojshme në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe servilizëm të panevojshëm ndaj Serbisë.
- Opozita në Kosovë është mbrojtëse e demokracisë
Përkundër monizmit agresiv të PDK-LDK-së, opozita në Kosovë ka arritur të mbrojë institucionin e saj, pa të cilin nuk mund të ketë shpresa për demokraci.
PDK-LDK-ja do të donin të qeverisnin pafundësisht dhe të mos kenë opozitë fare ose të kenë një opozitë farsë.
Opozita ka arritur të mbrojë institucionin e vetëm ku opozita është pjesë, Kuvendin e Kosovës, të cilin ka dashur ta uzurpojë ekzekutivi.
Opozita ka mbrojtur institucionin e fjalës së lirë, të mendimit, të manifestimit publik, kundër territ informativ, kundër uzurpimit të mediave.
Opozita ka mbrojtur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për t’i nderuar simbolet e tyre kombëtare, për ta ruajtur dhe zhvilluar konstitucionin kombëtar shqiptar, për ta kultivuar e pasuruar kulturën kombëtare shqiptare.
PDK-LDK-ja ka bërë çmos që t’i kufizojë këto të drejta të shqiptarëve, ndërkohë të gjitha popullsitë e tjera të Kosovës kanë hapësirë të pakufizuar për të shprehur, ruajtur, zhvilluar identitetine tyre kombëtar.
Opozita ka denoncuar rolin e PDK-LDK-së ndaj imazhit të shtetit të Kosovës. Fajtore për emigracionin masive të rinisë nga Kosova për në Evropë dhe për pjesëmarrjen e tyre në luftërat e huaja, në Siri dhe Irak, është PDK-LDK.ja.
- Opozita në Kosovë është e përndjekur nga koalicioni PDK-LDK
PDK-LDK-ja kanë dëshmuar katërcipërisht përkushtimin e tyre ekstrem anti-opozitë dhe anti-opozitarizëm në Kosovë. Nëpërmjet arrestimeve, burgosjeve, gjyqeve, përdorimit të tepruar të policisë dhe të institucioneve të tjera të shtetit kundër opozitës, PDK-LDK-ja duan të shtypin jo vetëm opozitën, por çdo ndjenjë kundërshtimi ndaj pushtetit.
Duke shtuar frikën ndaj tyre tek populli i Kosovës, PDK-LDK-ja ka shtuar ndjenjën e mospranimit të shtypjes dhe diskriminimit që regjimi iu bën nëpërmjet krimit dhe korrupsionit, nëpërmjet mosndëshkueshmërisë së autorëve,
PDK-LDK-ja, nga njëra anë ka akuzuar vazhdimisht opozitën se ajo nuk po kursen mjete dhe metoda kundër qeverisë, vetëm për hir të ardhjes së saj në pushtet. Nga ana tjetër, ka investuar gjithçka për të krijuar në opinion idenë se kjo opozitë nuk ka për të ardhur asnjëherë në pushtet. Në veprimtarinë e saj diplomatike, qeveria i ka dhënë përparësi demaskimit të opozitës tek të gjithë bashkëbiseduesit e saj ndërkombëtarë, në mënyrë që opozita të mos ketë përkrahës tek faktorët ndërkombëtarë. Nga njëra anë, kanë dashur të krijojnë tek bashkëbiseduesit se çdo përkrahje ndaj opozitës, shkakton pakënaqësi tek populli. Nga ana tjetër, kanë dashur të krijojnë në popull bindjen se çdo përkrahje ndaj opozitës, shkon kundër qëndrimeve të miqve e aleatëve perëndimorë.
Në fushatën e prirë nga kryeministri dhe gjojapartia e tij, prapa të cilëve qëndrojnë presidenti, kryetari i kuvendit e partia e tyfe opozita është quajtur ISIS-i i Kosovës. Merret me mend si e quajnë atë në komunikimet me miqtë dhe aleatët e Kosovës. Merret me mend si i paragjykojnë përkrahësit e opozitës PDK-LDK.ja.
- Opozita në Kosovë ka përkrahjen e shqiptarëve
Opozita në Kosovë ka përkrahjen gjithnjë e më të gjerë të shqiptarëve të Kosovës, ka përkrahjen gjithnjë e më të gjerë të shqiptarëve në shtetin amë, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë. Kjo përkrahje sa vjen dhe e trondit PDK-LDK-në, duke e bërë atë të pakujdesshme dhe të shfrenuar e të çoroditur në luftën kundër opozitës dhe të gjithë atyre që e duan dhe simpatizojnë opozitën në Kosovë.
Komentet