VOAL

VOAL

OKB: Mijëra emigrantë kanë vdekur edhe sivjet duke e kaluar Mesdheun

October 25, 2016

Komentet

Izraeli njofton vrasjen e zyrtarit të Hezbullahut që pritej të ishte kreu i ardhshëm i grupit

VOA/Marrë nga Associated Press

Ushtria izraelite tha të martën se një nga sulmet ajrore të saj pranë Bejrutit në fillim të këtij muaji vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut, i cili pritej gjerësisht të ishte udhëheqësi i ardhshëm i grupit.

Grupi militant nuk e ka konfirmuar njoftimin për fatin e Hashem Safieddines. Safieddine, një klerik i fuqishëm brenda radhëve të grupit, pritej të pasonte Hassan Nasrallahun, një nga themeluesit e grupit, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në shtator.

Izraeli tha se Safieddine u vra nga një sulm ajror në fillim të tetorit në një periferi në jug të Bejrutit. Rreth 25 udhëheqës të tjerë të Hezbollahut u vranë gjatë sulmit, tha Izraeli.

Sulmet izraelite në muajt e fundit kanë vrarë shumë pjesëtarë të udhëheqjes më të lartë të Hezbollahut, duke e lënë grupin në kaos.

Periferia e Bejrutit ku u vra Safieddine u godit nga një sërë sulmesh të reja ajrore të martën. Ushtria izraelite shkatërroi një ndërtesë në Dahiyeh pranë Bejrutit, ku sipas saj strehoheshin objekte të Hezbollahut.

Sulmi ajror ndodhi 40 minuta pasi Izraeli bëri një paralajmërim evakuimi për dy ndërtesa në atë zonë që sipas tij përdoreshin nga Hezbollahu. Nuk pati njoftime të menjëhershme për viktima.

Ndërkohë zëdhënësi kryesor i Hezbollahut, Mohammed Afif, tha se ky grupi ishte pas sulmit me dron të shtunën ndaj shtëpisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu në qytetin bregdetar të Cezaresë. Ai la të kuptohet se mund të ndërmerren sulme të ardhshme në shtëpinë e Kryeministrit Netanyahu. Izraeli ka thënë se as kryeministri dhe as gruaja e tij nuk ishin në shtëpi në momentin e sulmit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të martën me zotin Netanyahu si pjesë e vizitës së tij të 11-të në rajon që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas. Pas vrasjes nga Izraeli javën e kaluar të udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, zoti Blinken po përpiqet të ringjallë përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza. Deri tani, Izraeli dhe Hamasi nuk duken të hapur për një gjë të tillë.

Zoti Blinken theksoi nevojën që Izraeli të bëjë më shumë për të ndihmuar në rritjen e fluksit të ndihmës humanitare për palestinezët dhe tha se Izraeli duhet të “përfitojë” nga kushtet e krijuara nga vdekja e Sinwarit si një mundësi për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për të siguruar lirimin e pengjeve.

Zyra e zotit Netanyahu e quajti takimin e tij me zotin Blinken, i cili zgjati më shumë se dy orë, “miqësor dhe produktiv”.

Hezbollahu merr përgjegjësinë për sulmin me dronë në rezidencën e Netanyahut

Hezbollahu e ka marrë përgjegjësinë për një sulm me dronë të kryer javën e kaluar, që ka shënjestruar rezidencën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe e ka pranuar se disa luftëtarë të tij janë marrë peng prej ushtrisë izraelite.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Zëdhënësi i grupit, Mohammed Afif, ka thënë se Hezbollahu merr përgjegjësi të plotë për operacionin në Kaesarea, që ka shënjestruar Netanyahun.

Të shtunën, kryeministri izraelit e ka akuzuar Hezbollahun për atentat kundër tij dhe gruas të tij, pas lëshimit të dronit drejt rezidencës së tij në qytezën Kaesarea. Askush nuk është plagosur në këtë sulm.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se i marrë peng katër luftëtarë të Hezbollahut prej nisjes së ofensivës në Liban, dhe e ka publikuar një video në të cilën njëri prej tyre shihet duke u përgjigjur.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të hënën se kërkojnë që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”, teksa shtyjnë përpara një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që i kërkon grupit të armatosur të tërhiqet prej jugut të Libanit.

Shkëmbimet e sulmeve raketore në kufirin e Libanit kanë nisur pas nisjes së luftës së Izraelit në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje tjera.

Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Në shtator, Izraeli e ka zgjeruar luftën edhe në Liban, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve të Hezbollahut në zonën kufitare.

Hezbollahu, në anën tjetër, është zotuar se do ta vazhdojë luftën, derisa të arrihet një armëpushim në Gazë. REL

Pse Musku po financon Trumpin?

Cilat janë interesat ekonomike të sipërmarrësit kontrovers, i cili tashmë ka shpenzuar të paktën 75 milionë dollarë për fushatën elektorale në favor të manjatit? – Mendimi i ekspertit

VOAL- Elon Musku, njeriu më i pasur në botë (sipas revistës Forbes), ka shpenzuar tashmë të paktën 75 milionë dollarë në fushatën elektorale të Trumpit. Cilat arsye e shtyjnë këtë sipërmarrës eklektik dhe shpesh kontrovers që të mobilizojë kaq shumë burime për të ndihmuar kandidatin republikan të fitojë? RSI pyeti Federico Fubinin, gazetar i Corriere della Sera, i cili publikoi një artikull të detajuar se si përbëhet pasuria e Muskut.

“Është në fakt pak e çuditshme, sepse Musku kishte qenë gjithashtu mjaft kritik ndaj Donald Trumpit në të kaluarën. Ai kishte thënë se duhej të nisej për një udhëtim në perëndim të diellit. Megjithatë, tani, befas, në këtë pikë shumë të vonë të fushatës zgjedhore, ai po hedh të gjithë peshën e tij pas rizgjedhjes së Trumpit.”

Por pse e bën?

“Musk nuk ka qenë kurrë një liberal. Ai është sigurisht një njeri i krahut të djathtë, i cili gjithashtu vjen nga një botë shumë e djathtë, nëse jo e diskutueshme, si ajo e popullsisë së bardhë të Afrikës së Jugut gjatë viteve të aparteidit. Pra, kjo është origjina kulturore, madje edhe e Muskut.”

Le të shohim aktivitetet e tij ekonomike, bizneset e tij të shumta. Ne e dimë se Trump nuk ka qenë kurrë një mbështetës i makinave elektrike, një sektor në të cilin Musku ishte pionier…

“Sigurisht që më e rëndësishmja është ende Tesla, e cila ka një vlerë të tregut të aksioneve prej rreth 700 miliardë dollarë. Dhe prej andej vjen pasuria e tij likuide, pasi duke vënë peng në banka aksionet e Teslës, Musku ndër vite ka marrë kredi, pra të patatueshme, me të cilat ka jetuar jetën e një njeriu shumë të pasur. Megjithatë, ekziston një problem, se aksionet e Tesla-s mbivlerësohen gjithnjë e më shumë. Prandaj, duke qenë se veprimet e Muskut janë vendimtare për likuiditetin që bankat i lejojnë të ketë, nëse aksionet e Teslës bien, kjo është një problem i madh për të”.

Një zgjidhje për këtë problem do të ishte listimi në bursë dhe promovimi i Starlink, shpjegon Federico Fubini. Starlink është kompania që tashmë ka dërguar më shumë se 6 mijë satelitë në orbitë për një lidhje universale në internet, e shohim në punë në Ukrainë, në pjesët më të largëta të Afrikës etj.

“Starlink sot është një divizion i SpaceX, grupi i jashtëzakonshëm hapësinor që Elon Musku krijoi në vitin 2002, i cili tani është shumë më efikas dhe më i aftë, gjithashtu teknologjikisht dhe në aspektin e performancës, jo vetëm të NASA-s, por edhe të aktiviteteve hapësinore kineze, ruse. , evropiane. Është e mahnitshme se çfarë mund të bëjnë. SpaceX nuk është gati të dalë publik. Ajo që mund të jetë është se Starlink ndahet nga SpaceX. Starlink është një biznes që mund të gjenerojë shumë të ardhura. Kjo kompani e listuar mund, si të thuash, të stabilizojë gjithashtu situatën personale dhe financiare të Musk.”

Sidoqoftë, ekziston një ndryshim thelbësor midis dy kompanive Tesla dhe Starlink…

“Tesla varet nga konsumatorët, Starlink varet për një pjesë potencialisht shumë të rëndësishme nga marrëveshjet me qindra qeveri dhe kompani të mëdha publike në mbarë botën. Pra, për një person si Elon Musku (i cili duhet disi të përmirësojë Starlink sa më shumë që të jetë e mundur për të fituar para), të kesh mbështetjen e administratës amerikane do të ishte fantastike. Kjo do të thotë, nëse ai do të bëhej vendimtar për rizgjedhjen e Trump dhe Trump do të takohej me liderë botërorë, biznesmenë të mëdhenj, do të komandonte ose do ta bënte të qartë se ata duhet të lidhnin kontrata me Starlink, kjo do të ishte bingo absolute për Muskun. Kam përshtypjen se kjo llogaritje qëndron pas dashurisë së papritur të Elon Muskut me Donald Trumpin.”

 

Pse BRICS-i i këtij viti në Rusi mund të jetë më i rëndësishmi ndonjëherë

Pamje prej samitit BRICS të mbajtur në Afrikën e Jugut, në gusht të vitit 2023.

 

Reid Standish

Teksa presidenti rus, Vladimir Putin drejton samitin e 16-të me radhë të grupit joformal tregtar BRICS, ai synon t’i dërgojë sinjal të qartë Perëndimit se Moska nuk është e izoluar në skenën botërore.

Putin do të shtyjë përpara këtë qëndrim në qytetin Kazan të Rusisë, ku do të mbahet samiti i radhës i BRICS-it, prej 22 deri më 24 tetorit.

Ai e paraqet këtë grup si kundërpeshë të grupeve perëndimore në fushën e politikës dhe tregtisë, i cili është rritur së fundmi në BRICS+ dhe përfshin Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe vendet që e kanë themeluar grupin: Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.

“BRICS-i po e përjeton një freski rreth vetes, kryesisht sepse rendi i udhëhequr prej Perëndimit dhe organizatat me bindje të njëjta po e përjetojnë një lloj rrëmuje”, ka thënë Carlos Solar, hulumtues i lartë në Institutin Royal United Services, me seli në Londër, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Ideja është që bota po ndryshon dhe varësisht se çfarë do të ndodhë me sektorët e bankave ndërkombëtare, financave, dhe ligjin, ashtu edhe do të përcaktohet se cilët sektorë në botë do të jenë më të rëndësishëm në dekadat në ardhje”.

Në samitin e këtij viti mund të shtrohet rruga edhe për zgjerim të mëtejmë.

Putin ka ftuar dhjetëra vende tjera për t’iu bashkuar iniciativës dhe disa tjerë kanë aplikuar, ose po e shqyrtojnë pjesëmarrjen, përfshirë Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Turqinë dhe Mongolinë.

Ai do të zhvillojë takime bilaterale me disa krerë shtetesh në Kazan, përfshirë liderin kinez, Xi Jinping, i cili, gjithashtu, synon të rrisë BRICS-in si pjesë e strategjisë së tij për të pozicionuar veten si lider të vendeve në zhvillim në të ashtuquajturin Jug Global.

“Putin e ka thënë qartë se BRICS-i flet për Jugun Global. Këtë argument e ka përdorur edhe Kina”, ka thënë Stewart Patrick, hulumtues i lartë në Institutin Carnegie, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Kina dhe Rusia shpresojnë që BRICS+ të jetë makinë që sfidon rregullin perëndimor që dominon në botë, dhe sidomos lidhet me dominimin e Shteteve të Bashkuara në botë”.

Çfarë është BRICS dhe pse ka rëndësi?

Më 2006, Brazili, Rusia, India dhe Kina e ka krijuar grupin BRIC, i cili është zgjeruar në BRICS më 2010, me pjesëmarrjen e Afrikës së Jugut.

Grupi synon t’i bashkojë shtetet më të rëndësishme në zhvillim, si alternativë ndaj forcës ekonomike dhe politike të rajoneve të pasura, siç është Amerika e Veriut apo edhe Evropa Perëndimore.

Anëtarët e BRICS-it kanë përmendur nga fillimi që shtetet perëndimore janë në krye të organizatave të rëndësishme globale, sikurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMI) dhe Banka Botërore, e cila u jep qeveria hua, prandaj ekziston nevoja e një kundërpeshe, për t’iu dhënë më shumë zë ekonomive tjera.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pati marrë pjesë online në samitin e BRICS-it një vit më parë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pati marrë pjesë online në samitin e BRICS-it një vit më parë.

Më 2014, BRICS e ka themeluar Bankën e Re Zhvillimore, për të dhënë hua me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së një vendi.

Në janar të këtij viti, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë ftuar për t’iu bashkuar nismës si vende anëtare.

Një ministër saudit ka thënë ndërkohë që Riadi nuk është anëtarësuar zyrtarisht në grup.

Edhe Argjentina është ftuar për t’iu bashkuar grupit, mirëpo presidenti, Javier Milei është tërhequr në dhjetor të vitit 2023, pak pasi është ngjitur në pushtet.

Megjithatë, grupi i ri, pas zgjerimit, ka një popullsi prej rreth 3.5 miliardë banorëve – 45 për qind e popullsisë botërore – dhe ekonomitë e tyre kanë vlerë prej 28.5 trilionë dollarëve në total, apo rreth 28 për qind e ekonomisë botërore.

Në rast të anëtarësimit të Arabisë Saudite, vendet anëtare të BRICS-it do të ishin zotëruese të 44 për qind të naftës së papërpunuar të të gjithë globit.

Pse shtetet duan t’i bashkohen BRICS-it?

Anëtarët e BRICS-it kanë pasur vështirësi që të mblidhen, me raste, ndonëse grupi po zgjerohet pavarësisht komplikimeve gjeopolitike, sikurse lufta e Rusisë në Ukrainë, dhe rritja e rivalitetit në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Siç sqaron edhe Solar, interesimi për të qenë pjesë e BRICS-it vetëm është rritur, dhe shumë shtete në zhvillim e shohin atë si platformë të mirë, teksa janë në kërkim të një balanci gjeopolitik në periudhën e ardhshme.

“Në BRICS janë shumë shtete – sikurse Kina, Rusia, India dhe Brazili – që kanë ambicie globale”, ka thënë ai.

“Mirëpo vendet tjera që anëtarësohen, ose aplikojnë për anëtarësim, ato kanë dëshirë të kenë opsione dhe të ndajnë bastin në dysh”.

Sipas tij, mundësia e fundit mund të vlejë edhe për vendet si Brazili dhe India, të cilat janë anëtare kyçe në BRICS, por kanë marrëdhënie të mira me grupacionet e udhëhequra prej Perëndimit.

Delegatët duke marrë pjesë në samitin e BRICS-it në Afrikën e Jugut, më 2023.

Delegatët duke marrë pjesë në samitin e BRICS-it në Afrikën e Jugut, më 2023.

Koordinimi financiar është ndër çështjet kryesore të grupit, pasi liderët tentojnë të zbehin vlerën e dollarit në tregtinë globale.

Madje, Brazili dhe Rusia sugjerojnë edhe krijimin e një valute të BRICS-it.

Vendet e BRICS-it kanë tentuar t’i forcojnë lidhjet tregtare brenda bllokut, përfshirë edhe koordinimin mes bankave, harmonizim më të mirë të taksave dhe procedurave doganore.

Ndonëse bisedimet për valutë nuk kanë pasur fryte deri më tani, anëtarët e BRICS-it janë fokusuar në lehtësim të tregtisë me valutat e vendeve anëtare, hap që i ka ndihmuar Rusisë, teksa tenton të luftojë ndikimin e sanksioneve të Perëndimit për luftën e nisur në Ukrainë.

“BRICS është dhe mund të jetë shpëtimtar edhe më i madh për ekonominë ruse, teksa synon tregje të reja”, ka thënë Solar.

Pikat kryesore të samitit të sivjetmë

Rusia dëshiron të dëshmojë që nuk është e izoluar në aspektin diplomatik.

“Për Putinin, ky samit është simbolik – është përpjekje për t’i treguar botës se pavarësisht tentimeve të Perëndimit për të izoluar Rusinë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia ende ka miq nëpër botë”, ka thënë Patrick.

Në Kazan, Putin pritet t’i çojë përpara negociatat për ndërtim të një platforme alternative për pagesa ndërkombëtare, që mund të jetë imune ndaj sanksioneve të Perëndimit, ndërsa Rusia, ekspertuesja më e madhe në botë e grurit, do të propozojë krijimin e një burse të tregimit të çmimeve të grupit, si alternativë ndaj sistemeve të Perëndimit.

Mbetet të shihet sa do të ketë sukses, pasi vendimet merren me konsensus dhe vendet e reja që pritet t’i bashkohen grupit, nuk kanë qëndrimin plotësisht të njëjtë të Kremlinit, për të sfiduar Perëndimin.

Patric beson se “ndonëse anëtarët e BRICS-it mund të bashkohen me idenë se strukturat aktuale në botë dhe ekonomitë botërore janë të drejtuara prej Perëndimit”, megjithatë, ekzistojnë dallime në mes të shteteve si Kina, Irani dhe Rusia, dhe vendeve tjera që duan reforma.

“BRICS përbën sfidë për rregullin e dominuar nga Perëndimi”, ka thënë Patrick.

“Mirëpo, aktualisht më shumë ka peshë simbolike sesa gjeopolitike”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Krenare Cubolli

“Do të kandidoj për Presidente të Rusisë”- E veja e Navalnyt: Kundërshtari im është Vladimir Putini!

Yulia Navalnaya, gruaja e liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny, ka thënë se një ditë do të kthehet në Rusi dhe do të kandidojë për presidente, kur shefi i Kremlinit, Vladimir Putin të mos jetë më në pushtet.

 

Që nga vdekja e Navalnyt në një burg rus në Rrethin Arktik në shkurt, asnjë lider nuk është shfaqur për të bashkuar opozitën e vendit, dhe ka pasur përleshje midis grupeve të ndryshme disidente ruse jashtë vendit.

“Kundërshtari im politik është Vladimir Putin. Dhe unë do të bëj gjithçka që regjimi i tij të bjerë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar Navalnaya për BBC.

“Kur të vijë koha, unë do të marr pjesë në zgjedhje… si kandidate”, citohet të ketë thënë ajo.

Ndërsa Putini, udhëheqësi kryesor i Rusisë që nga dita e fundit e vitit 1999, të jetë ende në pushtet, Navalnaya ka thënë se ajo nuk do të kthehej.Panorama

OBSH do të evakuojë 1000 gra dhe fëmijë nga Gaza për kujdes urgjent mjekësor

Deri në 1 000 gra dhe fëmijë që kanë nevojë për kujdes mjekësor do të evakuohen së shpejti nga Gaza në Evropë, tha kreu i degës evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në komentet e publikuara të hënën.

Izraeli, i cili po rrethon territorin palestinez të shkatërruar nga lufta, “është i përkushtuar për 1000 evakuime të tjera mjekësore në Bashkimin Evropian brenda muajve të ardhshëm”, tha Hans Kluge në një intervistë me AFP.

Ai tha se evakuimet do të lehtësohen nga OBSH – agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara – dhe vendet evropiane të përfshira.

Hetuesit e OKB-së kanë thënë se Izraeli po synonte qëllimisht objektet shëndetësore në Gaza, po vriste dhe torturonte personelin mjekësor atje, duke e akuzuar vendin për “krime kundër njerëzimit”.

Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së në territoret e pushtuara palestineze, tha në maj se rreth 10,000 njerëz kishin nevojë të evakuoheshin nga Gaza për kujdes urgjent mjekësor.

OBSH Evropa ka lehtësuar tashmë 600 evakuime mjekësore nga Gaza në shtatë vende evropiane, që nga fillimi i luftës së fundit atje në tetor 2023.

“Kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë, nëse nuk do ta mbanim dialogun [të hapur]”, tha Kluge.

“E njëjta gjë [është e vërtetë] për Ukrainën”, shtoi ai. “Unë e mbaj dialogun [të hapur me të gjithë partnerët.

“Ilaçi më i rëndësishëm është paqja,” tha ai, duke vënë në dukje se punonjësit e kujdesit shëndetësor duhej të lejoheshin të bënin punën e tyre në zonat e konfliktit.

‘I indinjuar çdo herë’
Rreth 2,000 sulme janë regjistruar në qendrat shëndetësore në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022, sipas OBSH-së.

“Mund të ketë pothuajse një lloj pranimi, por kjo duhet të shkaktojë zemërim çdo herë,” tha ai.

“Ne gjithmonë do të vazhdojmë ta dënojmë këtë në termat më të ashpër të mundshëm.”

Kluge shprehu shqetësimin, përpara dimrit të tretë të luftës në Ukrainë.

“Tetëdhjetë për qind e rrjetit të energjisë civile është dëmtuar ose shkatërruar. E pamë në spitale, kirurgët operonin me një llambë në kokë”, tha ai.

“Do të jetë një dimër shumë, shumë i vështirë”.

Megjithë tendosjet në sistemet e kujdesit shëndetësor të Evropës, ai tha se 53 vendet që përbëjnë rajonin evropian të OBSH-së, i cili përfshin vendet e Azisë Qendrore, ishin në gjendje të bashkoheshin për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme.

“Në Evropë, ne i bëmë detyrat tona,” tha ai.

Traktati global i pandemisë?

“Ajo që na nevojitet është një traktat pandemik globalisht, sepse edhe nëse bëjmë pjesën tonë, ne kurrë nuk do të ndalojmë insektet që hyjnë në kontinentin tonë.”

Një strategji evropiane për pandemitë do të prezantohet më 31 tetor.

Në të njëjtën kohë, OBSH-ja po u kërkon anëtarëve të saj që të “menaxhojnë dhe përgatiten për krizën e ardhshme, duke siguruar njëkohësisht vazhdimin e shërbimeve bazë shëndetësore thelbësore” për të shmangur një tjetër “ këputje” si ajo që ndodhi gjatë pandemisë COVID-19.

Garantimi i sigurisë së sistemeve kombëtare të kujdesit shëndetësor është thelbësor dhe duhet të jetë një prioritet, tha ai.

“Një minimum prej 25 nga 53 vende gjatë pesë viteve të fundit kanë pasur të paktën një ngjarje të madhe të urgjencës shëndetësore mjaft të madhe për të testuar sigurinë e vendit,” tha ai.

Pandemia ka lënë gjurmë te evropianët, të cilën Kluge shpreson ta fshijë gjatë mandatit të tij të ardhshëm.

“Pandemia e COVID-19 na ktheu dy vjet mbrapa për sëmundjet jo të transmetueshme,” tha ai, duke u kërkuar vendeve të dyfishojnë diagnostikimin dhe trajtimin e tuberkulozit rezistent ndaj shumë ilaçeve, testimin për kancerin e mitrës dhe qafës së mitrës dhe vaksinat.

Përveç kësaj, Kluge tha se ai gjithashtu dëshironte të trajtonte tendencat shqetësuese, të tilla si shëndeti i të rinjve dhe pabarazitë në rritje midis burrave dhe grave.

“Është shumë e qartë. Ne shohim që bllokimet gjatë COVID-19 çuan në një rritje prej 25 për qind të urdhrave të ankthit dhe depresionit,” u ankua ai.

“Njëzet e gjashtë përqind e grave midis 15 dhe 49 vjeç në rajonin tim raportojnë, të paktën një herë në jetën e tyre, kanë përjetuar dhunë nga partneri intim ose dhunë seksuale nga jopartneri,” tha ai.

Kluge ka drejtuar OBSH-në Evropë që nga shkurti i vitit 2020 dhe pritet të rizgjedhur në fund të tetorit./ Al Arabiya.

Raportohet se Fethullah Gulen ka ndërruar jetë

Kleriku turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e ka akuzuar se qëndronte pas puçit të dështuar ushtarak më 2016, ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, ku ai jetonte. Kështu ka raportuar televizioni publik i Turqisë dhe një ueb-faqe e lidhur me Gulenin.

Gulen ndërtoi një lëvizje të fuqishme islamike në Turqi dhe në shtete të tjera të quajtur Hizmet, por i kaloi vitet e fundit si person që u akuza se kishte orkestruar grusht shtetin e dështuar ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia i referohet lëvizjes Hizmet me akronimin FETO (Organizata Terroriste Fethullaiste) dhe kjo lëvizje është e shpallur terroriste në SHBA.

Gulen kishte mohuar akuzat se kishte orkestruar puçin e vitit 2016, kur u vranë afër 250 persona.

Herkul, një ueb-faqe që publikon predikimet e Gulenit, shkroi në X se ai kishte vdekur të dielën mbrëma në një spital ku po trajtohej.

Gulen ka jetuar në mërgim të vetëimponuar në SHBA që nga viti 1999. Më 2017, atij iu hoq shtetësia turke. REL

SHBA, hetime rreth publikimit të paautorizuar të dokumenteve sekrete mbi planet izraelite për të sulmuar Iranin

VOA/Marrë nga Associated Press

Shtetet e Bashkuara po hetojnë për të idektifikuar mënyrën se si janë marrë e publikuar në mënyrë të paautorizuar dy dokumente shumë sekrete, që bëjnë një vlerësim të planeve të Izraelit për të sulmuar Iranin. Lajmi u bë i ditur për agjencinë ‘Associated Presst’ nga tre zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti.

Dokumentet duket se i përkasin Agjencisë amerikane të Inteligjencës Gjeohapësinore dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Aty thuhej se Izraeli po lëvizte mjete ushtarake për të kryer një sulm si përgjigje ndaj sulmit me raketa balistike të Iranit më 1 tetor.

Dokumentet duhet se ishin ndarë me të ashtuquajturit “Five Eyes”, “Pesë Sytë”, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia.

Dokumentet, të shënuara si tejet sekrete, u postuan në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe lajmi rreth tyre u njoftua fillimisht nga rrjeti televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Axios.

Hetimet janë përqëndruar tek mënyra se si janë marrë dokumentet – përfshirë nëse kjo ishte një rrjedhje e qëllimshme nga një anëtar i komunitetit të inteligjencës amerikane apo ishin siguruar falë një metode tjetër, si hakerimi. Po kështu po hetohet nëse ishte kompromentuar edhe ndonjë informacion tjetër i inteligjencës tha një nga zyrtarët.

Ai shtoi se po punohet për të përcaktuar se kush kishte qasje tek dokumentet para se ato të postoheshin.

Uashingtoni i ka kërkuar Izraelit të përfitojë nga eliminimi i udhëheqësit të Hamasit, Jahya Sinwar dhe të bëjë presion për një armëpushim në Gazë. Po kështu i ka kërkuar Izraelit që të mos zgjerojë më tej operacionet ushtarake në veri në Libanit duke rrezikuar një luftë më të gjerë rajonale. Megjithatë, udhëheqësit izraelit kanë theksuar vazhdimisht se nuk do ta lënë pa përgjigje sulmin me raketa të Iranit.

Në një deklaratë, Pentagoni tha se ishte në dijeni të njoftimeve rreth rrjedhjes së dokumenteve, por zyrtarët nuk bënë komente të mëtejshme.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment lidhur me këtë çështje.

Dokumentet u shfaqën fillimisht në internet të premten përmes një kanali në Telegram. Në postim pretendohej se ato ishin ofruar nga dikush brenda komunitetit amerikan të inteligjencës dhe më pas nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Kanali Telegram i përfshirë në rrjedhjen e dokumenteve vetëidentifikohet si me qendër në Teheran, kryeqyteti i Iranit.

Njëri nga dy dokumentet ngjan për nga stili me një material të Agjencisë Kombëtare amerikane të Inteligjencës Gjeohapësinore, që u mor dhe publikua në mënyrë të paligjshme nga Jack Teixeira, një ish-anëtar i Gardës Kombëtare. Ai u deklarua fajtor në mars për nxjerrjen e dokumenteve ushtarake shumë sekrete në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës si dhe dokumenteve të tjera sekrete që lidhen me sigurinë kombëtare.

Një mikrokontinent i ri është zbuluar kohët e fundit mes Kanadasë e Groenlandës

Pavarësisht se mendojmë se e dimë strukturën e Tokës, studiuesit kanë ndeshur së fundmi në një zbulim befasues: një mikrokontinent në ngushticën e Deivisit, i vendosur mes ishullit Bafin (Kanada) dhe Groenlandës jugperëndimore.

Image

Ky zbulim doli nga të dhënat e reflektimit sizmik dhe gravitetit, duke zbuluar një bllok tektonik që u shkëput nga Kanadaja apo Grenlanda miliona vjet më parë. Modelet e mëparshme luftuan për të shpjeguar koren e trashë kontinentale në ngushticën e Deivisit, por ky studim i ri ofron njohuri të reja.

Shkëputja filloi rreth 118 milionë vjet më parë, me Grenlandën dhe Amerikën e Veriut që po ndaheshin. Rreth 61 milionë vjet më parë, formimi i Detit Labrador i ndau më tej masat tokësore. Përfundimisht, Grenlanda iu bashkua përsëri pllakës së Amerikës së Veriut, duke lënë pas të sapoemërtuarit “proto-mikrokontinent i ngushticës së Deivisit”.

Image

Studiuesit besojnë se kuptimi më i mirë i formimit të këtij mikrokontinenti do të përmirësojë njohuritë tona për rreziqet tektonike. Studimi hedh dritë mbi evolucionin tektonik të Tokës dhe nxjerr në pah se si lëvizjet e pllakave ndikohen nga forcat më të thella gjeologjike.

Edhe me të gjitha përparimet tona, zbulime si ky na kujtojnë se ka shumë më tepër për të mësuar rreth planetit tonë. / Twisted Sifter – Syri.net

 

Kuba është në errësirë të plotë

Blackout total në ishullin e Karaibeve dhe 10 milionë njerëz pa energji elektrike për më shumë se 24 orë

VOAL- Dhjetë milionë kubanë janë pa energji elektrike për më shumë se 24 orë tani. Kuba në fakt po përballet me një ndërprerje totale që po paralizon popullsinë lokale.

Shkollat, zyrat shtetërore dhe kompanitë jo thelbësore u mbyllën pas një aksidenti në termocentralin Antonio Guiteras, kryesori i vendit, shkaktoi shembjen totale të rrjetit elektrik.

Aksidenti u përkeqësua nga mungesa tashmë kronike e energjisë në ishull: prej muajsh kubanezët janë detyruar të jetojnë me ndërprerje gjithnjë e më të shpeshta të energjisë, për shkak të deficitit kombëtar të energjisë, i cili tani ka arritur në 50%.

Autoritetet sigurojnë se rivendosja e shpërndarjes së energjisë elektrike është prioriteti i tyre, por nuk ka asnjë parashikim se kur do të arrihet. ATS/RSI

Shtëpia e Netanyahut sulmohet me dron, thotë zëdhënësi i tij

Forcat izraelite e sigurojnë një rrugë afër vendit ku Qeveria izraelite thotë se një dron u lëshua drejt shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Izrael, 19 tetor 2024.

 

Një dron u lëshua në drejtim të shtëpisë së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, në qytezën veriore të Izraelit, Caesarea, të shtunën, tha zëdhënësi i tij.

Zëdhënësi tha se Netanyahu nuk ishte në shtëpi në atë kohë dhe se nuk ka viktima nga ky sulm.

Më herët, ushtria izraelite tha se një dron u lëshua nga Libani dhe se e goditi një ndërtesë. Nuk është e qartë se çfarë ndërtese goditi ai.

Dy dronë të tjerë arritën në territorin izraelit, por u rrëzuan, tha ushtria.

Nuk u raportua për viktima, sipas shërbimit emergjent të Izraelit.

Policia tha se janë dëgjuar shpërthime në Caesarea, qytezën bregdetare ku Netanyahu ka një shtëpi pushimesh.

Deri tani, përgjegjësinë për sulmin me dron nuk e ka marrë grupi libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, i cili ka një vit që shkëmben zjarr me Izraelin, por as ndonjë grup tjetër militant.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.REL

Gjermania nderon Presidentin Biden për kontributin ndaj lidhjeve trans-Atlantike

VOA/Marrë nga Associated Press

Gjermania nderoi të premten presidentin amerikan Joe Biden për kontributin e tij në marrëdhëniet transatlantike, përpara takimeve të tij me aleatët evropianë lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.

Por zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara hodhën një hije mbi udhëtimin e zotit Biden, vizita e parë dypalëshe në Gjermani nga një president amerikan në gati tetë vjet.

Ndërsa kanë mbetur më pak se tre javë nga zgjedhjet dhe gara është jashtëzakonisht e ngushtë, ka shqetësime se një fitore e ish-Presidentit Donald Trump mund të prishë marrëdhëniet transatlantike që zoti Biden shpreson t’ia kalojë Nënpresidentes Kamala Harris, kandidates demokrate.

Zoti Trump, kandidati republikan, ka lënë të kuptohet se do të vendosë tarifa tregtare ndaj partnerëve kryesorë të sigurisë së SHBA-së. Ai ka shprehur indiferencë ndaj sigurisë së Ukrainës, duke refuzuar të thotë gjatë një debati presidencial nëse dëshiron që aleati i SHBA-së të fitojë në luftën kundër Rusisë. Ai ka hezituar të shprehet për mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s nëse ata sulmohen.

Këto shqetësime u reflektuan ndërsa zotit Biden iu dha Urdhri i Meritës i Gjermanisë, një vlerësim i lartë që i është më parë ish-presidentit të SHBA-së, George H.W. Bush për mbështetjen e tij ndaj ribashkimit gjerman. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e vuri theksin tek interesi i zotit Biden për Gjermaninë që prej më shumë se katër dekadash. Ai tha se miqësia me SHBA-në është “dhe do të jetë gjithmonë e një rëndësie ekzistenciale” për Gjermaninë, por se gjithmonë ka pasur “periudha afërsie dhe distancimi”.

“Madje edhe së fundmi, vetëm pak vite më parë, distanca u thellua aq shumë sa pothuajse e humbëm njëri-tjetrin”, tha zoti Steinmeier, në një aludim për marrëdhëniet e tensionuara gjatë presidencës së zotit Trump. Ai tha se zoti Biden “riktheu shpresën e Evropës tek aleanca transatlantike brenda natës”. “Në muajt në vijim, shpresoj që evropianët të kujtojnë: Amerika është e domosdoshme për ne,” shtoi ai. “Dhe shpresoj që amerikanët të kujtojnë: aleatët tuaj janë të domosdoshëm për ju. Ne jemi më shumë se thjesht ‘vende të tjera’ në botë – ne jemi partnerë, jemi miq.”

Presidenti Biden falënderoi udhëheqësit gjermanë për rolin e tyre në ndihmën ndaj Ukrainës kundër agresionit rus. “Ne nuk mund të dorëzohemi,” tha ai. “Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen; Ne duhet të vazhdojmë derisa Ukraina të fitojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”

“Ne kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë fuqinë e demokracisë, kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë vlerën e aleancave”.

Zoti Trump ka thënë se qasja e tij në politikën e jashtme do të ndihmojë ekonominë amerikane dhe nuk do të lejojë vendet e huaja që të përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai pretendon se nëse do të ishte ende president, Rusia nuk do ta kishte pushtuar kurrë Ukrainën në vitin 2022 dhe Hamasi nuk do ta kishte sulmuar kurrë Izraelin në vitin 2023.

“Unë do t’i jap fund luftës në Ukrainë, do të ndaloj kaosin në Lindjen e Mesme dhe do të parandaloj Luftën e Tretë Botërore,” tha ai në një tubim të fundit në shtetin e Xhorxhias.

Zonja Harris, nga ana e saj, ka shprehur mbështetje të fortë për Ukrainën dhe politikën e zotit Biden për mbështetjen ndaj Izraelit, ndërsa ka vënë theks të veçantë tek nevoja për të lehtësuar vuajtjet e civilëve palestinezë.

Presidenti Biden ka thënë prej kohësh se mesazhi i tij për udhëheqësit e huaj është se “Amerika është rikthyer” dhe është angazhuar me aleatët pas mandatit të zotit Trump.

Presidenti Biden donte të vizitonte Berlinin para se të përfundonte mandati i tij, pasi ka vizituar aleatë të tjerë kyç si Japonia, Koreja e Jugut, Franca, India, Britania, Polonia dhe Ukraina.

Ai u takua gjithashtu me kancelarin gjerman Olaf Scholz, si edhe me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.


Send this to a friend