Aleksandar Vucic është në linjë të politikave ballkanike të Nikola Pasic-it. Ai humbjen e territoreve që i konsideron serbe, po përpiqet t’a kompensojë me krijimin e një strukture të moderuar, Open Balkan, ku të gjithë serbët jetojnë brenda saj, në pamundësi t’i mbajë brenda kufijve etnikë të Serbisë së sotshme…
Më 1915 në Nish, Parlamenti serb kishte votuar kundër propozimit të Antantës së Trefishtë (Perandorisë Ruse, Republikës së Tretë Franceze dhd Britanisë së Madhe) për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila përfshinte pjesë të Kroacisë dhe Kosovën, si dhe pjesë të madhe të Shqipërisë, Dalmacinë e ndoshta edhe Sllavoninë, por jo edhe Maqedoninë!
Porse politikani radikal serb me origjinë cincare/vllahe nga luginat rrëzë Sharrit, Kryeministri Nikola Pasic, në bashkëpunim me organizatën “Bashkim ose vdekje” që më vonë u quajt “Crna Ruka” të Dragutin Dimitrijević-Apis-it, (1911) i bindi shumicën e deputetëve që të hiqnin dorë nga Serbia e Madhe, në këmbim të Jugosllavisë Mbretërore të serbëve, kroatëve e sllovenëve, krijesë e cila do t’i mbante të gjithë serbët në një shtet dhe do të dukej strukturë moderne sy bote, paçka se ishte burg popujsh?
Pasic kishte një justifikim interesant: Serbisë iu morën territore – porse u rikthyen ato, nën Mbretërinë SKS.
Në të njëjtat primesa u krijua Jugosllavia e AVNOJ-it nga Josip Tito, në 1943 në Jajce. Një federatë moderne me popujt josllavë të ndrydhur (shqiptarët e hungarezët), me vllëhet e asimiluar dhe volksdeutsche-rët e Vojvodinës, të asgjësuar e përzënë nga vendi, duke ua shtetëzuar pronat.
Në këtë kontekst, zeza “Ballkani – Ballkanasve” është kryeteza e hegjemonizmit serbian, që në thelb – edhe sot – thërret për t’i lëshuar udhë Serbisë për dominim në rajon, si satisfaksion për Bosnjën unike, Kosovën e pavarur dhe Malin e Zi në NATO.
Shtratin e lindjes, kjo tezë, e ka tek Beteja e Kumanovës, në Luftën e Parë Ballkanike (1912) e përqafuar pastaj edhe nga kryeministri Nikola Pasic dhe nga socialdemokracia serbe.
Porse, ashiqare që nuk ishte vetëm thirrje për çlirim nga osmanët por edhe nga austrohungarezët dhe, në kontekstin aktual nga amerikanët dhe aleatët e tyre evropian!
“Ballkani duhet t’u takojë ballkanasve dhe këtë Fuqitë e Mëdha kurrë nuk e kanë lejuar”, kështu tha Aleksandar Vučić më 8 qershor, 2023 në Ohër dhe ata që i besuan në nismën e tij Open Balkan, i duartrokitën!?
Po pse kjo është në thelb thirrje për një koncept deetnizues të interesave serbiane si Open Balkan, strukturë dukshëm e dominuar nga një ekonomi shumë më e madhe rajonale siç është Serbia, por që, ndërtohet në kondita evropiane të lëvizjes së lirë të njerëzve, ideve dhe kapitalit.
Open Balkan mbahet fort pas parullës “Ballkani – ballkanasve” dhe është modifikim dhe akomodim i interesave serbiane, në kushte dhe rrethana të reja gjeopolitike.
“Ballkani – ballkanasve” është zgjatim i doktrinës së Serbisë së Madhe, në epokën kur Serbia e ka humbur luftën me NATO-n dhe Ballkani përket në sferën e interesit të Perëndimit, porse me këtë version të zbutur te parullës “të gjithë serbët në një shtet”, mësyhet t’i ruhet fytyra Serbisë, duke e tërhequr kah BE-ja, me koncesione dhe realpolitikë.
“Ballkani – ballkanasve” nisë me Betejën e Kumanovës (1912) dhe vazhdohen nga Kryeministri i Serbisë së Karadjordjević-ëve, Nikola Pašić dhe vazhdohet nga Vucic, përmes mekanizmit Open Balkan.
Porse kjo nismë, ende nuk e obligon Kosovën me asgjë, pos parabojës se mos amerikanët po e ndëshkojnë Kosovën!?
Së pari, i dërguari i administratës Biden për Ballkanin, Gabruel Escobar e tha qartë:”Nuk duam dublifikim” të nismave rajonale, pra ai bëri thirrje per një projekt te vetëm, por a do të jetë ky Procesi i Berlinit apo Open Balkan?
E dyta, vetëm një vit përpara gjermanët e shpërfillnin krijesën e Nishit (përkatësisht Novi Sad-it, 2019) me gojën e Manuel Sarrazin, Përfaqësues Special i Qeverisë Federale Gjermane për Vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili i pati thënë medias në Prishtinë se Procesi i Berlinit është shembulli më i mirë për të treguar që Ballkani i Hapur është një iniciativë, “me qëllim ndoshta pozitiv, por jo dhe aq e nevojshme”.
Dhe, tashti erdhi vet Kancelari Olaf Scholz për ta mbështetur Open Balkan, pa asnjë ide të qartë për vazhdimin e Procesit të Berlinit!?
Dhe e treta, mbështetësve të Open Balkan nuk po u bën asnjë përshtypje koncensusi kombëtar i Kosovës kundër Open Balkan!?
Porse gjërat fituan dramaticitet, sëkëndejmi, me ardhjen e Kancelarit Scholz, në një të premte me shi (që interpretohej në Prishtinë si ditë e bereqetshme?) në Prishtinë.
Dhe ndodhi e papritura: Scholz e la Kryeministrin Kurti me duart bosh e “me gishta në gojë”!?
Pritjet ishin të mëdha, porse gjermani vetëm sa u mbajt fort për retorikat e kontinuitetit të politikave të Merkel për Ballkanin Perëndimor!?
Asnjë ofertë konkrete për Prishtinën, madje as shpresë se diçka do të lëviz shpejt, në drejtimin e debllokimit të Kosovës, qoftë heqje e rrethimit të regjimit të vizave, qoftë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për më keq, Serbia u inkuraju në politikat e saj “të hapave të vegjël” që mund të lexohet zvarritje, zvarritje, zvarritje.
Dialog teknik, si targat e këto!!!?
Kancelari Scholz iu bashkua amerikanëve për të blerë kohë për Vucic-in, derisa ai të rregullojë hesapet për të vendosur sanksione kundër Rusisë, por që në thelb, paraqet normalizim të mosnjohjes së Kosovës, ndoshta për dhjetë vjetët e ardhshme, kur mund t’i vie radha zgjerimit të BE-së, siç shkruajti Kryeninistri grek Kyriakos Mitsotakis, në një shkrim autorial për Politico.eu.
Duke pasur parasysh se Scholz nuk shkoi përtej Merkel, në
Kosovën politike ende nuk kanë pushuar së qeni valide argumentet kundër Open Balkan.
Pra, pa mëdyshje Open Ballkan është mekanizëm i ‘Botës serbe’ i përshtatur me katër liritë si vlera të përbashkëta evropiane.
Po pse e mbështet ShBA?
Duke i besuar Vucic-it, i cili dëshiron që të anëtarësohet në BE, duke i dhënë lamtumirën epike “përqafimit të ariut rus”, amerikanët kanë pranuar nocionin se tregtia është e barabartë me besimin.
Por jo, besueshmënia mbërrihet me njohje reciproke, me parimin e barazisë politike në secilin proces, e jo me tregun e hapur.
Duke pasur parasysh, këtë pustulat, mund të kalkulohet qëndrueshmënia e këtij projekti, i cili, për tre deri gjashtë muaj ka për t’u harruar, ndonëse amerikanët i dhanë gjysmë mbështetje, në parim, dhe e kundërshtuen dyzash (diskursi i dikhotomisë) si letër lakmuesi për Vučić-in, pra si projekt për një përdorim:
– Derisa të fillojë numërimi prapsht i kohës së blerë nga ta për Serbinë, për qëndrim në dy ulëse (Perëndim hem Rusi) sepse ashiqare që Vučić e ka bërë një premtim tek amerikanët, për dalje nga orbita ruse.
Kjo qasje e re, në një dokument sekret të BE-së, do të thotë se Perëndimi është pajtuar që Serbia të manovrojë me “politikën e hapave të vegjel” edhe për njohjen reciproke me Kosovën edhe për vendosjen e sanksioneve Rusisë.
Afërmendsh, kur të realizohet sëpaku njëri nga dy objektivat e Perëndimit, “Open Balkan” ka për t’u harruar sikur:
– “Razgranićenje sa Albancima”/ripërkufizim me shqiptarët. (Projekti i Presidentit serb Tadić 2012.)
– Këmbimi i territoreve; (Si projekt sorosian i Hashim Thaçit & Edi Ramës, më 2017-2018);
– Dhe si Non- Paper-sat (si Projekt i Vučić-Janša-Orban, më 2021.)
Duhet veneruar se tre janë argumentet me të cilat Gabriel Escobar nuk ua prishi qefin ballkanasve dhe njikohësisht nuk e fajësoi Kosovën për qëndrimin kundër:
a) Të gjithë dhe të barabartë (Parimi i sovranitetit të pjesëmarrësve);
b) Jo projekt politik por ekonomik!(Parimi i besueshmënisë që âsht postulat politik);
c) Janë disa nisma rajonale dhe nuk pranohet DUBLIFIKIMI; (Parimi i legalitetit të BE-së në qendër – Procesi i Berlinit);
Shthurja çehoviane e dramës ballkanike pritet pas krijimit të Qeverisë së re në Serbi dhe varësisht nga rrjedhat e luftës në Ukrainë.
A do të jetë kjo vjeshta e fundit e Aleksandar Vucic-it në krahët e Putinit?
Komentet