Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka kërkuar të vizitojë rajonin ukrainas ku raportohet se është gjetur një varrezë masive me mbi 400 trupa për të verifikuar nëse bëhet fjalë për civilë apo ushtarakë të vrarë. Autoritetet ukrainase thanë të premten se po vazhdojnë të zhvarrosin trupa nga një varrezë masive që e kanë zbuluar pasi kanë rimarrë kontrollin mbi rajonin e qytetit Izium. Shefi i Policisë së Ukrainës tha se ka informacione edhe për trupa ushtarësh, por deri tani kanë zhvarrosur vetëm civilë.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha të premten se raportet për varreza të mundshme masive pranë qytetit ukrainas Izium janë “tronditëse” dhe se ekipi i kësaj zyre në Ukrainë shpreson të vizitojë rajonin.
“Është e qartë se çdo raportim i këtij lloji është tronditës. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të vërtetohen rrethanat e vdekjes së njerëzve që mund të ndodhen në këto varre kolektive”, tha zëdhënësja e zyrës së OKB-së të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.
Pylli ku u gjendën qindra varre, u zbulua afër Iziumit pasi kundërofensiva e forcave ukrainase çliroi qytetin verilindor dhe pjesë të tjera të rajonit të Kharkivit.
Gazetarët e agjencive të ndryshme numëruan mbi 400 varre mes pemëve, të shënuara me kryqe.
Rusia nuk ka komentuar publikisht për këtë çështje, ndërsa zyrtarët ukrainas thonë se shumica e trupave të gjetur janë civilë.
“Rreth 50 trupa civilësh, u gjetën në territorin e rajonit të Kharkivit këtë javë. Kjo nuk përfshin varret masive nga të cilat ne ende duhet të nxjerrim trupat”, tha shefi i policisë së Ukrainës, Ihor Klymenko.
Zoti Klymenko megjithatë e pranoi se kanë informacione se në këtë varrezë masive ka edhe për trupa ushtarësh të vrarë.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë se ekipet e saj do të donin të verifikonin nëse trupat e gjetur janë të njerëzve të vrarë apo që kishin vdekur nga shkaqe natyrore, vdekje që mund të jenë shkaktuar nga mungesa e ndihmës mjekësore, siç ka ndodhur gjatë rrethimit të qytetit Mariupol.
Forcat ukrainase kanë filluar të largojnë edhe automjetet e dëmtuara ushtarake ruse në Izium dhe po verifikojnë dëmet e shkaktuara në zonë nga konflikti i fundit.
“Nuk ka mbetur asgjë. Shikoni të gjitha rajonet përreth. Nuk ka asgjë. Edhe manastiret u shkatërruan prej tyre. Njerëzit që planifikojnë të qëndrojnë këtu dhe të ndërtojnë një jetë të re, nuk e bëjnë këtë, ata nuk shkatërrojnë gjithçka”, tha ushtari i Gardës Kombëtare të Ukrainës, Yurii Usatyi.
I njëjti ushtar thotë se forcat ruse kanë lënë shumë mjete ushtarake dhe kanë ikur.
Yurii Usatyi, ushtar i Gardës Kombëtare të Ukrainës
“Këto mjete ushtarake i marrim për vete, i riparojmë ato që janë pak të dëmtuara dhe më pas do i përdorim kundër atyre që i kanë sjellë këtu”, tha ushtari i Gardës Kombëtare ukrainase, Usatyi.
Forcat ruse u larguan nga Iziumi dhe pjesë të tjera të rajonit të Kharkivit javën e kaluar pas një kundërofensive të shpejtë të Ukrainës që u cilësua si dëmi më i madh që i është shkaktuar forcave ruse që pasi u detyruan të largohen nga periferia e Kievit në muajin mars.
Komentet