Nga Gjergj Titani
Pjesa e trembëdhjetë
Në tre pjesët e para të kësaj interviste, të publikuar në numrat e kaluar, Asambleja, vajza e vetme e Pandi Kristos, tregoi për rininë e hershme të mbushur plot përbuzje e fyerje nga shokët e shoqet e saj dhe për neverinë e drejtuesve të Komitetit të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë të kryeqytetit. Takimet me babanë e saj në burg dhe për dëbimin e familjes së saj nga Tirana, për në Lushnjë. Jetën e zymtë të familjes së ish-mikut të ngushtë të Enver Hoxhës dhe punët e rënda që bënin gjatë internimit, në Fermën Bujqësore të Çermës. Sjelljet e përbindshme të të plotfuqishmit të Sigurimit të Shtetit dhe të tjerëve. Si i dërgoi letër Enver e Nexhmije Hoxhës, për të vazhduar studimet e larta dhe reagimet pas kësaj letre, që shtuan edhe më shumë fatkeqësitë e familjes. Kurse në pjesën e dytë të botuar në numrin e kaluar, znj. Asamble Kristo Vullkani, me intervistën e saj, na njohu me peripecitë e familjes, pas burgosjes së babait, Pandi Kristos dhe ndihmën e madhe që u dha xhaxhi i saj, (vëllai i Pandit), Koço Kristo, i cili si një prind i dytë u kujdes për familjen e vëllait dhe së bashku me ta, shkonin shpesh herë në burgun e Burrelit për të takuar Pandin, duke i dërguar edhe çantat me ushqime, që ai i mbante në kurriz, pasi asnjë makinë, s’pranonte t’i merrte ata, pasi e dinin se po shkonin tek burgu i Burrelit. Po kështu në pjesën e dytë të intervistës me znj. Asamble Kristo, ajo na njohu edhe për peripecitë e shumta të familjes së saj gjatë kohës kur ishin në internim më sektorin e Çermës, si dhe mjekët lushnjarë që u treguan shumë humanë me nënën e saj, duke e kuruar vetë, apo duke e dërguar me autoambulancë për kurime në Tiranë, etj.
Znj. Asamble, në muajin gusht të vitit 1968, ndodhi ndërhyrja e trupave sovjetike në Çekosllovaki, pra kishte ndodhur revolta e quajtur “Pranvera e Pragës“, a kishte ndonjë iluzion babai juaj, Pandi Kristo, për ndërhyrjen e sovjetikëve në Shqipëri?
Po jua them që në fillim. Babai im nuk ushqente asnjë iluzion për diçka të kësaj natyre, kurse unë dhe bashkëmoshatarët e mi, pse ta fsheh, duke dëgjuar fjalë lart e poshtë, kisha plot iluzione, pse jo edhe shpresa. Babai nuk ishte njeri aventurier. Pandi Kristo, ishte njeri që kishte kaluar nëpër galerat e dy burgjeve, të regjimeve të ndryshme, të Mbretit Zog dhe të diktaturës së egër të Enver Hoxhës. Mbaj mend, nga analizat e tij, ai kishte dalë në përfundimin se; ulje – ngritjet artificiale të tensioneve politike dhe ushtarake, ishin lojëra dhe dredhi të njohura të Enverit. Madje, ai thoshte: “…Shqipërinë, as e ka kërcënuar njeri, me pushtim, as nuk e kërcënon”. “Po pse”? i thosha unë. E ai më përgjigjej: ”…sepse për këtë ka konventa, ka ligje të forta ndërkombëtare, të cilat nuk lejojnë askënd, të bëjë shaka të tilla, që kanë kosto jo të vogël. Enveri këtë fakt e di shumë mirë”.
Në verën e vitit 1968, ndodhi që u sëmur shumë rëndë kunati i babait tim, pra burri i motrës së Pandi Kristos. Të dy me babanë, u nisëm urgjentisht për në Tiranë. Në këtë kohë, si rezultat i kontradiktave të ashpra çekosllovako-sovjetike, ku kishte kohë që po frynin erërat demokratike, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, Aleksandër Dubçek, ishte thirrur (po përdor fjalën “thirrur” dhe jo ftuar, se kështu thoshte babai im), në një takim “miqësor diplomatik”, në pamjen e jashtme shumë paqësor, në stacionin hekurudhor “Çjornaja nad Tisoj” (E zeza mbi lumin Tisa), nga Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Leonid Brezhnjev, i cili në fakt, nuk ishte takim miqësor, por takim djallëzor. Pas këtij takimi, të nivelit të lartë, Çekosllovakia u pushtua nga trupat e blinduara dhe parashutiste ruse e, pasojat dihen.
A kishe vënë re ti te babai ndjenja shqetësimi apo euforie?
Nuk kisha vënë re as një ndryshim në mënyrën e tij të të jetuarit. Ato ditë, ne vumë re shtimin e njësive ushtarake në bregdet, afrimin e tankeve dhe të artilerisë, e cila vinte nga rruga e Lushnjës. Rezervistët, u thirrën në mobilizim ushtarak, e të tjera. Këto shenja, ne të rinjve na jepnin shpresa, kurse Pandit jo! Ai thoshte se: “… Enverin e njoh mirë unë. Ai është aventurier, ndërhyrje ushtarake do, por ja që nuk ja var kush…! Nuk ka njeri interesa ushtarake për pushtimin e Shqipërisë…”!
Po Çekosllovakinë, pse e pushtuan trupat sovjetike, çfarë thoshte Pandi për këtë gjë?
Sipas komenteve që më bënte babai atëherë, i cili ndiqte zhvillimet ndërkombëtare, kishte disa arsye, përse u bë ky pushtim. Së pari, ndryshon shumë puna e Çekosllovakisë me vendin tone, pasi ai është shtet që hynte në zonën e pushtimit të rusëve. Atje, ashtu si në Gjermaninë Lindore (Demokratike), Hungari etj., ndodheshin trupat ruse, të komanduara nga mareshali Jakubovski, kishte interesa më të mëdha kontinentale. Ndaj, sipas babait, Bashkimi Sovjetik, nuk donte të hapte edhe një front tjetër, të tensionuar në Shqipëri.
“Po gjithë këto trupa që po vijnë nga Lushnja, o baba, kot nuk janë, si thua ti”? “Sigurisht, që nuk janë kot. Por, ta thashë edhe një herë, Enver Hoxha, e di se nuk e kërcënon kush. Ai e di që është jashtë sferës së interesave të mëdha. Por, me këtë rast ai, kontrollon edhe një herë gjendjen e brendshme, ngre artificialisht tensionin, mat pulsin e organeve të Punëve të Brendshme, bën ca arrestime, etj. Kështu them unë dhe më duket se e kam drejt”.
Ato ditë kur ju me babanë, shkuat në Tiranë për të vizituar burrin e hallës, a vutë re ndonjë simptomë të re persekutimi?
Së pari, unë them se babai im, kishte dalë prej kohësh nga sfera e lartë, por gjithsesi Sigurimi i Shtetit, ishte i pranishëm gjithandej dhe ndonjë lëvizje rreth nesh, vihej re dukshëm. Në Tiranë situata e përgjithshme ishte e tensionuar së tepërmi. Pandin ato ditë, e ndiqnin hap pas hapi agjentët e Sigurimit të Shtetit. Lind pyetja, po ne nga e morëm vesh që Pandin e ndiqnin nga pas me veturë tip “GAZ”, nga ato sovjetiket? Ja se si ndodhi që ne e mësuam këtë fakt. Poshtë dritares së katit të parë të shtëpisë të farmacistit të njohur, Xhelal Rusi, i cili kishte studiuar në Francë dhe gjuhën frënge e fliste me një elegancë aristokratike të veçantë, qëndronin agjentët e Sigurimit të Shtetit dhe “GAZ”-i i tyre.
Pikërisht mbi këtë kat, mbi këto dritare të Xhelalit, banonte kunati i Pandit, i cili po jetonte ditët e fundit të jetës së tij. Po kush ishte Xhelal Rusi? Ai ishte farmacisti frankofon më simpatik i Tiranës, i cili kur pinte (se ai pinte mjaft), bëhej edhe më i lezetshëm, edhe më simpatik. Familja Rusi, ishte e tëra një familje antifashiste, e lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Xhelali, ndonëse e njihte personalisht Enver Hoxhën dhe i shkonte atij ndonjëherë edhe për vizitë, ishte thellësisht në shpirt, i pakënaqur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndaj fliste mbarë e prapë me ironi, kundër tij. Skënder Rusi, agronom me arsim të lartë, i lauruar jashtë shtetit, partizan dhe antifashist i orëve të para. Munever Rusi, partizane e Qarkut të Korçës, bashkëshorte e Irakli Vakëflliut, gjithashtu partizan e veteran i Qarkut të Korçës, ishin vëllai e motra e Xhelalit.
Farmacisti hokatar dhe djali i tij, kishin përballuar një betejë të ashpër familjare me njerëzit e Sigurimit të Shtetit, sigurisht me urdhër nga lart. Asllan Rusi, ishte sportisti volejbollist më i talentuar në Shqipëri. Emrin e të cilit mban sot pallati lojërave me dorë në Tiranë e, që e adhuronte i gjithë kryeqyteti. Xhelali, më duket se ishte martuar me mbesën e poetit të madh kombëtar shqiptar, Naim Frashëri. Në këto rrethana, Xhelal Rusi, i torturuar psikologjikisht nga fakti se një makinë enigmatike, e cila dallohej qartë se ishte nga ato makinat e Sigurimit të Shtetit, qëndronte poshtë dritareve të shtëpisë së tij, prej disa ditësh, shkoi vetë te makina në fjalë dhe i u drejtohet agjentëve: “Pse nuk vini të më arrestoni, se më plasët xhanin, keni tre ditë rresht që po më torturoni”!?
Oficerët e Sigurimit të Shtetit, të veshur civilë, u habitën nga fjalët e farmacistit të mirënjohur dhe i thanë: “…O shoku doktor Xhelali, të lutemi shumë, ti mos u shqetëso, ne qëndrojmë këtu jo për ty, po për Pandi Kriston, kunati i të cilit, banon këtu mbi ty”. Të nesërmen, qysh herët në mëngjes, farmacistit më simpatik të Tiranës, nuk iu durua, por shkoi drejt e tek e motra e Pandi Kristos, Vangjelia, komshia e tij, e cila punonte te dyqani i vetëm i optikës në qendër të Tiranës dhe i thotë po ato fjalë që i thanë oficerët e Sigurimit të Shtetit.
A i tha gjë tjetër doktor Xhelali motrës së babait tuaj?
Xhelal Rusi, ishte njeriu më atipik e më i çuditshëm që kishte Tirana dhe nuk mund të mos i thoshte Vangjelisë këto fjalë: “Dëgjo Vangje! Këta, si frikamanë që janë, më duket se këtë radhë i kanë mbushur brekët mirë. Radiot, thonë se në Çeki, po bëhet kërdia. Një djalë, që quhet Jan Palash, një student thonë, i vuri zjarrin vetes, m´u në sheshin “Vacllav” në qendër të Pragës. Populli çek, i priti ushtarët rusë me demonstrata. Televizionet e huaja, thonë se ushtarët rusë, u gjendën të habitur kur panë se çekët i pritën me indinjatë. Domethënë, Vangje, ata ishin të gënjyer…! Ja kështu janë punët…!
Madje, thonë se ca studentë, që kanë ardhur nga Evropa, paskan parë në televizionet private, ca harta ushtarake, ku shteti tjetër, që është shënuar për t’u pushtuar nga rusët, qenka Shqipëria. Vangje, kafenetë janë mbushur plot me kalec dhe i hapin veshët, për të peshkuar ndonjë cironkë, se peshqit e mëdhenj i ka gëlltitur ujku me kohë”! Tirana vërtet ziente, universiteti gjithashtu. Të gjithë thonë, të shohim ç´do të ndodhë. Dhe ndodhia më e pritshme për të ndodhur, ishte dalja me shumë bujë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, nga bashkësia e ‘Traktatit të Varshavës’. Por, ne me babanë, kishim hallin e burrit të hallës, i cili pas disa ditësh, vdiq. Kështu edhe në raste vdekjesh, Sigurimi i Shtetit nuk na u nda.
Pse flisni me mllef të papërmbajtur për figurën e Nexhmije Hoxhës, e cila vite më parë, është shprehur aq egërsisht për fëmijët e të dënuarve politikë me prejardhje komuniste, pra për fëmijët e të dënuarve politikë brenda llojit, por edhe për fëmijët e klasave të tjera nga kundërshtarët politikë të monizmit enverist?
Sigurisht. Mllefi im i ligjshëm, është shprehur edhe për këtë arsye. Mua më duket ende çnjerëzor dhe i përbindshëm qëndrimi moral dhe antiligjor i Nexhmije Hoxhës. Ajo nuk ka guximin qytetar edhe sot, pas kaq vitesh, t’i kërkojë ndjesë dhe falje familjeve të persekutuara, të ish-luftëtarëve të LANÇ-it, që u pushkatuan nga gjyqet e egra dhe të falsifikuara të diktaturës enveriste, çka përgjegjësi jo të vogël, mban edhe shprehësja e deklaratave të më sipërme, apo nxitësja e një genocidi “sui generis”, ‘alla Nexhmije Hoxha’, e frymëzuar nga burri i saj “i dashur dhe udhëheqësi i pavdekshëm Enver Hoxha”. Dua të të them se, mllefi apo zemërimi im dhe i brezit tim, është minimal ose asgjë, në krahasim me fatkeqësitë që i ka shkaktuar ajo, burri i saj dhe sahanlëpirësve të tij, shokëve dhe shoqeve të mia, të qindra kuadrove të PKSH-së, ushtrisë, ministrive, Frontit Demokratik të Shqipërisë, Bashkimit të Rinisë Punës së Shqipërisë, Bashkimeve Profesionale, intelektualëve pa parti, Universitetit dhe Shkollave të Larta, etj.
Si mund të mos ia kujtoj unë Nexhmije Hoxhës, fëmijët e vegjël të ish-shokëve të saj të Luftës. Të gjeneralëve, ministrave, anëtarëve të Byrosë Politike apo të Komitetit Qendror të PKSH-së e PPSH-së të sakatuar, të pushkatuar pas shpine pa gjyq, apo të burgosur, të syrgjynosur kampeve e burgjeve ose të internuar pa afate kohore, madje, të internuar deri edhe gjysmë shekulli, skutave të Shqipërisë!? Jo, kurën e kurës! Unë dhe brezi im, brezi që humbi, jo vetëm prindërit, por shpesh humbi edhe jetën, rininë, shkollimin, gëzimin, lodrat, dashurinë dhe përkëdheljet prindërore, dashurinë dhe gëzimet e jetës, buzëqeshjen e çiltër, komunikimin e lirë qytetar dhe atë social etj. Si mund të harrojmë ne, vdekjet makabre të shokëve dhe shoqeve tona, në kampe, burgje, miniera, në këneta, nëpër hetuesira etj.?!
A do të më falnin mua vallë sot, po të mos i përmendja fëmijët e gjeneral Dali Ndreut, të kolonel Islam Radovickës, të gjeneral Hulusi Spahiut, vajzën e bukur të vetësakrifikuar të Biserka dhe gjeneral Zoi Themelit, vajzën e mrekullueshme të anëtares së Byrosë Politike, Liri Belishova dhe ministrit të Bujqësisë, Maqo Çomo, që vdiq në Spitalin Onkologjik të Tiranës, pa ia lënë t’ëmën pranë t’i jepte një gotë ujë, sepse i ati, ndodhej i burgosur në burgun e Burrelit. Po gjashtë fëmijët e Koçi Xoxes, të Bedri Spahiut, të Tuk Jakovës, të tre “Heronjtë të Popullit”, të gjeneralit të talentuar, Vaskë Gjino, djemtë e gjeneralit Muhamet Prodani “Hero i Popullit”. Fëmijët e ministrit të Tregtisë, Kiço Ngjela, të gjeneralit të mrekullueshëm Abaz Fejzo, të “Heroit të Popullit”, të gjeneralit Sadik Bekteshi, njëri nga themeluesit e PKSH-së, të gjeneralit Arif Hasko, të anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, gjeneralit Halim Ramohito, fëmijët e kolonelit trim e historian, Dilaver Radëshi.
Vajzat e mrekullueshme të “Heroit të Popullit” gjeneralit të talentuar, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume. Fëmijët e “Heroit të Popullit”, gjeneralit pasionant, Hito Çako, të gjeneralit të urtë, “Heroit të Popullit” anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, Rrahman Parllaku, të ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike, gjeneral-kolonel, Beqir Balluku, të ministrit të Industrisë e Minierave, anëtarit të Byrosë Politike, Koço Theodhosi, të anëtarit të Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, Abdyl Këllezi, drejtorit të Uzinës të Përpunimit të thellë të Naftës, Andrea Manço. Fëmijët ende të parritur, të inxhinierëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës e Gazit, “Heroit të Punës Socialiste” Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Petraq Xhaxhka, Spiro Konomi, Enriko Veizi, Dhimitër Stefa etj. Fëmijët e parritur të gjeneralit Gjin Marku dhe të kuadrit të mrekullueshëm dhe mikut të babait tim, Xhavid Qesja, të veteranit komunist Koço Tashko, gjeneral-major Panajot Plaku, kryetar i Komisionit Shtetëror të Gjeologji-Minierave, anëtarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së: Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Manol Konomi, Teodor Heba etj.
Fëmijët e Kadri Hazbiut, ministër i Punëve të Brendshme dhe anëtar i Byrosë Politike, një djalë i të cilit u vetë hodh në erë me dinamit. Feçor Shehut, Elhami Hado, vajzat e mira të komandantit të Aviacionit Shqiptar e deputet i Kuvendit Popullor, kolonel Edip Ohrit, djemtë e mirë e të talentuar të Kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, fëmijët e krye truprojës të Mehmet Shehu, burrit të urtë Gani Kodra, Iliaz Ahmetit, Peço Kagjinit, kolonelit Pandeli Varezi, Dhimitër Kotefa, gjeneralit Halim Xhelo, ekonomistit Fehmi Frashëri, gjeneralit Mihallaq Ziçishti, ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, inxhinierit të talentuar Miço Veshi, mjeku me përvojë, Miço Konomi, e shumë të tjerë. Jam e bindur se, për arsye se ka kaluar shumë kohë, me siguri duhet të kem harruar shumë shokë, shoqe dhe miq të mi, të cilëve u kërkoj ndjesë paraprakisht. Kjo listë do të zgjatej pa fund, nëse do të bëhej një listë e përpiktë. Ja, kjo është arsyeja që unë flas me mllef e zemëratë për “ish-zonjën e parë të vendit”, pasardhësen e denjë të burrit të saj diktator.
A kishte nga agjentët e punonjësit e Sigurimit të Shtetit, që iu survejonin apo kuadro, te të cilët ju paraqiteshit, me sjellje dhe karakter të mirë?
Po, sigurisht që pati. Për shembull, shefi i ri i sektorit Petraq Tashi, i cili ishte nipi i Themije Thomait, e që ishte diametralisht i kundërt me nipin e Lenka Çukos. Petraqi ishte i pari njeri, që ngriti zërin, që të gjithë punonjësit e brigadave të arave të paguhen njëlloj. Kjo ra si bombë te punëtorët e padënuar të brigadave të tjera, të cilët ishin mësuar të paguheshin më shumë nga puna jonë, të cilën deri atëherë nuk na i paguanin. Pse? Sepse ekzistonte parimi që; të internuarit politikë, të mos paguheshin më shumë se punëtorët e lirë. Me këtë rast, Operativi i Sigurimit, Bujar Peza, u bë si bishë, por i nipi i ministres së Bujqësisë, as nuk e çau kokën fare. Kur Operativi Bujar Peza e pa se nuk po e thyente dot ballazi përgjegjësin e sektorit, atëherë vuri në veprim truket provokative të arsenalit “luftarak” të Sigurimit të Shtetit.
Dhe ja se ç´ndodhi! Në sektorin tonë, kishin sjellë një vajzë të përdalë, të quajtur S.V. Këto lloj vajzash, mbeteshin gjithmonë kontingjente të gatshme të policive dhe të Sigurimit të Shtetit, të paktën ky ishte mendimi edhe i oficerëve e punonjësve të Sigurimit. Në këto kushte, operativi e instrukton S.V., t’i futej shefit të sektorit, për ta provokuar si mashkull e të hynte në marrëdhënie intime, meqenëse Petraqi, ishte i ri dhe djalë i bukur. Por Bujar Pezës i ngeli sharra në gozhdë, sepse S.V., jo vetëm që nuk pranoi të binte në grackën e Operativit të Sigurimit të Shtetit, por edhe e raportoi atë te shefi i sektorit. Me këtë rast, Petraqi, shefi i sektorit tonë e ndëshkoi rëndë Operativin, pa iu bërë vonë fare, duke ia pushuar të fejuarën nga puna.
Pse po e evidentoni këtë fakt, në këto kujtime?
Sepse midis atyre që na persekutonin si skllevër, kishte edhe njerëz të mirë, madje njerëz me zemër të madhe, e që u vinte keq për vuajtjet tona dhe të prindërve tanë. Pra, në kundërshtim me karakterin e nipit të Lenka Çukos, i cili, siç e theksova, ishte mjek me shpirt polici, nipi i ministres së Bujqësisë, ishte jo vetëm njeri i ndershëm dhe parimor, por edhe njeri i drejtë, që nuk ia hante të drejtën punëtorëve, qofshin ata edhe të internuar. Pas kësaj, ne u paguam më shumë, si pas punës që bënim. /Memorie.al/