Një raport i hartuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se perceptimi i bizneseve për nivelin e korrupsionit në vend është përkeqësuar në krahasim me një vit me parë dhe të anketuarit radhisin sundimin e dobët të ligjit dhe mungesën e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin si faktorët kryesorë për gjendjen në vend.
Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë publikimit të studimit me titull “Perceptimi i korrupsionit sipas bizneseve”, që përfshinë anketat me 256 biznese nga sektorë të ndryshëm.
“Bizneset janë pyetur edhe për shkallën e korrupsionit në vend, pra për shpeshtësinë e korrupsionit dhe 46,88 për qind e perceptojnë korrupsionin si sistemik, ndërkaq 32,31 për qind, e perceptojnë korrupsionit si sporadik. Pra këtu shihet se ka një dallim të qartë në mes të bizneseve në dy dimensione të ndryshme, pra kjo mund të lidhet edhe me natyrën e bizneseve ku disa kanë ndërveprime më të larta me ato institucione që cilësohen apo janë më të korruptuara se sa disa të tjera”, tha Ardita Hajra nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Raporti nxjerr në pah se 42 për qind e bizneseve besojnë se korrupsioni është rritur pra në krahasim me pesë vitet e kaluara ndërkohë 35 për qind besojnë se ka mbetur i njëjtë.
“72 për qind e respondentëve besojnë se korrupsioni është çështje që kërkon trajtim urgjent në vend ndërsa vetëm 0.78 për qind besojnë se korrupsioni është një çështje jo shumë kritike, pasuar me vetëm 1 për qind që besojnë se korrupsioni është pothuajse jo ekzistent në vend”, tha zonja Hajra.
Sipas raportit, 65,63 për qind besojnë se sundimi i dobët i ligjit është arsyeja kryesore pse ka një prani aq të lartë të korrupsionit në vend, pasur me 50,39 për qind që rendisin pagat e ulta dhe varfërinë si faktor tjetër me rëndësi dhe 42,97 për qind që rendisin mungesën e vullnetit politik.
“Shumica e bizneseve, 69,40 për qind kanë deklaruar se ata i formojnë bindjet e tyre ose informohen për gjendjen e korrupsionit në vend nga raportet mediale, pastaj 40,23 për qind bazohen në përvojat e miqve dhe të prindërve si dhe 28,13 për qind nga përvojat e tyre personale”, tha zonja Hajra.
“Ajo çfarë mbetet shqetësuese nëse e krahasojmë edhe me studimin e vitit të kaluar edhe këtë vit është që ekziston një prani e madhe e korrupsionit real, nuk po flasim vetëm për përceptimin megjithëse duhet potencuar se boshllëku ndërmjet korrupsionit të perceptuar dhe atij real megjithatë është i madh”, tha drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
Ai tha se shqetësim mbetet edhe fakti që bizneset vazhdojnë të ngurrojnë të raportojnë korrupsionin tek autoritetet përgjegjëse.
“Është mirë që në njërën anë bizneset janë të vetëdijshme që prania e lartë e korrupsionit ndikon pashmangshëm në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe besoj që është një sinjal të cilin ne do t’ua përçojmë institucioneve të shtetit të Kosovës se pa luftimin e korrupsionit ne do ta kemi të humbur çdo betejë dhe përpjekjet tona edhe për tërheqjen e investitorëve amerikanë dhe investimeve tjera të huaja direkte”, tha zoti Zeka.
Raporti vë në pah se rreth 40 për qind e bizneseve nuk janë të vetëdijshëm që mund ta raportojnë korrupsionin në mënyrë anonime në Agjencinë Kundër korrupsionit ndërkaq 88 për qind mendojnë se korrupsioni ndikon në thithjen e investimeve të huaja.
Raporti u publikua në fillim të shënimit të javës kundër korrupsionit në Kosovë e cila vazhdon të përballet me kritika për shkallën e lartë të kësaj dukurie dhe mangësinë e luftën kundër saj, posaçërisht në rastet e nivelit të lartë.
Komentet