Partia Demokratike e kryesuar nga lideri historik i saj që nga themelimi, Sali Berisha, do të protestojë sot përpara Gjykatës së Lartë, e cila duhet të japë vendimin për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, e cila i është marrë peng për të penguar përfaqësimin zyrtar të partisë më të madhe opozitare.
Kjo protestë u lajmërua që më 18 dhjetor 2023 nga Berisha, në protestën që PD-ja dhe forcat mbështetëse opozitare zhvilluan përpara Kryesisë së Kuvendit për të kërkuar me ngulm të drejtën e mohuar opozitës në Kuvend, krijimin e komisioneve hetimore parlamentare ndaj qeverisë, të drejtën e mohuar tetë herë radhazi nga mazhoranca.
Berisha atë ditë theksoi në fjalën e tij përpara demokratëve dhe qytetarëve që iu bashkuan protestës se “me Edi Ramën kemi hesape të rënda për të larë. Edi Rama është sjellë ndaj nesh, ndaj jush njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit me hebrenjtë. Ata hebrenjve u hiqnin emrat dhe u jepnin nga një numër dhe ditë,javë, muaj atë thërriteshin me numra. Harronin emrat e tyre. Por ne e garantojmë Edi Ramën se do e paguajë shumë shtrenjtë ata që ka bërë dhe përpiqet të bëjë me identitetin tonë.
Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë!” ishte bindja e fortë që shprehu lideri i PD.
Dje, Belind Këlliçi, anëtari i kryesisë së PD, duke i ftuar qytetarët sot në orën 9:00 të protestojnë përpara Gjykatës së Lartë, në thirrjen e tij argumentoi se “përvetësimi i vulës së Partisë Demokratike ka për qëllim afatgjatë zhbërjen e simboleve historike dhe identitetit të forcës së parë demokratike në vend, organizim në bllok nga qeveria e nipërve dhe mbesave për të zhbërë historinë e Shqipërisë pluraliste. Protesta për mbrojtjen e simboleve tona është protestë për dinjitetin tonë si të djathtë. O sot, o kurrë,” përsëriti ai.