Gazetari sportiv Besnik Dizdari i ka kushtuar nje speciale 80 vjetorit te Lojerave Olimpike. Pas pjeses se pare ku ai shkruante per faktin qe flaka olimpike kaloi ne 1936 prane kufirit me Shqiperine, sot del ne skene edhe nje fakt shume interesant.
Ne vitin 1936 kur u organizuan Lojerat Olimpike te Berlinit, ministr i Arsimit i Qeverise se Ahmet Zogut, dr. Nush Bushati zhvilloi nje takim 40 minuta me Hitlerin.
“ERRATA CORRIGE” SENSACIONALE MBAS MESNATE
Jam munduar gjithmonë të zbatoj një mënyrë gazetarie të vjetër, që thotë se mbasi e ke përfunduar një shkrim, nëse koha ta lejon, lene “të pushojë” paksa. Dhe shko e pij një kafe ose bëj diçka tjetër dhe vetëm mbas kësaj ndërprerje ktheju te shkrimi, lexoje dhe do të çuditesh se disa gjëra që ke shkruar qoftë dhe para një ore, papritmas nuk do të pëlqejnë. Madje, mund të ndodhë që të habitesh se si ajo që të kishte pëlqyer aq fort para një ore, tash nuk të pëlqen më! Ky lloj redaktimi personal mua më ka dalë i një arritjeje të madhe.
Kështu, pjesën e dytë të këtij Dossier-i unë e lashë me pushue shumë orë. Kryeredaktori Robert Rakipllari heshti, edhe pse kishte ndër duar vetëm pjesën e parë të shkrimit që u botua dje… Dhe të shtunën në mbrëmje, ndërsa po admiroja interpretimin historik të kampiones olimpike Majlinda Këlmendi të Republikës së Kosovës, në të ndërmjeme m’u tek të shfletoja koleksionin e shkëlqyeshëm historiko-olimpik të dy gazetave më të mëdha sportive të botës, “L’Equipe” të Francës” dhe të “La Gazzetta dello Sport” të Italisë.
Janë dy botime disavëllimshme, të cilat kur i kam blerë më kanë pasë kushtuar tejet. E, këto janë sakrificat e padhimbshme të asaj kategorie gazetarësh që e ndjenë fort profesionin e tyre. Duke i shfletuar vetvetiu më mbetëm sytë te foto e Hitlerit në Olimpiadën e Berlinit. Dhe ec e gjeje se si më tha mendja që në këtë mesnatë të kërkoj foto të tjera nga Olimpiada e Berlinit në internet.
Doemos që ishin të mbarim… Dhe mu në këtë çast, ndërsa shihja për të disatën herë te “RTK” e Kosovës Majlindën në podiumin olimpik me lot në sy, teksa i gëzohej medaljes parë olimpike të një shteti shqiptar në krejt historinë e përbotshme, që në këtë rast nuk është Republika e Shqipërisë, por Republika e Kosovës, papritmas zbuloj sensacionin. Atë që po e quaj një ndër sensacionet më të mëdha që një “errata corrige” (“ndreqje gabimi” ) mund të bëjë.
Gjithçka ishte e shkruar shumë shkurt: “Nuk është e vërtetë që Hitleri e ka injoruar Owens-in apo që ka braktisë tribunën kur ai merrte medaljet në Berlin 1936”, siç shkrova edhe unë në pjesën e parë të këtij Dossier-i! Nuk po u besoja syve për këtë përgënjeshtrim të bujshëm që shfaqej mbas 80 vjetëve. Fakti vinte prej autobiografisë së Owensit “The Jese Owens Story”. Paska shkruar fjalë për fjalë vetë Owens-i: “Mbasi zbrita nga podi i fitimtarit, kalova pranë tribunës së nderit për t’u futur në gardërobën e nëntribunës. Kancelari gjerman po më fiksonte, u ngrit dhe më përshëndeti me dorë. Unë veprova po ashtu, duke ia kthyer përshëndetjen.
Mendoj se gazetarët kanë mbajtur një qëndrim të një shije të keqe, duke shpikur një armiqësi që nuk ka ekzistuar kurrë”. Një përmbysje e historisë! E kjo nuk bëhet për të shpëtuar figurën e Hitlerit, që s’ka histori që e shpëton. Kjo “errata corrige” që bën vetë Owens-i bëhet vetëm për hir të së vërtetës. E bota e informacionit, “e udhëhequr” në plot 80 vjet pa ia nda prej historianëve “kryefortë”, vazhdon të thotë të kundërtën edhe sot.
Ndërkaq, befasia tjetër vjen prej numrit të së dielës të së përditshmes së madhe “Marca” të Spanjës. Ajo kishte gjetë një mënyrë krejt origjinale për të bërë këtë “errata corrige”. Kishte botuar një foto të montuar, ku tregon se si Owens-i dhe Hitleri gëzonin së bashku njëri-tjetrin te pedena e kërcimit së gjati. Po e botojmë bashkëngjitur Dossier-it tonë që vjen ndryshon kë- sisoj, deri “disa çaste” para botimit. E nuk mund të harrojmë ndërkaq, se ka për fat ka edhe një të vërtetë tjetër.
Asokohe, në 1936, Presidenti amerikan, Franklin Roosevelt, i zënë tejet me fushatën e zgjedhjeve presidenciale, e anuloi pritjen për Owens-in që ishte parashikuar të bëhej në Shtëpinë e Bardhë. Owens-i ishte anëtar i Partisë Republikane dhe bënte fushatë për kundërshtarin e Roosevelt-it, kandidatin Alf Landon. Ndreqja historike e figurës së katër herë Kampionit Olimpik të Berlinit do të bëhej vetëm mbas 19 vjetëve, në 1955 nga Presidenti amerikan, Dwight Eisenhower, i cili e emëroOwens-in “Ambasador të Sporteve”! Edhe kështu u rishkruaka historia…
“AUDIENCA ME KANCELARIN HITLER” DHE MINISTRI DR.NUSH BUSHATI …
Siç po veprojmë edhe ne në këtë Dossier-in tonë, teksa vazhdojmë aventurën “shqiptare” të Berlinit 1936… Dhe po nëntitulloj ashtu siç ka përcaktuar shtypi shqiptar i kohës: “Audienca me kancelarin Hitler”! Ndodhi pra, që tre shqiptarët, të cilët për herë të parë përfaqësonin Shqipërinë në një Olimpiadë, të jenë në “Olympia Stadion”: dr.Nush Bushati, prof.Gaqo Gogo dhe kryeredaktori i “Sportit Shqiptar”, Anton Mazreku. Për fatin e tyre ata janë në tribunë pa përshëndetur asnjë sportist të tyrin.
Ajo që në editorialin e tij të famshëm të vitit 1936 Anton Mazreku do ta titullonte: “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”. Po Shqipëria gjithsesi ishte aty… Madje, përmes një ngjarjeje krejt të jashtëzakonshme, që simbas kërkimeve tona i përket datës 9 ose 10 gusht 1936, në ditë kulminante të zhvillimit të Olimpiadës. Adolf Hitler, Kancelari i Gjermanisë, ka pritur në selinë e tij në Berlin, dr.Nush Bushatin, ministër i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare të Shqipërisë “Vllaznia Shqiptare”.
Megjithatë, ende nuk kam arritur të di nëse Hitleri i ka pritur të gjithë kryetarët e delegacioneve olimpike të 49 shteteve pjesëmarrëse. Por është e pamundur që Hitleri me autoritetin e tij, me marrëdhëniet dyzuese, komplekse, të brishta e të fuqishme politike që mbarështronte në këtë periudhë me botën, të ketë pritur në audiencë kryetarët e delegacioneve.
Dihet ndërkaq se në Olimpiadën e Berlinit kanë qenë të pranishëm autoritete shumë më të larta se dr.Nush Bushati i Shqipërisë, të tillë si Mbreti i Bullgarisë, Princi Trashëgimtar i Italisë, Princi Trashëgimtar i Suedisë, të cilët Hitleri mund t’i ketë pritur. Por nuk përjashtohet fakti që dr.Bushati të ketë qenë i vetmi ministër i Arsimit i një shteti europian i pranishëm në Olimpiadë, sepse vetëm Shqipëria kishte organizimin e saj unikal, ku ministri i Arsimit ishte dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare, pra edhe drejtuesi i mirëfilltë i lëvizjes sportive në vend.
E, për dr.Nush Bushatin, më shumë se njohuritë sportive, rëndonin pozitat politike, sidomos të një Musa Juke, që i kishte drejtuar sportet në Shqipëri duke qenë ministër i Brendshëm apo dhe të Faik Shatkut, ndërkohë që me dr.Mirash Ivanajn dhe dr.Nush Bushatin, tashmâ gjithçka përshtatej më në logjikë me një kulturë tjetër, si të thuash arsimore e sportive bashkë.
Dr.Nush Bushati kishte lindur në Shkodër në 1896 dhe ishte bir i Gaspër Bushatit, i njohur edhe përmes një veprimtarie tregtare, ndërsa nga nëna i përkiste familjes tjetër të mirënjohur Naraçi. Shkon për studime në Vjenë për Drejtësi, por ka një pasion të madh, teatrin. Për këtë ndjek mësimet e regjisorit të famshëm, Max Goldman Reinhardt (1873-1943), njeriu që formoi Aleksandër Moisiun. Dr.Nush Bushati arrin të luajë deri në Berlin në “National Theatre at Neustrelitz” si dhe në “Insbbruck Theatre”, pa u shkëputur nga kurset e profesor Reinhardtit në Vjenë, po dhe nga veprimtaritë e tij të shumanshme politiko-shtetërore.
Mëson aktrimin, por dhe specializohet si një regjisor, çka e ushtron pak në 1929-30. Më parë, në 1922 në Vjenë, dr. Nush Bushati mbaron Drejtësinë, martohet me zonjushën Hansi Zdeborsky dhe papritmas më 1930 rikthehet në Shqipëri! Dr.Ing. Kurt Bushati, sot 80-vjeçar, një personalitet i shquar i industrisë së naftës në Austri, është i biri i tij. Deri në këtë 1936, dr.Nush Bushati duhet të ketë jetuar ndoshta gati 15 vjet në Austri, sepse këtu ai mbaron edhe shkollën e mesme.
Djalë i ri, po kaq befasisht dhe shpejt, ai ka një jetë të rëndësishme në politikën kombëtare që peshon tejet, madje qysh në 1922-23, kur 26-27 vjeç emërohet përfaqësues i Shqipërisë në Arkivin Austriak të Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Synimi ishte që të hulumtohej në arkivin e famshëm perandorak austro-hungarez për dokumente që i përkisnin historisë së Shqipërisë. Dhe mandej një jetë tejet interesante midis specializimit studimor, por me sa duket, edhe të përkushtimit të teatrit. Dhe ja fakti mjaft i rëndësishëm që për çudi, i përket vitit 1923.
Ai zgjidhet deputet i Shkodrës, me siguri duke qenë në Vjenë, në ato që njihen si zgjedhjet e Kuvendit Kushtetues. Është deputet i Qytetit të Veriut së bashku me figura të mëdha: Ambroz Marlaskaj, Hafiz Repishti, Halit Rroji, Ibrahim Gjyrezi, Hil Mosi, Iljaz Muka, Luigj Koliqi, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Nush Bushati, Pjetër Bumçi, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati. Dhe dr.Bushati është as më pak dhe as më shumë, por pikërisht sekretar i këtij Kuvendi.
Dhe përsëri në Vjenë, në 1924 si kryekonsull i Shqipërisë dhe inspektor i studentëve shqiptarë në Austri. Periudha e qeverisë së Fan Nolit! Në 1925, ai është midis deputetëve, të cilëve iu rrëzohet titulli, duke qenë se është një nga të cilët gjatë dramës së 1924-s kishte pranuar detyrë me rrogë, në këtë rast kryekonsull në Vjenë! Dhe njëkohësisht po aq pranë teatrit! Imagjinoni për asokohe: një deputet edhe aktor! Ne nuk zotërojmë të dhëna që na vërtetojnë një lidhje të dr.Bushatit me sportin.
Po është e pamundur që një njeri i teatrit, pra i kulturës në tanësi, të ketë qëndruar indiferent ndaj sportit, kur dihej ndërkaq se çfarë zhvillimi ka pasur sporti, sidomos futbolli në këtë periudhë në Austri. Duke iu rikthyer mbërritjes së befasishme të dr.Bushatit në Shqipëri në 1930, zbulojmë se ai menjëherë është sekretar i Përgjithshëm i Entit Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, prej ku më 6 qershor 1930 me dekretligj do të themelohej edhe Federata Sportive Shqiptare “Vllaznia Shqiptare”. Kësisoj duhet të pranojmë se dr.Nush Bushati është ndër të parët drejtues kombëtarë të organizatës sportive në Shqipëri.
Këtu është dhe lidhja e tij e parë institucionale me sportin kombëtar. Ta do mendja se pikërisht për shkak të njohurive dhe kulturës së tij. Për këtë nuk ka një sensacion. Sensacioni qëndron te gjesti i Ahmet Zogut, tashmâ Mbret i shqiptarëve, i cili e fton funksionarin e lartë të qeverisë së Fan Nolit, të marrë ndër duar kulturën e sportin kombëtar dhe mandej deri arsimin kombëtar! Në 1932, dr.Bushati është deputet i Dibrës së bashku me Abdurrahman Salih, Abdurrahman Dibra, Fiqri Rusi, Hafiz Xhemali dhe Jashar Erebara, gjithnjë aktiv në jetën e vendit, derisa mbërrin të emërohet ministër i Arsimit i Mbretërisë, më 21 tetor 1935, post që e mban deri më 7 nëntor 1936 kur zëvendësohet nga Abdurrahman Dibra, njeriu i cili në 1938 do të përuronte ndërtimin e Stadiumit tonë Kombëtar, që Mbreti e kishte parashikuar të ndërtohej aty ku deri para pak ka qenë stacioni hekurudhor i Tiranës, e tash është monumenti i Mbretit Zog.
Çka do të thotë se aty ku nuk arriti të ndërtojë stadiumin, Shqipëria e sotme ngriti monumentin e Mbretit. Kjo sigurisht kurrë nuk mund t’i kishte shkuar ndër mend Mbretit Zog!… “Ministri i ynë i Arsimit, z.dr. Nush Bushati, ishte në Gjermani edhe për të studiuar sistemin e organizimit t’Arësimit Gjerman. Ministri i ynë ndejti në Berlin edhe për të pamë zhvillimin e lojnave olimpike, dhe si mik nderi pati pritje të përzemërta dhe mundi të njihet personalisht me Mbretin e Bullgarisë, me Princat e Italisë e të Suedisë, si dhe me shumë diplomatë të huaj që gjënden prezentë në këto gara”.
Kështu njofton shtypi shqiptar, ndërkohë, që pritja që i bëhet ministrit Bushati prej autoriteteve gjermane qe më se e përzemërt. Dhe se autoritetet gjermane, “edhe këto herë nuk munguan të shfaqin admirimin e tyne për përpjekjet gjiganteske që po ban populli i vogël shqiptar i udhëhequn nga Zogu I, për të hyrë në radhë me popuj të tjerë në udhën e përparimit e të zhvillimit”.
Ministrit Bushati i vihet në dispozicion një veturë e posaçme gjatë gjithë kohës që ai ndjek garat e Olimpiadës, por ndërkohë ai viziton shumë shkolla e mjedise kulturore e sportive gjermane, me synimin për të marrë përvojë organizative. Ky është edhe një qëllim më vete i gjithë kësaj pranie të Shqipërisë në Lojnat e 11-ta Olimpike të Berlinit. Nuk jipen hollësira, përveç faktit se audienca krye më krye midis Adolf Hitlerit dhe dr.Nush Bushatit nuk ka qenë një takim më këmbë, por që ka zgjatur plot 40 minuta! Me gjuhën e diplomacisë shtypi thekson se midis tyre “pati një bisedim miqësor që zgjati 40 minuta”! Për çka është biseduar?
Sa ka qenë raporti politikë-kulturë- sport midis njeriut më të fuqishëm të asokohe dhe ministrit shqiptar të arsimit?… Evenimenti nuk ndalon me kaq. Rëndësia merr udhë të pandalshme, kur mëson se ministrin e Arsimit Bushati e presin radhazi ministri Jashtëm i Gjermanisë, von Neurath, madje mbi një orë në “bashkëbisedime të ndryshme”. Dhe mbas tij pritjet radhazi personalisht nga Göbbelsi dhe Geringu! Dhe dihet se cilët ishin këta…
PROF. IRFAN TËRSHANA – PERSONAZHI TJETËR I BERLINIT ‘36
Është ndarë nga jeta më 2006-n. Pati fatin të mos e shihte të rrënuar monumentin tonë të madh të kulturës, Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, të cilit më 1946-n ai i kishte dhënë “rifiniturën”. Ka qenë edhe ai në Berlinin 1936. Është fjala për të paharrueshmin prof. Irfan Tërshana, siç e kanë njohur të gjithë. E në Berlin ka dhe një prani studentësh, po dhe pedagogësh shqiptarë, doemos nën kryesinë e dr. Bushatit, i cili vjen për përvojë arsimi dhe olimpike së bashku.
Profesori i shquar i edukimit fizik, Irfan Tërshana (1905-2006), po dhe projektuesi i famshëm i objekteve sportive në Shqipëri, është shqiptari i parë i nderuar nga CIO (Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) me Urdhrin Olimpik. E të duket sikur ky nderim ka një lidhje me praninë e Shqipërisë dhe të tij në Olimpiadën e Berlinit 1936. Profesor Tërshana ka ndejë shumë ditë në Berlin. Madje, ai ka qenë para fillimit të Olimpiadës me synimin për të marrë përvojë nga ndërtimi i objekteve të atjeshme. Ky ishte njeriu të cilin qysh më 1934, Mbretëria e kishte dërguar për një muaj në Berlin për të ndjekur hap mbas hapi ndërtimet mrekulluese paraprake të stadiumeve, pishinave e palestrave të Olimpiadës së Berlinit, që do të zhvillohej mbas dy vjetëve, më 1936-n.
Dhe prapë, mû në këtë vit, 1936, ai është i pranishëm teksa i bashkohet treshes së mësipërme. Gjen inxhinierin drejtues gjerman, i cili mbas do kohe i dhuron librin e ndërtimeve të tij olimpike të Berlinit, të cilin Irfan Tërshana e ka mbajtur fshehur për gati pesëdhjetë vjet – me këtë mbishkrim: “Ia dhuroi z. prof. Irfan Tërshanës për punimet e ndërtimeve olimpike nga 15 korriku deri 15 gusht 1934, në këtë kohë të ndërtimeve të kompleksit të stadiumeve sportive për lojërat olimpike gusht – shtator 1936. * Berlin, nëntor 1937″.
Njeriut të parë që ia ka treguar këtë ka qenë autori i këtij shkrimi, më 2005. Dhe historia e Irfan Tërshanës është e pamatë, e pangjashme në krejt historinë e sportit tonë kombëtar. I përket brezit të harruar të shokëve të tij të një historie të pafund. Para tij, në Romë për të studiuar edukatën fizike kishin shkuar dhjetë shqiptarët e parë, të cilët kujtesa e 100-vjeçarit tonë do t’i shpaloste radhazi: Selman Stërmasi, Hajdar Jakupi, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Azis Rexhepi, Spiro Shuteriqi, Aqif Domini, Niko Açka, Teni Frashëri, Malo Kodra – figura të mëdha të edukimit fizik në Shqipëri, shumica të panderuar deri më sot.
Më 1929-n, Irfan Tërshana, është viti i dytë i shqiptarëve që shkojnë në ISEF-n e famshëm të Romës (Instituti i Lartë i Edukimit Fizik), pjesë e një gjashtësheje emblematike për kulturën fizike e sportet në Shqipëri: Irfan Tërshana, Adem Karapici, Mendu Agolli, Myfit Halimi, Xhevdet Skilja, Bexhet Jolldashi – të gjithë themelues të kulturës sonë fizike, njeri më i madh se tjetri. Ka problem për t’iu dhënë bursa, por Rauf Fico, ministri i Jashtëm, i del krah. Kur diplomohet e fillon në Lezhë, më 3 dhjetor 1932, si instruktor i edukatës fizike, ku nuk harron sot e kësaj dite mbështetjen e drejtorit të shkollës, Emin Kopliku, i cili ishte kunat i një themeluesi tjetër të madh të edukimit fizik, prof. Avni Zajmit.
Është Emin Kopliku – protagonisti i shquar i Ballit Kombëtar me Mithat Frashërin e Faik Qukun – figurë atdhetare që vdes në mërgim, duke lënë në persekutim familjen në Shqipëri… Prej këtu, prof. Tërshanën e presin radhazi Berati, Shkodra, Kukësi, Tirana. Është pedagogu i shquar i edukatës fizike i Gjimnazit të Shkodrës, më vonë i atij të Tiranës, instruktori i fizkulturës i BRASH-it, inspektor i edukatës fizike, mandej projektuesi i objekteve sportive në Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve të Shqipërisë, duke ushtruar ndërmjet edhe nja tre vjet punëtorin e krahut në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës! Më parë, më 1932-33, e kishin thirrur papritmas në Romë për të ndihmuar për ndërtimin e Kampit të Rinisë “Dux”.
Mandej kishte qenë i pranishëm në Kampionatin Italian të Skermës në kinema “Barberini” dhe i takon të jetë pranë Musolinit, tejet popullor siç shfaqej në këso takimesh Duçja. Ndërkaq, Hitlerin do ta shohë krejt nga afër në Berlin, në tribunën e ceremonisë së Lojërave Olimpike. Por në jetën e tij, ndër më mbresëlënësit mbetet takimi me Mbretin Ahmet Zogu, më 1930, kur qe student. Ka qenë takimi i Mbretit me studentët që ishin jashtë vendit. Ajo që nuk i shlyhet është takimi një për një i Mbretit me secilin, duke i pyetur radhazi se nga ishin dhe ku studionin. “Të mirat që merrni atje i sillni këtu, të këqijat i leni, se kemi mjaft të këqija këtu”, u thotë Mbreti Zog, dhe këto fjalë Irfan Tërshanës i patën mbetur të pashlyeshme.
Së bashku me këtë: “Jo katolikë e myslimanë, jo toskë e gegë, por ilirë, pellazgë, shqiptarë”. Enver Hoxhën e ka takuar në vitet ’70, gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, kur diktatorit të pamëshirshëm i qe mbushë mendja me i dhënë stadiumin qytetit të tij të lindjes. I ishte tiposur, që stadiumi të ndërtohej diku në mes të qytetit. Dhe i kujtohet Irfan Tërshana, të cilin e thërrasin me urgjencë në Gjirokastër. Prof. Tërshana nuk i njeh emocionet në këto lloj takimesh. Kishte “takuar” Hitlerin, kishte folur me Duçen, kishte ndejë me Ahmet Zogun. Dhe ishte tre vjet më i moshuar se Enver Hoxha. Kur përshkohej në çështje profesioni, ai harronte se kë kishte përpara. “:Jo, shoku Enver. Stadiumi i Gjirokastrës duhet ndërtuar atje poshtë….”.
Enver Hoxha nuk kundërshtoi… Irfan Tërshana kishte vënë dorë kësisoj edhe në stadiumin e Gjirokastrës, i fundit i tij. Detyrohem të përsëris: 18 stadiume, 4 hiprodrome, 3 pishina, 375 objekte të ndryshme sportive. Tiranë, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Elbasan, Durrës, Krujë, Kavajë… Të gjitha këto veprimtari edhe të tija të Mbasluftës. E kishte filluar për çudi në Shkodër, me ndërtimin nga themelet të Stadiumit të Parë mbas vitit 1944 në Shqipëri, atij të Shkodrës, ashtu si më 1936-n me kompleksin e Gjimnazit të Shkodrës deri me pistë atletike!
Atë që sot, më 2016-n, nuk e ka një për be, as kryeqyteti Tiranë. Më 1946-n qe njëri prej atyre që i dhanë pra rifiniturën Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” të saporrënuar këto ditë, duke vendosur për t’i hequr vlerën olimpike të tij, që është pista e atletikës së lehtë. Kësi “bosash” arrogantë ka sot Shqipëria jonë. Më 1993-shin, CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) i ka dhënë Irfan Tërshanës trofeun e tij, “Sporti dhe Ambienti”.
Dhe Shqipëria e tij, që e ka shpallë 90 vjeç “Mësues të Popullit” më 1995-n, “Nderi i Sportit Shqiptar” më 1999-n, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës” më 2000-shin e deri tek Urdhri Olimpik nga KOKSH në 100-vjetorin e lindjes, më 2005-n. Rrallë njeh historia e njerëzimit që një njeri të nderohet kësisoj në dekadën e dhjetë të jetës së tij! Irfan Tërshana ka qenë tre vjet më i madh se Anton Mazreku. Kishin një miqësi të fortë dhe Olimpiada e Berlinit i lidhi edhe më fort. Po aq me ministrin dr. Nush Bushatin dhe prof. Gaqo Gogën, me të cilin, befasisht pra, kishin formuar katërshen tonë “berlineze” të Olimpiadës 1936…
Thellohet skandali në ndeshjen Rumani-Kosovë. Thirrjet raciste në shkallët e stadiumit nga tifozët të cilët në kor lëshuan mesazhe antishqiptare dhe në mbështetje të Serbisë u shoqëruan edhe nga sjellja brutale e policisë rumune.
Një grup i vogël i tifozëve që mbështesnin përfaqësuesen e Kosovës shpalosën në stadium flamurin kombëtar.
Siç duket nga pamjet që ka siguruar BalkanWeb, policia rumune ka ndërhyrë duke larguar flamurin kuqezi, ndërsa ka nxjerrë jashtë stadiumit me dhunë edhe tifozët.
Ndeshja Rumani-Kosovë u shoqërua me incidente të forta si në shkallët e stadiumit ashtu edhe në fushën e blertë. Tensioni që vinte nga ana e tifozerisë përmes thirrjeve të tyre raciste u reflektua në lojën e ekipeve teksa nuk munguan as përplasjet fizike. Duhet të vinte minuta e ’93-të e shtesës kur ndeshja do të ndërpritej pasi koret antishqiptare ishin intensifikuar. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u përplas fizikisht me një lojtar rumun në fundin e ndeshjes.
Ekpi i Kosovës braktis fushën dhe i drejtohet dhomave të zhveshjes.
Disa minuta më pas arbitri kërkon rikthimin e lojtarëve në fushë për të zhvilluar minutat e mbetura, por futbollistët e përfaqësueses së Kosovës refuzojnë vazhdimin e lojës dhe për rrjedhojë ndeshja u ndërpre përfundimisht.
Ata e fitojnë gjithmonë “betejën” e tyre në shkallët e stadiumit. Tifozët Kuqezi kanë shpalosur një banderolë mjaft interesante për ndeshje Shqipëri-Çeki në Stadiumin Kombëtar.
“Shqiponjat janë të uritura”, shkruhej në banderolën goditëse të mbështetësve të përfaqësueses tonë. Kujtojmë që ky takim shkon për llogari të ndeshjet së pestë në Nations League. bw
E gjithë vëmendja është e spostuar në Stadiumin Kombëtar, aty ku Shqipëria pret Çekinë në ndeshjen e vlefshme për Nations League. Pak më parë janë publikuar edhe formacionet zyrtare, me trajnerin Sylvinho dhe homologu Hasek kanë shuar të gjitha dilemat, duke zgjedhur titullarët për skuadrat respektive.
Kuqezinjtë janë në vendin e katërt në grup1 të League B, me 6 pikë të grumbulluara. Në krahun tjetër, çekët kryesues nuk janë larg, pasi kanë vetëm një pikë më shumë se përfaqësuesja jonë. Arbitër kryesor për këtë takim është zvicerani Scharer. bw
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se kishte paralajmëruar vazhdimisht organin qeverisës të futbollit evropian UEFA për provokimet e mundshme nga tifozët e Rumanisë, përpara ndeshjes së të premtes në Ligën e Kombeve, e cila u braktis nga futbollistët e Kosovës.
Ndëshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u braktis pasi lojtarët vizitorë u larguan nga fusha ku po luhej me rezultat zero me zero, kur dëgjuan brohoritjet pro Serbisë nga tifozët vendas.
Ndeshja fillimisht u ndërpre përpara se të braktisej nga skuadra e Kosovës e cila refuzoi të kthehej në fushë. UEFA tha se do të jap “informacione të mëtejshme në kohën e duhur”.
Thirrjet si “Kosova është Serbi” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese, ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Kosovës.
“FFK-ja kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit”, thuhet në deklaratë.
FFK-ja gjithashtu pretendoi se një zyrtar i Rumanisë “kërcënoi dhe sulmoi” një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit.
“Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”.
Federata Rumune e Futbollit (FRF) tha se ishte zhgënjyer nga sjellja e delegacionit dhe lojtarëve të Kosovës, duke i cilësuar akuzat e tyre si të pabaza, ndërsa pretendon se veprimet e tyre ishin të paramenduara.
“Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as edhe një herë nuk është brohoritur parulla ‘Kosova është Serbi’”, tha kjo federatë
“Për më tepër, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithëve vendimin Komitetit Disiplinor të UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë një ndeshjeje të vitit të kaluar, kur Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Vendimi thoshte qartë se parulla “Kosova është Serbi” nuk mund të klasifikohet si raciste dhe për rrjedhojë, nuk mund të nxisë procedurën prej tre hapash”, thuhet në deklaratën e federatës rumune.
Procedura me tre hapa, nënkupton që arbitri të kërkojnë një njoftim publik për të bërë thirrje për ndërprerjen e sjelljeve raciste, pezullimin e ndeshjes derisa të ndërpriten sjelljet e tilla dhe braktisjen e plotë të ndeshjes.
“Kjo cështje u ritheksua edhe nga delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik para ndeshjes së mbfremshme”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet “keqardhja … që një ekip futbolli do të zgjidhte të largohej nga fusha dhe të tërhiqej në dhomën e zhveshjes vetëm dy minuta para fishkëllimës së fundit, duke qenë se rezultati nuk ishte i favorshëm për të”.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë deh shpalosjes së një një mbishkrimi “Kosova është Sërbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
Kosova gjithashtu u gjobit muajin e kaluar për ndërprerjen e një ndeshjeje mes dy palëve në shtator, kur tifozët e saj ndezën dhe hodhën fishekzjarrë, hynë në fushë dhe fishkëllyen gjatë himnit kombëtar rumun.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por jo nga Rumania.
Përfaqësuesja e Kosovës braktisti mbrëmë ndeshjen me Rumaninë për shkak të koreve raciste.
Pasi i kërkuan arbitrit të merrte masa dhe asgjë nuk ndryshoi, kapiteni Amir Rrahmani së bashku me shokët e skuadrës shkuan në dhomat e zhveshjes duke mos u kthyer më për të vazhduar sfidën. Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës.
Njoftimi i Federatës së Futbollit të Kosovës
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dënon ashpër provokimet dhe sjelljet raciste që ndodhën gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, në kuadër të UEFA Nations League. Ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s.
Thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurtë për lojtarët tanë.
FFK kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit.
Ndeshja, që deri në momentin e ndërprerjes kishte një performancë të shkëlqyer nga Kombëtarja e Kosovës dhe një rezultat 0:0, u përshkallëzua edhe më tej për shkak të refuzimit të tifozëve për të ndalur thirrjet e tyre raciste dhe provokuese. Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z. Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s.
Për më tepër, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas, në një veprim të papranueshëm, kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit. Kjo sjellje e turpshme dhe e papranueshme çoi në reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të FFK-së.
Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.
Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje.
FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë. bw
Kombëtarja e Rumanisë në Futboll ka falënderuar tifozët e saj që ishin të pranishëm në stadiumin Arena Bukuresht të premten mbrëma në ndeshjen kundër Kosovës, e cila u ndërpre pasi lojtarët e Kosovës e braktisën fushën duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.
“Kombëtarja rumune në Futboll dëshiron t’i falënderojë ata që ishin prezentë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për sjelljen e tyre në ndeshjen me Kosovën, një ndeshje që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve jo vetëm pse zgjati tri orë, por po ashtu si një shembull i unitetit dhe solidaritetit”.
Në minutën e 92-të të lojës, futbollistët e Kombëtares kosovare e lëshuan fushën në Bukuresht, në ndeshjen që po zhvillohej në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, Kombëtarja rumune tha se falënderon tifozët për “inkurajimin e dhënë dhe për mirëkuptimin e qëllimit të përbashkët në këtë ndeshje. Trikolorët po ashtu vlerësojnë faktin që tifozët ia dolën aq sa mundën që të mos iu përgjigjeshin sfidave që vinin nga mysafirët tanë”.
Ndërkaq, policia rumune tha se 13 tifozë u gjobitën pas ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, teksa nëntë të tjerëve iu ndalua hyrja në stadiume për një vit. Autoritetet thanë se po vazhdojnë kontrollet për të identifikuar personat që shkelën ligjet, përkatësisht për përdorimin e lëndëve plasëse dhe dhunës gjatë garave sportive.
UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në ueb-faqen e saj se ndeshja është braktisur dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tha se kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”, nga tifozët vendës, dhe se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi kosovar ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Tani, UEFA pritet të hapë procedurë disiplinore për këtë ndeshje, që mund t’i kushtojë Kosovës me humbjen e saj me rezultat zyrtar për mospranimin për t’u kthyer në fushë.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja ndërpritet për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës.
Rumania dhe Kosova po përballeshin në një ndeshje të rundit të pestë në Grupin C të Ligës C – kategorinë e parafundit në Ligën e Kombeve.
Rumania është lidere e grupit me 12 pikë dhe i nevojitej vetëm një barazim me Kosovën për ta siguruar promovimin në Ligën B.
Ndërkohë, Kosova, që ka 9 pikë, synonte ta mposhte Rumaninë të premten, më 15 nëntor, dhe të fitonte ndeshjen e fundit në grup kundër Lituanisë në Prishtinë dhe të shpresonte që Rumania të ndalej së paku me një barazim nga Qiproja për të pasur mundësi ta fitojë grupin.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. REL
Media rumune “Fanatik” ka konfirmuar se nga tifozët rumunë kishte thirrje “Serbia, Serbia”. Pas kësaj kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tërhoqi ekipin në dhomat e zhveshjes.
Kjo është pritur shumë keq nga tifozët rumunë. Huliganët rumunë kanë kërcënuar që do të hyjnë në fushë.
Ka pasur policë të infiltruar në mesin e tifozëve për të ruajtur qetësinë. “Do të hyjmë, do të hyjmë”, ishin thirrjet e tifozëve rumunë. bw
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë nga huliganët rumunë.
Përballja që po zhvillohej në kuadër të Ligës së Kombeve ishte duke u dominuar nga Dardanët.
Por lojtari i Rumanisë, Denis Alibec goditi kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani, ndërsa gjyqtari u dha të dyve kartonë të verdhë, përkundër se ishte lojtari vendas që provokoi dhe goditi.
Gjatë konferencës për media Edon Zhegrova provokohet nga një person që kishte “all access”, i cili e vazhdoi sjellen jo të mirë edhe gjatë daljes nga dhoma e konferencës.
Pas konferencës për media, ku ishin të pranishëm, përzgjedhësi Franco Foda dhe Amir Rrahmani, lojtarët të tjerë prisnin në korridor.
Një zyrtar rumun i cili kishte leje hyrje në të gjithë stadiumit ka provokuar Edon Zhegrovën.
Ai vazhdoi sjellje jo të mirë edhe gjatë daljes nga dhoma e konferencës.
Pas kësaj Taulant Hodaj reagoi së bashku me menaxherin Bajram Shala, ndërsa Edon Zhegrova qëndronte afër presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
“Nuk mundesh të flas me lojtarët tanë ashtu” – dëgjohet duke thënë Shala.
Pas kësaj Taulant Hodaj, Bajram Shala e Agim Ademi i dalin në mbrojtje yllit dardan. bw
Në dy fushatat e fundit, kualifikueset e Euro2024 dhe Liga e Kombeve, Kosova është shortuar në të njëjtin grup me Rumaninë. Kujtojmë se një vit më parë gjatë ndeshjes që po luhej në Prishtinë, tifozët rumunë shpalosën banderola dhe lëshuan thirrje kundër Kosovës dhe në mbështetje të Serbisë. Sigurimi u detyrua t’i nxirrte tifozët rumunë jashtë stadiumit.
Ndeshja e kthimit e luajtur në Bukuresht dhe e fituar nga Rumunët 1:0, sërish u shoqërua me thirrje raciste në shkallët e stadiumit kundër Kosovës.
Të njëjtat episode u përsëritën edhe këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Mbrëmjen e sotme në Bukuresht tifozët vendas gjatë gjithë sfidës lëshuan kore raciste dhe antishqiptare. Skenat që vinin nga “Nacional Arena” ishin të shëmtuara, me tifozerinë vendase të ekzaltuar maksimalisht së thirruri kundër Kosovës dhe në mbështetje të Serbisë. Ndërsa tensioni i shkallëve të stadiumit reflektohej edhe në fushën e blertë, lojtarët e të dy ekipeve u përplasën fizikisht.
Duhet të vinte minuta e ’93 kur Amir Rrahmani përplaset fizikisht me një prej lojtarëve rumunë. Më pas erdhën në kor edhe thirrjet raciste të tifozëve vendas. Megjithatë, këtyre të fundit ua dha përgjigjen Mërgim Vojvoda, duke u bërë shqiponjën e flamurit kuqezi para syve.
Thirrjet raciste në shkallët e stadiumit dhe tensionet në fushën e blertë e bënë të pamundur rinisjen e ndeshjes. Futbollistët “dardanë” u larguan nga fusha e blertë duke hyrënë dhomat e zhveshjes. Ata refuzuan të riktheheshin për të vazhduar minutat e mbetura sa kohë thirrjet antishqiptare dominonin korin e tifozerisë vendase deri në vërshëllimën finale të arbitrit danez, Krogh.
Futbollistët e përfaqësues së Kosovës nuk kanë pranuar të zbresin më në fushë. Gjyqtari kryesor u ka bërë me dije të dyja skuadrave se duhet të zbresin në fushën e blertë për të vijuar minutat e mbetura, por vetëm rumunët zbritën. Arbitri danez, Krogh i ra tre herë bilbilit, por futbollistët e Kosovës nuk ishin në fushë. Në këtë mënyrë, ndeshja përfundon këtu me UEFA-n që pritet të dalë në vendimmarrje lidhur me rezultatin e ndeshjes në orët në vijim.
Në minutën e 93-të të sfidës ndeshja u ndërpre për shkak të një ‘sherri’ mes Rrahmanit dhe një prej lojtarëve rumunë. Më pas erdhën dhe thirrjet raciste dhe antishqiptare të tifozëve vendas.
Megjithatë, këtyre të fundit u përgjigj Mërgim Vojvoda mjaft mirë, duke u bërë shqiponjën e flamurit kuqezi para syve.
Kur u ndërpre sfida ishte në rezultatin e barabartë 0-0, teksa po luhej koha shtesë. bw
Futbollistët e Kombëtares së Kosovës largohen nga fusha kundër Rumanisë në Bukuresht, e premten, 15 nëntor.
Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës është braktisur në kohën shtesë të premten vonë, pasi futbollistët e Kombëtares kosovare e lëshuan fushën në Bukuresht duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.
UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në uebsajtin e saj se ndeshja është braktisur dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.
Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, tha se vendimi për braktisjen e ndeshjes u mor nga federata kosovare e futbollit, trajneri Franco Foda dhe vetë ekipi, pas “thirrjeve raciste” kundër Kosovës.
“Ne, si federatë, trajner dhe ekip, kemi vendosur të mos marrim pjesë në një ndeshje ku nuk respektohen vlerat themelore të UEFA-s. Jo vetëm që s’u respektuan vlerat, por kishte diskriminim racor, prandaj ne vendosëm që nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë për herë të dytë në stadiumin e njëjtë dhe nga tifozët e ndeshjes”, tha Shala në një konferencë për media në Bukuresht.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tha se kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”, nga tifozët vendës, dhe se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi kosovar ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Tani, UEFA pritet të hapë procedurë disiplinore për këtë ndeshje, që mund t’i kushtojë Kosovës me humbjen e saj me rezultat zyrtar për mospranimin për t’u kthyer në fushë.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja ndërpritet për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52 mijë euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Ajo ndeshje mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës.
Rumania dhe Kosova po përballeshin në një ndeshje të rundit të pestë në Grupin C të Ligës C – kategorinë e parafundit në Ligën e Kombeve.
Rumania është lidere e grupit me 12 pikë dhe i nevojitej vetëm një barazim me Kosovën për ta siguruar promovimin në Ligën B.
Ndërkohë, Kosova, që ka 9 pikë, synonte ta mposhte Rumaninë sonte dhe të fitonte ndeshjen e fundit në grup kundër Lituanisë në Prishtinë dhe të shpresonte që Rumania të ndalej së paku me një barazim nga Qiproja për të pasur mundësi ta fitojë grupin.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. REL
Kosova dhe Rumania janë përballur tri herë deri tani, në ndeshjet që në fillim ishin menduar të ishin spektakël i futbollit, por që nga përballja e parë nuk doli të jetë ashtu.
Në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024, Kosova veç tjerash ishte në grup edhe me Rumaninë, një shtet që nuk ia njeh pavarësinë dhe bën pjesë në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën.
Ndeshja e parë ishte programuar të zhvillohej në “Fadil Vokrri”, më 16 qershor 2023.
Ajo ndeshje konsiderohej të ishte normale e konfirmon edhe fakti që tifozët rumunë ishin lejuar të udhëtonin në Kosovë, duke iu rezervuar një pjesë e tribunës jugore në stadium.
Në atë ndeshje, nga Rumania kishte udhëtuar tifo-grupi “Uniti sub tricolor”.
Para se të fillonte ndeshja, himni i Rumanisë ishte fërshëllyer nga një numër i tifozëve kosovarë, gjë që edhe pritej, pasi Rumania nuk e njeh Kosovën dhe, pothuajse ndaj çdo shteti që është mosnjohës i Kosovës, veprohet në këtë mënyrë në “Fadil Vokrri”, gjë për të cilën Federata e Futbollit e Kosovës shpesh paguan fatura nga komisionet disiplinore të UEFA-s, shkruan “Telegrafi”.
Por, ajo ndeshje, e para mes Kosovës dhe Rumanisë, mori drejtim për të keq, kur grupi i tifozëve rumunë të pranishëm në “Fadil Vokrri”, kishte filluar thirrjet “Kosova, Serbia”, madje duke bërë që forcat policore t’i largonin para përfundimit të ndeshjeve nga stadiumi.
Mediat rumune kishin konfirmuar në atë kohë që ata kishin thirrur “Kosova, Serbia”.
Gjatë largimit nga stadiumi, disa tifozë rumunë kishin pranuar edhe goditje, ndërsa gjatë qëndrimit kishin hedhur disa mjete piroteknike.
Ndeshja e qershorit të vitit 2023 ishte mbyllur barazim (0-0) edhe pse Kosova kishte dominuar dhe kishte shënuar një gol me Edon Zhegrovën, por që ishte anuluar nga VAR.
Por, e tëra nuk përfundoi me keq dhe kulmi ishte në ndeshjen kthyese të zhvilluar më 12 nëntor 2023, ku Kosova u lëndua keq nga Rumunët, pasi i njëjti grup tifozësh “Uniti sub tricolor”, vendosi një baner të madh në stadium ku shkruante “Kosova është Serbi”.
Pas 17 minutave lojë në kryeqytetin rumun, gjyqtari francez Willy Delajod e kishte ndërprerë lojën pasi në pjesën mbrapa njërës portë u pa baneri, ndërsa kishte edhe thirrje nacionaliste të tifozëve rumunë.
Futbollistët e Kosovës nuk pranuan ta vazhdonin lojën nën kushte të tilla dhe gjyqtari më pas udhëzoi futbollistët e të dyja kombëtareve që të kthehen në dhomat e zhveshjes.
Ndeshja kishte rifilluar pas plot 50 minutash pushim, pasi delegati i UEFA-s ia kishte tërheq vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese.
Në fund të pjesës së parë pasi lojtarët ishin kthyer në fushë, Kosova mbeti me 10 futbollistë, pasi Vedat Muriqi ishte përjashtuar pas dy kartonëve të verdhë. Edhe pse Dardanët ishin mbrojtur mirë deri në fund, ku madje në mesin e ndeshjes Aro Muriq priti edhe një penallti, në minuat e fundit pësuan dy herë dhe u mposhtën 2-0.
Kosova luan në garat e organizuara nga UEFA dhe FIFA që nga viti 2016, kur është pranuar dhe ajo ndeshje e 12 nëntorit 2023, ishte pritja më e keqe që i është bërë ekipit tonë në tërë këto vite, edhe pse kemi luajtur edhe kundër Qipros dhe Greqisë, po ashtu dy shtet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Liga e Kombeve dhe ndeshje e tretë mes Kosovës dhe Rumanisë.
6 shtator 2024, Kosova pret Rumaninë, e cila vinte nga një eksperiencë e bukur në EURO 2024. Rumunët fitojnë me meritë me rezultat 3-0.
Tifozët Dardanë duke kujtuar pritjen që iu bë ekipit të nëntor të para një viti, e vërshëllyen sërish himnin rumun dhe shumë shikues hynë në fushë në minutat e fundit, duke bërë që loja të ndërpritet në disa momente.
Shikuesit nuk kishin asgjë me lojtarët rumunë, por donin përqafime me lojtarët e Kosovës.
Tifozë rumunë nuk kishte në këtë ndeshje, pasi iu ishte ndaluar pas skandalit që kishin shkaktuar një vit më parë.
Trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu, e pa si normale atë që ndodhi, duke mos i shtuar benzinë zjarrit, madje duke i fajësuar edhe bashkatdhetarët e vet për ngjarjet e një viti më parë.
Ndeshja e së premtes do të jetë e katërta për këto dy kombëtare, me Kosovën që kërkon fitoren e parë ndaj rumunëve.
Edhe pse luhet për vendin e parë në grup, Kosova që ka kapur formën në tri ndeshjet e fundit, kërkon fitoren e parë ndaj Rumanisë.
Kjo do të ishte shumë e rëndësishme, pasi që Kosova ka kualitet të luajë në Ligën B të Kombeve, ashtu sikurse Rumania, pasi diferencat mes tyre janë të vogla.
Pra, Kosova udhëton në një vend, ku në ditët e fundit, prej trajnerit deri tek lojtarët dhe ish lojtarët kanë kërkuar që ekipi ynë të trajtohet si duhet, me respekt, duke kërkuar që t’i jepej fund një zënke që fillimet i ka tek grupi pro serb “Uniti sub tricolor”. sn
Komentet