Opozita dhe pushteti edhe sivjet u pajtuan se Shqipëria ka ditë çlirimi në historinë e saj: njëra më 28, tjetra më 29 festuan ditën e çlirimit. Pra jo larg njëra tjetrës këto dy data – më 28 njëra, më 29 tjetra, dje njëra, sot tjetra.
Opozita dhe pushteti, pavarësisht rrokadave – PD në pushtet, PS në opozitë apo anasjelltas PS në pushtet dhe PD në opozitë – këto 25 vite gjithmonë janë pajtuar se Shqipëria e ka një ditë çlirimi. Fakti që e kanë festuar në dy ditë të ndryshme, ndonëse në dy ditë të njëpasnjëshme, në dy ditë të pandara nga njëra tjetra, nuk ndryshon asgjë.
Opozita dhe pushteti në Shqipëri gjithnjë janë pajtuar dhe do të pajtohen për gjithçka, kurrë ato nuk do të mospajtohen. Opozita dhe pushteti në Shqipëri gjithmonë kanë qenë bashkë për gjithçka, kurrë nuk do të jenë të ndara.
Opozita dhe pushteti në Shqipëria kanë qenë gjithmonë e do të jenë gjithmonë të pajtuara dhe të bashkuara për gjithçka, ato gjithmonë do të mospajtohen dhe do të grinden për asgjë. Abasolutisht për asgjë.
Në një shqyrtim të vjetëm unë kam argumentuar me fakte dhe me arsyetime të pakundërshtueshme se vendet në Evropë dhe në botë, që kanë festa çlirimi, numërohen me gishtat e dorës. Çlirimi ka një mëtim të madh kuptimor, një ngarkesë të madhe kuptimore saqë asnjë vend nuk mund ta përcaktojë se a u çlirua vërtetë, si u çlirua, kur u çlirua saktësisht. Ato gjejnë një simbolikë sa më të përbashkët për ta pasur një Ditë Kombëtare. Asnjë vend nuk ka dy ditë kombëtare. Shqipëria, de fakto, vazhdon të ketë dy ditë kombëtare.
Çlirimi është i tillë kur është çlirim kombëtar. Shqiptarët, edhe sikur brenda 28 748 kilometrave katrore të mëtojnë se arritën në kuptimin më të plotë të fjalës çlirimin kombëtar, ata nuk e artitën as sot e kësaj dite çlirimin kombëtar në dy të tretat e atdheut, të cilat janë jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.
Nga viti 1945 deri në vitin 1991 Republika e Shqipërisë e ka festuar 29 nëntorin si ditë të çlirimit kombëtar dhe shoqëror – si ditë të çlirimit të vendit nga “okupatorët dhe tradhtarët”, më gjerë: “si ditë të çlirimit të vendit nga okupatorët nazifashisë dhe nga tradhtarët ballistë, legalistë e reaksionarët e tjerë”. Mos përtoni, zgjatni duart deri në raftet tuaja të bibliotekave personale apo familjare dhe këtë e keni të shkruar në të gjitha tekstet e historive, qoftë të Shqipërisë, qoftë të PPSH.
Republika e Shqipërisë, e kam theksuar edhe më herët, ka tepër shumë data që e lidhin me Luftën e Dytë Botërore. Do të mjaftonte një datë për t’i kujtuar të rënët për liri gjatë kësaj lufte. Ndoshta edhe për të gjitha luftërat tona gjatë historisë. Ashtu si vende të tjera, edhe Republika e Shqipërisë mund ta ketë një datë të fitores mbi nazifashizmin. Edhe kjo mund të jetë festë zyrtare. Por Dita Kombëtare mbetet gjithmonë një: ajo është dita e Pavarësisë Kombëtare. Me asgjë, askujt nuk i lejohet ta vërë në hije sadopak këtë ditë të shenjtë.
Mediat në Tiranë këto ditë, sikurse 25 vite me radhë, trumbetuan se “opozita dhe pushteti i festuan ndaras festën e pavarësisë dhe atë të çlirimit”. Kjo është një ndarje që faktikisht nuk ekziston. Në qoftë se opozita e festonte njërën dhe nuk e festonte tjetrën dhe anasjelltas, pushteti e festonte njërën dhe nuk e festonte tjetrën, kjo do të ishte ndarje. E festove më 28 nëntor, më 29 nëntor, më 31 janar, më 31 mars, apo në cilëndo nga 365, përkatësisht 366 ditët e vitit, për mua është njëlloj – ashtu ke pranuar se Shqipëria e ka një datë çlirimi.
Republika e Shqipërisë, për një inerci që kushedi sa do të vazhdojë, mund ta ketë 29 nëntorin ditë feste, qoftë nga fakti se bie ngjitur me Ditën e Pavarësisë, 28 nëntorin. Ashtu qytetarët marrin një ditë pushimi më shumë. Dhe, nëse bie në fundjavë apo fillimjavë, mund të bëhen tri apo katër ditë pushim, çka mundëson organizime familjare të festave në zonat turistike brenda apo diku jashtë vendit.
Por emërtimi i festës së 29 nëntorit gjithsesi do ndryshuar. Ajo mund të konsiderohet simbolikisht si dita e largimit të pushtuesve nazistë nga vendi, por nuk mund të quhet as ditë e çlirimit kombëtar, as ditë e çlirimit social. Sepse, në çdo aspekt, si ditë e çlirimit kombëtar është e paplotë, si ditë e çlirimit social është absolutisht antitezë, sepse qytetarët e Republikës së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 ranë në një robër klasike sociale.
Komentet