Zoti Fullani si je? Po të bëjnë efekt ilaçet e psikologes?
Olsi Rama tifozi i Partizanit dhe i Shalke-04 po ju shkruan. Kam nevojë për ndihmën tuaj, jo më kot ju pyeta për ilaçet.
Që kur ka humbur Partizani kam rënë në depresion dhe më duket pa shije birra me krikëll.
Dëgjova për raportin tuaj mjekësor dhe kam përshtypjen që vetëm ju mund të më kuptoni në situatën që ndodhem.
Ndoshta edhe Shukriu, por ai s’ka parë ndonjë ndeshje me Partizanin.
Nejse, shyqyr që në ndeshjen e fundit të Partizanit se ç’ishin nja dy çupa që po mbllaçisnin çamçakiz, i kisha pranë dhe më ngushëlluan se nuk di si do e përballoja dot skualifikimin.
Këto çupat që më ngushëlluan më thanë që ishin tifoze të flakta njësoj si mua dhe e ndjenin si obligim të vinin e të më fshinin lotët.
Për të qetësuar sadopak dhimbjen, kam zënë rrënjë këtu tek kjo lloto-sporti ngjitur me Librin Universitar. E ka një çun i mirë shumë këtë lloton, emrin e ka Gazi, ndërsa mbiemrin e ka shenjë horoskopi.
Zakonisht rri përjashta në këmbë sepse këto kohë kam vendosur të praktikoj 10 mënyrat si mund të qëndrosh në këmbë e të dukesh sekësi.
Jam bërë tifoz i çmendur i Bregut të Fildishtë me shpresën se do më nderojë. Aktualisht po vë skedina vetëm për Shalke-04 se kam një parandjenjë të fortë këto kohët e fundit.
I kam parandjenjat po aq të forta njësoj si atëherë që humba atë koncensionin e Spitallës, por kësaj here parandjenja është pozitive.
Kjo lloj praktike nuk është se më ka ftilluar shumë, se u bë kohë që nuk shikoj më në ëndërr sikur bëj sekës, por shikoj vetëm ato tabelat e teletekstit me 1X2.
Por u qetësova disi kur takova Ben Tigrin një ditë. Unë e pyeta ça po bëhej ndonjë gjë me atë koncensionin e TVSH-së. Por kuptova që Benit nuk i kishte dalë gjumi akoma. Vazhdonte shikonte në ëndërr një video sekësi, e më thoshte: “mos paça fatin e Shukriut more Olsian”.
Një natë kam përjetuar tmerr, se më dolën në ëndërr këto cupat që më ngushëlluan, sikur po bënin tifozllëk për Tiranën. Pastaj më bëheshin sikur ishin tifoze me Partizanin, por që nuk e shikonin ndeshjen por luanin me telefon.
Nuk e di, nuk e di…
Them që t’i kërkoj Partizanit dëmshpërblim për dëmin psikologjik që më ka bërë.
Ndaj të lutem më jep një mendje ose me jep avokatin dhe psikologen tënde, që fundja janë nga e njëjta familje, pasi dua t’i paguaj edhe unë me ulje çmimi.
Nuk di çfarë të bëj në fakt, unë di të qesh bukur dhe kjo më ka bërë akoma më konfuz me veten.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
Komentet