Paraburgimi i shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, dhe kërkimi për arrestim i tre deputetëve të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, nuk do ta zmbrapsë opozitën nga bllokimi i punës së Kuvendit përderisa nuk anulohet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin. Madje, opozitarët thonë se koalicioni qeverisë ose duhet t’i arrestojë të gjithë opozitarët, ose t’i anulojë marrëveshjet pasi, sipas tyre, në asnjë formë ata nuk do të lejojnë që të ketë normalitet në vend.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për “Zëri’ se arrestimi i deputetes së kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, dhe tentimi për të arrestuar edhe tre deputetët e “Vetëvendosjes”, vetëm sa do t’i forcojë argumentet e opozitës kundër pushtetit. “Kjo mënyrë e sjelljes së pushtetit vetëm se do ta forcojë opozitën në argumentet e veta dhe kështu ky pushtet do ta tregojë fytyrën e vet të një pushteti diktatorial, duke burgosur deputetët dhe duke bërë veprime antiligjore dhe antikushtetuese me dy marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar e që ne nuk tërhiqemi nga qëndrimet tona sepse konsiderojmë se po i bëhen dëme të mëdha Kosovës”, është shprehur Isufi.
Më tej nënkryetari i AAK-së ka thënë se opozita do të vazhdojë të pamundësojë zhvillimin e seancave. Sipas Isufit, derisa të anulohen marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit nuk do të ketë normalitet në vend.
“Do të vazhdojmë me qëndrimin tonë, me veprimet tona, të cilat pamundësojnë realizimin e dy marrëveshjeve të dëmshme për shtetin dhe për popullin e Kosovës. Ne i kemi treguar këtij pushteti se derisa këta e kanë bërë Kosovën jonormale në funksionim, atëherë nuk do të ketë normalizim të funksionimit të Kuvendit të Kosovës sepse falja e tokës së Kosovës dhe ndikimi i Serbisë në Kosovë përmes ‘Zajdenicës’ është dëmi më i madh që po i shkaktohet vendit, prandaj do t’i bëjmë të gjitha veprimet demokratike që mundësojnë mosrealizimin e këtyre dy marrëveshjeve”, ka shtuar Isufi.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se opozita do të vazhdojë me bllokimin e Kuvendit deri në anulimin e marrëveshjeve. Madje, sipas tij, edhe nëse vetëm një deputet i opozitës mbetet në Kuvend, legjislativi i Kosovës nuk do të mundë të zhvillojë seanca normale. “Faktikisht pushteti po synon që përmes përdorimit të forcës dhe mjeteve të dhunës ta frikësojë opozitën, por vetëm edhe një deputet i opozitës nëse mbetet i lirë, besoj që është i mjaftueshëm që ta bllokojë mbarëvajtjen e seancës, përmes së cilës mendojmë se po e bllokojmë edhe punën e Qeverisë që e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit. Do të shkojmë në seanca, por me metodat tashmë të njohura për moslejimin e mbajtjes së seancave”, ka potencuar Berisha. Ai po ashtu ka thënë se nuk duhet të thirren seanca të reja, pasi kjo do të nënkuptonte tensionim edhe më të madh të situatës. /Zëri/
Komentet