Voal – Deputetët e opozitës kanë nisur të shkojnë në Parlament në orën 14:00, ndërkohë që seanca është thirrur për në orën 16:00. Në fotografi shihet se tashmë kanë arritur në Kuvend deputetët e VV’së e të AAK’së, si Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi, Pal Lekaj, Lahi Brahimaj, Ramush Haradinaj, Glauk Konjufca, Albin Kurti etj.
Opozita ka paralajmëruar gjatë ditës së djeshme se nuk do ta lejojnë mbajtjen e seancës, ndërkohë nuk dihen ende veprimet që do t’i ndërmarrë Kryetari i Kuvendit, në rast të eskalimit eventual të situatës, raporton Gazeta Express.
Partitë opozitare kanë deklaruar së do të vazhdojë bllokimin derisa të tërhiqen nënshkrimet e shefit të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, nga marrëveshjet për “Zajednicën” dhe demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Muharrem Nitaj, ka theksuar për Telegrafin se nuk ka asnjë detaj se si do të kundërshtohet seanca e sotme. Ai ka thënë për Telegrafin se kjo është lënë të vendoset nga vetë deputetët e opozitës.
“Është e qartë se shumica e ka një skenar të vetin për këtë seancë, kështu që edhe reagimi i opozitës në Kuvend do të varet shumë nga veprimet e tyre”, ka shtuar Nitaj.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Frashër Krasniqi, tha për Telegrafin se opozita do të vazhdojë protestën e saj brenda Kuvendit dhe nuk do të tërhiqet sipas tij, derisa kryeministri Mustafa t’i tërheqë marrëveshjet me Serbinë dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Ai ka theksuar se republika po rrezikohet seriozisht nga “Zajednica”, dhe këtë sipas tij nuk po e thotë vetëm opozita por edhe shoqëria civile.
“Çfarë kuptimi ka që të vazhdojë normaliteti institucional dhe funksionimi i qeverisë, nëse Kosova po përballet me një rrezik të tillë”, ka theksuar Krasniqi.
Ndryshe, burime të besueshme bëjnë me dije se nëse opozita edhe sot vendos të bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, atëherë do të vihen në funksion forcat e sigurisë për mbarëvajtjen e seancës. Ka një pajtueshmëri të Qeverisë dhe Kuvendin të Kosovës që deputetët të cilët e pengojnë mbajtjen e seancës të largohen më forcë nga salla e Kuvendit.
Komentet