Nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi deklaroi në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv se opozita tashmë e ka shpalosur qartë profilin e saj dhe nuk është si ajo e dy viteve më parë nën drejtimin e Bashës. Bylykbashi deklaroi më tej se kryeministri Edi Rama po organizon një anti-miting, dhe ky reagim vjen nga mesazhi që dha protesta e 7 korrikut.
“Rama e ka kuptuar, nevoja për të bërë një antimiting është reagim i asaj, i mesazhit që mori më 7 korrik. Qeveria miraton ligje si i do qejfi. Veprimet e gabuara skajshëm të opozitës, djegia e mandateve, mos hyrja në zgjedhje, sollën këtë situatë.”-tha Bylykbashi.
Më tej Bylykbashi deklaroi se sot nuk jemi vetëm përpara një sistemi ku korrupsioni e ka derën të hapur, por jemi duke u qeverisur nga një mafie që ka kapur të gjitha pushtetet.
Bylykbashi deklaroi se afera e inceneratorëve është e ngjashme me një aferë korruptive të Ndraghetas në Itali pak vite më parë. Sipas tij, atje vepronte mafia kundër shtetit, ndërsa theksoi se në Shqipëri mafia është në pushtet.
“Shteti dhe mafia janë në të njëjtin territor, ose bëjnë luftë, ose bëjnë marrëveshje. Mafia ka dy instrumenta, korrupsionin dhe presionin. Para pak vitesh një operacion kundër Ndraghetas që zbërtheu një aferë.
Mbetjet urbane përdoreshin nga mafia për të bërë para nga taskat e qytetarëve. Riciklimi i parasë në ndërtim, krijimi i kompanive fiktive, me pensionistë dhe emigrantë shqiptarë, dhe një rrjet faturimi fiktiv ku zhdukej paraja publike italiane.
Si skema e inceneratorëve këtu, që nuk i bën mafia, por i bën shteti. Nuk është ministri që u korruptua dhe lëvizi vendimet, kryeministri që ka modelin. Ky është që kërkon këtë formë.
Ndërkohë që njerëzit futen në burg dhe këta nuk hetohen, vazhdojnë dhe paguhen, dhjetëra miliona euro. Duke zbërthyer këtë, kuptojmë se është një model mafioz. Kjo është banda që qeveris sot shqiptarët.”-tha Bylykbashi.
Komentet