Një letër e cila mbanë nënshkrimet e kryetarit të Vetëvendosjes Visar Ymeri, atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe nënshkrimin e kryetarit të Nismës për Kosovës Fatmir Limaj, i ka shkuar presidentes Atifete Jahjaga bashkë me tri kërkesa.
Të tri partitë që tani janë në opozitë dhe po kundërshtojnë marrëveshjet për krijimin e Asociacionit me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e zi, po kërkojnë nga presidentja që të bëjë anulimin e këtyre marrëveshjeve.
Përpos kësaj Ymeri, Haradinaj dhe Limaj, në letrën dërguar presidentes, siguruar nga KosovaPress, po ashtu po kërkojnë që të hiqet dorë nga përndjekja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, aktivistëve të Opozitës, dhe qytetarëve për shkak të kundërshtimit të këtyre marrëveshjeve.
Opozita po i kërkon presidentes edhe dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, kjo si akt i përgjegjësisë kushtetuese e politike, meqenëse opozita vlerëson se ajo e ka humbur legjitimitetin për t’i adresuar çështjet që ndërlidhen edhe me dy marrëveshjet kundërkushtetuese.
E treta kërkesë drejtuar presidentes është edhe shpërndarja e parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme të cilat sipas Opozitës do të mbaheshin brenda afatit të paraparë me ligj.
Në letër Opozita i thotë presidentes se do të vazhdojnë me aktivitetin e saj opozitar për të kontribuar në ndaljen e degradimit të Republikës dhe interesit të përgjithshme.

Komentet