Ky diskors vulgar opinionistësh që ka degraduar në ngërç ndërshtetëror nisi me zhargonin e ndyrë të tifozëve që shajnë me nënë e babë kundërshtarët, duke marrë pretekst gjoja një ndeshje futbolli. Por ata rrahin tjetër kund! Sepse ne as në ndeshje sportive nuk jemi kundërshtarë të njëri-tjetrit, pasi jemi një! Ky është privilegji ynë.
Për hir të së vërtetës, shteti amë po mban një qendrim shumë të maturuar, duke i nxjerrë zbuluar opinionistët “kosovarë” që janë ngulfatur në një rrugë pa krye si bodyguard të politikës kosovare.
Politika në Kosovë me kompleks inferioriteti po shtiret e shqetësuar ndaj vizitës të kryeministrit shqiptar në Beograd dhe opinionistët kosovarë po i mbajnë ison.
Deklaratat infantile të kryediplomatit të Kosovës Enver Hoxhaj tregojnë ndërvarësinë e tij nga Hashim Thaçi, i cili ta vërë vath në vesh se nëse nuk do të kishte patur mbështetjen e Tiranës prej 1998 e këndej, sot do të ishte dikund tjetër, por sigurisht jo aty ku është sot.
Enver Hoxhaj le t’i tregojë shqiptarëve mbarë se gjatë këtyre tri viteve, sa njohje të reja ka marrë Kosova ?
Tre apo katër gjithësej ? Dështim i plotë i diplomacisë domethënë, kur ministra të jashtëm kanë qenë ai dhe Thaçi!
Gjatë vitit 2016 ka vetëm një njohje ? Po vetëm një!
E pra Enver Hoxhaj dhe shefi i tij kanë dështuar plotësisht pasiqë nuk kanë kredibilitet tek faktori ndërkombëtar!
Dhe jo për faj të Tiranës zyrtare, përkundrazi Tiranën zyrtare e kanë pas vetes.
Sepse “teoritë e kombit kosovar” lidhen me pavaresinë e Kosovës në kuadrin e shtetit të njohur nga OKB-ja.
Kjo është tema që i bishtënojnë bishtënuesit kosovarë.
Njohja e pavarësisë të Kosovës duhet të jetë shqetësimi për Enver Hoxhajn, shefin e tij edhe për bishtat e tyre.
Nëse Enver Hoxhaj, me Hashimin dhe Isa Mustafën kanë dështuar, për dështimet e tyre nuk mund të bëhet fajtor Edi Rama apo shteti amë!
Po ashtu të mos harrojmë thelbësoren se të gjitha njohjet që ka patur Kosova i dedikohen mbështetjes që kanë marrë kosovarët shqiptarë nga SHBA !
Sepse kosovarët serbë do të kishin preferuar diçka tjetër!
Po politika kosovare vetë çfarë ka bërë këta 18 vjet, kur filozofia kombëtare ka qenë e njohur brez pas brezi !
Shihini vetë, janë gati që të nisin një luftë ndërshqiptare me demek kauzën e kombit kosovar, kur janë ata vetë që hedhin virusin për anarki, për të çoroditur ata pak kosovarë që pranojnë të bëhen grigja e tyre.
Ata e çfokusojnë me kast rendin e ditës dhe orientimin e të gjithëve pa dallim që duhet të jetë një: njohja e Kosovës nga OKB-ja që sigurohet përmes njohjeve., ndërsa ata “prodhojnë” ngërçe ndërshqipitare !!
Janë çmendur fare!
Ata iu shmangen qëllimisht temave kyçe dhe prandaj hedhin shashka tymi.
Përse Kosova nuk ka patur aq pak njohje gjatë këtyre tri viteve të fundit ?
Përse Amerikanët e kanë ndërprerë përkohësisht mbështetjen për njohje të reja të Kosovës ?
A kanë dhënë sinjale të qarta Amerikanët se sistemi në Kosovë është i rrezikuar?
Opinionistët kosovarë të japin përgjigje dhe të gjejnë shkaktarët e stanjacionit që po përjeton Kosova.
Sepse me statuset e tyre për komb kosovar shkaktojnë veç stuhi në gotat e tyre të çajit.
A ka patur ndonjë reagim Amerikan në mbështetje të tezave të pseudoelitës kosovariste në lidhje me kombin kosovar ?
Jo, natyrisht jo, sepse këto teza pa asnjë bazë shkencore i shërbejnë turbullirës për rritje të konfliktualitetit.
Kosova ka qenë dikur me Jugosllavinë, e diskriminuar si krahinë, sepse ishte pjesë e shkëputur nga shteti amë.
Të gjitha etnitetet ishin brënda kontekstit të ish-Jugosllavisë, veç shqiptarët ishin një etnitet në dy kontekste, edhe brënda edhe jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë.
Asaj kohe asnjë shqiptar i Kosovës brënda ish Jugosllavisë nuk u identifikua kurrë si përfaqësues i kombit kosovar, siç po çajnë dërrasa sot bodyguardët opinionistë të Hashim Thaçit.
Shqipëria nga ana e saj të mos bëhet amplifikator i diskorsit agresiv që e ushqejnë vetëm disa mendje të robëruara kosovare.
Shteti amë të mos i amplifikojnë duke u dhënë rëndësi, sepse ka detyra shtëpie të tjera.
Në këto kushte ku ndodhet Kosova, “teoritë e kombit kosovar” shërbejnë vetëm si zhurmues dhe fishekzjarre për të fshehur realitetin e hidhur që mbizotëron për shkak të kriminalizimit të politikës.
Kemi disa muaj një proces pafund të drejtësisë ndaj Azem Sylës, dajës të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i akuzuar për krim të organizuar.
Do të dalë fajtor apo i pafajshëm Azem Syla ? Kjo është çështja! A është kriminel apo jo Azem Syla ?
Kjo është tema e ditës në Kosovë, drejtësia kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shteti i së drejtës, gjykata speciale dhe njohje të reja për shtetin e Kosovës.
S’ka shqiptar kundër shtetit të Kosovës. Asnjë shqiptar këndej e andej kufirit. Veç ata që vonojnë drejtësinë dhe krimi i organizuar !
Temat që i shpikin opinionistët kosovarë dhe histeria e tyre për të krijuar një front të ri ndërshqiptar lidhet vetëm me Hashim Thaçin. Ata shkaktojnë tym për të manipuluar realitetin.
Asnjëri nga tymhedhësit nuk është filozof, por edhe sikur të ishin, asnjë filozofi e tyre nuk mund të lulëzojë gjëmba pa strategji që e kërkon Kosovën të ketë ndejtësen e saj në OKB.
Kur Kosova të jetë pjesë e OKB-së, atëherë predikuesit e kombit kosovar le të mbledhin firma po patën takat dhe të kërkojnë referendum për komb kosovar apo për bashkim kombëtar, sepse bashkimi kombëtar ka qenë një kauzë e brezave dhe askush nuk mund ta kthejë në diçka të paqenë.
Aktualisht Kosova ka prioritete të tjera se bashkimi kombëtar de jure bëhet nga një klasë politike me integritet që së pari mbështet shtetin ligjor.
Kosovës i duhet të lajë duart duart me kriminelët politikë që kanë uzurpuar çdo qelizë të shtetit.
Ndërsa nëse i referohemi Ibrahim Rugovës, po ju kujtoj disa qendrime të tij të njohura:
Më më 8 qershor 1992 Ibrahim Rugova do të thoshte për «Der Spiegel» se “Ne do të ishim të gatshëm të jemi shtet neutral dhe tani për tani të mos pranojmë bashkimin me Shqipërinë. Por bashkimi me Shqipërinë, këtë më duhet ta pranoj, është caku ynë i natyrshëm».
Më 22 qershor 1991, për gazetën gjermane «Tageszeitung», Ibrahim Rugova do të deklaronte: «Nëse Jugosllavia ndahet, ne nuk dëshirojmë të mbetemi relikt. Kjo për ne do të ishte e papranueshme. Unë nuk besoj, vazhdonte Rugova për «Tageszeitung», se Jugosllavia ka një shans të mbijetojë, sepse duket se nuk ekziston më gatishmëria për të gjetur kompromis midis kombeve që e përbëjnë. Nëse shpërbëhet Jugosllavia, ne nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bashkohemi me Shqipërinë».
Ndërsa më 17 prill 2000 po për der Spiegel Rugova do të shprehej: „Wir sind ein geteiltes Volk“ – “Ne jemi një popull i ndarë”!
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe përfundimi i konfliktit të Kosovës 1998-1999 i bëri realitet ëndërrat dhe përpjekjet e brezave për të rrëzuar Murin e Berlinit në Ballkan që e ndante mizorisht dhe brutalisht një komb përmes imponimit të konjukturave dhe dhunës.
Ky mur u rrëzua me hyrjen e trupave të NATO-s në 10 qershorin e vitit 1999.
Tani mure të tjera nuk ndërtojnë dot opinionistët kosovarë, le të hidhen si pleshtat përpjetë po të duan!
Komentet e tjera janë të tepërta.
Komentet