Kopertina : Uliksi e Penelope,
Tabllo e piktorit itailan Francesco Primaticcio 15
Lek Pervizi
ODISEJA
E PAFAJSISË
Roman i jetuar
Botime tё autorit
PROZË
*– Gjeneral Prenk Pervizi nӫ shtypin shqiptar, Dorian, 2009.
*– Gjeneral, Dorian, Bruxelles, 2015
*– Veprat e lavdshme tӫ Skӫnderbeut nga Dhimitӫr’ Frangu
(pӫrkthim), Arberia, Tiranӫ, 2005.
*– Skӫnderbeu dhe Sulltanӫt e Turkisӫ nga Paolo Jovio,
(pӫrkthim,), Lulu, NY, 2012
*– Pellazgӫt e pasardhӫsit e tyre nga Eduard Schneider, 2008.
*– Nӫ Vorbullӫn e Skӫterrӫs, tregime, Dorian, Bruxelles, 2014.
*– Dans le Cercles de l’Enfer, recits, L’Harmattan, Paris, 2014.
*– Repertorio Albanese, shkrime italisht-shqip , Dorian, 2014.
*– Koleksioni, 20 vjet revistӫ Kuq e Zi (9 vӫllime), Bruxelles, 2013.
*– Odiseja e Pafajsisë,Dorian, Bruxelles, 2017
POEZI
*– Ankimi i Zanave, SH.B. Gj. Fishta, Lezhӫ, 2000.
*– Gjurmӫ tӫ Humbura, Arbӫria, Tiranӫ, 2002.
*– (Frӫngjish), Complainte de Nymphes, Thélès, Paris, 2005.
*– (Italisht), Il Grande Lamento, Lampi di Stampa, Milano, 2006
*– Pétale de Rose, frengjisht-shqip, L’Harmattan, Paris, 2010.
*– Petalo di Rosa, Italisht-shqip, Lampi di Stampa, Milano, 2010.
*– Psherӫtima e Erӫs, Lulu, NY, 2011.
*– Lahutari Shqiptar (poezi rapsodike), Lulu, NY, 2011.
*– Lahutari Kӫndon (poezi rapsodike), Lulu, NY, 2011.
*– Tingӫllime tӫ vona, Dorian, Bruxelles, 2014.
*– Labirintӫt, Dorian, Bruxelles, 2014.
*– Antologji në Vargje, Dorian, Bruxelles, 2017
VALENTIN PERVIZI
Skuraj 1920 – Bolonja 1999
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёrmatepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
„…Libertà vo‘ cercando, ch’è si‘ cara,
che solo sa chi per lei vita sofferse….“
Dante
P A R A T H A N I E
Nuk asht aq lehtë shkruejsh për një pjestar të familjës, sepse mendohët se tregimi mund të kushtëzohët nga ndjenja të thella dashunie dhe të quhët i njeanshëm, tue paraqit vetëm anët e mira, të shkallës së lavdërimit e naltësimit të njeriut për të cilin flasim. Kështu mund të gjykojnë lëxuesit dhe unë nuk mund të u a heq nga truni atë mendim, për deri sa personin te cilit i kam kushtue ket libёr e kam vёlla.
Por, askush tjetër nuk mund të shkruente për Valentinin, sepse nuk ka shpëtue i gjallë asnjë nga shokët, miqt e dashamirët që e kan pasë njohun qysh në bangot e shkollës e gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Askush nuk mund ta paraqesë atë në dritën e vërtetë të jetës e veprimtarisë së tij, si i lirë apo si i dënuem nga ajo forcë madhore shtypëse, që i kapërcente kufijt e arësyes e kalonte në ato të absurditetit, të mohimit e të mizorive, të shkallës antinjerëzore dhe antishqiptare, siç ishte diktatura komuniste në Shqipni. Që një sistem shoqnor, ideologjik apo politik të quhët antinjerëzor, s’ka dyshim se përmban ushtrimin e një dhune ku sundon terrori me vrasje, tortura, burgje, kampe çfarosje, internime e persekutime të egra, të denja për t’u përcaktue si akte që mund të kryejnë vetëm ata që shëndrrohën në kriminelë e xhelatë të popujve. Konkretisht, në Shqipni tue fillue nga nëntori 1944 e deri në 1990 me ramjën e diktaturës u vendos një regjim gjakatar, nga ma të llahtarshmit. Njeriu arriti të vlerësohët ma pak se një kafshë apo vegël pune, pothuejse si një fije bari, që mund të shkelej apo të kositej pa kurrfarë brerje ndërgjegje. Kjo diktaturë, e krijueme, e ushqyeme dhe e ngjeshun me ideologji marksiste–leniniste (ndërsa ishte krejt staliniste) u zbatue me zell tё madh nga partia komuniste shqiptare dhe udhëhsqja e saj. Gjatë gjithë kohës që sundoi ajo diktaturë u kryen krime të randa kundër vetë popullit e kunder vetë vllazenve e motrave shqiptare. Prandaj quhët e asht antishqiptare sepse dha prova të padiskutueshme në ket drejtim, dhe quhët dhe asht antinjerëzore, sepse shkeli e mohoi liritë e të drejtat ma elementare të njeriut, që bota e qytetnueme i kishte ngrite në nivelin ma të naltë të respektimit e të mbrojtjës, tue i sanksionue me shpalljen e të Drejtave Universale të Njeriut. Diktatura komuniste në Shqipni, përmatepër, u ba ma e egër, gjakatare e xhelate, tue u lidh me ideologjinë komuniste sllave, e huej dhe anmike, një ideologji që përhapej nga dy qendrat kryesore të komunizmit në Europë, siç ishin Bashkimi Sovietik me Moskën dhe Jugosllavia me Belgradin, ku sundonin respektivisht Stalini, ky monstër i krimit, dhe Tito ky antishqiptar i përbetuem. Këta diktatorë pa skrupuj, kishin hartue planet për zhdukjën e racës shqiptare, si popull e si komb, mbasi kishin gjet të tillë njerëz të dobët e pa karakter, pa moral e pa ndjenja atdhedashunie, siç ishin komunistët shqiptarë, që pranuen të zbatonin direktivat e ruso–jugosllavëve, për të asgjësue popullin, shtetin e kombin e tyne vetëm për të fitue e ruejt kulltuqët e privilegjët vehtjake. Për ket arësye, u zbatue një terror i përgjithshëm, i egër e gjakatar, për të eliminue të gjithë shtresën patriotike e intelektuale që i ishin kushtue krijimit të Shtetin të parë shqiptar ligjor të historisë sonë. Pёr ta udhëheq atë drejt zhvillimit e përparimit krahas popujve të tjerë të qytetnuem të vendëve evropiane dhe Amerikës. Ky orientim nuk i përshtatej planëve djallëzore të Stalinit, që me flamurin e komunizmit, kërkonte të krijonte perandorinë e madhe pansllave, prej Siberisë deri ne Atllantik. Fillimisht e zgjanoi ket perandori deri në Berlin e në Ballkan, tue gllabërue Evropën lindore, ku perfshihej gjithe Ballkani, pra dhe Shqipnia, përveç Greqisë, që i iku nga dora nga ndërhymja e vendosun e anglezit të mençur, Cërçill. Ajo e Stalini, ishte një ide përbindëshe, që përmbante në vetvete kryerjën e krimeve ma të shëmtueme, një genocid monstruoz mbi popujt e shtypun që nuk kishte përjetue kurrë historia e njerëzimit, sepse u zhdukën miliona e miliona qenjësh njerëzore të pafajshme, si t’ishin bar për t’u kosit e jo krijesa që Zoti kishte përftue sipas shembëlltyres tij. Faktet tani na japim arësye, sepse numërohën mbi 100 milionë viktimat e komunizmit, ku përfshihen dhe ato mijat e mijat e Shqipnisë, që diktatura komuniste i zhduku për hir te internacionalizmit stalinian. Krime të tilla si ato të nazizmit, por edhe ma të mëdha. Asht thanë sa herë « Vae victis ! » (mjer të mundunit). Gjermania humbi luftën dhe gjithë krimet e mbrapshtinat iu ngarkuen asaj, edhe ato që kishin krye hordhitë komuniste të Stalinit bashkë me « shoket » e « bijt » e tij. Provë bindëse masakrat e Katinit, që iu ngarkuen gjermanëve dhe që doli që i kishin ba sovietikët me urdhën të Stalinit. Për të mos përmend masakrat ne Ukrainë e në vendet balltike të kryeme nga rusët në tërheqje dhe kur u rikthyen aty, që edhe këto ua kishin ngarkue gjermanëve. Kjo parathanie mori ket drejtim të pashmangshëm, sepse « gjuha shkon atje ku dhem dhambi ». Sido që te sillemi e përdridhemi në trajtimin e problemëve tona, vehtjake,familjare e shoqnore, ato lidhën gjithmonë me çeshtjën shqiptare. Aq ma tepër kur këto probleme shoqnohën me një radhë çfaqjësh negative që e kapërcejnë arësyen njerëzore dhe botëkuptimin e shqiptarit për jetën, patriotizmin, politikën, lirinë, demokracinë, shtetin, bashkimin e kombit e t’ardhmën drej përparimit e qytetnimit. Por zgjidhja e këtyne problemëve nuk mund të kryhej nga një regjim dhe një sistem që mohonte e shtypte të gjitha liritë e të drejtat e njeriut, me pretendimin e çmendun për të krijue një « botë të re » dhe një « njeri të ri », duke përmbys « botën e vjetër » bashkë me njerëzit që i takonin asaj, që do të thoshte ligjërimi i krimit e i terrorit total.
Valentini, lind e rrit në një ambient patriotik, ku në çdo pëllambë tokë, në çdo gurë e në çdo lis, fliste historia e lavdishme e kombit, si dhe i shkolluem dhe formuem në shkollat ma të mira eropiane, ku mbaroi shkollat e Akademinë ushtarake, ishte tashma i gatshëm për me i sherbye denjësisht atdheut. Pas 15 vjet shkollash, dhe oficer me përvoje luftarake, vendosi të kthehët në trojet amtare, dhe në tetorin 1944 gjendët në Shqipni, Shkodër, me gjithë gruen italmiane. Në dhjetorin e po atij viti, arrestohët, burgosët e internohët përjetësisht, pa pas kohë për të krye nje faj, por vetëm për emnin, si bir i Prenk Pervizit. Kjo ishte pritja që shteti komunist u bante bijve të Shqipnisë, sepse Valentini nuk ishte i vetmi. Pati dhe të tjerë që për mallin ndaj atdheut e për t’u vue në shërbim të tij, zbritën në tokën amtare, e në vend të mirepritjës e mirenjohjës, gjetën prangat e burgjet, e shumë lanë jetën nën breshëritë e togave të pushkatimit. Sot varret e tyne nuk gjendën. Ja ku del, bashkë me veprimin e qendrimin antinjerëzor dhe sjellja antishqiptare e diktaturës komuniste. Zakonisht shkruhët e flitët për figura që kanë arrrit suksese të mëdha, heroj e fatosa, por edhe për ata që kanë krye vepra të rënqethëshme kriminale kundër njerëzimit. E nuk permendën ata që, në aspektin sipërfaqëqor, nuk kane krye akte të bujshëm, qoftë të mira apo të këqija. Me ket shkrim, jo si vëlla por si përjetues e ndjekës i gjithë jetës së tij, mund të them se kemi të bajmë me një njeri me veti të ralla, që i dhanë mundësi me kapërcye i pamposhtun e krenar, të gjithë poshtërsitë, torturat, dënimet e mundimet, që diktatura komuniste ushtroi mbi të për ta përulun. Këtij trajtimi antinjerëzor e antishqiptar ai i bani ballë me një qendresë të madhe shpirtnore, e përforcueme , nga themelët e forta të kulturës e të traditave ma të mira shqiptare, që tek ai u ngritën në virtyte, si burrnia, besa, trimnia, shpirti sakrificës, vendosmënia etjera. Këto virtyte e veshën atë me tiparët e heroit në sytë e bashkëvuejtësve, sidomos të rijve, që e morën si shembëll për t’u ndjek, në ato kushte tepër të vështira e të trishta, ku duhej forcë e madhe karakteri për t’i përballue pa u cënue e pa u dorëzue. Unë vetë njoh të rij të tillë që u kalitën në ato kondita të pamundshme tue pasë për « mësues » e simbol Valentinin. Unë vetë mora shembëll prej tij për të kapërcye shumë vështirësi, ku përveç qendresës personale duhej edhe përvoja e njerëzve si ai, për t’u kalit e pasë atë zotësi që me arrit me u ba i pamposhtun në çdo rrethanë e situatë në konditat e ushtrimit të dhunës kriminale nga ana e një pushteti katil e mizor, siç ishte pushteti komunist shqiptar i modelit stalinian. Ky hero i heshtun ishte i pamposhtun, sepse, ndonse i mberthyem në pranga si Prometeu mbas shkambit (heroi ynë i perjetshëm), nga një regjim shtypës e xhelat, ishte nga ata që e mbanin nalt pishtarin e patriotizmit, të kulturës, të traditave e të virtytëve ma të mira, me kurajo e me shpresë të pashueme të fitorës përfundimare të së mirës mbi të keqën, të dritës mbi erresinën e të triumfit të lirisë mbi një diktaturë antinjerëzore, që në rastin tonë ishte dhe antishqiptare. Por ky njeri ishte, si thamë, figura ma e spikatun e pafajsisë, qe u gjet papritun si qingji te burimi, kur i doli para ujku gllaberues. Ndonse i shpëtoi vdekjës në ato rrëthana të kobshme të dënimeve e mundimëve të pa fund e krye, pasojat ia keputen jeten në çastin kur e fitoi atë liri për të cilën vuejti.
Historia e tij ishte nje tragjedi e vërtetë, nga fakti se ai erdhi në Shqipni bashkë me gruen italiane, prej së cilës e ndanë menjëherë tue e arrëstue e mbyll në burg, kot s’na koti, veç për emnin, si bir i Prenk Pervizit.
Një nndarje e dhunshme qe do të zgjatej ne 47 vjet. Mund të quhët si një viktimë, ndër mija të tjera, por për rrethanat e vëçanta që e përfshinë, pa qenë fare i pranishëm në kontekstin shqiptar në ngjarjet e trubullinat e atij fundi të vitit 1944, e meriton përcaktimin si theror i pafajsise. Ishte pikërisht pafajsia që u denue prej diktaturës komuniste në Shqipni, e bashkë me të, një ushtri e tanë të pafajshmish, ku nuk u kursyen as fëmijët në djep, simbolët ma të nalta të pafajsisë, as ky vëlla imi, që erdhi në vendin e vet, për t’i shërbye me devocion, kurse e pllakosën per 47 vjet brenda një vorri të përbindshëm, prej të cilit zor të dilte kush i gjallë.
Historia e tij asht një Odisé e gjatë ma shumë se dyfishi i vjetëve të Uliksit të Homerit. Nëse Mbreti і Itakës u kthye pas 20 vjet te Penelopja e tij besnike, Valentinit iu deshën 47 vjet për të arrit me u bashkue me gruen e tij, që si një Penelope e re, e kalue asaj për kohësgjatje, e kishte pritë, megjithëse jetonte në kushte të mira, midis miradinave. Jo duke endun e ç’enduin një pelhurë me fije pejsh, por një pëlhurë imagjinare që endëj me fijet e mendimëve të trishta që e mbërthenin. Odiseja e Valentinit nuk ishte shkapetja nëpër stuhi detare, por nëpër stuhitë e vuejtjeve, tallazet e terrorit dhe të mundimëve, i përplasun 47 vjet rresht në burgje e kampe internimi, prej të cilëve mezi shpëtoi për të arritë në një Itaka, jo si ajo e Uliksit por simbolikisht vërtet një Itaka ku do të bashkohej një ditë me Penelopën e tij që e kishte pritë aq gjatë.
Vendlindja
Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore nëpër kodrën që huhët e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullijt që njihën si të Gjin Pjetrit, qe ngrihën njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dy katëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj ndesh në një brez shkambor mbi të cilin ngrihët një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihën si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjës së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën që formohët nga bashkimi lumejvë Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuej një kala që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të hueja, që mund të depërtonin nga ajo grykë deri sa të ndeshëshin në murin e malëve të Skurajt, ku, ngrihëshin kullat që përmendëm. Kulla që ishin djeg herpasherë prej pushtuesve të huej, kryesisht prej turqëve, e që u rindërtuën përsëri. Këto ndërtesa gurore që qendronin mbi ket kodër shkambore, kohët e fundit ishin djeg dy herë rresht nga hordhitë turke, më 1881 dhe 1911. Ky fis shqiptarësh kokëfortë, i kishte rindërtue edhe mayë mira se të parat. Nga perëndimi pra, shtrihej lugina e lumit Mat, kurse nga lindja ngrihëj masivi i malëve te Skurajt, ku dominonte Mali i Thatë i kunorzuem nga maja i Lartishit. Ma tutje ngrihej Trodhna e Pëshkashit, gjithë pyje pishash. Nga jugu shtrihëshin vargmalet e Skënderbeut, që pikërish në Malin e Skurajt e kishte zanafuillën. Nga veriu naltësohej mali shkambor i Dërvenit që përfshinte Ferrë-Skurajn dhe Shkopetin, ku dukëshin rrënojat e një kalaje të vjetër, ajo e Pervizit të Madh të Skurajve, princ e komandant trim që luftoi kundra ushtrisë turke në ato kohna të largëta. (Emni i fisit Pervizi vinte nga një kohë e thellë, e lidhun me ngjarje e lufta të lashta të humbuna në hapësinën e kohës e të mbetuma si një kujtesë mjegullore në mendjën e banorëve). Aty, mes Shkopetit e kodrës se Lekbibajve, formohej një kanion i ngushtë që përfundonte në Grykën e Matit prej ku me vrull të rrëmbyeshëm lumi shpërthente për t‘u përhape i qetë në fushën e gjanë zallore, ku bashkohej me lumin tjetër Fan që zbriste nga veriu, Kthella e Mirdita. Nga vetë struktura e natyrës kullat e Gjin Pjetrit, merrnin përmasat e nje kalaje qendrese, rrethue nga dy ant prej grykës se Urdhazës e asaj të Shkopetit, që formonin një trekandsh me malet e ashpra, midis të cilit shtrihej fshati i lashtë Skuraj, ku dominonin këto kulla të rrethueme me nj varg shkambor vigan. Emni e Pervizit asht i lidhun ngusht me të Skurajve si vend e si gjak, prej kohësh të lashta. Vend malor me mbrojtje natyrore, Skuraj, u zgjodh edhe nga Gjergj Kastrioti si një bazë e fortë prej ku ndërmerrte sulmët mbi ushtritë osmane. Skuraj ishte dikur dhe qendër e principatës së Skurajve, që sundonte mbi krahinën e Kurbinit e që mori fund me pushtimin turk, pas vdekjës së Skënderbeut. Përshkrimin e bamë për t’i dhanë ma kuptim arësyes pse ne tre vllaznit lindëm të tre në Skuraj, e jo në Tiranë, Shkodër apo Krujë e Korçë ose në një qytet të një shteti të huej, ku familja kishte jetue kohë pas kohë. Prindi ynë, ndonse i ngarkuem me detyra e pozita ushtarake të randësishme, i kushtonte kujdes e përparësi të madhe ruejtjës së traditave. Keshtu ai e niste nanën tonë, atje të ato kulla, sa herë që vinte koha për të lind fëmijë. Se pari kjo i takoi Valentinit që lindi në Skuraj me 1 korrik 1920.
-Atje ku kanë lind të parët prej shekujsh, atje do të lindin dhe fëmijët tanë, i kishte thanë bashkëshortës, qyshë në rastin e parë. E ashtu ndodhi me fëmijën e dytë Gencin e vazhdoi deri tek unë i treti, , ma i vogli e i fundit, Leka.
Vitёt e para
Vitet e para të fëminisë Valentini i kaloi në gjinin e familjës, që ishte vendos në Tiranë qysh më 1924. Atje iu bashkue edhe vellai i dytë Genci e pas nandë vjet vellai tretë e ma i vogli, Leka, i nënëshkruemi. Kur u hap shkolla « Naim Frasheri », në 1926, Valentini filloi atë që quhët përiudha e formimit shkollor, dhe e vazhdoi aty deri në klasën e tretë, ku iu bashkangjit dhe Genci në klasën e parë.
Duhet të kthehëmi pak mbrapa në kohë. Disa vjet maparë ngjarjët politike në Shqipni ishin acarue. tue kalue pakëz mbi ngjarje të maparshme kalojmë në ato të qërshorit 1924. Im atë, me pjesën ma të madhe të zgjedhun të oficerëve të ushtrisë e xhandarmërisë, morën anën e Zogut, asokohë kryeministër, dhe kaluen të gjithë në Jugosllavi. Baba e nisi nanën dhe gruen me dy fëmijët, Valentinin e Gencin, katër e dy vjeç në Skuraj, që të strehohëshin e fshihëshin atje, për t’i shpëtue ndjekjës së pushtetarve të rij fanolistë. Ishte dhanë direktiva që kundështarëve t‘u digjëshin shtëpitë dhe familjet të internohëshin. Ky udhëzim përmendët për herë të parë në ket libër, pse ashtu ishte vërtetësisht, një udhëzim i dhanë çuditnisht nga vetë Fan Noli, i ndikuar nga politka e terrorit që sbatohej në Rusi. Forcat fanoliste arritën deri te kullat e Gjin Pjetrit po nuk gjetën kënd në banesën tonë. Gjyshja e mama ishin largue me nxitim me fëmijët e ishin fsheh te stanet e fisit. Ishte koha kur në Shqipni, burrnia zinte vend të parë në marrëdhanjët shoqnore, e njerëzit nuk e ulnin vetën në asnjë rast. Ma vonë, kjo burrni do të katandisej si mos ma keq, bashke me katandisjën e vendit në nje gjendje tepër të çoroditun, që do t’i hapte rrugën veprimëve e sjelljëve tepër barbare e çnjerëzore. Ma vone !
Në rastin që treguem, komandanti kishte urdhën të digjej kulla e Prenk Pervizit. Tue qenë se tri kullat, e jona dhe dy të kushrive, ishin të ngjituna njena me tjetrën ai nuk e bani atë gjest, mos damtohëshin edhe dy banedsat e tjera. U mjaftue me marrë një sqap nga bagetitë tona, të cilin e poqën në hell për tё ushqye ushtarët.
Pas krizës së 1924-ës, gjendja u normalizue përsëri. Vllaznit vazhdonin shkollën fillore. Luenin top gjithë ditën, me shokët; ndër ta Llushta, që u ba më vonë futbollist me famë. Tregonte Valentini se Llushta, kishte vizatue nje rreth në mur me shkumbës dhe stërvitej për ta gjuejt topin brenda rrethit. Në një ndeshje me top, Valentini, nande vjeç, rrëzohët e thyen krahun e majt e çohët urgjentisht në spital. Kjo ndodhi në verën 1929, kur unë sa kisha lind. Jeta dhe krahu i tij ishin në rrezik. U alarmue e gjithë Tirana, me atë pak popullsi, deri vetë Mbreti Zog, i cili nderhyni që operacionin ta kryente doktor Sinani, kirurgu ma i mirë i kohës në Shqipni, që ishte doktori i pallatit. Operacioni doli me sukses, krahu shpëtoi. Mbas 23 vjet ai krah, ku dukëj varra e kuqe e qepjës prej rreth 20 cm, do të bahej sebëp për ta shpëtue nga një rrëzik tjetër.
Kjo kohë përkon me sundimin e katër zonëkomandantëve (guvernatore ushtarake), me kapitenat, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine e Hysni Dema, që të huejt quenin kuadrumvirat (sundimi i te katerve). Ky emnim ishte ba nga vetë Ahmet Zogu, kryeministёr e president, që e kishte nda Shqipninë në katër zona administrative ushtarake, tue e mbajt Prenk Pervizin në komandën e zonës së mesme, me qendër Tiranën. Në saj të këtyne komandantëve me përvoje e me ndikim të madh, në Shqipni u vendos mbrenda një kohë të shkurt rendi, qetesia, dhe mori hov zhvillimi ekonomik, i qytetarisë dhe kulturës. U hap pune kudo, veçanerisht në ndërtimin e rrjetit rrugor, nga jugu në veri, që nuk ekzistonte fare dhe në ndertimet qytetare ku vend të pare zinte ndertimi i shkollave në çdo qytet e qendër. Turkia e kishte lanë vendin në një prapambetje tepër të madhe, ma keq se mesjetare. Levizjet në Shqipni bahëshin me kambë, me kafshe, qerre e ndonje karrocë primitive. Qytetët nuk ishin gja tjetër veçse fshatna të mëdha, me banesa përdhese prej qerpiçi, me një sistem primitiv, pa asnjё lloj strukrure higjenike. Mbretnonte errësina që ndriçohej nga llamba e bishtukë me vajguri e në fshat, nga pisha e flaka e zjarrit të oxhakut.
Ishte viti 1929, im atё , që e kishte mbarue detyrën pesë vjeçare si zonë-komandant i Tiranës, niset për të krye Shkollën e Luftës në Torino. Më ket rast e mori familjën atje. Nanën e tij, mamën dhe ne të tre fëmijët. Dy vllaznit e mij, Valentini e Gencin, i çoj në kolezhin San Giovanni Bosko, në Lanzo Torinese, ku studionin fëmijët e dinastisë Savoja, etjerë bij fisnikësh italianë e të huej. Shtoj se ne shembëllin e tij, i kishte sjellë dy djemte e vet aty dhe kapiteni Mark Kodheli, koleg e mik i tim etit.. Unë isha afro dy vjeç. Gjatë kohës së Torinos, u afrova ma shumë me Valentinin, i cili me mbronte nga ngacmimet e Gencit, që luente me mue si me një kukëll. Valentini mbeti kampioni dhe hero imi gjatë gjithë jetës. Ai karakterizohëj nga qendrime burrërore që ne fëmini. Njëkohësisht shum i dashun me pjestarët e familjes. Veçanërisht ndaj gjyshës sonë kishte një dashuni e admirim të pakufijshëm. Babën e respektonte tejët. Fjala e prindit për të ishte fjalë e Zotit. Fort donte dhe mamën e cila i dilte zot në shumë situata në lidhje me babën tonë që ishte tepër i rrebtë edhe në familje përveç se në ushtri. Shto dhe tregimet e lëgjendat rreth tij që Valentini dëgjonte prej rrethit tonë shoqnor. Këto rrethana ndikonin për të nxitun prirjën e tij për uniformën ushtarake. Me mbarimin me sukses të Shkollës së Luftës të Torinos, im atë u caktue si inspektor i studentëve shqiptarë në Itali e Francë. U gradue Nënkolonel dhe u vendos në Firence. Pёrsa i pёrket randёsisё historike tё tё katёr zonёkomandantёve, anglezi Julian Amery, që do bahej Lord Amery, do të shkruente e perseriste disa here ne librin e tij « Bijt e Shqipes » qysh në parathaniën e librit, Sons of the Eagle, fq. 20: « …regjimi i ri u vendos… ne sajë të përjekjëve të një kuadrumvirati (quadrumvirat) të krenëve të Gegnisë. Këta ishin : Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Prenk Pervizi e Xhemal Herri1. Këta burra ndoqën Zogun kur u arratis në Jugosllavi, dhe luejtën rol të randësishëm në kryengritjën që ndodhi. Në saj të kryrjës së detyrave, ata fituen influencë të madhe. Kur i dhanë fund shërbimit në favor të çeshtjës mbretnore, Zogu e theu fuqinë e tyne, që një ditë mund të rrezikonte dhe atë vetë. Në vend të tyne, vuni njerëz të rij, ma të bindun ndaj vullnetit të mbretit, sepse ishin të varun nga privilegjët që ai u jepte. Kështu në një përiudhë prej pesë vjet, diktatura mbretnore u ba absolute.
——————————–
1.Autori J. Amery, gabimisht ka vene emnin e Xhemal Herrit ne vend te Hysni Demes, që siç dihet historikisht ishte në atë katërshe, siç tregohët në një fotografi të asaj kohë.
Në vitin 1935 im atë, Nënkolonel e shtamadhor, kthehët në Shqipni e caktohët me detyrë në Korçë. Kjo çuditi fort rrethet ushtarake dhe shoqninë civile të kryeqytetit. Po pse për të përfundue në fund të Shqipnisë në Korçë kishte mbarue Shkollën e Luftës së Torinos e dalë shtamadhor? Sidukët ky transferim ishte ba pa dijeni të Mbretit, nga Ministria e Mbrojtjës. Po në atë vit vjen prapë në Tiranë me urdhën të Zogut e unë hyj në të parën fillore. Vllaznit vazhdonin shkollën në Itali, dhe vinin për pushimet verore në Shqipni. Im atë na çonte me i kalue këto pushime në bjeshkët e Skurajt. Në malin e Lartishit dhe të Trodhnës së Pëshkashit. Vende të bukura e klimaterike. Me burime ujnash minerale. Kur mendoj për bukuritë natyrore të Shqipnisë, të cilat i kisha shijue e njohun që në fëmini, më kap një trishtim i madh, tue pa se sa keq u katandis nën diktaturën komuniste, i braktisun nga të gjithë të mirat që ia kishte falë Zoti për të qenë një vend i lumtun, ndersa u kthye në një vend fatkeq. Prindi yn na çonte për pushime në malet e Skurajt, për t’u kalit dhe për të qenë të lidhun pas tabanit të traditave ma të mira shqiptare. Valentini shqujej për veti atletike–sportive, si ngjitje mbi malet shkambore, qitje në shej me pushkë e në gjueti, në gara mundje me të rij të vendit e në lojna të tjera popullore, në të cilat dallohej e i doli nami si djalë i shkathtë e vëlet. Ai ishte edhe një i ri i pashëm e shtalidhun.
Në këto rrethana jeta jonë rridhte e qetë dhe e rregullt. Nga viti 1935, familja banonte në Korçë, ku im atë ishte Komandant i Qarkut. Kjo kohë përkon me një detyre që iu ngarkue atij që të përfaqësonte Shqipninë në një komision vezhguesish ndërkombëtarë që do të ndiqte nga afër luftën e Abisinisë dhe fille pas kësaj, manovrat e mëdha të Italisë. Në këto dy detyra ai pati rast të qendronte pranë shtabëve të Gjeneralëve tё famshёm Badoljo e Graziani, ku kishte dhe oficerë shtatmadhorë, ish shokë të tij në Shkollën e Luftës të Torinos. Ishte vera 1936. Atë vit pushimet i kaluem në Korçë se bashku me fëmijët e prof. Luigj Muzhanit, moshatare me ne. Nën drejtimin e Valentinit u morëm me kompletimin e dy albumëve të mëdha me fotografi mbi luftën e Abisinisë dhe udhëtimin e gjat, shkuemje-ardhje, që përbanin një paraqitje dokumentare të randësishme. Pasunue me relacionët qё ai u kishte kushtue atyne ngjarjёve. Si dhe takimet me Duçen (Benito Musilinin) dhe Mbretin e Italisë. Me vezhguesit e huej, me të cilët ndau atë detyrë. Me oficerë shtatmadhorë të huej në manovra e Mëdha, etjera fotografi të asaj kohë. Fotografitë ishin të shoqnueme me shënime të tim etit që përbanin një përshkrim të asaj lufte dhe eksperience në një vend afrikan të prapambetun si në kohën e gurit. Ku nuk kishte shkelë kurrë kambë shqiptari. Nga kёto takime ai kishte marrё vesh shumё mirё rrezikun qё e priste Shqipninё pas Abisinisё. Im ate kishte pasë dy audienca të posaçme me Mbretin Zog (Abisinia e Manovrat) ku i kishte tregue për konaktet me Gjeneralët Badoljo e Graziani e të tjerë ushtarake të lartë, në atë luftë. Nga fjalër e shprehjët e tyne dilnin qellimet pushtuese të Musolinit ndaj Shqipnisë. I kishte kerkue Zogut komanden per organizimin e mbrojtjes se vendit. Mbreti nuk e kishte ba qejfin gjederr dhe i ishte pergjigj se prej Italisë nuk mund t’u vinte asnjë e keqe, aq të mira e të forta ishin lidhjet mes tyne. Po të paraqitej ndonjë rrezik nga ajo anë, vetëm atij do t’ia jepte komandën e mbrojtjes. Premtin qё mbeti fjalë në erë e s’u mbajt kurrë.
Valentini merrte pjesë në këto biseda që zhvillohëshin mes të rritunve me mendime e me supozime se a do ta tradhëtonte Duçja besën shqiptare. E pse Mbreti nuk perfillte paralajmërimet e një shtatmadhori me përvojë, patriot, besnik e me influencë të madhe në ushtri dhe në popull, askush nuk arrinte ta kuptonte. Aq ma tepёr kur u muer vesh, se si Prenk Pervizi, oficer shtatmadhor me pregatije ma tё naltё, qё lipsej tё qёndronte pranё qeverisё e Mbretit nё njё kohё qё ndihej rreziku nga Italia fashiste, e kishin largue nё fund tё vendit, nё Korçё. Kjo ishte diçka që s’binte fare mirë.
Në Shkollën Ushtarake të Romës
1936-193
Shkollat e ngjarje tё tjera
Në Shqipni doli një vendim qeveritar për të dërgue një kontingjent studentёsh nё Shkollёn Ushtarake nё Romё. Por duhej qё tё kishin mbarue gjimnazin. Im atё e thirri Valentinin dhe i tha se nёse donte tё vazhdonte shkollёn ushtarake nё Romё, duhej qё te pergatitej te jepte provimet e maturёs. Valentini që andrronte karrierën ushtarake i dha fjalën për po. Atëherë im atë, në marrëveshje me shkollën e Torinos, i caktoi një kurs special për të përgatitë maturën. Ket provë të vështirë Valentini e kaloi me sukses dhe kështu në shtator 1936, fillon shkollën ushtarake të Romës, si ma i riu i studentëve të tjerë shqiptarë, ndër ta, Lek Vuksani (Vojvoda), Asim Zeneli, Avdi Mati, Minella Naçe, Abdyl Këllezi, Fiqëret Hoxha, Hamit Taga, Xhevat Hysa, Ali Ohri, Ernest Gjeçi, Shaban Begolli, Thoma Frashëri, Nuri Nuçi, Stefan Bumçi, etj. Per te qenë afër njenitjetrit, Genci erdhi nga Torino ne Romë, në Institutin Santa Maria, për ta krye gjimnazin aty. Më 1937, edhe unë dërgohëm në ket Institut, në klasën e tretë fillore. Pra të tre vllaznit u bashkuem në Romë. Nga shkolla e Torinos Valentini e Genci kujtonin vizitat që Prncit Umberto bante aty, ku sa herë që shkonte atje i takonte e i daroviste për miqësine e respektin që kishte për babën tonë, që kishte vazhdue tre vjet kurs me të ne Shkollen e Luftes.
Më 28 Nëntor 1937, u vendos të kremtohët 25 vjetori i Shpalljës se Pavarësisë. Kështu të gjithë nxanësit shqiptarë të shkollave dhe të Akademive ushtarake u mblodhën në Tiranë, për parakalimin e madh. Prandaj Valentini erdhi bashkë me ta. U kishin dhanë 10 dit lejë. Mbas festimit dhe parakalimit, ne u bashkuem të gjithë në Laç. Prindet ishin te ftuem në mbramjën festive në pallatin mbretnor. Edhe unë e Genci kishim ardhë me një ndërhyemje të tim etit pranë shkollës sonë në Romë. Ndërsa ne të tjerët ishim mbledh në Laç, Valentinin im atё e kishte mbajt në Tiranë, për ta njoh me miq e dashamirë, e në një takim që studentët ushtarakë patën me Mbretin, ia paraqiti atij. Mbreti Zog e përgëzoi Valentinin që po ndiqte rrugën e lavdishme të babës tue i urue që të bahëj po aq i zoti sa ai. Ky ishte rasti i parë e i fundit që Valentini të takohej me Mbretin Zog.
Në ket 25 vjetor u dëkorue edhe Gjin Pjetër Pervizi, si luftetar e patriot i Rilindjes dhe udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit, që u kunorzue me ngritjen e famurit kombetar ne Milot po në ditën e 28 Nëndorit 1912. Im atë u gradue kolonel dhe u dëkorue me urdhnin e naltë të « Besës » dhe me urdhnin e naltë të Kunorës së Mbretnisë së Italisë për misionin në Luftën e Abisinisë.
At nëndor 1937 e kaluem për bukuri, dhe tre ditët e fundit të muejt erdhen me u bashkue me ne dhe baba me Valentinin. Ishte një rast i ralle që gjindeshim te gjithe se bashku pjestaret e familjes. Shtepia gumezhinte nga miqt që vinin e shkonin për urimin e Festës së Madhe Kombëtare. Valentini e Genci e kalonin kohën në dhomën e miqve, plot për plot. Nё dritarёt e shtёpisё valёzonte flamuri kuq e zi. Miqtё kur vinin e shkonin rreshtohëshin në lulishten para shtëpise e shpraznin batare pushkёsh. Nga Posta e xhandarmërisë përgjigjëshin bresheri te tjera. Kishte nga ata që kishin qenë në Milot kur Gjin Pjetri kishte ngrit flamurin mbi një vidh të madh në qendër të pazarit, tue e përshëndet shpalljën e pavaresisë me pak fjalë dhe me krismën e gjashtës së karadakut që mbante në brez, që ishte pasue nga krisma e 300 pushkëve të burrave luftetar të Kurbinit. Prindi ynë, 15 vjeç, kishte përjetue atë ngjarje prane axhës Gjin në at çast historik. Rëvolja e Gjin Pjetrit etjera sende ruhëshin në shtepinë tonë. Për qejfin tim si ma i vogli i shtepisë, Ndue Pali, nip i Gjin Pjetrit, qe rrinte me ne, më bani me gjuejt dy herë me gjashtshën e karadakut e cila kishte kris në shumë luftime dhe në Milot, siç thamë ma sipër. Unë mezi e tërhoqa kambëzën e koburës me dy gishtat e dy duerve. Ishte kambёz pёr gisht burrash dhe jo çilimijsh. Por pёr njё fёmi si puna ime, ishte njё kujtim i bukur i paharrueshёm.
Koha kaloi e me të dhe lejët. Im atë duhej të kthehej në Tiranë e pastaj në Korçë. Ne nuk mbanim veturë asokohë. Ai duhët të dilte te Posta e Laçit, herët, ku do të vinte e ta merrte një makinë nga Shkodra me disa miq të tij. At mengjes, dolëm të gjithë për t’u përfalë me të. Ishte një dite e vrejtun e binte një shi i imtë e bante ftohtë. Ai do të kalonte rrugës fushore para shtëpise për me dalë deri në xhade e pastaj deri te Posta. Në atë çast papritmas ndërhyni Valentini :
– Jo babё, s’ban me kalue përsëri andej nga ke ardhë, ku gjithkush e din se ke me kalue. Ma mirë bjeri shkurt shtegut tё arave që çon drejt e të Posta, që asht ma i sigurt.
Im ate, pas pak heshtje, mori vendim me zbatue keshillën e Valentinit, qё e quejti me vend. U nis andej і shoqnuem nga tre besnikë, Ndue Pali, Ndue Molla e Bib Brozi, të gjithë të armatosun. Nuk kaluen dhjet minuta e u dëgjue një krismë pushke. Te gjithë sa ishim dolëm në oborr tue shikue andej. Pastaj ra prap heshtje. Ç’kishte ndodhë ? Sa kishin kalue në shtegun që permendëm e po ecnin me kujdes, sepse sikur ndihej një far rreziku, po prej kah ? Ndue Pali, tue përparue në drejtimin e vet, papritmas gjendët para një levizje të dyshimtë e diçka e madhe ngrihet pas një grumbull kaçubësh. Gishtin ai e kishte mbi kambëzën e pushkës gati për çdo çast, e kështu e shprazi armën nё atё drejtim. Veç kur ishte çue nje çabe e madhe peshku (lloj lejleku) që e trazueme nga zhurma e hapave të Ndojt, kishte marrë fluturimin për mbas shkurrëve ku ishte struk. Të pranishmit qeshën, kurse ne të tjerëve na kapi ankthi, ndonse kalimthi. Disa të tjerë të strukun pas lisave e shkurrëve diku anas xhadës, në të dalun të rrugës së shtepisë sonë, ishin trondit, dhe pushkët që mbanin në gatishmëni sikur u kishin ngri në duerë. U kishte ik gjahu ! Apo nuk ishin lag e ba qull e i kishin zanë të dridhmet prej të fohtit. Ishte dhjetor.
Ajo dite mbeti e shënueme për diçka tjetër, që vërtetonte nderhymjën e Valentinit, i cili kishte pasë një si parandjenjë instinktive të një rreziku ndaj prindit, në at mëngjes dimnor. Thuej po deshe se fati nuk i lidh fijet e veta si pas një programi misterioz që kushtëzon sjelljet e njerëzve me veprime të befasuese, jashtë logjikës e vullnetit të tyne ! Kjo ngjarje asht një shembëll klasik i ndërhyrjës së fatit. Ç‘e shtyni Valentinin të ndërhynte në momentin e fundit, kur im atë po nisej ? Mister !
Kur im atë me besnikët arritën te posta, ai u prit në zyrë prej komandantit, kapter Lin Shllaku, shkodran, një ndër nënoficerët ma të mirë te xhandarmerise. Ndërsa qendronin aty, nga dritarja që jepte nga ana e hanit të kruetanit Shim Hoxha, shikojnë një varg prej gjashtë vetësh të armatosun, me pushkët që u varëshin grykë poshtë, qull deri në palcë nga shiu i imtë dhe i ftohtë mengjezor. Ata u futën njenipastjetrit në han për t’u nxe me ndonjë gotë raki. As që iu shkonte mendja se Prenk Pervizi ishte aty dhe po i shikonte nga driraja e postёs. Ndryshe s’do ishin duk aty fare. Im atë nuk pati nëvojë për shpjegim të mëtejshëm tue i leshue një veshtrim kuptimplotë kapterit, të cilin e konsidëronte si njeri besnik. Kapteri kishte mbet shtang dhe i mpimë në fytyrë përsa kishte kuptue. Kur ja, pikërisht në atë çast bie telefoni. Im atë e kuptoi menjëherë psenë. Kjo kombinonte me orën kur im atë do të nisej. Ku e kishin marrë vesh? Kapteri e merr telefonin. Folesi nuk paraqitet por pyet se kush ishte. Kapteri i përgjigjet:
-Jam unë zotni, kapter Lin Shllaku, komandanti i postës.
– Mirë. Deshta të dij si shkojnë punë andej. A ka ndonjë të re të randësishme. Zani kumbote i njohun.
– Urdhnoni zotni ?… Jo, jo, qetesi e plote, s’ka ndodh asgja per t’u shënue. Ishte pergjigj kapteri.
– Si…vertet … asgja s’ka ndhodh ?
– Jo, Zotni, deri tashti që po telefononi, asgja. Qetësi e plotë ! Im ate kishte ndërhy :
– Bani të fala atij mikut prej Prenk Pervizit.
– Zotni, keni shumë të fala nga Kolonel Prenk Pervizi që gjëndet në zyrën time.
Sa foli kapteri keto fjalë, veç kur u ndigjue krisma e mbylljes me inat të telefonit. Im atë buzeqeshi me ironi, kurse kapteri ishte çudit. Ne telefon kishte qenë nje person i njohun e me pozitë. Ne kete kohe, im atëë zbret nga Posta dhe shkon e futet drejt e në han i shoqnuem nga kapteri, besnikët e tij dhe nja dy xhandarë. Im atë i njihte ato lastrokë. Kur u shfaq para tyne, ata mbetën shtang e të friguem, ku do ta kishin dasht nën dhe, siç thotë populli. Nderkaq im atë u hedh një « tunjatjeta juej ! dhe shton :
-A për me gjuejt rosa paski dalë or burra ?…Or Shim Hoxha, mbushu nga një gotë raki prej meje, se qenkan lag e lodh kot… s’u paska pri mbar gjahu !… Nuk e kam dijtë se rosat u gjuejtkan me pushkë lufte. Por njё fjalё po ju a them. Kujdes, mos dilni me gjuejt nё kohё tё keqe, se mund tё merrni ndonji ftofje tё pashёrueshme…
Kjo ngjarje kuptimplote që do të trajtojm dhe në shkrime të tjera, lidhej pra me Valentinin, që me intuiten e tij instinktive mundi të mënjanojë një tragjëdi të madhe me pasoja edhe ma të medha, si për familjen, fisin e krahinën ashtu edhe për vendin. Personaliteti i Prenk Pervizit asokohë ishte tepër i madh dhe simpatia e popullariteti i tij shum i forte. Çdo rrezik ndaj jetës tij mund të shkaktonte trazime deri në hakmarrje të papërmbajtme. Njerzit e besniket e tij ishin trima e tepër të vendosun.. Im atё s’e la me aq, dhe njeriut qё ia njohu zanin si dhe ndonjё tjetri, ua bani tё qartё pёr pasojat qё mund tё ndodhnin, dhe se njёherё pёr njёherё po e mbyllte atё punё me aq. E pёrmendёm kёtё ngjarje sepse lidhet me Valentinin qё kishte nuhat atë rrezik. Pra deri kёtu kemi hedhё njё vёshtrim mbi lidhjën e tij me faqmiljёn si dhe hyrjën nё jetёn shkollore qё do tё kunorzohej me arritjёn e hyrjёs nё karrierёn ushtarake.
Mbasi e përmendëm ket ngarje të fundit, im atë desh të zbulonte, si ishte marrë vesh nisja e tij në atë ditë dhe atë orë. Ndoshta miqt që do të vinin nga Shkodar me makinë, kanë folë pa të keq, ku ka qëllue ndonjë përson i lidhun me dikë në Tiranë ose Krujë,00 i cili të ketë njoftue ditën, orën e vendin të nisjës së Prenk Pervizit nga Laçi.
Shkolla ushtarake e Romёs
nё 7 prillin 1939
Të përqëndrohëmi te 7 prilli 1939, dita ma e zezë e historisë së Shqipnisë, që në na gjeti në Romë të treve. Unë isha në moshën dhjetevjeçe. Tri të diela ma përpara, kishin ardh në shkollën tonë bashkë me Valentinin, disa nga shokët e tij. Ata zakonisht vinin çdo të dielë psadreke me na marrë e me na argetue nepër Romë. Unë me Alfred Bonatin, si të vegjël perfundonim në ndonjë kinema, kurse të mëdhejt silleshin verdallë nepër rrugët e kafenetë. Kesaj radhe ata u ngujuen ne qoshën e një lokali, bashkë me Gencin e Nikolla Bonatin ku ndejtëm dhe unë e Alfredi. Diçka po ndodhte. Diçka po kurdisej në dam të Shqipnisë. U përmend Mbreti, ushtria, qendresa, lufta, patriotizmi, heroizmi, megalomania e Duçes, kotësia e Viktor Emanuelit, fashizmi, poshtersia, tradhetia, padrejtesia. Lidhja e Kombeve, Anglia, Amerika, Gjermania, Hitleri, konflikti i pritun botnor, etjera, etjera. Si perfundim ata nxorën dokumentët personale, fotografi, orat e dorës, zarfa të mbyllun etjera sende, që ua dorëzuen Gencit e Nikolla Bonatit, ku i futën në një çantë dore të bleme kastile. Këta studentë e shokë të ngushtë, përveç Valentinit e Lek Vuksanit (Vojvoda), ishin ata që permendëm ma sipër : Asim Zeneli, Avdi Mati, Hamit Taga, Fiqeret Hoxha, Abdyl Kellezi, Xhevat Hysa, Shaban Blloshmi, Ernest Gjeçi, Ali Ohri, Stefan Bumçi, Ndue Lala, e ndonjë tjetër që tani nuk arrij të kujtoj : kan kalue ma shumë se 70 vjet !
Çeshtja ishte serioze. Po të ndodhte ndonjë incident me Shqipninë, italianët mund të merrnin masa drastike ndaj studentëve të shkollave ushtarake. Në disa raste, ne shkolla të tjera civile dhe universitete si, Roma, Napoli, Torino etjera, studentёt shqiptarë i kishin marrë me të mira. I kishin shetit e zbavit me një udhetim (krocierë) me anije turizmi nepër brigjet mesdhetare. Na tregonte Lazër Radi se si ishinn çudit për këtë marrje me të mira që u bahëshin. Por që u muer vesh menjëherë se përse.
Kurse me shkollën e Romës e shkollate e tjera ushtarake nuk kishin veprue ashtu. Dihej se në atë të Romës ishte grupi ma i vendosun i studentëve shqiptarë, të lidhun fort midis tyne e besnikë të Mbretnisë, si bij të familjëve ma të mira zogiste. Prandaj ata në takimin që përmendëm, shprehën pesimizëm ndaj fatit të tyne, sepse ishin të vendosun me zbatue atë qendresë e protestë që u takonte po të ngjante ajo tragjëdi e madhe të një sulmi pushtues ndaj Atdheut, nga ana e fashizmit italian, siç flitej. Ishte Musolini që ie kishte shpreh atë qëllim. Ai e kishte gjithë fuqinë shtetnore të Italisë ne dorë, ku Mbreti Viktor ishte vetëm një kukëll, me të cilën Duçja luente sipas qejfit. Ata kishin frikë se mund t’i arrëstonin, burgosnin dhe internonin, tue parashikue se çdo sulm ndaj Shqipnisë do të gjente qendresën e vendosun të popullit shqiptar, e patjetër në radhë të parë të baballarëve të tyne, që ishin me funksione shtetnore apo ushtarake me randësi. Këto që po shkruejm ngjanë afro dy javë përpara ditës së zezë të 7 prillit. Prej asaj dite të dorëzimit të dokumentëve personale, nuk i lejuen ma me dalë, e ne nuk dinim asgja për ta. Lajmi i sulmit dhe zbarkimit të ushtrisë italiane në Durrës e gjetke, që u shpall me bujë të madhe nga radiot dhe shtypi italian, paralizoi gjithë jetën e popullsisë italiane, që po kuptonte, por tepër vonë, se ku po i gremiste Duçja… Ku po i çonte « mushka » …fashiste ! Ne, Genci, Nikolla, unë e Alfredi, e degjuem në lajmet e orës tetë të mëngjesit, në mensën e shkollës, ku ishin mbledh gjithë konviktorët e profesorët e po hanim. Kur ja radio nisi të japë komunikatёn e jashtёzakonshme tё invadimit tё Shqipnisё e plot dokrra mburrёse etj. Ra një heshtje e randë, si heshtje varri. Ne mbetëm të shastisun e koke ulun, të ngurosun, haru. Ishim vetëm katër shqiptarë midis ma tepër se 200 konviktorëve e profesorëve italianë. Të gjithë e pëzulluen ngranjën dhe asnjë prej tyne nuk tha një fjalë. Prania e jonë sikur e kushtezoi dhe qendrimin e tyne, që mori kuptimin e një far solidariteti të heshtun. Në fakt lajmi erdhi krejt i papritun edhe për ata, sepse ishin mësue me shprehjët fodulle të Duçës, dokrra kote, që zakonisht ai ua sërvirte italianëve nga ballkoni i Pallatit Venecias (Palazzo Venezia). Shkolla jonë njihëj si një shkollë mos përfillëse ndaj fashizmit, dhe mbahëj në shënjestër. Unë isha 10 vjeç e Alfredi 12 vjeç. Në qendruem ashtu haru, pa fjalë e na u pre dhe buka. Shokët na shikonin me bisht të synit, ne heshtje dhe të vrejtun. Edhe ata e kuptonin atë trishtim të madh që na kishte pushtue zemrën e mendjën. Disa nga Kalabria e Sicilia, me origjinë arbëreshe, na qendronin ma afër, dhe ata të pikëlluem. Prej atij çasti ne u bamë si robotë. Vëprimet e lëvizjet na dukëshin krejt artificiale. Sikur kishim kalue nga një botë në një tjetër. Kishin ndryshue përmasat dhe përmbajtja. Po ma të rritunit e të moshuemit, si e ndienin vetën ? Genci dhe Nikolla ishin nxi në fytyrë e s’guxonte kush t’i vështronte e jo ma t’u thoshte një fjalë. Ata kishin shoqëri e miqësi me shumë shokë të tyne, që sikur e mbartnin dhe ata at trishtim të madh. E mbaj mend si sot, se ata të dy ndejtën tre dit pa shti gja në gojë ! Sikur kishte ra zija në gjithë kolezhin. Në ato tre dit, pushtimi i Shqipnisë kishte marrë fund, pa hasë në asnjë qëndresë. Sipas radios Mbreti Zog kishte ik në Greqi nga Korça. Po prindi ynë, që ishte komandant në atë qytet, mos vallë edhe ai kishte shkue pas Mbretit ? Këto mendime shtjellohëshin në mendjën tonë. Valentinin me shokë, prej dy të dielave nuk i kishin lejue me dale as me takue kënd. Ne nuk dinim asgja. Telefoni nuk punonte. Ma vone i morëm vesh të gjitha.
U munduem të japim një përshkrim të atyne ditëve të kobshëm që përjetuem larg atdheut, kur ky u gjet në ditën ma të zezë të historisë së tij, por kishte dhe ma keq. Sa nuk na ra pika kur dëgjuem nga radiot, emnat e disa përsonalitetëve shqiptare që përshëndesnin pushtimin fashist italian, që vinte me i shpëtue shqiptarët nga sundimi i satrapit Zog Me ato emna u mbushën faqet e shtypit italian anëmbanë. Po na dridhej zemra kur dëgjonim emna të njohun. Na hyni tmerri se kushedi ç’bahej tani në Shqipni. Për njerëzit tonë s’dinim asgja, As për babën, as mamën as njerëz tonë të tjerë. Heshtje e plotë. E kur pas tre ditësh u shpall pushtimi përfundimtar e u dha zyrtarisht ikja (fuga) e Mbretit në Greqi, do të kishim prefërue të ishim nën dhè. Na u skuqen faqet nga turpi, e nga marazi na shkelqenin sytë prej lotëve. Ç’po ndodhte me Shqiptarët ? Edhe pse të vegjël, gjithë ket peshë shtypëse të pushtimit e ndjenim thellë dhe na vinte ndërmend shprehja historike e mbretit Brenno të Galeve, kur pushtuen Romën para dymijë vjet : « Vae victis ! » mjer te mundunit ! Por romaket iu përgjigjën me shpatë në dorë dhe i mundën dhe i debuen Galet barbarë. Si do të pergjigjeshin shqiptarët ? Komunikatat italiane ishin entuziaste. Ne ora gjashte të mengjesit të 7 prillit, forcat italiane kishin sulmue Shqipninë në Durrës, Vlorë, Shëngjin e Sarandë.. Nuk kishte pasë asnjë qendresë të organizueme.
. Brenda dy orëve Durresi, Vlora, Shengjini, Saranda, ishin pushtue. Vetëm rreth njembëdhjetё bersajlere kishin mbet të vramë nga një shkëmbim të shtënash armësh. U muer vesh ma vonë prej qendresës vetmohuese të Mujo Ulqinakut. Ku ishin Mujo Ulqinaket e tjerë ?. Askush tjetёr s’e kishte shkrep pushkёn, sikur pёr hava. Po atë dite forcat italiane ishin nis drejt Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës, Fierit e Beratit, ku kishin hy të nesermën në mëngjes e ku i paskëshin prit me lule e duertrokitje (?). Pas tre ditëve Shqipnia ishte pushtue krejtesisht, kur italianët arritën në Korçë, prej ku Mbreti Zog kishte kalue në Greqi. Ushtria shqiptare asgjekundi. Populli i rëvoltuem tue kërkue armë e tue thirr për tradhëti. Dëpot e armëve bosh ! Topat pa gjylpana ! Gjthçka kishte marre fund ! (Këto i morem vesh ma vonë).
Le të kthehëmi te Shkolla Ushtarake e Romës. Të mbyllun prej dy javësh në fjetorët e tyne, vetëm në kanotiere e të mbathme, stundentët shqiptarë nuk dinin asgja nga këto që thamë. Pa radio, pa shtyp, pa asnjë kontakt, të ruejtun me karabinierë të armatosun, e të izoluem, nuk dinin si të vepronin. Një shok i tyne italian, arriti t’u çojë një pusulle ku i informonte se Shqipnia tashma ishte pushtue mbrenda tre ditëve, pa pushkë të shtime. Si ka mundësi ? Ne këto kushte, ata vendosën të zbresin një nga shokët me anë të çarçafëve, prej katit të gjashtë ku ishin. Ai quheëj Dull Osmani, kavajas, një kokëkrisun që ma vonë u ba aviator, nga ata ma të çmendunit. Dulla zbriti si majmun, dhe ashtu në të mbathme e kanotjere, u vërsul te një kiosk dhe i bleu të gjithë gazetat që gjeti, të reja e të vjetra. Kishin kalue pesë ditë pas pushtimit. Kur Dulla sosi në maje të pallatit ë kapërceu dritarën, iu vërsulën te gjithë dhe ia moren gazetat prej duersh si t’ishin njerëz t’egër, aq ishin të çoroditun nga lajmi i fshehtë që u kishte ardhë nga shoku italian.
– E pamundun të dorezohët Shqipnia pa shkue gjaku deri në gju ! Kishte thirrë Lek Vuksani, ky malësor i Dukagjinit. Kur gazetat u shpalosën para tyne ata nuk po u bësonin syve ! As qendresë, as gjak, as send tjetër. Veç tradhëti, poshtërsi, dobësi, frikacakë, lapanjozë. Ku ishte ushtria shqiptare, ndera e kombit ? Ku ishte Mbreti, trimi me fletë, shpëtmtari i atdheu ? Ku ishin oficerët shtamadhorë të Shqipnisë, që ata i adhuronin e i kishin si simbole e heroj ? Aq poshtë paska ra shqiptari, që i kendoi gjithmonë trimnisë, heroizmit, qendresës? Ku ishin stërnipat e Bardhylit, të Lekës së Madh, të Pirros, të Agronit e Teutës, të Batos, të Gjergj Kastriotit Skënderbeut ? Ku ishin Oso Kukat, Mic Sokolat, Buletinat, Idriz Seferat, Azemat e Shotat, Tringat e Norat e Shqipnisë ? Ku ishin Cerçiz Topujt, Themistokli Gjermenjët, Selam Musatë, Ded Gjo’ Lulët, Gjin Pjetrat, Prenk Bib Dodat etjerë ? Asim Zeneli, që ishte ma i moshuemi ndër ta, kishte folë randë e ashpër e kishte shpreh habinë se ku kishin përfundue ato komandantë lëgjendarë si Muharrem Bajraktari, Prenk Pervizi, Fiqri Dine, Hysni Dema etjerë. Po Mbreti Zog ? Aq keq të ishte katandisë Shqipnia sa mos me u duk asgjekundi as qendresa e ushtrisë shqiptare me në ball Mbretin, as e popullit trim e luftëtar? Diçka nuk ecte. Diçka kishte ndodh që kishte erë tradhëtie. Po kush vallë mund ta tradhëtonte atdheun e vet ? Terbimi i të rijve arriti kulmin kur ata lëxuen në faqet e para të gazetave emnat e disave që përshëndesnin hyrjën e Italisë ! Tradhëti, po, tradhëti ! Vdekje tradhëtarëve !
Menjëherë u mblodhën dhe krijuen grupin e « dorës së zezë » për eliminimin i gjithë tradhëtarëve që kishin emnat në ato gazeta. I pari organizim kundra pushtuesit e kundra atyne që shitën Atdheun. Këto sa thamë kёtu nё ket tregim jepёn pёr herё tё parё, siç vërtet ka ndodhë. U zgjodh dhe një komitet drejtues. Valentini ishte ndër kryesorët. Ai kishte gëzue gjithmonë simpatinë e shokëve për qendrimin fisnik dhe burrëror, për emnin e nderuem të prindit e të familjes. Dhe e kemi thanë, në krye të këtij organizimi të parë antifashist e patriotik të Shqipnisë ishin po ato shokë të ngushtë : Asim Zeneli, Valentin Pervizi, Lek Vuksani, Hamit Taga, Avdi Mati, Abdyl Këllezi, Fiqëret Hoxha, Shaban Blloshmi, Minella Naçe, Xhevat Hysa, Ernest Gjeçi, Stefan Bumçi, Ali Brahimi, Ali Ohri, Ndue Lala, etj. U ndane detyrat për vrasjen e tradhetarëve që u kishin dalë emnat në gazetat italiane e u caktuen me short të fshehun emen për emën për secilin. Njenit ndër ta i kishte dalë në gazetat emni i axhës. Ai e mori përsipër vetë eliminimin e tij. Nuk po і permend emnat e tyne. Sepse një gazetar italian që kishte miqësi me shqiptarët e Shkollës Ushtarake u kishte tregue se ato emna ishin botue prej vetë italianëve me u justifikue para oipnionit se shqiptarët i kishinn thirrë vetë me i shpëtue nga sundimit і mbretit satrap e tiran Zog, që e shtypte popullin shqiptar. Megjithatë ajo punë e kurdisun e false, u kushtoi shtrejt atyne. Sepse do të vinte koha që ajo lojë e kurdisun prej italianëve ndaj tyne do të paguhëj randë, sepse komunistët do të gjenin sebep për t’i pushkatue, burgos e internue. Në këto rrethana ai shorti i dorës zezë nuk u realizue sepse u vërtetue se asnje prej atyne nuk ishte shpreh në favor të pushtimit, veç kishte qenë një mashtrim i fashizmit italian, me çorodit shqiptarët dhe të huejt.
Mbasi morën vesh gjithçka, ata mbajtën një grevë urije treditore duke mos pranue me hanger e pi asgja. Komanda e Shkolles ishte alarmue, dhe i nxori nga izolimi por ua ndaloi liridaljën për dy javë të tjera. Ata mbanin uniformën e shkollës, por ua hoqën bajonetat e bukura që mbanin. Pastaj ata mundën me dale dhe erdhën me u takue me ne dhe me marrë sendët që kishin lanë në ruetje Gencit e Nikollës. Ateherë ne i morëm vesh të gjitha. Por historia e tyne nuk kishte përfundue. Shpirtnat aq të rëvoltuem filluen të gjajnë një far prehje, sepse u pa se politika ushtarake e boshtit Romë–Berlin, (Duçe–Hitler), ishte shkaktare e gjithë këtyne « anshluseve », që filluen me Austrinë më 1938, Shqipninë e Cekosllavakinë 1939, etj. Ishin fazat përgatitore të Luftës së Dytë Botnore, tue mos nënvleftësue maninë paranoiake të Duçes për rikrijimin e një perandorie sipas asaj Romake, me në krye atë vetë si udhëheqës i madh, Dux (Duçe).
Para tyne doli dhe një provë tjetër e vështirë, se cilës iu përgjigjën burrërisht. Italianët kishin vendos që gjithë studentët shqiptarë të shkollave dhe akademive ushtarake të banin betimin. Betimi do të bahej në oborrin ose sheshin e madh të Shkollës së Romës. Filluen provat për cerimoninë që do të mbahëj me ket rast, ku do të merrnin pjesë përsonalitete të nalta të hierarkisë fashiste dhe të qeverisë e ushtrisë italiane. Provat konsistonin në lëviszje të caktueme, parakalim, formimi i kuadratit të nxanesve shqiptare, paraqitje, përnderarm etj. Kishin ftue edhe disa oficerë shqiptarë të dalun prej këtyne shkollave, për t’i dhanë ma randësi ngjarjës. Komiteti i studentëve vendosi që provat të bahëshin të gjitha rregullisht deri në cerimoninë e betimit. U muer vendimi që në çastin kur do të lëxohej formula e betimit e duhej të përgjigjëshin: « Betohëmi ! ata nuk do të pergjigjëshin fare dhe të gjithë njeherësh do të hidhnin armët për tokë ! Ky do të ishte një akt heroizmi tepër i guximshëm e i bujshëm ! Do ta paguenin randë, por për ket s‘donin të ia dinin. Të ndodhte ç’të ndodhte. Provat shkuen në rregull, pritej veç se kur të zhvillohëj ceriminia e betimit. Por para se të bahej betimi i vertete, italianet vendosen te bajnë nje prove „generale“ (gjoja) të pergjithshme. Dikush kishte informue, pra spiunue ! Tradhëtarë ka gjithmonë ! Por shqiptarët nuk e kishin pikas ma perpara ket poshtërsi. Ata u paraqitën në ket të ashtuquejtun provë „generale“, që e dinin si formalitet, pra pa angazhim betimi, dhe ndoqën programin që ishte vendos prej komandës italiane. Por u doli një e papritun. Aty në t’ashtuquejtmën provë shohin praninë e disa autoritetëve të nalta fashiste, të qeverisë dhe gjeneralë të ushtrisë italiane. Gazetarë e fotografë. Aty ishte dhe kapiteni shkodran Luigj Mikeli me dy oficerë të tjerë shqiptarë. Ç’donin këta përsonaliete e gazetarë në provat ? Ç’po ndodhte ? Prova vazhdoi si e tillë, e kur duhej të pëzullohej sepse gjithçka kishte shkue në rregull, nga ana e formimit të kuadratit, ku studentët rrinin të rreshtuem në gatitu. U dhan urdhni „përnderarm !“ Gjithë trupa e studentëve u vue menjëherë në atë qendrim. Oficeri italian i caktuem, nje kolonel, foli se tani do të bahej prova e betimit, pra, se si ata duhet të përgjigjeshin kur të lexohej formula. Kjo qe një befasi ! Kurthë ! Si të vepronin ? Menjëherë e qarkulluen fjalën që askush të mos përgjigjej, të ulnin kokat por armët mos t’i hidhnin, me që kjo na qenkej një provë „gjenerale“. Keshtu, kur përfundoi recitimi i formulës, koloneli e çoj zanin e thirri të madhe : « betohuni !». Nuk u dëgjue as një za e ra një heshtje varri. Afro njeqind studentët e akademistët shqiptarë qendronin gaditu me armët në dorë por kokë ulun. Skandal ! Koloneli italian i drejtohët kapitenit Luigj Mikeli :
– Zotni kapiten, si duket këta nuk e kuptokan italishtën, ju lutëm të ua përktheni atyne shqip se si duhët të përgjigjen. Kapiteni ia kishte kthye :
-Në qoftë se këta nuk e kuptojnë italishtën, unë nuk e njoh fare !
Komanda, personalitetët dhe hierarkët fashistë u tërbuen. Filloi hetimi e bastisja e sallave, krevatëve, dyshekëve e raftëve, në të gjithë shkollat ushtarake ku kishte shqiptarë. U banë presione për të zbulue se kush i kishte organizue. Pa rezultat ! Pas do kohë u morën disa masa. Abdyl Këllezit i kishin gjet disa materiale komuniste dhe e internuen në Ventotenne, ku ishin mbyll disa udhëheqës komunistë italianë. Një nip i Musa Jukës vrau vetën në një hotel të Romës. Masa të tjera nuk u morën. U lejue vazhdimi i studimëve. Per Valentinin dhe grupin e shokëve të tij ishte viti i fundit i shkollës ushtarake të Romës. Jeta tashma po ndiqte rrugën e saj. Shqiptarët e Shqipnia, të zanë në befasi e pabësi, u detyruen t’i adaptohën kohës, për derisa nuk iu dha mundësia të luftojnë kundra okupatorit, ku faji ra i gjithi mbi Mbretin Zog, që në vend që t’i printe popullit kundra armikut pushtues, ia mbathi e iku dhe i la shqiptarët në baltë. Në këtë situatë të normalizimi relativ, studentët shqiptarë të shkollave ushtarake u lëjuen me vazhdue akademitë në armët përkatëse, kryesisht ne Akademinë Ushtarake të Modena-s, ma e randësishmja, dhe në ndonjë Akademi tjetër. U muer vesh se italianёt do ta mbanin ushtrinё efektive shqiptare ashtu siç ishte, me kuadrot oficerё, si dhe me uniformёn me simbolin e kunorёs sё Skёnderbeut. Ajo do tё qёndronte si e pavarur e pasive sa pёr formalitet.
Në Akademinë e Modenas
, 1941-1942
Akademia ushtarake e Modenas
Në qërshorin 1939, Valentini me shokë përfudojnë Shkollën Ushtarake të Romës, dhe në Shtator fillojnë ndjekjën e studimëve në Akademinë Ushtarake të Modenas, ma e randësishmja në Itali. Valentini zgjodhi armën e kalorësisë bashkë me Ali Ohrin e Stefan Bumçin. Të tjerë si, Asim Zeneli, Ernest Gjeçi, Ndue Lala, Fiqret Hoxha, Minella Naçe, Avdi Brahimi, Shaban Begolli, Nuri Nuçi, Hysen Hysa, etj. në armën e kambsorisë, Lek Vuksani në atë të karabinierisë. Avdi Mati Akademine e Marinës, dhe Dull Osmai atë të Aviacionit, e kështu me radhë të tjerët. Ata sigurisht ishin konviktorë dhe u jepëj liridalje të dielave. Me ket rast Valentini shkonte shpesh në Bolonja, qytet historik, i madh e i randësishëm, mjaft i bukur, ku kishte mundësi t’argëtohej e të njihte ndonjë vajzë të bukur. Kështu kaluen dy vjetët e Akademisë, pa ndonjë problem specifik, dhe në Qërshor 1941 ai diplomohët oficer më gradën nëntoger dhe caktohët me shërbim në regjimentin e kalorësisë « Lancieri Vittorio Emanuele II », me qendër në Bolonja. Ai priste të caktohej në Shqipni, si të tjerët, por tue qenë se ushtria shqiptare ishte e përfshi në atë italiane, emnimët jepëshin nga Ministria e Luftës e Italisë. Përfundimi i Akademisë dhe emnimi tij oficer, u festue me të madhe ne familjen dhe shoqërinë tonë në Tiranë, Laç e Skuraj. Në atë verë, baba e kishte mbajtë në Tiranë, ku ua kishte paraqit miqve e kolegëve të tij. Të cilët e përgëzuen dhe i uruen për vazhdimsinë e traditës luftarake të familjës. Kështu për Valentinin nisi karriera ushtarake me përspektiva të shkëlqyeshme. Kur doli oficer dhe u caktue në Bolonja zuni një dhomё me qira në shtëpinë e familjës Manini, ku pronare ishte Zonja Manini, e vejë, e cila jetonte me një nga vajzat, ma të renë nga pesë që kishte. Katër prej tyne ishin të martueme, ndërsa ma e vogla që kishte mbarue gjimnazin, vazhdonte universitetin për histori e letërsi. Ajo quhej Maria Gorizia, por e thirrnin shkurtimisht Gori. Ishte një vajzë e bukur, me një trup të përsosun « shtat selvi » dhe « sy si ulli e vetullat gajtan » siç këndon shqiptari. Sigurisht se midis dy të rijve lindi simpatia, dhe Valentini nuk mungonte për ta shoqnue dhe argëtue, duke mbajt respekt e mirësjellje prej fisniku. Ai kishte njohun vajza të tjera si në Romë ashtu në Modena dhe Bolonja, por kjo kishte fillue me i hy në zemër dhe shkurt me thanë shqiptarçe, e kishte zanë qymyri. Ai filloi ta marrë punën seriozisht dhe vendosi në vetvete se ajo do të bahej grueja e tij. Në këto rrethana, Valentini gjente rastin me e ftue bashkë me t’amën për darkë në restorantin e Pallatit të Oficerëve, një ndërtesë monumetale e vjetër, plot salla me objekte artistike, piktura dhe orendi të tjera me vlerë. Nuk kishte mungue edhe pjesmarrja në mbramje dhe ballo t’organizueme herëpasherë në raste festash zyrtare. Kështu ishte krijue një lloj familjariteti që nanë e bijë e kishin pranue. Kinematë asokohë ishin vendet ma të frekuetuem ku njerëzit kalonin disa çaste zbavitje me filma të ndryshëm. Me gjithë se ishte gjendje lufte, vazhdonin të jepëshin filmat amerikanë me artistë të njohun të Hollivudit. Valentini e çonte shpesh Gorin në kinema, me pëlqimin e s’amës dhe qejfin e saj si vajzë e re plot gjallni e pa paragjykime. Erdhi momenti që Valentini vendosi të ia shfaqte asaj propozimin e tij. Dhe në atë verë, një ditë, e ftoi me kalue mbramjën e darkën në një lokal veror me lulishte dhe orkestër. Nuk ishte hera e parë që i kalonin mbramjet në atë lokal, kafe-restorant, ku kishin shkue edhe me nanën e saj. Darka kaloi për bukuri dhe ata ndejtën edhe do kohë aty duke marrë pije freskuese. Në një çast Valentini nxierr nga xhepi një kuti të vogël të bukur tue iu lut që ta pranonte si dhuratë. Vajza kishte buzëqeshë dhe e kishte marrë kutinë tue e falënderue. Kur e hapi mbeti e befasueme dhe e mahnitun, aty ishte një unazë e bukur me nje gurë vëzullues. Propozimi ishte faktik, pa fjalë. Valentini gjithë emocion rrinte si në gjëmba, në pritje se si do të reagonte Gori. Por ajo buzëqeshi ambëlsisht me një « grazie » që tingëlloi në veshët e Valetinit si një sinfoni. Ai e mori unazën nga dora e saj dhe ia vuni në gishtin e dorës majt tue i thanë se e donte shumë dhe së a pranonte ajo të bahëj grueja e tij.
Oficer në armën e kalorësisë
Bolonja, qёrshor 1941.
Kemi harrue me tregue se edhe Genci, vëllai i dytë, kishte zgjedh karrierën ushtarake, atë të aviacionit. Ai vazhdonte Shkollën e Aviacionit në Forli, qytet afër Modenas dhe Bolonjës. Genci takohej e shkonte e vinte me Valentinin, dhe u njoh dhe me Gorin dhe familjën e saj. Kështu që ndodhte se ata shkonin e rrinin shpesh se bashku. Bile Gencit i kishte rastisë me e përciellë disa herë Gorin kur sherbimi ushtarak e pengonte Valentinin. Genci kishte hy ne atë shkollë po atë vit që Valentin doli oficer. Kështu që Valentini shkonte dhe e merrte Gencin të dielave për ta kalue ditën në shoqni të tij bashkë me Gorin. Gencit i kishte pëlqye vajza, dhe e kishte lavdërue Valentinin për atë zgjedhje. Jo vetmë se ajo ishte e bukur, por i përkiste edhe një familje të mirë, ku i ati kishte qenë oficer i policisë deri në gradën kolonel, po që kishte dek para pesë vjetëve. Lajmin për fejesën e Valentinit na e solli Genci gjatë pushimëve verore, bashkë me disa fotografi për ta njohun vajzën që ai kishte zgjedh. Në u gëzuem, e kryesisht mama dhe gjyshja, kurse t’im etit nuk i kishte pëlqye fort ajo punë, sepse kishte plane të tjera për Valentinin. Miqt e tij në Vjenë e Budapest i kishin kërkue të ua çonte atë djal, ku do t’i gjenin nje nuse të përshtatshme ndër familjet fisnike me të cilat kishin miqësi.
Gjatë asaj kohë të qendrimit në Bolonja, organizohëshin edhe gara me kuaj me pjesmarrjen e oficerëve të rij nga njësitë e kalorsisë të Italisë. Dihej se shumica e oficerëve të kësaj arme vinin nga familje fisnike me tituj : konta, markezë, baronë, alfierë, etj. Ne një nga këto gara të randësishme Valentini ishte dallue dhe kishte fitue duke zanë vendin e parë në podium. Atij iu dorëzue çmimi i caktuem nga vetë Duka i Bergamos, i Shtëpisë Savoia, Princi ma i randësishëm pas Princit trashëgimtar Umberto. Kështu që Valentini kishte fitue respekt dhe admirim në regjimentin e tij dhe në radhët e armës së kalorsisë. Sigurisht se e fejuemja, e bukura Gori, ndiehësh e lumtun për suksesët e Valentinin, me një mburrje të përmbajtun në vetvete. Ajo ishte një vajzë e urtë, e ambël e familjare. Të gjithë ishin gëzue në lagjën e saj për fejesën me atë djalë të pashëm e fisnik që i kishte ra për fat. Ana jo e pëlqyeshme e kësaj historie ishte lufta, që kishte kapërthye botën mbarë, dhe që rrezikonte Italinë, e cila kishte zgjedh lidhjen me Gjermaninë, krejt ndryshe nga Lufta e Parë, ku i kishte qendrue kundra. Kjo për politikën e gabueme të Musolinit, që u lidh me Gjermaninë në Boshtin Romë-Berlin, ku nuk vonoi dhe Hitleri mbeti i zhgënjyem, sepse fuqia e madhe ushtarake e Italisë e shpallun botnisht nga Duçja me fjalime bombastike, doli flluskë sapuni. E gjithë barra e luftës i ra në kurriz Gjemanisë. Këto ishin kushtët në të cilat zhvillohëj jeta e Valentinit e Gorit, të cilët i mbante shpresa se çdo gja do të rregullohej dhe ajo luftë do te merrte fund për t’i lejue njerëzit që të jetonin në paqë e begati.
Me gruen, Gorizia Mamin në Bolonja,1942
Kapitullimi i Italisë e pasojat
Tashti, mbas sa thamë, i vjen radha Valentinit, personazhi kryesor i këtij rrëfimi. Aventura e Valentinit nis qyshë kur ishte në Itali, ku kishte kalue rininë tue studiue e mbarue gjimnazin në Torino, Shkollën Ushtarake në Romë dhe Akademinë e Modenës në armën e kalorsisë. Siç treguem aty ai ishte njohun me vajzën bolonjeze Gori me të cilën ishte fejue. Gjate qendrimit ne Bologna, fillimisht kryente nje detyre prane komandes te regjimentit « Lancieri Vittorio Emanuele II ». Në maj 1942 gradohet toger dhe caktohët me detyrë në Merano ; qytet i vogël turistik në kufi me Austrinë. Gjatë qendrimit në Merano, ishte shkëput disa muej prej Gorit, por nuk i rrihej pa gjet rastin me shkue te ajo. Veçse do të ndodhnin ngjarje të tjera ku shërbimi në ushtri do të ndërpriste herëpasherë kontaktet e dy të rijve, që nuk u bahej të rrinin asnjë çast pa njenitjetrin e jo ma me javë, muej e vite. Ndërsa fati po kurdiste për ta plane ma të mbrapshta, që nuk mund t’u shkonin nëpër mend. Pas disa muejve stërvitjësh e manovrash në zonën e shkretinës të Pordenonës, regjimenti me të gjithë mjetët, u ngarkue mbi një tren special në stacionin e Pordenonës në drejtim të Romës. Ne fakt, regjimenti ishte caktue për në frontin e Libisë, për të kundërshtue përparimin e forcave aleate, që kishin zbarkue në Marok e në Algjeri. Tullumbacja e Musolinit për fuqinë e madhe ushtarake ishte shfrye. Ushtria italiane po pësonte disfata njena pas tjetrës dhe nuk i vlejti as ndihma e Hitlerit që çoi në Afrikën veriore trupa gjerame nën komandën e Felmarëshallit të shquem, Romel. Zbarkimi i Aleatëve në Sicili i kishte ndryshue planet dhe regjimenti do të vendosej në rrethinat e Romës. Natën kur u shkarkue Musolini me 25 korrik, regjimenti e kishte kalue në stacionin e Riminit, prej ku do nisej në mëngjes. Valentini nuk kishte pas mundësi për me u shmang në Bolonja sa me u përshëndet me të fejuemën. Të nesërmën herët treni u nis. Gjatë rrugës, populli nga Rimini deri në Romë, po i bante regjimentit një pritje e përciellje triumfale. Makinisti e kishte ngadalësue treninn kastile. I papëshkrueshëm gëzimi i njerëzve për rrëximin e Duçes, sikur po festonin për mbarimin e luftës. Ushtarakëve u dhuronin të gjithë të mirat e Zotit, përveç lulëve, sallame, proshute, djathna, pemë etj., të gjithë sende që nuk gjëndëshin në treg. Populli po i bante një të tillë pritje regjimentit si përfaqësues i Ushtrisë, e cila, sipas tyne, ishte faktori kryesor i rreximit të Duçës dhe si rrjedhojë edhe i rreximit të regjimit fashist. Me pak fjalë, entuziazmi i madh dhe gëzimi i papërmbajtun që kishte përshi qytetarët jepnin me kuptue sikur për Italinë lufta kishte marrë fund. Mjerisht, lufta e vërtetë ishte tue fillue, ajo luftë që Italia nuk e kishte njohun akoma, as nuk e kishte provue. Deri atëherë, lufta ishte zhvillue larg territorit nacional, tash e mbrapa Italia do ta kuptonte se lufta do të zhvillohëj pellambë për pellambë në territorin e saj e do t’ishte shumë ma e randë dhe e ma e tmerrshme se sa mendohëj e përfytyrohej.
Në qërshorin 1943 Divizioni i blinduem « Ariete » nën komandën e Gjeneralit Karbone (Carbone), ku gjendëj regjimenti i Valentinit, u caktue në zonën e Romës, nga ana e Tivolit, me detyrën e veçantë të mbrojtjes së Romës. Prej kuj ? … Askush nuk dinte çka me thanë, se nga vinte rreziku, a prej Aleatëve a prej Gjermanëve. Regjimenti i tij u caktue në rrethinat e Tivolit, pikërsiht në pikat ma strategjike në lindje dhe në veri-lindje të Romës Grupi i parë prej tre skuadronësh tankiste u caktue ne zonën e Montorsit, një fshat i vogël. Skuadroni i parë kishte urdhën të mbështeste në çdo rast nëvoje, plotonin e parë nën komandën e Valentinit. Plotoni i Valentinit ishte caktue në pikën ma të përparueme, pra ma të randësishmën e të rrezikshmën në gjithë rreshtimin e Divizionit. Ai kishte detyrën shumë delikate për me njoftue menjëherë komandën me anë të një motoçiklisti që kishte në dispozicion, për të gjithë informatat e nëvojshme ushtarake. Për me krye atë detyrë, ai kishte urdhën të ndalonte çdo mjet ushtarak e çdo autokolonë tue nisë motoçiklistin menjëherë me informatat e duhuna : numërin e saktë të mjetëve, mundësisht dhe të përsonelit, tonazhin e ngarkesat e mjetëve, nga vinin e ku shkonin.
Komandant plotoni tankist në betejën e Tivolit (Romë)
kundra gjermanëve, 8-15 shtator 1943.
Në Tivoli 8 shtator 1943
Beteja e Tivolit 8 shtator 1943
.
Valentini duhet të ndalonte vetë përsonalisht të kryqëzimi i rrugës çdo mjet ushtarak, pra, jo vetëm gjerman por edhe italian. Natyrisht duhet të sillej me shumë kujdes me komandantët e ndryshëm te kolonave, dhe të merrte me shumë kujdes informatat e nevojshme. Kolonat e mjetët e ndaluna mund të kalonin, vetëm kur të kthehëj motiçklisti me urdhnin përkatës të kalimit. Në ato kondita, ai e sistemoi mirë plotonin që komandonte. Dha urdhën që topi i njënit tank të ishte i drejtuem mu aty te postoblloku ku ndalëshin mjetët. Në rast të një rreziku apo vrasje, tankisti do të hidhte në erë mjetin e parë anmik, që ishte vetura e komandantit e autokolonës. Gjëndja ishte e acarueme. Mendohëj se Komanda e Naltë Italiane, kishte qëllim të mbronte Romën nga një anmik të papërcaktuem, por që opinioni i përgjithshëm e kishte pikasë : nga Gjermanët ! E pabësueshme ! Në fakt ishin hapë fjalë se Italia po rrështohej me Aleatët. Një kthesë e tillë, ose ma mirë me thanë, ajo « tradhëti » që po kryhej ndaj gjermanëve, do t’i kushtonte shumë shtrejtë popullit italian.
Të kthehëmi në Montorsi aty te kryqëzimi dhe postoblloku, ku ishte caktue Valentini, ku mund të shfaqej rreziku i parë i sulmit të anmikut. Kjo detyrë e posaçme i ishte caktue atij nga vetë Komandanti i Regjimentit të Blinduem, Koloneli Guido Raby. Koloneli kishte qene shok shkolle me baben e Valentinit. Kur dy eprorët e tij, Nënkoloneli Amiçi Grosi (Amici Grossi) komandant i grupit, dhe kapiteni Boçi (Bocci), komandanti i skuadronit u paraqitën te Komandanti i Regjimentit për të caktue detyrat, që në fillim, Koloneli kishte thanë se te « kryqëzimi », në pikën ma delikate, do të caktohej toger Pervizi, tue shpreh besim të plotë në të. Disa muej ma parë, me dy eprorёt e Valentinit, kishin lind mosmarrëveshje nga shkaku i një thyerje të disiplinës nga ana e tij, dhe e kishin denue me disa ditë arresti në shtëpi, kur ishte në Bolonja, shkaku i një vajze, ku, siç e treguem ajo vajzë ishte e fejuemja. Valentini u pajtue me eprorët tue lidh marëdhanje të mira me ta. U kishte diftue se ajo vajza ishte e fejuemja. Oficerët kishin mbet keq, pse nuk u kishte tregue ? Kokë shqiptari !
Ndërkohë, siç e thamë, hipotëzohej se ç’anë do të mbante Italia në një konflikt të mundshëm, kundra kuj ? Kundra Aleatëve apo kundra Gjermanëve Në atë detyrë të rrezikshme, ai pati rast të ndalojë katër herë mjete ushtarake gjermane dhe pesë-gjashtë herë mjete italiane të forcave fashiste. Sa herë ndalonte mjetet gjermane tue ngrit dorën nalt, oficerët gjemanë nervozohëshin e shprehnin pakënaqësi të madhe për vonesën dhe pengesat që u bahëshin. Në një rast një komandant gjerman kishte bërtitë
– Ç’asht kjo ? …Atje në Sicili po luftojne e vdesin… !
Në mbramjen e 6 shtatorit, komandanti i tij, kapiteni Boçi e njofton Valentinin që të bahej gati për të nesërmën. Sa të agonte dita do te largohëshin për në një pozicion tjetër. Aty u caktue një shok i Valentinit, italian, edhe ai toger e komandat plotoni, i cili ndoqi shembëllin e tij, i vendosë tanket po në atë pozicion e tue dhanë të njejtët urdhna vartësve. Ai ishte nga një familje fisnike kontësh nga Napoli e shok shkolle me Valentinin. U nisën duke dalë drita me 50 km në orë mbi autostradë, për ku ? As kapiteni nuk e dinte. Gjatë rrugës kapiteni lidhej me anët te radios me oficerët e tjerë. Valentini e kuptoi drejtimin, sepse i njihte ato vende. Po shkonin drejt liqenit Braçiano ku u vendosën jashtë qytetit të vogël po me atë emën.
Në mëngjesin e 8 shtatorit 1943, erdhi korrieri i dërguem urgjentisht nga Nënkoloneli Grossi, me lajmin befasues të shpalljes para botës të kapitulllimit të Italisë nga Marёshalli Badoljo. Aty ishte dhe urdhni për kapitenin Boçi, për t’u nis menjëherë e me u vendos në Montorsi, ku po drejtohëj një kollonë e blindueme gjermane, sepse kishin fillue luftimet dhe ishin shkatërrue disa tanke të skuadronit të dytë. Thuhej aty, që të vendosëshin në kurriz të kodrave të Montorsit për të mbështetë nga krahu i majt dy skuadronët e tjerë në luftim. Sa mbërritën atje, kapiteni i vendosi te tre plotonët në pozicione të volitshme. Skuadroni i dytë kishte pësue damtime të randa. Dy-tre tanke ishin hedh në erë. Kishte të vramë e të plagosun. Ç’kishte ndodh vallë gjatë mungesës tyne ? Hec e thuej se fati nuk lot rol në jetën e njerëzve. Ky ndryshim vendësh e detyrash do t’ishte fatal për italianin që zëvendësoi Valentinin në atë detyrë. Të nesërmen në mëngjes, para postobllokut ishte paraqit nje autokollone e blindueme gjermane. Oficeri rojës që zëvendësoi Valentinin, i del para veturës se komandantit gjerman dhe e njofton se ka urdhën nga komanda e tij që të mos ta lejojë me kalue. Në çast komandanti gjerman nxierr rëvolverin dhe e vret oficerin italian. Njesiti tankist i këtij, menjëhere ndërhyn dhe e hedh në erë veturën gjermane me gjithë oficerët. Ateherë një kamion gjerman ngarkue me dinamit lëshohët drejt postobllokut, tue e shkatërrue, dhe aty fillon ajo bëtejë që u quejt e Bëteja eTivolit. Plotoni tankist italian që qëlloi aty u çfaros. Kështu u ndez bëteja midis dy forcave kundërshtare, që deri para një dite ishin aleate. Divizioni i blinduem gjerman u shpalos dhe sulmoi nga të gjithë anët, kurse ana italiane kishte zanë pozicionet mbrojtëse. Stratëgjia e Komandës italiane doli e sukseshme dhe regjimenti pati mundësi t’i bajë ball sulmit të parë të fuqishëm të gjermanëve. Por kjo nuk mund të shkonte gjatë.
Gjermanët kishin tanke « Pantera », që vetëm mund të goditëshin në zinxhirët sepse predhat e topave të tankëve italianë nuk e shponin dot veshjën prej çeliku të tyne. Kështu u veprue, dhe plotoni i Valentinit mundi me bllokue disa tanke gjermane nga zinxhirët. Por gjermanët hodhën në sulm trupa të specializueme kundra tankëve. Ata u dilnin nga mbrapa mjetëve dhe vendosnin mbi anët e tankut disa pllaka dinamiti që hapnin një vrimë ku gjermanët hidhnin bombat e dorës me pasoja shkatërruese. Valentini i kishte dallue nga larg dhe kishte dhanë urdhën të gjuhej pa pushim mbi ta. Kështu gjermanët u fshehën në një kanal të thatë e nuk e ngrinin ma kokën prej aty. Në këtë mënyrë nga ai krah u përballue sulmi i anmiqve. Kjo bani që Komandanti i Regjimentit të lëshonte një komunikatë me anë të radios, ku lavderohej veprimi i kapitenit Boçi dhe i togerit Valentin Pervizit, që kishin arritë të bllokonin gjermanët në krahun e tyne, pa pësue damtime vetë
Kapitullimi i dytё
Papritmas ndodhi kapitullimi ose ai qё quhej armistci i dytё i Italisё. Me anë të radiove u dha urdhni që të pushohëshin menjëherë luftimet e të gjithë skuadronët të mblidhëshin në fushën e Tivolit, ku do të rreshtohëj i tanë regjimenti, jo vetëm me tanket por me të gjithë mjetët e tjera. Të gjithë ishin çuditë. Çdo të thoshte kjo ?…Përfundimi : Sipas një marrëveshje midis autoritetëve italiane dhe ato gjermane Regjimenti i Blinduem « Lancieri Vittorio Emanuele II », komplet, duhët të dorëzohëj me nderin e armëve !
Në atë grumbullim të jashtëzakonshëm u komunikue se nënoficerët dhe ushtarët ishin të lirë të kthehëshin në shtëpitë e tyne, kurse oficerët do të mbahëshin nën roje deri sa të vinte ndonjë urdhën tjetër nga Komanda e Naltë gjermane.
Para se të largohëshin nënoficerët dhe ushtarët, sëcili oficer e mblodhi repartin e tij për t’u përshëndet me ato djem të rij që kishin shërbye nën komandën e tyne. Ishin çaste tepër të prekshme. Edhe Valentini u nda nga ato djelmosha të mirë me lot ndër sy, tue i përqafue një nga një. Pas një ore fusha mbeti bosh.
Me këtë rast, Komanda e Regjimentit i dorëzoi sëcilit oficer një dokument (copëz letër) ku për Valentinin shkruhej :
– Toger Valentin Pervizi ka qendrue në regjimentin e sipërpermendun dhe ka krye plotësisht detyrën e tij deri në çastin kur Komandanti i ka dhanë urdhën të premë që ta quente vetën të lirë.
Si u shpërnda i gjithë regjimenti, gjermanët i vendosën oficerët në një kamp provizor të rrethuem me një gardh me tela-gjëmba, nё Fraskati, një zonë vreshti, pa u dhanë ushqime. Të burgosunit, rob lufte, ushqehëshin vetëm me rrush. Ndërkohe u muer vesh se gjermanët do t’i nisnin për në kampet e gjermanisë ato oficerë që nuk pranonin të shërbenin në forcat fashiste të Musolinit, që kishte krijue Republiken e Salos, pranë liqenit Garda. Tregon Valentini, se asnjë nga oficerët nuk e kishte pranue një propozim të tillë.
Gjëndja ishte kritike, mund t’i merrni në çdo çast për me i nis në kampin e Dakaut, për të cilin flitej. Valentini vet i treti me dy italianë, bij kontash, vendosën të ikin dhe arriten të arratisën kur ra nata e thellë, nëpër një kanal ujrash të pista që kalonte pranë rrethimit. Katër orë u deshën që ata të përshkonin ato njëzet metra kanal barkas, tue rrëshqit mbi baltën si kërmij, për të mos shkaktue asnjë lloj zhurmë. Rojët shetisnin poshtë e nalt për gjatë rrethimit, mu në buzë të kanalit. Ma në fund e kaluen zonën e rrezikut e ia morën vrapit drejt Romës ku hynë duke dalë drita. Kalimtarët habitëshin tue pa këto oficerë të baltosun që vraponin midis qytetit, tue ua ba atynë me gisht mbi buzë që të mbyllnin gojën. Ata arritën të banesën e njenit prej tyne ku u strehuen për disa ditë në Romë. Dy shokët i propozuen Valentinit që të shkonte me ta në Napoli ku kishin familjet e pronat, por ai nuk pranoi, sepse e kishte të fejuemën në Bolonja. Ma vonё a!i do tё kujtohëj se kishte gabue. Sepse tue shkue me shokёt ai sё pari siguronte veten. Pastaj me trupat aleate arrinte nё Bolonja ku bashkohej me tё fejuemёn. Dhe fati tij do kishte zhkue krejt ndryshe. Por siç e kemi theksue disa herё, vendimet e tij ishin tё paracatuem nga ajo forcё misteruioze qё ishte fati. Ai u nda për shokёve, dhe u nis pёr në Bolonja, me një udhëtim të rrezikshëm, tue u fsheh në vagonat e mallnave. Në Romë dy shokët e tij i kishin dhanë një revolver « Berretta ». Po ta pikasnin ashtu me armë dhe si disertor e priste pushkatimi. Kur zbriti nga treni dhe u përzie me udhëtarët e tjerë, morën vesh se mbi Bolonjën kishte kalue një bombardim i randë që kishte shkaktue me mija viktima. Kjo fatkeqësi kishte ndodh sepse kur ishin afrue bombarduesit amerikanë që quhëshin « kala fluturuese », nuk kishin ra sirenat e alarmit, sepse ushtarakët që kontrollonin « Radarët » kishin braktis shërbimin. Me pak fjalë, pas 8 shtatorit në Itali ishte krijue një pasiguri e shregull i madh. Së pakut ato që shërbenin te Radarët nuk duhët të ishin largue. Kjo shkaktoi mos sigurimin e popullsisë nëpër bodrumet, që tue qenë edhe ditë e shtunë kur bahej pazari, njerëzit kishin dalë për t’u furnizue me sende ushqimore. Rrugët e sheshët ishin mbush me popull, ku kishin ardhë edhe ato që ishin strehue në fshatnat për rreth. Kështu që bombardimi kishte ba kërdinë. Sigurish se Bolonja nuk kishte njoh gjatë luftës një ditë ma të kobshme. Edhe stacioni kishte pësue damtime të randa. Disa vagona me municione ishin hedhë në erë. Luftë hesapi.
Treni ishte ndalue pak jashtë qytetit, kështu kur pasëgjerët filluen me hy në Bolonja, u gjetën para skenave rënqethëse, me kufoma njerëzish kudo e rrenime të mëdha. Blloqe të tana pallatësh të rrezuem. Një tragjedi e madhe.
Valentini nuk kishte gjet kend në shtëpi, sepse familja e të fejuemës kishin shkue në fshat për ma siguri. Por kujdestarja që e njihte i kishte dhanë çelësin e apartamentit, ku ai mundi të pushojë pak, pas një dite tepër të lodhshme e të trishtueshme.
Të nesërmen kishte dalë në qytet drejt stacionit, ku ja i del përpara Gori, që i hidhet në qafë tue qa prej gëzimit. Ardhja e Valentini në atë situatë ishte për të një mbështetje e madhe. Gori u gëzue kur pa se shtëpia e tyne qendronte akoma në kambë. Të nesërmen shkuen në fshat ku qendruen disa ditë me familjen e Gorit. Por pastaj, ata vendosën me u kthye përsëri në qytet.
Bombardimet ajrore
Në Bolonja Valentini qendroi i strehuem prane familjs të së fejuemës. Në kushte ilegale, gjithnje ne rrezik për t’u arrestue.
Gjatë kësaj kohë, forcat aleate që kishin zbarkue në Sicili gjetën një qëndresë të fortë nga trupat gjermane, dhe iu desh që të pushtonin pëllambë për pëllambë territorin që mbante anmiku. Kështu që me ket front të ri të luftës, që e përfshiu Italinë gjatë dy vjetëve, italianët u gjetën para realitetit të hidhun që përban një luftë si ajo, që zvaritej për gjatë territorit të tyne. Për ata pikërisht tani fillonte e keqja me e madhe. Bobardimet u shtuen dhe kudo nuk shikoje gja tjetër veçse vuejtje e mjerime, mungesa dhe shregullime të çdo lloji, vdekje e tragjedi.
Valentini dilte jashtë shumë rrallë, vetëm kur paraqitej ndonjë nevojë e domosdoshme. Dy herë rrezikoi të arrestohej. Një ditë kur kishte hy në një dyqan për me ble një paqetë cigarësh, iu afruen dy milicë, që duke e shikue në fytyrë se ai e kishte moshën që kërkohej për t’u rithirrë në shërbim ushtarak, siç paraqitej në afishet e shumtë që mbushnin murët e xhamat e lokalëve, mbasi nuk kishte as dokument njoftimi, e morën dhe e çuen në një rrugicë qorre ku ishin grumbullue qindra të rij që ruhëshin nga agjentë fashistë kemishëzezë të armatosun deri në dhambë. Disa ruenin nga dritaret për rreth me armët të drejtueme mbi turmën, ku ishte përfshi dhe Valentini. Për fat, para se ta fusnin në grumbullin e të tjerëve, prej ku do t’ishte zor me dalë, kalon aty një kapiten që e njihte, shok shkolle, i cili kishte pranue me bashkëpunue me milicinë fashiste të Musolinit. Kur e pa Valentinin, menjëherë ndërhyni dhe e liroi. Një herë tjetër policia kishte bllokue rrugët për të arrestue disa njerëz të dyshimtë, por kishin harrue me ruejt kishën, ku Valentini u fut dhe doli nga një derë e dytë në anën tjetër të rrugës . Me ramjen e Musolinit në korrik, italianët kishin kujtue se ma e keqja kishte kalue dhe se do të vinin ditë ma të mira Ndërsa ajo ngjarje po sillte kaos, anarki e shkatërrime Në ato kondita Valentini dhe Gori vendosën të martohën zyrtarisht. Martesa u ba si në komune ashtu dhe në kishën e lagjes. Ky vendim u muer nga të dy të rijtë, tue konsidërue rreziqet e mëdha që vinin nga bombardimet e përditshme, që shkaktonin rrënime e vdekje. Se pakut, në qoftë se fati i tyne ishte me përfundue nën rrenojat e bombave, te vdisnin si burrë e grue.
Shkruen Valentini në shënimet e tij, se bombardimet ndiqnin njeni tjetrin, dhe se dy tri herë ai vetë kishte qenë në rrezik të vritej, kishte shpëtue kot. Një herë që ai e ndjeu zhurmën e madhe të skuadriljeve te « kalave fluturuese », desh të futej në një strehim aty afër stacionit, por ndërroi mendje e vrapoi deri te një pallat i madh, ku po hynin njerëzit, sepse ishte dhanë sinjali i alarmit nga sirenat. Por, nga që kishte shumë njerëz, përsëri vrapoi ma tutje dhe hyni në të parin strehim që gjeti, kur sapo nisi bombardimi. Bombardimi ishte shum i randë dhe kaloi në tri valë. Kur ranë sirenat e largimit të rrezikut, dhe të strehuemit dolen jashte, çka me pa ! Pikërisht në pallatin ku desh të hynte, që e kishte strehimin që zgjatej deri në rrugë, e mbahej si strehimi ma i sigurte, aty kishte ra një bombë njëtoneshe, që e kishte tejshpue rrugën e betonin duke ba kërdinë në të strehuemit e shkretë. Thoshte Valentini, ç’me pa ! Copa krahësh e duersh, kambësh e kafkash. I del para syve, thoshte, mbi asfaltin e rrugës, i hedhin nga duhma e shpërthimit, shumë larg plasjes, krahu delikat i një vajze me me gjithë oren e dorës në puls. Tmerr !
Por rrezikun ma të madh do ta kalonte të shtëpia ku rrinte me familjen e grues. Ishte natë e njerëzit kishin ra me fjetë. Kur, ja krisen sirenat e të gjithë u turrën poshtë shkallëve për t’u strehue në bodrumet. Bombardimi vazhdoi gjatë dhe ato i ndienin tronditjet e mëdha që shkatonin bombat që po binin aty afër. Kur ranë sirenat e kalimit të rrezikut, e u nisën me dalë, e panë vetën të bllokuem. Ishin shembë pallatet për rreth dhe e kishin bllokue strehimin e tyne. Rrezik të vdisnin të asfiksuem nga mungesa e ajrit. Ishin shtri të gjithë përdhe të velanitun. Valentini kishte mundë me durue ma tepër, ndërsa e shoqja tashma pushonte në krahët e tij e mezi merrte frymë. E ama ishte shtri për tokë si e vdekun. Ashtu dhe njerëz të tjerë. Çaste dramatike ! Të pafuqishëm për çdo veprim, vetëm prisnin, mos dikush u vinte në ndihmë. Dhe ja, per fatin e tyne, u dëgjue zhurma e pistoletave të shpimit, dhe pas pak, fishkëllima e ajrit qe nisi të hyje nga një vrimë që kishin hap punëtorët. Kjo e bani me mendue Valentinin. Ne kete gjendje lufte qe nuk i dihej fundi, a nuk do t’ishte ma mirë me u kthye në Shqipni, ku i kishin thanë ishte krijue nji qeveri kombëtare, dhe siduket kishte qetësi ? Një shok i tij i shkollës, që e kishte takue rastësisht, i kishte tregue, se ç’bante ai aty ? Të atin e kishte Ministër të Mbrojtjes. Pasunitë e shtëpitë i kishin atje. Ai vetë do të nisej sa ma parë, por i duhej të shkonte në Torino ku kishte të shoqen.
Udhёtim pa kthim
Përveç bombardimëve ai ishte në rrëzik të kapej prej gjermanëve ose fashistëve. Pas disa ditësh vjen dhe e takon një shok tjetër, Nuri Nuçi, i cili po nisej me të shoqën për në Shqipni. Edhe ky i foli si i pari. Valentinit iu mbush mendja, por si me ia ba për dokumentat ? Në bashkëpunim me Nurin, qё njihte njё person qё merrej me fallsifikime, u pajisёn me pasaporta si studentë, me emna të tjerë nga ato që kishin. A do ti se iu dha e drejta nga vete komanda gjermane dhe morën vizat e rregullta. Edhe Nuri ishte martue me një italiane, të cilën do ta merrte me vete. Keshtu u vendos. Ne fakt Valentini desh të ia mbushte mendjen Gorit qe ajo të mos nisej me të, por ta priste në Bolonja, ku ai, sapo të mbaronte lufta do të vinte ta merrte. Gori nuk pranoi dhe kështu ata vendosën të merrnin udhëtimin për në Shqipni të dy bashkë. U nisën në muejin gusht 1944. Në rrugëtimin e tyne u ndalën në Verona, ku Gori kishte një motër të martueme me drejtorin e filiales së Mondadorit. Burre e grue u munduen me ua mbush mendjen të mos shkonin në Shqipni. Bile të qendtronin tek ata sa te donin, deri sa te merrte fund ajo lufte e mallkueme. Por jo ! Fati i tyne ishte tashma i caktuem. Fatit nuk i ikën dot. U ndanë nga miqtë me shumë merzi. Sikur ua ndiente zemra se nuk do shiheshin ma kurrë. I hypën trenit e sosën në Vjenë, ku u desh të paraqiten në polici. I priti një oficer gjerman, të cilit i thanë se kishin vazhdue studimet në Universitetin e Napolit, por nuk mund të shkonin, sepse atje ishin trupat aleate. Prandaj ma mire për ta ishte me u kthye në vendin e tyne në Shqipni.
– Mirë, u kishte thanë ai oficeri, por deri në ditën e nisjes jeni të detyruem me u paraqitë çdo ditë. Dhe mund të niseni vetëm kur të na vijë autorizimi.
Ndërkaq ata filluen të marrin informata mbi gjendjen në Shqipni, nga shqiptarё qё ishin largue qё andej, sepse në Itali nuk kishin pase asnjë mundësi me marrë vesh gja, ku as radio as shtypi nuk jepnin lajme për Shqipninë. Pas dy javësh morën vesh se kishin ardhë aty disa shqiptarë. Shqiptarët që takuen u treguen se se gjendja atje ishte si mos ma keq. Nuk mjaftonte lufta kundra pushtuesit, por kishte nis lufta midis kundështarëve politikë, pra lufta civile, e shkatueme nga komunistët për me marrë pushtetin, ku kishin fillue me ba krime. Nga sa dëgjuen, ata vendosën me u khtye dalë dhe prandaj shkuen në Konsullatën italiane ku u thanë se pa autorizimin e policisë gjermane nuk mund të kthehëshin në Itali. Shkuen në Polici dhe e takuen po ate oficerin e parë, me shpresë se do t’i lejonin me u kthye në Itali. Oficeri i priti me nji nenqeshje ironike :
– Mbasi nuk doni të vazhdoni udhëtimin e nisun, jeni të detyruem me zbatue ligjet në fuqi të shtetit tonë. Prandaj do tё punoni ku të ju caktojnë autoritetet vendore. Në qytet nuk ka vende pune, prandaj duhet te shkoni të katërt si jeni me punue në fabrikat tona në perifëri të qytetit, ku do të paguheni mire të shtunën e çdo jave. Nesër në mengjes pres përgjigjen përfundimtare.
Sipas informatave që morën, fabrikat bombardohëshin vazhdimisht nga flota ajrore amerikane. Të nesërmen shkuen e i thanë atij oficerit të policisë se ata s’kishin nëvojë me punue sepse kishin me se të jetonin. Ai u përgjigj në mënyrë të preme :
– Ju në këtë çast duhet të zgjidhni, ja me vazhdue udhëtimin për në Shqipni, ja, në të kundërten, brenda tre ditëve due të ju shoh të regjistruem në fabrikat ku do të caktoheni. Nuk ka tjetër zgjidhje.
Po tё kishin qenё pa gratё, ata do tё kishin pranue tё punonin nё ato fabrika, e tё shtynin ditёt pёr tё gjet njё mundёsi qё tё kthehёshin nё Itali, edhe në forma tё fshehta e me çdo lloj mjeti, deri dhe mё kambё. Lajmet qё kishin marrё pёr Shqipninё ishin tepёr tё kёqija. Por s’kishte tjetër zgjidhje. Kёshtu qё u detyruen t’i nёshtrohёshin situiatёs e t’i komunikonin atij oficerit se përsa morën vesh ata prefëronin të vazhdonin udhëtimin. Oficeri shtoi se ata duhët të prisnin « Leje-kalimin » që duhët të vinte nga kushëdi se ku. Ajo « leje-kalimi » erdhi pas dy muejve, gjatë të cilëve iu desh të shisnin disa sende me vlerë tё grave për të shty ditët ne atë qytet të bukur e madhështor. Por që s’u doli mikpritës. Për bela Valentini s’kishte asnjë njohuni për miq e t’atit, as adresë as emna. Që patjetër do t’i kishin ndihmue, se ishin me detyra të nalta. Njeni prej tyne deri dhe felmarëshall. Po kush se ? U nisën. Morën trenin për Zagreb. Qyteti ishte mjaft i bukur e ndahëj në qytetin e vjetër e qytetin e ri. Ky i fundit kishte shumë ndërtime të stilit vjenëz, bile teatri ishte nji kopje e teatrit të « Operas » së Vjenës. Nuk dalluen shenja shkatërrimi, siç ishin mësue me pa në Itali, sepse Zagrebi nuk e kishte njohë luftën, veçse dukej si një qytet i braktisun, sepse kishte pak qarkullim njerëzish.
Nuk munden me vazhdue për në Belgrad sepse urat e trenave ishin shkatërrue prej aviacionit amerikan. Prandaj të nesërmën u kthyen në Vjenë, prej ku u nisën për në Budapest, ku treni u ndal dhe pastaj u nis në drejtm të një nyje hekurudhore në veri të Jugosllavisë, për në Esseg, e prej këtu në Belgrad. Në Esseg u detyruen me zbrit, pse kishte alarm ajror, por pjesa ma e madhe e ushtarakëve ndejti në tren. Avionët kaluen mbi zonën për me shkue me goditë objektiva të tjerë. Kështu pas pak u nisën përsëri, dhe arritën në Belgrad. Belgradi ishte katandisë në gërmadha. Mungonin dritat, uji, gazi e çdo gja.. Gjatë atyne tre ditëve që ndejtën aty takuen disa italianë që i këshilluen të mos shkonin në Shqipni, sepse atje ishte ma keq se në Jugosllavi. Belgradi ishte rrenue nga bombardimi i aviacionit gjerman, në ditë e para të pushtimit. Të gjithë ato shkatërrime ishin shkaktue në një natë të vetme. Sipas banorëve, në atë natë kishin humbë jetën mbi 27 mijë njerëz. E tmerrshme. Për çudi, i vetmi grataciel i qytetit prej 20 katesh kishte qendrue në kambë, i paprekun. Qyteti ishte krejt bosh. Rrallë dukej ndonjë kalimtar.
Krejt ndryshe nga këshillat e italianëve, pas tre ditëve qendrimi mes gërmadhave të Belgradit, të dy qiftët u nisën drejt Shkupit, me qëllim që me kalue në Greqi e me sosë në Athinë. Plani ishte mendue mirë por fati do tё vendoste ndryshe. Pas 40 km u desht të zbrisnin, sepse ura hekurudhore mbi lum ishte prishë nga bombardimet. U desh me kalue lumin me kambë e me arritë në qytetit Kralievo. Ma vonё do tё kujtohёshin se kishin gabue. Ata duhet tё ishin kthye me trenin nё Shkup, ku mund tё qendronin e tё gjenin njё mёnyrё pёr me kalue nё Greqi. Por nё atё situatё sikur truni u ishte bllokue. Pastaj edhe gjendjёs nё Shqipni, s’i jepnin fort randёsi. Nё fund tё fundit, do kishin tё banin me shqiptarё. Aq ma tepёr se ata vinin pothuej si tё huej nga qёndrimi i gjatё nё Itali pёr studime. Pastaj si oficerё akademistё, ata ishin nё gjendje t’i shёrbenin atdheut. Komunistёt shqiptarё, do ta kishin ruejt njё far burrnie, me e marrё parasyshё pregatitjёn e tyne. Kёshtu si mbetёn nё rrugё, të katërt siç ishin menduen të shkonin në qëndër të qytetit. E gjeten krejt bosh. Hynë në një lokal mjaft të madh, i mbushun me karrika e tavolina. Vendosen me kalue natën aty duke bashkue tavolinat e duke i mbajtë fare pranë valigjet. U kishin thanë se në atë krahinë lufta vllavrase ishte e rrebtë midis dy palëve politike, komuniste e nacionalistë. Sa që kur kalonin andej repartet gjermane nuk i trazonte njeri. Atë natë nuk i zuni gjumi nga frika se mos vinte kush me i vjedh. Të nesërmen dolën në rrugën kryesore me shpresë mos kalonte ndonjë mjet gjerman. Banorët u kishin thanë se pikërisht në atë periudhë kalonin shpesh mjete ushtarake gjermane. Pritën një kohë të gjatë aty deri sa erdhi një kollonë gjermane qe u ndal. Kamionët ishin pothuaj bosh e me pak personel. Siç dukej e siç thoshin njerëzit, po shkonin me marrë trupa e materiale në Shqipni. Të gjithë tashma e dinin se gjermanët po tërhiqëshin, ndonse me shumë ngadalësi. Njё gja tjetёr ishte se mjetёt gjermane nuk shkonin pёr nё Greqi, qё do tё kishte qenё njё zgjidhje e favorshme pёr ta, pёr tё kalue nё Itali. Sikur ishin mё tё vёrtetё nё dorё tё fatit, qё i drejtonte ose ma mirё me thanё u impononte tё vepronin nё kundёrshtim me dёshirёn e tyne.
Valentini e Nuriu, u paraqiten te komandanti me gradën kolonel, të cilit i treguen se donin të shkonin në Shqipni. Ai nuk kishte folë fare por u kishte tregue me gisht një mjet ku ata u sistemuen. Pas nji ore autokollona ishte nis. Deri atëherë, me përjashtim të dy rastëve alarmi ajror në tokën hungareze, ku ishin detyrue të zbrisnin dhe të shpërndahëshin ndër kaçubet e ferrat, e pastaj të hipnin përsëri në tren, nuk kishin kalue asnjë rrezik nga ndonjë sulm ajror. Kësaj radhe, pas dy orë udhëtim, andej nga mbramja, një avion gjuejtës i bardhë, sigurisht anglez, u duk pas një kodrine. Kollona u ndal e të gjithë zbritën, tue kërkue ndonjë vend pët t’u fsheh. Kur gjuejtësi filloj të mitralojë, Valentin me Gorin ishin fsheh pas trungut të një peme. I dëgjuen fishkëllimat e plumbave që u kalonin afër, duke ngrit pluhun e copa dheu për rreth. Avioni kaloi në anën tjetër për t’u kthye, dhe qifti gjthashtu kaloi në anën tjetër të trungut. Gjermanët iu përgjigjen me mitrolozat e tyne dhe me pushkë. Kësaj here plumbat kaluen ma afër e njeni kishte shpue peliçen e Gorit, por ajo nuk e kishte kuptue. Gjuejtsi kaloi dhe nja dy herë andej këndej e pastaj u zhduk. Nja katër a pesë mjete ishin damtue, një kishte marrë flakë, dhe dy ushtarë ishin plagos, por jo randë.
Nuk shkoi vonë dhe autokolona u nis. Vetëm pas një ore Gori e pa vrimën në peliçen e saj prej astrakani, që ishte një provë e rrezikut që kishin kalue. Udhëtuen gjith natën, por me frikë mos sulmohëshin nga ndonjë grup partizanësh, që vepronin në ato anë.
Ma ne fund arriten ne Prizren. Ketu moren vesh shume gjana, por nuk kishin tjeter mundesi kthimi. Nderkohe, Valentini u njoh me disa prizrenas qe kishin ndigjue për baben e tij, kur kishte qene ne Kosove, per organizimin e ushtrise dhe të forcave vullnetare kosovare në mbrojtje të kufijeve verior të shtetit etnik i krijuem pas pushtimit të jugosllavisë nga ana e gjermanëve. Ata i folën me admirim e vlerësim për gjeneralin, siç e thirrnin, dhe i ndihmuen kater udhetaret për ato dy ditë që u desht të qendronin aty. Patën fat të hypin në një tjetër kamion gjerman dhe pas dy dit udhetimi me ndalesa e pëngesa, arritën në Shkoder.
Mbrritja në Atdhé
Ishte 10 tetori 1944, kur Valentini e Nuriu me gratë e tyne zbritën diku në Shkodër nga kamioni gjerman. Nuri Nuçi u tha se aty pas Prefekturës kishte një kushri të tij. Pyetën dikën. Ajo rrugë i çonte drejt e tek një shesh ku ishte pallati i Prefekturës. Ashtu banë, dhe arritën te sheshi. Shiko për pallat e s’po shihnin asgja. Paskëshin ardhun gabim. Pyesin një kalimtar, e ky u tregon se ishin pikërisht para derës së Prefekturës. Kjo Prefektura ? Një ndertese kaq e vogël u quejtka pallat ? Nëjse. Ishin mësue me pa pallate në qytetët Evropiane, e koncepti i madhësisë këtu e humbte kuptimin e vërtetë e kalonte ne relativitet. Ndërkaq drejt tyne po afrohët tue buzëqesh një oficer.
– Më falni. Në mos gabohëm ju jeni Valentini, djali i Gjeneral Prenk Pervizit.
Valentini, i befasuem, ia kthen :
-Po, unë jam. Po ju zotni si me njohët e kush jeni ?
-Un jam Ded Lufi, qendroi në shtabin e gjeneralit. Të kam njohun në Tiranë, para tre vjetëve, kur ishi në një mbledhje oficerësh. Ju kishi ardh për pushimet verore. Po juve, ç’u ka prue këtu në ket kohë ? A nuk gjendëshi në Itali ? Pse nuk qendruet atje ? A po nuk dini asgja për babën e familjën tuej.
-Gëzohëm që u takova. Tani po e di se kush jeni. Po pse, çka ka ndodh me ta ? Unë s’kam si të dij. Tani sapo mbrrita në Shqipni me gjithë gruen. Kjo asht shoqja ime. U përgjegj Valentini si me çudi, tue i prezantue Gorin këtij kapiteni shqiptar që doli mik e besnik.
-Unë sapo vij prej andej i dërguem nga Gjenerali për me takue disa njerëz. Ai ka dalë në mal me shtabin e tij dhe asht bashkue me misionin anglez në Skuraj. Familja juej, gjyshja, nana e dy vllaznit, Genci e Leka, janë strehue te Nikoll Llesh Gjoka. Unë kam qenë do kohë me ta. Po me vjen keq, që keni ardh në një kohë aspak të përshtatshme. Asht fol për ju. Por askujt nuk i shkon mendja që ju të jeni në Shqipni. Përmatepër me gruen… Duhët të ruhëni dhe këtu. Sepse po ju diktuen gjermanët mund ta pesoni keq ! Ndigjo Valentin, unë do të kthehëm prapë atje te gjenerali, të cilin do ta njoftoj për ju. Me ket rast mund të shkruejsh një letër, se ia çoj fill e në dorë. Po… a e dini se këtu në Shkodër keni Gjomarkajt, kushrijt e nipat e juej ? Ejani me mue se po ju shoqnoj deri të shtëpia tyne. Por nuk mund të qendroj ma gjatë me ju, sepse me duhët me u nis patjetër. Keshtu foli oficeri, që u tregue burrë i vërtetë.
Po… si ti thuesh ketij lloj fati që i bani me u takue me të, ashtu rastësisht ? pas tre muej udhetim, por që dilte si diçka e paracaktueme? Ndërkaq ata u ndanë nga Nuri Nuçi dhe e shoqja. Nga ai çast nuk do të shihëshin ma kurrë. Fatet e tyne do të merrnin drejtime te ndryshme. Ajo që të ban me mendue asht dilema : nga doli ky njeri, Nuri Nuçi, që u ba sebep për ta sjellë Valentinin në Shqipni, ndërsa ai vetë në rastin e parë gjeti mënyrën me u rikthye në Itali pa telashe më 1945 e i shpetoi skëterrës mbasi e gremisi në skëterrë tjetrin ? Ishte ai thjesht një vegël e fatit, apo si të shpjegohët ndryshe?
Ata hynë në një kafe ku Valentini shkruejti shpejt e shpejt një letër për të jatin. Pastaj Ded Lufi mori një karrocë e i përcolli deri para shtëpisë së Gjomarkajve. Aty u përshendet me ta, por para se me u largue nxori një sasi napolonash dhe ja dha Valentinit. Sa u largue kapiteni, ata trokitën në derën e madhe. U doli një sherbëtor, i cili kur mori vesh se kush ishin i futi brenda e vrapoi të lajmeronte njerëzit e shtëpisë. Menjëherë erdhën dy vajzat e Kapidan Gjonit, Marta dhe Bardha, dhe tre djemt, Lleshi, Deda e Nikolla, më të cilet u përqafuen permallshëm. Hynë brenda në dhomën e madhe të pritjës, ku erdhi nane Mrika, kushrina e babës, një grue madhështore me kostum mirditor. U perfalën me të me dashuni. Pastaj erdhi vetë Kapidan Gjoni me Nduen, djalin e dytë. Djali i madh, Marku, ishte në studion e tij. Sa mori vesh, ia behu dhe ai dhe i takoi përzemërsisht. Kafe, raki, llafe. Marku u tërhoqi vrejtjën se si kishin guxue me marre atë vendim për me u kthye në Shqipni, ku gjithçka po merrte fund. Të gjithë ishin të befasuem e te çuditun. Si ishte e mundun ?
U bisedue për shumë gjana. Mbas do kohë, Valentini mori leje me u largue me Gorin. Asnjënit nuk i shkoi mendja se ku do të drejtohëshin këta dy fatkeqë ! Aq ishin të shastisun nga ky takim i papritun së që harruen t’i mbanin edhe për drekë ! Jo ma që ato do të rrishin aty si në shtëpi të tyne. Në fakt edhe Valentini, i çoroditun nga si kishin shkue punët, dhe i impresionuerm dhe emocionuem, bani gabim që nuk u kërkoi atyne që t’i vinin në ndihmë në ato çaste aq kritike. Kështu ata u larguen si të kishin qenë në një vizitë rastësore. Po ajo nuk ishte vizitë por fillimi i një drame që do të shkonte dita ditës tue u trasformue në tragjedi. Fati i kishte kurdisë mirë intrigat e veta. Dolën në rrugën kryesore të Shkodrës e arritën para Kafës së Madhe. Aty takohën rastësisht me Ernest Gjeçin, shok i ngushtë i Valentinit, me gradën kapiten. U perqafuen. U ulën në atë kafe. Ernesti ishte i alarmuem dhe nuk po u besonte as syve të vet. I njejti avaz. Ç’tu desht me ardhë në Shqipni ? E me nje grue italiane! A e din se familja, baba… ?
-Duhët të largohëni sa ma parë prej këtu. Gjermanën janë të inatosun ndaj Gjeneralit. Po ju diktuen, e keni keq ! Të marrim në telefon Lek Vojvoden. Tek ai duhët me u strehue, në Theth.
Ernesti i përcolli deri te komanda e xhanndarmërisë, prej ku u lidhën me telefon me Lekën. Ai ishte qark komandant i zonës së Dukagjinit e Malsisë së Madhe. Ai u tregue i gatshëm t’i marrë atje. Ranë dakord që të shoqërohëshin nga dy xhandarë. Ernesti bisedoi me ato të komandës e gjithçka u rregullue për t’u nis të nesermën në mëngjes. Atë natë qendruen miq tё Ernestit.
Të nesermën u nisën për në Theth, të shoqnuem prej xhandarëve. Ernesti vetë i përcolli deri në një far vendi. Kur arritën në Theth, festë e madhe. Lek Vuksani ishte shoku e miku ma i ngushtë i Valentinit. Burrë besnik, bujar, trim e oficer i zoti e me përspektivë. Kishte mbarue Akademine me Valentinin ne Modena ne armën e karabinierisë. Në atë kohë, Leka, me gradën kapiten, siç thamë, ishte komandant i xhandarmerisë për krejt Dukagjinin me qendër në Koplik. Në ket rast kishte qëllue në shtëpinë e tij në Theth.
Sa u largue Valentini prej Gjomarkajve, kur e mori vesh Marku, u bërtiti motrave dhe vllazënve, ku i kisin pas mendt ? Si ishin sjelle aq harbutçe. Si i kishin lejue me shkue ata të dy ? A nuk ishte Valentini i biri i daj Prenkes, pra kushëri yni ? Ku do të përplasëshin ata, kur Gjenerali me gjithë familje kanë marrë malin ? Kjo shfryemje e Markut i mobilizoi të gjithë, motra, vllazen e shërbëtorë me kërkue qiftin e sapo ardhun. Ata i ranë kryq e tërthuer Shkodrës, por askush nuk dinte me u thanë gja, sepse askush s’i njihte dhe askush nuk i kishte pa. Takimi me Ernestin dhe vajtja në shtepi të tij pa e dit njeri, i kishte humb gjurmët e dy bashkëshortëve. Ngjarjet ishin rrokullis aq shpejt, sa që ata sikur ishin zhduk ne hiç, me urdhën magjik. Ma vonë Marku e mori vesh se ata gjendëshin në Theth, e pat çue fjalë që të kthehëshin në Shkodër. Kur janë punët në dorë të fatit, s’ia del dot me marrë vendime vehtjake. Po të ishin kthye në Shkodër, do kishte qenë shpëtimin tyne, sepse nuk vonoi e kapidan Gjoni me Nduen u nisën pas gjermanëve për në Itali, e do t’i kishin marrë me vete.
Gori, e shoqja e Valentinit, e pëlqeu atë vend malor dhe ato sjellje e zakone. Natyra e bukur, njerëzit e thjeshtë e të sinqertë, shum të dashun e mikpritës. Ushqimi natyral e ujet te mrekullueshem. Ajri i paster dhe nje klime shume e volitshme. Koha qendroi e mire. Një vend ideal për turizëm. Dhe në të vërtetë do të kishte qenë një eksperiencë turistike e bukur, sikur mos të kishin ndodh disa ngjarje të shemtueme, prej arrogances kriminale të brigatave partizane komuniste, që po depërtonin drejt Shkodrës, Dukagjinit e Malësise së Madhe, me qellime pushtuese, ma të kobshme se ato të një pushtuesi të huej. E keqja po afrohej çdo ditë e ma tepër, e po rrezikonte vetë Lek Vuksanin e malësoret trima e patriotë. Doli problemi se si me shpëtue mysafirët. Duhëshin rikthye në Shkoder patjetër. Edhe Mark Gjomarkaj kishte telefonue që ata të zbrisnin në Shkodër samaparë. Po si ?… Komunistët qarkullonin kudo… Lek Vuksani do të qëndronte në mal, me forcat e veta, për një qendresë të fundit. Në keto rrethana u doli mik Prof. Kol Prela, i cili ishte përfshi në lëvizjen NCL si komuniste me pozitë drejtuese. Por njeri shum i mirë e i mençur. Ai e mori përsipër përcielljën e çiftit. Gori duhej të nisëj e shoqnueme prej disa malësorëve, burra e gra. Ajo do të paraqitej si një qytetare memece, që po kthehej në Shkodër te njerëzit e saj.. Kurse Valentinin e merrte përsiper ta shoqnonte vetë, që do të zbriste në Shkoder për detyrën që kishte. Veç pak ma vonë. Ashtu u veprue. Gori ra në Shkodër dhe u strehue te Gjomarkajt. Këtu ngjan ajo që përmendëm po të kishin qenë të dy në Shkodër. Kapidan Gjoni, vendosi të largohët nga Shqipnia me djalin e dytë, Nduen, dhe e ftoi Gorin të nisej me ta. Kjo nuk pranoi. Nuk bante asnjë hap pa Valentinin. Nga ana tjetër edhe Marku me Lleshin do të dilnin në malet e Mirdites, për të organizue qendresën kundër komunizmit. Familja do të strehohëj diku aty për rreth Shkodrës te disa miq besnikë. Me familjën do të rrinin dy djemt ma të rij Deda dhe Nikolla. Marku i dha një sasi të mirë parësh. Gori e mbetun vetëm, u strehue te nje mik i Ernest Gjeçit. Kjo ndodhi në fillim të nëndorit. Nga fundi i muejit zbriti dhe Valentini. Kol Prela, tregoi burrni të madhe, dhe arriti të kapërcejë çaste të vështira në atë udhëtim, të rrezikuem prej vigjilencës së partizanëve, që dyshonin për gjithçka. Në Shkodër qifti gjeti një dhomë te një familje. Disa miq shkodranë i kishin ndihmue. Shkodra kishte ra në dorë të komunistëve që kishin fillue arrestimet, burgosjet e pushkatimet. Çdo ditë në zallin e Kirit ekzekutohëshin me dhjetra burra, fajtorë se ishin njerëz të mire, patriotë e shqiptarë të ndërshëm, dhe krejtësish të pafajshëm. U kuptue dhe u pa haptas se komunistët shqiptarë po zbatonin një politike sllavofile, e në plan të parë ishte zhdukja e patriotizmit shqiptar dhe kryesisht të intelektualëve dhe familjëve të mëdha. Ne atё muej të dhjetorit ishte vendos gjendje shterrëthimi, nga Mehmet Shehu. Frika kishte kapërthye qytetin që ishte pёrfshi në kthetrat e terrorit, si të një përbindeshi gllabërues e gjakatar. Tmerri sa vinte e bahëj ma i madh. Pushkatimet ndodhnin jo vetёm nё lumin Kir por edhe brenda nё lagjet e rrugicat e qytetit. Mehmeti kishte « karta bianka », prandaj shpalli gjëndjen e shtetrrëthimit nё Shkodёr qё njihej si qyteti ma kundёrshtar i komunizmit. Për disa ditë rresht askujt nuk i lejohëj qarkullimi as ditën e aq ma pak natën. U krijuen disa skuadra të armatosuna partizane, që kishin urdhën të kontrollonin gjithë popullatën shtëpi për shtëpi. Këto skuadra ndihmohëshin nga një ose dy këshilltarë të çdo lagje. Këta këshilltarë që i njihnin mirë banorët, ishin komunistë e besnikë të regjimit, spiunë e zemërligë, vetëm me ba keq. Në ato ditë tmerri, qindra njerëz u arrestuen. Burgjet ishin plot për plot. Me ket rast disa banesa private u kthyen në burgje. Deri dhe kuvendi i françeskanë. Klerikët katolikë arrëstohëshin, torturohëshin egërsisht e pushkatohëshin pa gjyq. Dritaret e dyert e banesave të kthyeme në burgje mbulohëshin me kangjella hekuri. Dy burgjet e mëdha të qytetit nuk mjaftonin për gjithë ato të burgosun. Ishte java e fundit e dhjetorit 1944.
Arrestim e burg
Nuk kishte kalue një muej nga i ashtuquejtuni çlirim i vendit, kur nga mesi i dhjetorit në Shkodёr ishte vendos ky shtetrrethim i rrebtё. Çdo familje e qytetar duhët tё vinte emnin nё derё tё banesёs. Ndёrkohё gjithë qyteti ishte zbardhë nga bora. Valentini e Gori edhe ata ishin mbyll nё dhomёn e tyne. Njё parandjenjë frike i kishte mbёrthye sepse Valentini mbante akoma revolverin e tij « Browning“ e si me ia ba nё rast kontrolli. Fëmijët e shtëpisë ku banonin, e panë duke ardhë skuadrën e kontrollit dhe erdhën dhe i lajmëruen Valentinin e Gorin. Duke qenë se në ato ditë me borë u ishin qullë rrobat, kishin vendos një litar të fiksuem nga një faqe në tjetrën të mureve të dhomës, ku kishin shtri teshat e njomuna ndër to edhe pardesyja e Gorit.
Si t’ja banin me revolverin ? Nuk dinin se ku ta fshihnin. Valentini u ba gati ta hidhte diku nga dritarja. Po të ia gjenin, e merrte dreqi, aq ma teper kur të merrnin vesh se kush ishte. Dy tё shkretёve u kishte hy frika nё palcё. Partzanët kishin fillue kontrollin poshte, por këshilltari u kishte thanë të mos merreshin me atë familje por të ngjitëshin në katin nalt. Ai e dinte mirë se kush ishte Valentini. Zemër ligësia kishte fillue me ba punën e saj. E kështu ato filluen të hypin shkallët. Valentini ishte në kulm të tensionit. Po i rridhnin djersë të ftohta. Hapat po afrohëshin. Trokitje në derë dhe ja doreza po ulej. Në atë çast Gorit iu dha dhe e merr revolverin dhe e fut në xhepin e pardesysë si lagun. Partizanët hynë dhe filluen kontrollin. Nuk banë pyetje. Si duket s’e kishin lëxue emnin nё derё, dhe këshilltari s’u kishte thanë gja. Megjithëse qifti kishin pak tesha, kontrolli u ba i imtë. Një vajzë partizane ishte ngarkue me kontrollue. Tue levizë prek pardesynë dhe e shef se ishte i lagun e kalon tutje. Si mori fund kontrolli, ata dolën dhe filluen të zbresin shkallët. Valentini e Gori morёn frymё, i kishin shpёtue atij rreziku. Por jo tjetrit edhe ma tё keq qё do tё ndodhte. Këshilltari seç u tha partizanёve dhe ata u kthyen. Mbi derë ishte shkrue « Valentin Pervizi ». Si duket këshilltari zemër lig u kishte tregue se i kujt bir ishte Valentini. Një nga partizanët i kërkoj dokumentin e njoftimit dhe zbriti poshtë me gjithë të tjerët. Pas pak një çun u ngjit nalt e i tha Valentinit që ato partizanët e kërkonin poshtë. Valentini ishte i vetdijshëm se komunistët nuk do ta linin aq gjatë të lirë, dhe si duket kishte ardhë çasti. I gjeti partizanët tue pi kafe pasi kishin gëlltit nga nji gotë raki. I njejti partizan e pyeti se ç’e kishte Prenk Pervizin, pastaj i tha se duhët të shkonte me ta deri te Komannda për disa sqarime, prej ku me siguri do të kthehej persëri në shtëpi. Kjo ishte njё metodё e njohun e tyne pёr tё arrestue njerёzit si pa tё keq.
Tue e përmbajtë emocionin, shkoi te Gori që po qante tue u mundue me e qetësue. Si do t‘i vente halli Gorit, asaj grueje të huej e mbetun vetëm pa njeri pranë ? Ishte ndarja. Uliksi i ri, Valentini, po nisej pёr njё luftё, jo si e Trojёs, por po aq e rrezikshme dhe e stёrgjatun, qё s‘i dihej mbarimi as mundёsia e kthimit tё Penelopёja e dashun. E cila po mbetej fare vetёm nё mёshirё tё fatit. E huej nё njё vend tё huej. Të gjithë pjestarët e familjës ishin nën persekutimin e regjimit komunist, të dëbuem e te përdjekun, me shtëpi të djeguna e pasuni të grabituna, nga hordhitë komuniste partizane. Ajo nuk njihte askënd, as njihte gjuhën, as kishte me se me jetue. Si do t’i vente halli? Me këto mendime Valentini u përqafue me Gorin dhe u nis pas partizanëve. Kur arriten të dera e oborrit, ai partizani i parë i shprehu keqardhjen dhe i vuni prangat. Të gjithë kojshitë që po rrinin jashtë bashkë me Gorin, ja nisën me qa. Ishin çaste tronditëse edhe për ata, sepse rasti i tij ishte i veçantë.
Ma në fund arriten te komanda. Kryetari i Degës së Brendëshme e priste në zyrën e tij pas një skrivanije. Sapo e pa, i hodhi një veshtrim të vrengët e djallëzor dhe i foli me ironi :
– Malli për atdheun tand të ka shty me ardhë këndej apo jo ?
– Sigurisht ! u pergjigj Valentini. Dhe ai përsëri :
– Por si duket atdheu yt nuk të ka pritun mirë ? Ti duhet të ishe bashkue me partizanët e Italisë, për me dhanë edhe ti kontributin e duhun për kauzen e përbashkët. Si thue ?
– Nuk kisha ndërmend me lanë lëkurën time në një tokë të huej,vazhdoi Valentini.
– Ajo nuk asht nji arësye e pranueshme, përfundoi kryetari dhe u dha urdhën partizanëve me e çue në burgun e « Gestapos ». Ky burg ishte një banesë që gjermanët e kishin kthye në burg, duke e pajisë me biruca të ngushta prej betoni.
– Pa shiko, pa shiko, i tha drejtori i burgut, sa mori vesh se kush ishte dhe vazhdoi :
– E kam njohun babën tand, kur kryeja shërbimin ushtarak në garnizonin e Korçës, ku baba i yt ishte komandant. Ai ishte një njeri që gëzonte stimën e të gjithëve, përveç tonës, sepse nuk e pranoi ofertën që i bani udheqja jonë për me i dhanë njё komandë nё forcat të armatosuna partizane.
Ky drejtor ishte një fytyrë e keqe, e kur bisedoje me të i ngulte sytё nё tokё e s’e shikonte kurrë në sy atë me të cilin fliste. Të tillë tipa ishin krejtësisht të pabesë.
Ai ia hoqi prangat Valentinit dhe e përcolli me njё polic deri te dera e njënës prej dhomave të mëdha. Kur u hap dera e përfshiu nji mjegull tymi cigaresh dhe nji duhmë e qelbun me t’ardhë me vjellë. Valentinit iu desh të hynte aty i shtym me dorё nga polici.
Pjesa ma e madhe e atyne që ishin mbyll në atë dhomë ishin shkodranë. Kur ai hyni, e dera u mbyll me zhurmën e shulave të hekurta, pothuej se të gjithë sa ishin u kthyen me e shikue me vemendje e kurreshtje, sepse për ata ai ishte një fytyrë e re e papame e panjohun. Mbeti ashtu në kambë për do kohë, mbasi nuk po dallonte një vend të lirë për me u rreshtue edhe ai me të tjerët. Një prej tyne i bani me shej që të afrohej e të ulej pranë tij, ndërsa të tjerët shtrëngohëshin me lirue pak vend. Valentini ishte tepër i dëshpëruem, por mundohej me fsheh ndjenjat për mos me tregue gjendjen e randë shpirtnore të tij.
Ai që e ftoi afër tij ishte një kapiten e xhandarmërisë e quhej Pjetër Gurakuqi. I cili kur e mori vesh se kush ishte u tregue i përzemërt duke i dhanë kurajo. Mbas pak kohë, në pamundësi për t’u shtri, u mbështetën pas njeni për të fjet, ndërsa të tjerë kishin fillue me gërhatë.
Natyrisht, kur tё burgoàsunit të nesërmë e morёn vesh se kush ishte dhe si kishte ardhё me gjithё gruen italiane, u erdhi keq shumё. Atij iu desh t’i përgjigjej pyetjëve që i banin të burgosunit, sepse familja jonë ishte e njohun e veçanërisht im atë, që s’kishte shkodran që nuk e njihte, e po aty në atë qeli kishte nga ata që kishin shërbye me të. Iu desh të shpjegonte arësyet që e shtynë me braktisë Italinë e me ardhë në Shqipni me gjithë pëngesat e rreziqët që kishte përballue në atë udhëtim. Pjetri, e kishte pickue pakëz për me i dhanë me kuptue që të pëshonte mirë fjalët sepse mund të interpretohësihn për së mbrapshti, mbasi kishte spiunë të futun kastile nga komunistët të gatshëm për me raportue.
E vetmja e mirë ishte se dyshëmeja ishte shtrue me dërrasa, sepse ishte një shtëpi private e konfiskueme. Askush nuk ishte i pajisun me mbulesa për të kalue natën, sepse kur i arrestonin nuk i lejonin me marrë asgja me veti, dhe ishin të prangosun.
Të nesërmen Pjetri, si përgjegjës i asaj dhome, ua mbushi mendjen rojëve që të lironin një dhomë tjetër se aty ishin ngushtue si sardele e nuk shtrihëshin dot të flinin Ngjit me atë dhomë ishte një tjetër me materiale të ndryshme. Rojet bashkë me partizanët dhe disa të burgosun e liruen dhe kështu gjysma e të burgosunve kaloi atje. Pjetri e mbajti Valentini pranë. Kjo ua përmirësoi pak gjendjën.
Ditën tjetër, para se të binte nata, disa familje kishin arritë me marrë një leje të posaçme për me u sjellë veshje e mbulesa në burg. Edhe Valentinit i sollën nja dy batanije që e shoqja ia kishte dhanë një kojshije me ia çue, që e kishte vllanë në atë burg. Ishte dita e katërt e shtet-rrethimit që vazhdonte t’ishte në fuqi. Ditën e pestë shtet-rrethimi u hoq, kështu të dielën e parë u lejue takimi dhe të burgosunit patën mundësi të takohen me njerëzit e tyne pas sgarave të hekurta. Edhe Gori, pati mundësi të shihej me Valentinin nga larg pas hekrave. Ajo i dha me kuptue se dikush kishte ardh i dërguem nga i ati, midis shtet-rrethimit, dhe i kishte sjellë do pare dhe përshëndetjet e familjës, të mamës, gjyshës dhe të vllazënve, që qëndronin të fshehun në mal. Ai njeriu quhej Bibë. Valentini sa kishte ndigjue emnin e Bibёs e kishte kuptue se ishte fjala pёr Bib Brozin, një besnik i dërguem nga i ati, me mend se do. t’i gjente në Shkodër e ndoshta t’i merrte me vete për t’u bashkue me pjestarët e tjerë. Si kishte qenë e mundun një punë e tillë mes shterrëthimit ?
Duhet të kthehemi prapa për me tregue se si qendronte puna me familjen e Valentinit. Ai e kishte marrë vesh se i ati kishte dalë në mal ku rrinte me anglezët dhe se vllaznit, mama e gjyshja, ishin strehue te fisi shumë besnik i Nikoll Llesh Gjokës, në malin e Skurajt. Por ngjarjet ishin zhvillue të tilla sa që kontaktet ishin ba të pamundshme. Kur familjarët kishin marrë vesh ardhjen e Valentinit në Shkodër me gjithë gruen, ishin mërzitë tepër. Ç’e kishte prue në atë kohë aq të rrezikshme ? Si me ia ba me u lidh me ta ? Ata ishin vetë si mos ma keq, të fshehun e të ndjekun nga forcat partizane që kishin urdhën me i asgjësue. Anglezët ishin largue dhe shumë personalitete nacionaliste po ashtu kishin ik. I ati Valentinit ishte strehue edhe ai me disa besnikë në malet e forta të Kurbinit, ku e kërkonin ditë e natë brigadat partizane. Pavarësisht nga këto kondita aq të rrezikshme, im atë e kishte thirr një ditë Bibë Brozin, tue ia besue detyrën e vështirë me shkue në Shkodër dhe me u takue me Valentinin, të cilit do t’i dorëzonte edhe një sasi të mirë paresh. I dha edhe porosi gojore për disa miq dhe oficerë që kishin shërbye me të. Kështu Bib Brozi u nis dhe arriti në Shkodër ku ishte vendos shtet-rrethimi. Njohës i mirë i zonës dhe i shkathtë në veprimet, arriti të hyjë natën në qytet pa e pikasë kush. Atje kishte disa miq të tij, ku mori informata dhe e gjeti adresën e Valentinit, për të cilin mori vesh se ishte arrestue e burgos dy ditë ma përpara. Me shumë kujdes dhe pa e pa kush, shkoi te banesa dhe trokiti në derë. Gori krejt e trembun dhe e tronditun, kishte pyet italisht « chi bussa, chi siete ?» e Biba ishte përgjigjë « amiko, amiko, venire da gjenerale. Ajo e kishte hapë pakëz derën dhe Biba i kishte pёrsёritё « venire da gjenerale Pervizi » e Gori e kishte lejue me hy brenda. Njëherë brenda i kishte tregue (e fliste pak italishten) se ishte besnik i familjes e kështu u moren vesh. Ai i dorëzoi edhe një letër që kishte shkrue Genci, ku shpjegonte gjithë punët e familjës. Letrën Genci kishte shkrue italisht, në mënyrë që ta lexonte dhe Gori. Kështu ajo e mori vesh gjithë gjendjen e familjes dhe rreziqet qe e prisnin edhe në t’ardhmen prej komunistëve që kishin marrë në dorë pushtetin dhe kishin fillue me mbjellë terror kudo. Ndërsa Gori i tregoi Bibës gjithë historinë e udhëtimit deri në Shqipni e të arrestimit të Valentinit, dhe si ai kishte shpëtue për një qime që nuk ia gjetën revolverin, që do ta kishte rrezikue së tepërmi Biba ishte çuditë se si Gori ishte tregue një grue burrneshë dhe velete, që i kishte shkue mendja me e fshehë revolverin në pardesynë e lagun të varun mbi tel. Ai e mori persipër ta marrë me vete revolverin për të ia heqë havale Gorit, që dridhej nga frika. Ana ma e mirë e këtij aksioni guximtar të Bibës ishte se i dorëzoi një sasi të mirë napolonash kartmonedhë që e shpëtonin Gorin për një kohë nga gjendja e randë dhe e mjerueshme ku ishte katandisë. Biba i dha kurajo e shpresë, sepse ndoshta punët rregullohëshin mbas hovit të parë të masave shtypëse të komunistëve.
Ndoshta Aleatët ndërhynin. Ashtu siç kishin premtue, që gjendja të normalizohej, kishte vazhdue Biba, duke e qetësue italianën, e mbetun tashti në të katër rrugët. Atë natë Biba fjeti aty, sepse ishte teper vonë dhe prandaj aq ma i madh ishte rreziku. Por pa dalë mirë drita ai u largue. Gori mori pak kurajo nga ky takim qё e lidhte me familjёn e Valentinit, ku ajo tashma bante pjesё. Ajo i dha Bibёs edhe një letër të gjatë që kishte pasë shkrue Valentini për ne, ku tregonte gjith historinë e tyne deri kur kishin sos në Shqipni. Biba arriti t’u iki rojëve partizane dhe të kthehët te ne në mal, ku na gjeti te fshehun te fisi i Nikoll Llesh Gjokës, në një stan të ndërtuem kastile për ne, në pyllin aty për rreth, në një kohë kur edhe im atë qëlloi aty. Nga një anë u gëzuem, që Biba kishte gjet Gorin e nga ana tjetër u merzitën per Valentinin që e kishin arrestue e burgos. Të pafuqishëm siç ishim qanim hallim ma shumë të Gorit si një grue e re e huej, pa mbrojtje e pa mundësi jetese në ato kushte kur çdo ditë e ma tepër shihëj se komunistët kishin vendos me zbatue një politikë terrori, për me eliminue gjith shoqninë e vjetër që ishin formue në Evropë, tue mos kursye familjet e ndryshme qytetare e fshatare të dallueme për shpirt patriotizmi e traditat ma të mira shqiptare.
Pra në atë takim me Gorin te burgu,Valentini disi u qetësue kur mori vesh se ne kishin ra në kontakt me Gorin, duke i çue edhe një ndihmë të mirë për ato kondita, me anë të besnikut të madh, Bib Brozit.
Gorit n’atë kondita të vështira, e mbetun fillikat e vetëm,
i dolën shoqe të ngushta vajzai Fabiani, që u kujdësuen për të
gjithë kohën deri në ditën e riatdhësimit të saj n’Itali.
Njӫ ngushӫllim nӫ gjithӫ atӫ fatkeqӫsi
Tragjedi burgjӫsh
Valentini tashma i vetёdishёm se burgu s’do t’i shqitej prej kurrizit, i duhej t’i pёshtatej asaj gjendje. Në dhomën qё u lirue nga gjysma e njerëzve, të burgosmit u sistemuen ma mirë me ato pak gjana që kishin, tue zanë secili një vend prej katёr pëllambë. Në ket mënyrë mund të shtrihëshin me pushue e me fjet. Pjetër Gurakuqi ishte caktue si përgjegjës i dhomës. Ndërkohë Valentini kishte zanë miqesi me një mësues shkodranë, që i vlejti shumë, sepse në atë ambient e ndiente veten krejt të huej. Ai quhej Gjon Harusha. Atë e kishin arrestue kot si të gjithë të tjerët. As nuk i shkonte nëpërmend se pse. Kishte punue si mësues prej ma shumë se dhjet vjet e çmohëj si njeri i mirë.
Të burgosmit kishin kalue dy javë në pritje të njohjës së arësyes së arrestimit të tyne. Pritje e kotë sepse do të kalonn muej e muej pa i marrë kush në pyetje. Makina e diktaturës e kishte fillue punën e saj mizore. Herëpasherë i merrnin disa të burgosun nga birucat që gjëndëshin në katin poshtë dhe i çonin në zallin e Kirit ku i pushkatonin pa proces e pa asnjë pyetje. Arësyen e dinin vetëm xhelatët e Sigurimit. Këto pushkatime hynin në programin e spastrimit para se të fillonin me punue gjyqët speciale që do të banin kërdinë ligjore. Një oficer i sigurimit i kishte thanë në mirëbesim një të burgosmi që njihte, se ato spastrime quhëshin të nëvojshme, për me eliminue të gjithë ata që dyshohëshin si të rrezikshëm ose që kishin dhanë prova si ishin të tillë, për të cilët nuk ishte nevoja të mbahej ndonjë proces ose gjyq. Logjikë staliniane !
Një të dielë, pasi takimit të dhimshëm të burgosunve me familjarët e tyne, Pjetri i ishte afrue Valentinit tue ndejtë për do kohë pranë tij i heshtun e krejt i tronditun. Kishte marrë vesh një lajm të keq, për të cilin ma vonë i foli. Një mik nga Berati u kishte thanë te vetëve se në Berat Sigurimi kishte thirrë njerëz të ndryshëm për të marrë informata të çdo lloj mbi Pjetrin.
– Ja, i kishte thanë Pjetri, nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të më çojnë në Berat për të më gjykue.
Ai kishte qenë në Berat si komandant i xhandarmërisë në kohën e gjermanëve me gradën kapiten. Gjatë detyrës ishte mundue me i ardhë në ndihmë popullit dhe kishte fitue simpatinë dhe besimin e qytetarve tue shpetue me dhjetra jetë të rijsh dhe tue evitue shkatërrimin e qytetit prej gjermanëve. Por sa pare ban.
– E di, kishte shtue, se beratasit do të dalin në mbrojtje time. Por çdo gja që bahët në favor tim me rrezikon ma tepër. Në sistemin komunist popullariteti për mirë asht një « minus » i madh. Prandaj, pikërsiht sepse kam një opinion shumë të mirë në Berat, që tani e ndjej veten të pushkatuem.
Nuk kaluen dhjetë dit dhe Pjetrin e morën dhe e çuen në Berat, ku, siç ai e parashikoi, e pushkatuen, pavarësisht se shumë beratas dolën dëshmitarë në favor të tij. Gijotina e diktaturës tashma priste koka njerëzish pa kursim e mëshirë.
Nga mesi muejt janar veç ku burgu u mbush plot me malësor nga anёt e Postribёs. Atje me 9-13 Janar kishte nisё njё kryengritje spontane nga fshatarsia e disa katundёve, e pa organizueme, me sulmue Shkodrёn. Fshtarёt ishin nis shumica pa armё. Forcat komuniste nёn komandёn e Mehmet Shehut kishin nderhy menjeherё tue e shpatallue ate lëvizje qyshë në lindjen e saj. Pati djegie shtёpishё, tё pushkatuem e tё arrёstuem, qё mbushёn qelitё e burgjёve. Edhe brenda nё Shkodёr u banё arrestime e burgosje intelektualёsh, gjoja si tё lidhun me kryengritёsit. Rroftё sebepi, pёr tё mbjellё terror nё atё qytet.
Ma vonё sollёn nё burg disa prej tyne qё i shpёtuen pushkatimit. Ndёrta nje Osman Haxhia, qё nё gjyq kishte fol krenarisht pёr kryengritjën ku ai vetё ishte ndёr kryetarёt. Por nga ky qendfrim i hapun e burrnor e kishin denue me burg tё pёrjetshёm. Aty kishin sjell edhe intelektualin Sami Repishti denue 15 vjet qё pastaj e çuen nё burgun e Burrelit, bashkё me Osman Haxhinё. Kёshtu u shue kryengritja e Postribёs, qё ndёrkohё pllakosi Shkodrёn nёn terror. Valentini ishte i shqetёsuem pёr Gorin, e cila po pёrjetonte ato masa represive qё u kishin kallё tmerrin shkodranёve dhe sigurtisht edhe asaj. Por ja qё njeriu asht i fortё e i kalon vёshtirёsitё e tё keqiat.
Nё kёto rrethana në burgun e Valentinit nisi të zbatohej ligji i revolucionin francez. Pa dalë mirë dita dëgjohëshin hapat e rojëve dhe njerëzit i zinte ankthi. Hapej dera, dhe lexohëshin emnat e fatkeqëve që i priste vdekja. Të thirrunit çohëshin për të shkue si berret te kasapi. Sa tmerr kur shoku që kishe pranë degjonte emnin e çohej e vishej shpejt e shpejt, dhe ulej e përqafonte shokun duke i thanë në vesh :
– Mos na harroni. Mirupafshim në botën tjetër ! Njё ngushёllim i çuditshёm. Ishte njё bindje e vёrtetё. Me dek ishte me shpёtue nga kjo jetё e mjerё, me kalue nё njё botё shpirnore tё gёzueshme ku mund tё takohёshe me tё dashunit, shokёt e miqtё.
Valentinit i kishte ndodh sa herë që t’ia merrnin shokun pranë. Tashma burgu ishte kthye në një dhomë pritje tё vdekjёs për shumëkend. Emnat që thirrëshin kalonin nga dhoma në dhomë. Kështu i rastisi Valentinit të degjonte përsona që ai kishte njohun aty në burg. Sepse ishte hap fjala e ardhjës tij prej Italie në atë kohë të frikshme, dhe të burgosunit, miq e njohës së t’atit, vinin e dhe e takonin. Kryesisht ushtarakët, por edhe klerikët katolikë, si Gjon Faust, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Ndre Zadeja e të tjerë, që u pushkatuen. Burgu ishte vërtet një paradhomë e vdekjes. Herё pas here nё mengjes përsëritej e njejta skenë në të gjithë dhomat e qelitë e burgut. Askush nuk e ndjente veten të sigurtë për ditën tjetër. Bile banin shaka e talleshin se kuj do t’i vinte radha. Veçanërisht në dhomë e tij, Prof. Guljelm Deda që e thirrnin Lem, i cili kishte dellin e humorit. Ishte një humor që vinte nga thellësia e shpirtit për të largue ankthin që kishte pushtue të burgosunit. Hej thoshte Lemi, po jetojmë e po vdesim si ne revolucionin francez. Me një ndryshim që kokat s’na i shkurtojnë. Na i lajnë që nabare në botën tjetër të shkojmë me gjithë kaptinat.
Të mjerët që ishin caktue të flijohëshin i merrnin si kafshët, tue i shty para me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, pastaj u vinin hekrat. Ajo që e randonte ma tepër atmosferën e terrorit ishte se asnjeni prej fatkeqëve nuk e dinte pse pushkatohej. Ndodhte që vinte dikush dhe i pyeste aty jashtë në koridor, por jo që t’i shkonte mendja kuj se me ato dy tri pyetje kote ishte vendosë fati i tyne për t’i zhduk nga kjo botë. Ky ishte fillimi i terrorit të kuq, që në Shqipni do të zbatohej në mënyrën ma t’egër e makabër, duke ba kerdinë mbi shqiptarët e pafajshëm.
Në dhomën e tij i ra me u njohë dhe kalue me mjaft shkodranë, ndër të cilët Guljelm Deda dhe axhën e tij kolonel Lin Dedën. Vllaznit e Prek Jakovës, Dedën dhe Çeskun. Italianin At Jak Gardinin, Dom Nikoll Mazrrekun, mësuesin kosovar Zef Agimin, Prof. Angjelin Saraçin. Disa oficerë, kolonelë, si Gjysh Shëldia, Luigj Mikeli, dhe plot ushtarakë të tjerë me grada ma t’ulta. Ma vonë kolonelët Qazim Komanin dhe Fuad Dibrën. Ata, kolegë e miq të t’atit, e takuen menjëherë Valentinin me dashamirësi. I treguen se si ishin kthye nga Kosova në shtëpitë e tyne në Tiranë, mbas mbarimit të luftës. Ku s’kishte kalue shumë dhe i kishin arrestue. Po i nisnin për në Prishtinë sipas kërkesë se Jugosllavëve, ku i priste patjetër pushkatimi. Poshtërsia e komunistëve shqiptarë s’kishte kufi. Jo vetëm këto dy kolonelë të shquem, por edhe oficerë të tjerë që kishin shërbye në Kosovë, ua kishin dorëzue Jugollavëve. Si berret te kasapi. Kështu Valentini, tue qenë se mbahej aty kot si peng pa u gjykue, gjatë dy vjetëve, priti e përcolli nga ai burg me qindra bashkadhetarë që pushkatohëshin sipas një plani djallëzor të uhajtun nga revolucioni francez dhe ai bolshevik i Stalinit. Ku në krye të këtij terrori ishte një Ropersbierr shqiptar i pa skrupull e sadist si Enver Hoxha me „shokët“ e katilët e tjerë me të cilët hartonte listat e vdekjës. Valentini në gjithë atë pështjellim tragjik shpëtoi mirë që nuk iu shënue emni në ato lista. Si duket ishte akoma i panjohun nga banda e kriminelëve. Ose mbahej si peng prej t’atit, Prenk Pervizit.
Valentini i jetonte të gjithë ato emocione dhe tronditje e si gjithë shokët e tjerë, edhe ai rrinte në pritje të asaj që nuk mund të përfytyrohej, por që mund të ndodhte. Të gjithë ato bashkëvuejtës shokë të dashtun e miq, që një fuqi e kobshme vinte me i marrë tue i nda përgjithmonë prej të tjerëve, ishin ma tepër se vllazën. Dëshpërimi ishte i madh për zhdukjën e tyne në atë mënyrë barbare të pushkatimit, pa ditë sikur një arësye bajate e kote. Sakaq Ishte hap fjala se do të krijohëshin gjyqet speciale. Sëpakut të burgosunit do të kishin « privilegjin » të pushkatohëshin “zyrtarisht” me dokumenta. Guljelm Deda kishte gjet shkak për humor.
-Tashti po, gjyqi special ! Nder і madh ! Me pushkatim special ! Ku ta marrish ? Shën Pjetri e hap derën e Parrizit menjëherë për Shpirtnat specialë !
Nji ditë kishin sjellë në dhomën e Valentinit dy malësorë nga zona në kufi me Jugosllavinë. Njeni ishte i naltë rreth 1.90 dhe me trup të lidhun e muscoloz, me një fytyrë të rregullt që shprehte një natyrë të mirë e krenare. Ndërsa tjetri pak ma i vogël me një fytyrë të ashpër, që tregonte egërsi të madhe. I pari quhej Gjergj Luli e tjetri Gjek Marashi. Të dy nga Kelmendi, qendra kryesore e asaj krahine malore. Në dhomë ishte njeni që i njihte mirë, që quhej Pjetër, i cili i kishte pa nji ditë që i morën në pyetje në zyrën e burgut. Ai tregonte se ishin dy burra shumë trima dhe të besës, që rrallë gjëndëshin në botën e tanishme. Kishin luftue me trimni të madhe kundër forcave partizane, në orvajtjën për mos me i lane me hy në Malësi. Kur erdhën në fuqi komunistët, ato qёndruen në mal. Pas disa muej, nji ditë, komandanti operativ i zonës, u çon fjalë se kishte marrë urdhën nga nalt për me ua internue familjet dhe me ua djeg shtëpitë. U dha 48 orë kohë me mendue se si me vendosë : ose me u dorëzue ose me ndejtë të arratisun. Për rastin e dytë, masat ndaj familjëve të tyne do t’ishin të rrebta. Prandaj të vendosnin. Ata, për të mos lejue internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive, vendosën të dorëzohen me kusht që t’i pushkatonin, por mos t’i prekte kush me dorë as me gisht. Komandanti partizan e kishte pranue menjëherë kushtin se askush nuk do t’i cikte me dorë. Kështu u kishin tregue ata shokëve të burgut tue shtue :
– Ne jemi në pritje që të na pushkatojn. Dek se me dek, vdesim me ndërgjegje të qetë të shpetimit të familjeve e të shtëpive tona.
A do të ketë vallë njerëz të tillë akoma në botë, me aq forcë morale, me karakter aq të kalitun e shpirt vetmohues ? ?
Një ditë erdhën dy policë duke i njoftue se i kërkonte në zyrë drejtori për disa pyetje. Pas pak hypi nalt nji grup partizanësh që u zunë dorë për dore dhe filluen të hedhin valle e të këndojnë në paradhomën e shtrueme me dërrasa. Me ato këpucë me thumba hekuri merre me mend se ç’zhurmë banin mbi dyshemenë e drujtë. Ata vallzonin në rreth si njerëz t’egër të xhunglave afrikane duke bërtit sipas ritmit të një kange luftarake tashma të njohun :
-Te ura… te ura… te ura në Drashovicë… Gjimon to… gjëmon to,
… gjëmon topi i Italisë… ! Aq shurdhuese sa të burgosunit nuk merreshin vesh me njeni tjetrin. Ashtu vepronin gjithmonë kur ishte puna me torturue e me rrah të dënuemit, qё tё mos dёgjohёshin britmat e tyne nga torturat qё pёsonin.
Pas nji ore u hap dera dhe dy forma njerëzore u hodhën midis dhomës, si t’ishin dy thasë me zhele, aq keq i kishin katandis ato dy të shkretët sa mos me i njoh as shokët e tyne. Tue mos mujt me qëndrue në kambë, shkuen te vendet e tyne kambadorës. Ja pse ato hordhi barbare kishin krijue gjithë atë zhurmë, që askush mos t’i dëgjonte ulurimat e tyne. I kishin rrah me shkopij deri sa i kishin shtri për tokë si të dekun. Vetëm pas disa ditëve ata filluen të lëvizin pakëz. Në një çast Valentinit i ishte afrue Gjeka tue i thanë nëse e dëgjonte nji kangë që vinte nga jashtë. Dhe ne fakt degjohej nje kange e largët.
– Ajo asht nji shej me të cilin një kushri i imi më lajmëron se nesër në mëngjes do të na pushkatojnë.
Kur ra nata ai e luti Valentinin që të loznin një domino katërshe. Valentini thirri profesor Angjelin Saraçin dhe Gjon Harushën që të bashkohëshin në atë lojë. Luejtën deri natën vonë, deri kur Gjeka u tha shokëve ta falnin se donte me fjet. Ma vonë ishte çue e i kishte folë Valentinit :
– Shikoje Gjergjin se si asht katandis në gjumë. Gjergji ashtu siç ishte i shtrimë dukej krej i skuqun e i mbuluem me djersë. Kushëdi ç’andrra të tmerrshme e mundonin. Valentini deshi të pushonte, por nuk mundi me mbyll sy atë natë, sepse pati dhimbje të madhe në një vesh. Disa herë, gjatë natës, e kishte pa Gjekën që çohej dhe merrte leje me shkue në banjo, që gjëndej e mbeshtetun mbi murin e rrethimit. Por më kot. Edhe po të kishte pasë flatrat nuk mund të kishte ba asgja, sepse mbi terracën sipër ishin rojët me automatikë ndër duer.
Erdhën e i morën pa zbardh agimi. Kur njena nga rojet lexoi emnat, të gjithë u çuen në kambë për t’u përfalun me ta për herë të fundit. U përqafuen me lot ndër sy. Gjergji e hoqi trikon e leshit e puueme bukur qe mbante dhe ia dha Valentinit tue e falenderue që ia kishte uhajt. Fanela ishte e tij, por si njeri i mirë që ishte, ia dha në nji mënyrë qe rojet të mos e kuptonin që po ia linte si kujtim e amanet, sepse përdryshe Valentini mund të kishte pësue një keqtrajtim.
Kishin vendos t’i pushkatonin në një vend afër Shkodrës, pikërisht në Koplik, ku Llesh Marashi kishte luftue kundra forcave partizane të Mehmet Shehut mё janar 1945. Mbasi nuk ishte ma larg se 7-8 kilometra i kishin çue në kambë, sepse një ditë ma përpara i kishin njoftue gjithë partizanët e banorët përreth që të vinin për t’i pa se ç’ „kafshë“ ishin. Partizanёt ishin rreshtue nga dy anët e rrugës, të gjithë të rij e të reja partizane, me uniformat lecka lecka që bertisnin e shanin si të çmendun kundra atyne herojve të vërtetë, që nga ana e tyne nuk rrinin gojë mbyllun, por u përgjigjëshin me një fjalor të pasun sharjesh, drejtue veçanërisht regjimit bolshevik e atyne vajzave të marrosuna.
Kur i kishin çue në vendin e ekzekutimit, ku ishte mbledh gjith ai popull që i njihte ato të dy, i kishin mbështet pas një muri ashtu të prangosun. Gjeka ishte lakue në gjuejtjet e para, kurse Gjergji e kishte mbajtë në krahët e tij të fuqishëm deri sa të dy ishin rrëxue së bashku, me trupat shoshë me plumba.
Në kohën e pushtimit italian, dilte një revistë, në të cilën ma shumë se njeherë paraqitej fotografia e Gjergjit, si prototip shembullor i racës shqiptare, jo vetëm për trupin e tij atletik, por edhe për bukurinë e fytyrës me trajta të rregullta e të përsosuna. Por sistemi komunist ishte kundra çdo gjaje të bukur e fisnike, qoftë të përmasave të njeriut apo të përmasave historike, kulturore e të traditave ma të mira shqiptare. Po tregohej krejtesisht si një sistem antishqiptar e antinjerëzor.
Nuk kaluen dy jave dhe në qelinë e Valentinit, para se me dalë dita, erdhë e morën tre të tjerë kandidatë për pushkatim. Ndër ta një fshatar i quejtun Hasan Bërdica. Sa ndigjoi emnin e tij, u çue në kambë dhe u vesh . Pastaj u kthye nga Valentini dhe shokët e tjerë :
-Me thanë të drejtën, nuk e prisja një fund të tillë. Nuk e ndjej veten fajtor për asgja, sepse nuk i kam ba keq kërkuj. Por më sa po kuptoj, në librin tim asht Zoti që e ka vu fjalën fund. Të më falni nëse ju kam mërzit. Mirupafshim në botën tjetër !
Kjo ishte përshëndetja e zakonshme e të gjithë të denuemve me vdekje. Në oborr e pritshin gjashtë të tjerë të caktuem me vdekë. I përcollën me roje të forta deri të vendi ku do të bashkohëshin me gjashtë të tjerë të sjellun nga burgu i vjetër. I hypën në një kamion ashtu siç ishin të lidhun dy nga dy me pranga. Hasani që kishte mbetë vetëm dhe i fundit për me hyp në makinë, me një lëvizje të shpejtë ishte shkëput dhe ia kishte dhanë vrapit. Partizanët, të armatosun deri në dhambë, kishin mbetë të befasuem, por menjëherë kishin fillue me gjuejt mbi të breshëri plumbash. Por ai me shkathtësi duke u fut nëpër rrugicat u kishte shpëtue. Ishte një mrekulli, sepse nuk e kishte godit asnjë plumb, nga ato qindrat që u shprazën mbi të. Pas kësaj skene, makina u nis dhe të 12 viktimat e tjera iu banë fli idhullit komunist sipas ritit makabër që kryhej gati për çdo ditë mbi zallin e Kirit. Ndër këto të pushkatuem kishin ndodhë dhe dy prifta katolikë.
Përsa i përket Hasanit, Valentini e kishte marrë vesh nga malësorë të tjerë të sjellun në burg, se pas gjashtë muej qendrimi në mal, forcat e ndjekjës e kishin pasë rrethue në një arë misri, ku kishte krisë pushka dhe i shkreti Hasan pas një luftimi të rrebtë kishte mbetë i vramë.
Nji ditë që Gori erdhi me e takue Valentinin si zakonisht, i tha se disa miq e kishin këshillue që ai të shkruente biografinë e gjithë jetës së tij deri ditën e arrestimit që do t’i drejtohej Mehmet Shehut dhe nji kopje t’i dorëzohej drejtorit të burgut. Valentini iu vu punës dhe arriti të përpilojë autobiografinë e tij Pse duhej të bahej kjo punë e pse aq me urgjencë ?
Një agjent i Sigurimit i kishte tregue një shoku të tij, që ishte mik i familjes Pervizi, se organet e posaçme të sigurimit kishin qëllimin të kurdisnin një proces të sajuem kundër Valentinit, për ta dënue randë e ndoshta eliminue. Nga shumë akuzat e ngrituna njena ishte krejt qesharake : Valentini qenka dërgue në Shqipni nga ana e disa eksponentëve politikë në mërgim, të partisë së Legalitetit. Sipas akuzës, Abaz Kupi dhe Mehdi Frashëri e paskan thirrë në Romë, për me i propozue një mision special, atë të shkuemjes në Shqipni, për me i bashkue forcat nacionaliste në luftën kundër komunizmit. Valentin paskej pranue dhe sapo kishte ardhë në Shnqipni, paskej shkue në Kelmend, Dukagjin dhe Mirditë, ku paskej marrë pjesë ne luftime të përgjakshme kundër forcave partizane, etj. Me nji të tillë akuzë, edhe po të kishte pasë njeqind koka, do të ia kishin shkurtue të gjitha.
Sigurisht se Valentini nuk kishte si mos me u merzit e friksue ndaj atyne metodave kriminale të komunistëve. Gjendja e tij ishte si ajo e Damokleut me shpatën e varun mbi kokë në nji fije peni. Gorit nuk i shfaqi kurrë të tilla mendime tragjike. Ndërsa shokët e burgut i jepnin zemër. Nuk besonin se ato kurdisje do të arrinin qëllimin e tyne, sepse ishin tepër qesharake. Por me kriminelё tё tillё ç’far s’mund tё pritshe.
Riatdhësimi i Gorit Prek Cali
Koha kalonte dhe nuk jepte shenja të mira. Egërsia e komunistëve në vend që të binte sa vinte e shtohëj.
Një ditë prej ditësh tё fillimit tё marsit 1945 në qelinë e Valentinit sollën një burrë malësor shtatnaltë, dy metra e ma, i pashëm, me trajta të bukura të fytyrës e me një palë musteqe të thijme që i kishi hije. Ishte i famëshmi Prek Cali, krenaria e Malësisë dhe që mbahej si prototipi i racës iliro-shqiptare. Patriot e luftëtar trim e burrë mentar. Valentini kishte dëgjue për atë qyshkurë, dhe ma tepët kur kishte qëndrue disa muej në Dukagjin te shoku i tij i ngushtë Lek Vojvoda ose Vuksani. Prek Calit i takoi me zanë vend përbri Valentinit. U miqësuen shpejt sepse Preka ia kishte njoh t’atin dhe kishte pasë punë me të. Ai kishte një përshtypje të mirë për dhe e admironte për aftësitë ushtarake dhe përgatitjen e naltë që kishte. Pavarësisht nga gjendja e mjerueshme ku ishin, Valentini dhe të burgosumit kishin rastin të merrnin vesh se si ndodhi që u dorëzue, e kush, Prek Cali, ai burrë tashma lëgjendë e Malësisë. Megjithëse komunistët kishin marrë pushtetin dhe gjermanët e kishin braktisë Shqipninë, në Kelmend, kalaja e fundit kundër bolshevizmit, kishte vazhdue qëndresa nën udhëheqjen e Prek Calit.
Valentini nji ditë e pyeti atë malësor krenar me të cilin rrinte ngjit:
– Po si u dorëzove ? A nuk e dijshe se një njeri i randësishëm si ti, do ta kishte shumë të vështirë ose të pamundshme që të ia dilte me komunistët ? .
– Po, ke të drejtë, ishte pergjigjë Preka, por janë disa rrethana që më sollën deri këtu. Dhe ai kishte tregue çfar i kishte ndodhë. Aty ishin afrue dhe tё burgosun tё tjerё pёr me dёgjue rrёfimin e kёtij malёsorin tё famshёm
Pasi kishin marrë fund luftimet kundër forcave shumë ma të mëdha komuniste ne njerëz dhe armatime, shumë prej trimave kishin
qendrue në mal, për mos me u dorëzue. I përmendi ato dy malësorët, Gjekën e Gjergjin që u pushkatuen në Koplik. Ai vetë me nja dhjetë të rij trima kishin arritë të strehohëshin në nji shpellë të sigurtë në maje të një mali, tue jetue si harushat. Herë-pas-here njeni prej tyne shkonte me u furnizue me ushqime. Kështu kaluen disa muej.
– Tue hedhë vështrimin mbi ato djem të rij, më ngushtohej zemra nga dhimbja që ndjeja për ta, që kishin pranue me me shoqnue dhe bile edhe me dhanë jetën për mue.-
Një mëngjes tё mesit tё kallnorit ata e kuptuen se ishim rrethue. Si e kishin marrë vesh partizanët ? Sigurish i kishte sjellë dikush vendas që e njihte mirë zonën dhe se ku gjendej ajo shpellë. Komandanti i atij reparti special u kishte kërkue te dorëzohëshin. Po ata ishin përgjigjë me pushkë dhe luftimi kishte vazhdue disa ditë.
Ndërkohë, komandanti u kishte folë nga larg me za të naltë :
– Or Prek Cali, ta merrni vesh se jeni rrethue e nuk keni asnjë mundësi shpëtimi. Ku e kur mund të gjeni ushqime, ujë e municione ? Prandaj qëndresa juej asht krejt e kotë. Ju baj të ditun se në qoftës se nuk dorëzoheni, autoritetet e krahinës kanë marrë urdhën për internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive tueja.
PREK CALI
Atdhetar e luftӫtar, lӫgjenda e Malsisӫ.
Njeriu shembёll i besёs e burrnisё shqipt
Prek Cali kishte ndërhy me ia mbushë mendjen komandantit për të gjetë një zgjidhje, në menyrë që t’u falej jeta atyne të rijve që rrinin me të. I kishte thanë komandantit që të fliste me Mehmet Shehun se ata kishin vendosë me u dorëzue vetëm në dorë të Mehmet Shehut. Dhe Mehmeti erdhi vetë deri aty.
. – Po t’ishte për mue, thoshte Prek Cali, aty ne atë qeli, nuk do t’isha dorëzue deri në fishekun e fundit, por në atë shpellë mendova për jetën e atyne të rijve dhe për familjet tona. Kur erdh Mehmet Shehu, fola me të nga larg, tue i thanë se do të dorëzoheshim po të na kishte dhanë besën si burrat.
– Ai ishte përgjigj tue na sigurue se do të na falte jetën, edhe t’imen, mandej m’u drejtue:
– Po pse nuk u bane me ne or Prek Cali, dhe tashti do t’ishe një burrë i nderuem e hero i lavdishëm me dekorata te larta.
– Nuk kisha si me u ba me ju, që ishi lidh mish e thue me shkjetë e Serbisë, kundra të cilëve kemi shekuj që luftojmë.
Për fjalën e fundit, me ma fal jetën, mbeta i çuditun dhe nuk po i besoja veshëve, prandaj i thashë që ta përsëriste edhe një herë. Ai e kishte përsërit. Pastaj i kërkova që të mos na prekte kush me dorë, qoftë gjatë rrugës deri në Shkodër ose në qelitë e sigurimit. Edhe për këtë ai na siguroi. Kështu u dorëzuem. Na pyetën një nga një pa na prek, dhe djemtë i çuen në burgun e vjetër kurse mue këtu me ju. –
– Të përgëzojmë që ta paskan fal jetën, i tha Valentini dhe pas tij të burgosunit e tjerë.
– Sigurisht, Mehmet Shehu me ka dhan fjalën e nderit dhe nuk besoj se do ta haje. Preka si malësor ishte i bindun se Mehmeti do ta mbante besën. Valentin e të tjerët nuk ndërhynë për mos me e randue, por ndër veti ishin të bindun se Mehmeti s’do ta mbante atë besë.
Dorёzimi i Prek Calit kishte ndodh me 15 janar. Aty ne burg Prekёn e sollёn javёn e parё tё Marsit. Si kaluen dy javё, nё njё mengjes herёt pa sbardh dita, u dëgjuen zhurma e britma në koridor. Rojet tue hy në qeli të ndryshme lexonin disa emna. Të burgosunit ishin mbledh e mbulue në shtresat e tyne prej frike, ndërsa zemrat u rrihnin fort. Kush e kishte radhën vallё? U dëgjuen hapa të shpejta dhe pas pak dera e qelisë u hap me zhurmë të madhe. U duk aty një hije e zezë polici, që me një kandil vojguri ndriçonte një copëz letër që mbante në dorë. Cilët emna do të ishin shkrue në atë letër të zhubravitun ? Kur ja, polici pasi e afroi letrën nga sytë, ngriti kokën e thirri me za të naltë, Prek Cali ! Në qelinë e tyne kumboi vetëm ai emën. Të gjithë mbetën të tronditun. Por për Prekën vetë ishte ma e tmerrshme. Ai nuk e priste kurrë se Mehmet Shehu do ta hante fjalën e dhanë. Si malësor nuk mund ta konceptonte nji gja të tillë. Por ai harronte se Mehmeti nuk ishte si burrat e malësisë që kur jepnin fjalën e mbanin edhe me çmimin e jetës. Ai nuk ishte tjetër veçse një komunist gjakatar, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me thye besën e mos me mbajtë fjalën.
Ndërsa po përfalëshin për të fundit herë, i tha Valentinit në vesh :
– Po djemtë ?
– Jo, jo, nuk i gjen gja, ishte përgjigj Valentini me i dhanë kurajo. Sepse Preka mbante shumë merzi mos i pushkatonin dhe ato të rijtë. Duke dalë thirri :
– Ma bani hallall o burra ! Mirë u pafshim n’atë dynja.
Në koridor ishin edhe nandë të burgosun të tjerë të prangosun, me to dhe Dom Ndre Zadeja. I pushkatuen të gjithë te zalli i Kirit, që u ba tmerri i Shkodrës. Ishte 25 marsi, java e shejtё e Pashkёve.
Si asht e mundun, thoshte Valentini, që zgjedhin gjithmonë ma të mirët ? Po, deri në ato çaste kishin zgjedh veç ma të mirët. Nuk mund gjëndeshin fjalë pë të përshkrue gjithë këto krime.
U muer vesh ma vonë, se Prek Cali, dy vllaznit Beltoja, Dom Ndre Zadeja e një prift nga burgu i vjetër, ishin mundue me u dhanë kurajo shokëve të tyne deri në çastin e fundit të pushkatimit. Deri kur do të vazhdonte ky genocid i trashëguem dhe i urdhnuem nga mesuesi e krimineli gjakatar i Kremlinit, Josif Visarionoviç Stalini ?
Lufta ideologjike kishte nis dhe Zeusi tiranik shqiptar ishte nё krye e ushtrisё sё kriminelёve qё kishin shpёrthye terrorin e pёrgjithshёm, ndaj atyne qё konsidёrohёshin jo vetёm kundёrshtarё, por dhe burra tё ndёrshёm, patriotё dhe qё gёzonin admirimin, simpatinё e dashuninё e popullit pёr veprat e mira qё kishin krye ndaj Atdheut. Valentini tashma ishte pёrfshi nё kёto masa shtypëse, si pjestar i njerёzve tё mirё e tё pafajshёm. Ai po e kuptonte se i duhej me u forcue kryesisht shpirtnisht me i ba ballё egërsisë dhe masave drastike tё diktaturёs, pёrsonifikue nga „perёnditё e Olimpit“ komunist, qё e kishte selinё nё Tiranё, ku pёrcaktohej fati e njerёzve qё ata vendosnin me eliminue. E gjithё kjo pёr tё sigurue kolltuqet ose fronёt mbi tё cilёt rrinin pёr tё mbretnue pёrjetёsisht (sipas tyne). Sa do tё zgjaste kjo gjendje vetёm Zoti i vёrtetё e dinte (pse ishin krijue zotna tё rremё). Sidoqoftё Valentini ishte tashma nё rolin e njё Uliksi qё do tё pёrfshihej nё ato rrethana e kushёdi kur do t’i dilte mundësia me u kthye nё Itakёn e tij te Penelopёja e dashun.
E bukura dhe pӫrbindshi
Një tjetër punë që doli në këto rrethana ishte prania e së shoqës italiane në Shqipni. Ajo prani, sipas opinionit tё burgosunve dhe tё shoqnisё shkodrane, e komplikonte gjendjën e tij. Kishte dhe shqiptarё tё tjerё tё martuem me italiane, por nё rastin e Gorit pёshonte e ndikonte keq si grueja e tё birit tё Prenk Pervizit. Për atë arësye Valentinin s’do ta lironin, me pretekste të kota, pra nuk e honepsnin praninë e saj në Shqipni. Valentini mbahej peng jo vetёm si bir i Prenk Pervizit por edhe prej grues. Aq ma tepër se ajo binte në sy kudo. Jo vetëm se ishte e bukur, por edhe nga veshja, nga sjelljet e te gjitha shfaqjet e nji kulture dhe edukate të naltë, shfaqje që nuk mund të pranohëshin nga klasa injorante komuniste, dominuese e vendit. Ajo mishёronte atё botё tё qytetnueme, kapitaliste e borgjeze, sё cilёs komunistёt i ishin kundёrvue si njё botё e vjetёr qё duhej shemb.
Nga të gjitha këto rrethana, e këshillueme nga disa miq, ajo vendosi të shkojë drejt e të Mehmet Shehu, që kishte ardh në Shkodër. Kur ishte paraqit te dëzhuri, oficeri i rojës që dinte pak italisht i kishte thanë që të priste dhe kishte shkue me njoftue Mehmetin, se një grue italiane kërkonte të takohej me të. Mehmeti kishte pranue, dhe Gori u gjet në zyrën e tij, ku ai rrinte pas nji skrivanie të madhe. Si nё gjithё zyrat e pushtetarve, edhe nё faqёn e murit pas Mehmetit, qёndronte fotografia e Stalinit nё njё kornizё tё bukur, veshun si gjeneral, qё dukej se merrte pjesё nё atё takim, me njё nёnqeshje ironike, deri dhe sarkastike. Ç’donte ajo zonjё aty ?
Kur Gori hyni në zyrën e numerit dy të regjimit, ai nuk lëvizi fare nga kultuku ku ishte fundos. Ai e njihte mirë italishtn sepse kishte studiue në shkollën ushtarake të Napolit. Mbasi i hodhi një vështrim asaj femne të bukur që i rrinte perpara, e kishte ftue me njerëzi që të ulej dhe e kishte pyet se çfar e kishte shty me ardh aty.
– Si eshte puna zonje, nёse mund tё ju pёrgjigjёm ?
-Me falni per shqetsimin, zotni Gjeneral. Siç e shihni, une jam italiane, e martuar me nje oficer shqiptar. Nuk ka dy muej që kemi ardh ne Shkoder prej Italie. Une e ndoqa burrin tim me të cilin isha lidhun për të mire e të keq. Ai vetë nuk ka jetue në Shqipni sepse të gjitha shkollat deri kur doli oficer, i ka kryer në Itali dhe atje u caktue edhe me sherbim. Tue qenë se ai iku prej një kampi gjerman dhe rrezikohej, ne vendosëm të vijme në Shqipni për të gjet shpetim e me jetue normalisht. Sa gjetem një dhome për të banue provizorisht, ja që ndodhi fatkeqësia e madhe e me arrestojnë burrin, krejtësisht të pafajshëm, pa dhanё asnjё arёsye. Tani ai gjendët në burg. Kjo asht një padrejtësi e madhe, dhe unë kam ardh te ju lutëm për të ma lirue bashkëshortin e pafajshëm.
Mehmet Shehu, i kishte dëgjue me vemëndje fjalët e asaj zonje të bukur dhe elegante. Ai e mori me mend se diçka e padrejtë i ishte ba asaj, por, në kushtet e gjendjës së shtetrrëthimit, mund të ndodhnin edhe padrejtesina.
– Ashtu ?… Me falni Zonje, si quhet burri juej ? Pyetja ishte e drejtë.
– Valentin. Ishte pergjigj Gori me një fije za.
– Valentin ? Po kush Valentin ? kishte shtue Mehmeti me kurreshtje. Sikur e kishte ndigjue ket emën.
– Valentin Pervizi. Kishte shqiptue Gori me ankth të madh.
– Valentin Pervizi ? Mos vallë është i biri i Gjeneral Prenk Pervizit ? Mehmet Shehu ishte ngrys në fytyrë dhe u mbeshtet pas kulltukut për të prit përgjigjen, plot kurreshtje.
– Si urdhnoni zotni Gjeneral, djali i madh i tij me të cilin jam martue.
– Zonje e nderuar, ne vend qe te na falenderoni qe nuk e kemi pushkatuar, vini e na kerkoni lirimin e tij ! kishte folë Mehmeti me nje shprehje fodulle.
– Si keni paturpësinë të me përgjigjeni kështu ? Nuk e prisnja prej jush një të tillë shprehje ! Unë kërkoj drejtësi për burrin tim krejt të pafajshëm dhe ju me kërkoni të ju falëndëroj që nuk e keni vra ! Kjo s’durohët ! Ndërsa fliste ashtu, asaj i rridhnin lotët nga deshpërimi.
– Mos vallë kujtoni se do të na përmalloni me ato lotët e juej ? Kёto fjalё ranë tepër cinike.
Gori nuk kishte mujt me durue dhe i kishte fol krejt mllef:
– Në një farë mënyre e kisha marrë me mend një pritje të tillë, e denjë për një njeri si ju i pashpirt.
Sa kishte thanë ato fjalë ishte çue e kishte dalë duke e përplasë derën, ndërsa Mehmet Shehu ia kishte dhanё tё qeshurёs nga pas. Stalini nga muri, sikur kënaqej edhe ai nga ajo skenё ku spikaste arroganca e njё komunisti tё pa edukatё, tё pa shpirt e kriminel. Vёrtet njё bir i denjё i tij.
Kjo ngjarje u muer vesh dhe bani përshtypje te njerëzit për atë sjellje brutale të Mehmet Shehut ndaj asaj grueje fatkeqe. Por nga ana tjetër përgjigja e Mehmetit shprehte një të vërtetë, sepse Valentinin mund ta kishin pushkatue partizanët pa pyet kërkënd. Pa e marrё vesh as vetë Mehmeti. Dikush ia shpjegoi Gorit, por ajo nuk donte me ia dëgjue emnin atij krimineli.
Pasi mori vesh si kishte shkue takimi, Valentinit iu mbush mendja se Gori duhej të riatdhesohej sa ma parë, për një kohë. Ndoshta vinte ndonjë përmirësim i gjëndjës. Përdryshe nuk do ta kishin lirue kurrë nga burgu. Ose edhe atё do ta kishin mbyll nё njё kamp internimi, bashkё me gjyshёn e mamёn e tij. Asaj nuk i tha asgja, sepse e dinte se do t’i shkatonte një dhimbje të madhe. Mendoi me prit një rast të volitshëm. Me i lanё koh kohёs.
Edhe ajo kishte qenë e këshillueme nga disa miq të familjës, se largimi i saj i përkohëshëm ishte në të mirën e të dy palëve. Pastaj ajo rrëzikohej tё internohej si pjestare e familjёs sё Prenk Pervizit, dhe kushёdi si shkonte fati saj nё ato kondita, ku do tё pёrfundonte e mbyllun nё ndonjё kamp pёrqendrim, pa shpresё shpёtimi, ku ishin mbyll dhe e vjehra me nanёn e Prenk Pervizit. Sa mos t’u binte ndёrmend pushtetarve, ajo tё bante si tё bante e tё riatdhesohej me italianёt e tjerё qё po kthehёshin nё Itali, nёpёrmjet Cirkolo Garibaldi nё Tiranё, qё merrej me atё punё e gёzonte besimin e qeverisё shqiptare. Qendrimi i saj nё Itali, patjetёr se do t’ishte i pёrkohёshёm, sepse edhe gjendja nё Shqipni do tё normalizohej e tё krijohёshin kushte qё ajo tё basjkohej me Valentinin pёrsёri. Por ajo s’kishte guxim me ia thanë Valentinit. I dukej si njё gjest i pa lezetshёm, fyes dhe i ulёt. Dashuria e tyne dilte si diçka e kotё dhe e paqenё.
Një personazh misterioz
Herëpasherë burgun e vizitonte një njeri i çuditshëm i veshun si ushtarak, pa grada, me trup mesatar të lidhun e me një fytyrë të vrazhdë.
Kur hapëshin dyert e burgut dhe ai hynte brenda, të gjithë shpërdahëshin dhe secili shkonte e u shtrinte në vendin e tij në hështje e duke e mbajtë shikimin në boshllek. Por veshët i mbanin pipëz, sepse ai njeri nuk hynte në burg pa një qëllim.
Zakonisht ai e merrte me vete një të burgosun siç vepron kasapi me berret për t’i therë. I vizitonte të gjithë qelitë. Ndalohej te dera, nuk fliste ndërsa shikonte një nga një të dënuemit. E dinte shumë mirë se në cilën qeli ndodhej fatkeqi që do të gllabëronte. Kështu dilte me të, ai para dhe i burgosuni prapa, të cilin e mbyllnin në nji birucë të izolueme. Rojët dhe ushtarakët e tjerë, kur ai kalonte andej i lironin rrugën dhe e nderonin, ndërsa ai nuk dënjonte t’i përgjigjej nderimit dhe kalonte pa hap gojë. Ky njeri i çuditshëm u shtinte frikën të burgosunve. Nuk ia dinin emnin jo vetëm ata por ndoshta dhe rojët. Ai vizitonte jo vetëm burgun e Valentinit por edhe atë të vjetrin. Ma vonë ia zbuluen emnin por nuk morën vesh kurrë se ç’detyrë kishte.
Natën vonë, pas orës 22 kur të gjithë ishin shtri me fjet, dëgjohëshin britmat e të shkretit që e kishin mbyllë pasdite në birucën që përmendëm. Ai njeriu misterioz quhëj Llambi, i cili shfryente mbi atë fatziun tue e godit vazhdimisht me një dru nyje nyje dhe me grushta e shqelma deri sa atij i binte të fikët. Pastaj e nxirrte me shqelma jashtë deri te dera e qelisë. Kjo skenë përsëritej çdo herë që ai e merrte një të burgosun. Askush nuk e dinte as e kuptonte për ç’farë arësye e shkak bahëshin ato tortura mbi njerëz të pafajshëm. Ndërkaq po afrohej koha e fillimit të gjyqëve speciale. Qindrat e njerëzve që mbushnin burgjet rrinin në ankth, sepse askush nuk e dinte se ç’kategori do të përfshihej, dhe nuk kishin as nji ide se si do të shkonin punët e se ç’dënim do t’u jepnin. Megjithëse e kemi thanë, ia vlen ta përsërisim, se denimet programohëshin ma përpara në zyrën e Kryetarit të Degës së Brendëshme të qytetit, në bashkëpunim me oficerët hetues sipas urdhnit qё u vinte nga „lart“. Prandaj kryetari i gjykatës e prokurori merrnin dokumentёt ku ishin shenue denimet e atyne që do të gjykohëshin. Të mos flasim pastaj anëtarët e tjerë që ishin veç kuklla.
Të burgosmit e kishin kalue një gjyq qysh në birucat, ku i kishin mundue me të gjithë llojët e torturave, presionëve e metodave ma satanike, për të cilat oficerët e sigurimit ishin mjeshtra. Kjo e gjitha për ta detyrue të burgosmin me firmos procesin që oficeri hetues kishte përpilue sipas qejfit të tij dhe sipas udhëzimit që kishte marrë nga eprorët. Ata që nuk pranonin në asnjë mënyrë me firmos një proces të rrem, vazhdonin t’i torturonin me metodat ma shtazarake, por pa sukses, si rrjedhim procesi mbetej i bardhë pa firmën e të burgosmit që dёnohej ma randё se sa duhej.
Sigurisht se nё tё shumtёn e rastёve s’hynte nё punё as procesi me firmë as i bardhë, sepse vendimet e dënimëve bahëshin paraprakisht dhe gjyqi nuk ishte gja tjetër veçse një farsë teatrale. Valentini po i përciellte këto punë dhe nuk kishte kalue në torturat e shokëve e kjo i dukej çudi. Por sipas miqve të tij të burgut, letra që kishte shkrue dhe takimi i grues së tij me Mehmet Shehun, pavarёsisht nga shpirti kriminel i tij, kishin ndikue që atë ta linin ashtu, pa i dhanë arësye, deri në ndonjë vendim të mavonshëm. Prandaj ai duke qëndrue aty, priste e përciellte të burgosun të ndryshëm, dhe mbeti si një dëshmitar i mirëfilltë i shumë ngjarjeve të trishta e përjetoi vdekjen e shumë të burgosunve nën plumbat e skuadrave të pushkatimit. Ose tё atyne qё vdisnin nё duert e xhelatёve, nga torturat shtazarake.
Një ditë tjetër sollën në dhomën e tij, një ish oficer nga nji familje e njohun shkodrane që quhej Halit Kazazi. E kishin kap si t’arratisun ne mal dhe fati i ardhshëm i tij dukej i zi.
E thoshte ai vetë. Para se me e sjellë aty e kishte pyet e torturue një kriminel i vërtetë. Tani ai priste që ta pushkatonin. Ai shoqnohej e bisedonte me Valentinin sepse i thoshte se familjet e tyne ishin të lidhuna me miqesi, dhe ai si oficer e kishte njoh e kishte qenë në shërbim me Prenk Pervizin. Nuk kaloi asnji javë dhe erdhen dhe e morën dhe e pushkatuen bashkë me dy të tjerë qe Valentini nuk i njihte.
Në fillim të vitit 1945 i kishin njoftue se Gjyqet Speciale kishin fillue punën e tyne në gjithë vendin, pra edhe në Shkodër. Si vend ku do të zhvillohej gjyqi ishte caktue kinemaja Rosafat. U njoftue se të gjithë seancat e gjyqit do të jepëshin edhe me altoparlante.
Ndërkaq komanda kishte lejue që në burg të futëshin gazetat kryesore ku jepëshin informata mbi gjyqët speciale. Vetëm në gjyqin special të Tiranës ishin çuen në pushkatim 17 vetë, ndër ta njërëz që Valentini kishte njohun, si Gjenralët Aqif Permeti e Gustav Mirdhahi, kolonelët Tahsim Bishqemi e Daut Çarçani. Kryeministra, ministra, funksionarë të lartë, emna të njohun e të nderuem të Botës Shqiptare, si Maliq Bushati, Terenc Toçi, Bahri Omari (kunati i Enverit), etj.
Të burgosunit nga nji anë e pritën me qejf, se kështu i jepej zgjidhje asaj gjendje. Sepse asnjë prej tyne nuk ishte as nuk e ndjente veten fajtor për ndonjë vepër penale politike, dhe mendonin se me gjyqin mund të tregonin se ishin të pafajshëm. Por nga ana tjetër tue mendue se ç’ishte komunizmi, dhe gjyqi special i Tiranёs po e tregonte, ishte për të prit vetёm masa drastike. Sidoqoftë ma mirë kështu, me i dhanë fund njeherë e mirë dhe jo me ndejtë në pritje të pafund e krye. Ajo e pritjës së pafund ishte një torturë e vërtetë, ku të burgosunit fatkeqë rrinin në ankth të vazhdueshëm së mos u thirrej emni për të përfundue te Zalli i Kirit, ose pas një muri të lagjës.
Pasditën e një të diele i kishin lajmerue ata që do të inauguronin seancën e parë të gjyqit special. Në burgun e Valentinit lexuen emnat e dhjetë vetëve e po ashtu në burgun e vjetër. Të hanën herët në mengjes i prangosën dhe të shoqnuem me partizanë t’armatosun deri në dhambë dhe i çuen te kinemaja Rozafat. Aty ishte grumbullue një turmë e madhe njerëzish, por shumica do të rrinin përjashta sepse nuk kishte vend për të gjithë. Turma përbahej kryesisht me njerëz të lidhun me pushtetin komunist dhe i priti të burgosunit me thirrje e shamje anmiqsore, se tani keta anmiq te popullit do te jepnin llogari për të keqijat e padrejtësitë e tyne. Çdo ditë i çonin dhe i binin deri ne pasditen e të enjtës. Kurse te premten prokurori paraqiste akuzat dhe kerkonte denimet për secilin prej tyne. Të nesërmen, e shtunë, kryetari i gjyqit lexonte vendimin ku përveç denimit vendosej edhe konfiskimi i pasunive të tundshme e të patundshme të denuemve, që përcillej me duertrokitje e britma të mëdha nga turma e dehun nga propaganda komuniste.
Prokurori i Shkodrës ishte një far Aranit Çela një kriminel i regjun, i cili kur pushkatohëshi të dënuemit, shkonte dhe i qëllonte me revolverin e tij, një nga një, si xhelat i vërtetë. Jo qё ai kishte pushkatue me dorёn e tij sa fatkeqё pa gjyq.
Gati në çdo seancë prej 20 të burgosun denohëshin me vdekje gjashtë vetë, por kurrë ma pak se katër. Këto gjyqe javore vazhdonin me muej, dhe i erdhi radha javës së fundit të gjyqit special, që kishte përciellë në pushkatim afro 300 shkodranë, e burgosun 1000 të tjerë. Ndër to, intelektualë, prifta katolikë e njerëz me emën e patriotë. I erdhi radha grupit të dhomës së Valentinit, ku ishin përfshi miqt e tij Zef Agimi, Guljelm Deda, Mark Temali, Kolë Mjeda e Nush Deda. Njezet vetët iu nënështruen pyetjeve njëni pas tjetrit deri ditën e premte, kur do të mbahej pretenca nga prokurori Aranit Cela. Ndërsa prokurori lexonte pretencën e tij të stërgjatun dhe me akuzat ma absurde, të akuzuemit rrinin tue sjellë ndërmend se cili prej tyne do të denohej me vdekje e cili jo. Njëni prej tyne, Zef Agimi, mësues kosovar e mik i Valentinit, e kishte në maje të gjuhës një fjalë që ia tha në vesh shokut pranë, Prof. Guljelm Dedës :
– Më vjen keq me ta thanë Lem, por unë të kam vu në listën e të gjashtëve, prandaj mbaju si burrat dhe mos e lesho veten kur prokurori të lexojë emnin tand. Dhe Lemi i ishte përgjigje :
– Pa shiko, pa shiko, edhe unë ta kisha vu emnin në listë, tandin të parin, pastaj ato të Markut, Kolës, Nush Dedës, dhe në fund t’imin.
Kjo bisedë me za t’ultë shkatoi gazin e të akuzuemve. Prokurori që ishte në zjarrin e pretencës ishte nervozue dhe duke u kthye nga populli kishte bertitë :
– I shikoni këto të pandehun ? ndërsa i tregonte me gisht, mjafton të vreni sjelljen e tyne këtu, për të kuptue se sa njerëz të keqinjë, borgjezë e reaksionarë janë që ofëndojnë edhe gjyqin e popullit ! si mos me pasë respekt për institucionet tona që përfaqësohen nga i nderuari Kryetar i gjyqit, të nderuarit anëtarë dhe shumë i nderuari publik i sallës ?
Fjalët e tij u shoqnuen nga nji potere e madhe e britma të çdo lloji. Ndërkaq filloi lëximi i kërkesës së denimit nga Prokurori dhe emnat e parë dolën siç e kishin, parahikue Zefi e Lemi : Guljelm Deda, Zef Agimi, Mark Temali, Kol Mjeda, e dy të tjerë. Po iu dridhej zemra. Kur befasisht doli krejt e kundërta, gjykata në kundërshtim me prokurorin i kishin denue me nga gjashtë vjet burg. Kjo seancë ishte e vetmja që doli pa gjashtë denime me vdekje dhe e fundit. Me të u mbyllën seancat e gjyqit special, që në një vit kishin çue para pushkatimit me qindra shkodranë e në burg ma shumë se njëmijë brenda ma pak se dy vjet.
Që i binte nga një të pushkatuem në dy dit e dy të burgosun në ditë. Kur jepëshi, denimet me vdekje, te denuemit nuk sillëshin ma në qelinë ku kishin shokët por izolohëshin në një birucë të veçanta. Nji e tillë ishte në fund të koridorit që qonte te një oborr i vogël ku herëpasherë i nxirrnin të burgosunit me marrë ajr, ose kur bahej kontroll nëpër qelitë. Nga ana e oborrit qelia e vdekjes kishte një dritare të mbulueme me një skarë hekuri. Valentini kur kalonte aty pranë mundohej me hedhë një shikim e me ua ba me sy atyne që njihte.
Heroizёm nё burg
Një prej atyne të dënuemve me vdekje ishte Ndue Pal Mirashi, që Valentini e kishte njohun në kohën e qëndrimit të tij te Lek Vuksani, kur partizanët komunistë sulmuen Dukagjinin. Çdo herë që kalonte pranë dritarës i shikonte ato që i priste një fat i tmerrshëm të mbështetun pas murëve ndërsa Pali rrinte në mes në kambë, që e përshëndeste tue buzëqesh, e pastaj vazhdonte të kryente disa ushtrime trupore. Shokët përreth e vështronin me çudi e me trishtim Ç’i hynin në punë ato ushtrime përderisa së shpejti miset e trupit tij do të përfundonin atje nën zallin e Kirit ?
Një ditë prej ditësh, Ndue Pali i ishte afrue dritarës e tue e përshendet i kishte thanë :«Mos na harroni ». Të afërmve të atyne u ishte dhanë leje që t’i takonin. Kur bahëshin këto takime, rojet i mbyllnin të gjithë dyert e qëlive të tjera me shul. Erdhën edhe prindët e Ndue Palit. Ai u paraqit para tyne me një far mburrje, i buzëqeshun, sikur asgja s’do të ndodhte. Të vetët, tue e pa ashtu, nuk mundëshin me hap gojë nga emocioni dhe nga të vaji që i zinte. Porta e derës së Valentinit nuk ishte fort larg, dhe ai mund të shikonte nga frëngjia e derës dhe të dëgjonte gjjithçka flitej. Ajo skenë e takimit i kishte mbet në kujtesë sa që nuk mund ta harronte kurrë.
Ndou ishte mundue me i qetësue të vetët me fjalë të mira por edhe të forta e gjithë zjarr. U thoshte :
-Tashma jam i gatshëm me e kalue pragun për në botën tjetër. Zoti do të më pranojë, sepse, kishte shtue, kam qenë gjithmonë një besimtar i mirë.
E tue u folë ma me hov :
-Mos u dishproni, do të ringjallëm në një jetë ma të mirë, shumë ma të mirë se kjo e jueja në ket tokë plot vuetje. Prandaj të dashun, mirupafshim në atë botë ! Të tilla fjalë shumë të pakët janë njerëzit që mund t’i shqiptonin në një të tillë gjendje. T’afërmit të mbytun nga dënesa e lotët nuk mund të thonin asnjë fjalë. Të burgosmit që kishin dëgjue dhe kishin ndjekë atë skenë të jashtëzakontë nuk i përmbanin dot lotët që u rridhnin vetvetiu prej syve të skuqun. Ndërkaq Valentini kishte pikas një spiun që njihej prej të gjithve, i cili edhe ai nuk mund t’i ndalte lotët. Çudi e çudive !
Me thanë të vërtetën, duhet theksue se përballë vdekjës janë të pakët ata që do të dinin të sillëshin aq stoikisht e heroikisht si Ndue Pal Mirashi.
Pas këtij takimi dramatik, ishte afrue një njeri tjetër te hekurat. Valentini nuk shqitej as një çast nga frënxhia e derës. Kështu mundi të shihte atë që po takohej me të vetët.
Ishte një i ri rreth 20 vjeç, i pashëm e shtat-hedhun. Vetëm tue e pa, Valentinit i ziente shpirti për fundin e tij të shpejtë. Pyeti njënin që kishte aty afër për atë djalë. Ai i tregoi se atë e queni Caf Meti, kishte qenë polic dhe për fatin e tij të keq, kishte marrë pjesë në arrestimin e një komunisti. Eprori që i kishte urdhnue ishte denue pesë vjet kurse vartësi i tij duhej ta paguente me jetën ! Atë ish komisar të policisë që ishte aty në burg, nuk i fliste kush sepse mbahej si spiun.
Qelia e të dënuemve me vdekje rrinte gjithmonë e mbushun plot. Mbasi denohëshin nga gjyqi special famëkeq ata duhët të prisnin do kohë para ekzekutimit, sepse familjet e tyne banin lutje për falje presidentit të presidiumit, parlamentit dhe instancave të tjera. Prandaj herë pas herë merrnin nga pesë a gjashtë prej tyne dhe i pushkatonin atje te Zalli i Kirit. Një mengjes herët, kur akoma ishte errët, ndodhi nji ngjarje dramatike. Fillimisht u dëgjue zhurma e hekurt e bravave e shulave. Do të merrnin disa të tjerë. Të burgosunit prisnin se kush e kishte radhën. Policët pasi i mbyllën të gjitha dyert u ndalën para qelisë së vdekjës ku njeni prej tyne lëxoi vetëm dy emna : Ndue Pal Mirashi e Caf Meti. Të tjerëve të grupit të tyne u kishte ardh falja. Ata të dy u ngritën nga shtresat, u veshën dhe pritën në kambë aty midis qelisë. Ndue Pali dhe Caf Meti u kthyen nga shokët e tyne, që ishin çue dhe rrinin duerkryq e kokë ulun të pushtuem nga emocioni që po ua merrnin shokët aty para syve, ndërsa ata do të lirohëshin. Ndue Pali tue e kuptue gjendjën e tyne shpirtnore u foli :
-Mbahuni burra. Ju patët fatin me u kthye ne familjet tuja, kjo asht kryesorja. Vërtet se na po ju lajmë lamtumirën nga kjo botë për me shkue në botën tjetër, veç mos na harroni, prandaj ju përshëndesim tue ju urue që të mos pësoni fundin tonë. Në fund të fundit të gjithë jemi bijt e vdekjës. Sa tha këto fjalë kishte hapë kambët e kryqëzue krahët duke ndejtë në pritje.
-Ç’beni ? kishte thirr një nga policët që ishte oficer, i cili u tha që të dilnin nga qelia. Ndue Pali u përgjigj që le të vinin ata me i marrë. Oficeri me një polic kishin ba disa hapa drejt tyne. Të dy herojt ishin hedh mbi ta me egërsi të madhe me dy thika të nxierra nga lugët e tyne, tue i fërkue në betonin e birucës. Nisi zanja mes tyne. Nga britmat vrapuen aty policët e tjerë me shkopij. Të dy të burgosunit që ishin truplidhun e shumë të fortë, po u banin ballë shtatë policëve dhe i kishin plagosë dy a tre me thikat. Por njeni nga policët thirri :
-T‘i shtyjmë këto viganë drejt derës nga fundi, dhe kështu vepruen. Në këtë mënyrë e nxorën Cafin në oborrin e vogël, ku ishte roja e armatosun e cila i drejtoi automatikun dhe Cafi mbeti huq, tue sha me za të naltë e mallkue ato kriminelë. Kurse brenda policët arritën ta mposhtin Palin, që kishte humbë ndjenjat nga goditjet e shkopijve. Pastaj iu sulën Cafit tue e godit edhe atë me shkopijt deri sa i ra të fikët, dhe e tërhoqën zvar. Ashtu të katandisun e pandjenja i hodhën në një karrocë si t’ishin thasë me lecka dhe nuk kaloi shumë dhe u dëgjue krisma e armëve vrasëse. I pushkatuen diku aty afër.
Të nesërmën e kësaj ngjarje, kishte ardh Kryetari i Degës së Shkodrës, i cili si një kafshë e tërbueme u ishte ç’jerrë policëve e rojëve, duke bertit sa mundej që të dëgjonin dhe të burgosunit :
-Po ju more derdimena, pse nuk i keni vra të gjithë aty brenda në qeli ? Të gjithë duhet t’i kishi eliminue pa mëshirë ! Sipas tij edhe ata që i ishin fal. Cilës racë njerëzore u përkisnin këta xhelatë të pashpirt e të pa ndjenja shqiptare, që i torturonin e i vrisnin të burgosunit e shkretë të pafajshëm ?
Emni i ati xhelati ishte Pjetër Bullati, i cili u pushkatue ma vonë si tradhëtar i partisë më 1949. Me akuzën se kishte qenë agjent e spiun i jugosllavëve. E vetmja akuzë e vërtetё.
Potret i Valentinit nga një i burgosun shkodran,
qe s‘kishte shenue emni e tij e mbeti i panjohun.
Burg i Shkodrës 1945.
Nga një burg në tjetrin
Shefat e Sigurimit vinin shpesh brenda burgut dhe ndjenin një kënaqësi të madhe kur i shihnin të burgosunit të katandisun si mos ma keq.
Pastaj, për të njeqintën herë u thonin atyne që të mos rronin me andrra se ndoshta një ditë mund të ndodhte ndonjë kundërevolucion ose se mund të kishte ndonjë ndërhyrje nga jashtë për me rrexue regjimin në fuqi, sistemin e tyne, etj., sepse së pari :
-Do të ju zhdukim të gjithve, për ket të jeni ma se të sigurt ! Ishte refreni i tyne i vazhdueshëm që e përsërisnin deri sa u mërzitshin e largohëshin, jo të kënaqun, sepse të burgosunit nuk e çanin kokën fare për çka llomotisnin dhe askush prej tyne nuk ua vinte veshin.
Nji ditë e njoftuen Valentinin që të bante gati plaçkat sepse do ta transferonin në burgun e vjetër bashkë me të dënuem të tjerë. Kështu që në burgun e Gestapos qelitë ishin mbushë me të dënuem për shkaqe të ndryshme. Shtatë prej nesh, thoshte Valentini, kishin mbet të fundit pa proces. Atë ditë i erdhi në takim e shoqja të cilës i tha se e transferonin në burgun tjetër. I morën të lidhun dy nga dy për gjatë qytetit të shoqnuem me roje të forta ngjesh me armë. Gorizia e shkretë e kishte përciellë gjatë gjith rrugës, ashtu si dhe familjarët e të burgosunve të tjerë. Në burgun e vjetër e vendosën në një dhomë në katin e parë, ku rrinin nja pesëmbedhjetë vetë. Vetëm pak prej tyne ishin në pritje procesi, të tjerët e kishin kalue e pritshin të dilnin para gjyqit të popullit. Kishte dhe nga ata që nuk kishin pranue me firmos procesin, me gjith torturat e egra të çdo lloji që u kishin ba. Të ardhunit e rij rrinin vetëm kalimthi në pritje që t’u bahej procesi e të dilnin në gjyq. Pas dënimit i mbyllnin në dhomat poshtë që ishin prej betoni. Kaluen disa muej pa asnjë ndryshim e në të njejtën dhomё. Akoma nuk dihej se ç’do të banin me Valentinin. Kishte kalue ma se një vit që hetonin mbi të dhe rezultati ishte se në gjithë Shqipninë nuk e njihte njeri. Si mund ta njihnin kur gjithë jetën e kishte kalue në Itali me studime e detyra ? E shoqja, si gjithmonë vinte çdo ditë para derës së burgut, por në këtë burg nuk mund të shiheshin as nga larg as nga afër, as nëpër shufrat e hekurta, sepse dera nuk ishte përballë por anash zgarava metalike pas të cilave rrinin të burgosunit. Kur ishte ndonjë roje e mirë, Gori mund t’i çonte ndonjë copë letër të shkrueme. Na ishin dy roje të mira, kushërij midis tyne, që silleshën ma njerëzishëm ndaj të dënuemve. Këta i përkisnin nji familje reaksionare, që i kishin mobilizue në brigatat partizane në kalim. Askush nuk e dinte se cilës familje i përkisnin. Por kur dikush e mori vesh i këshilloi që të kishin kujdes pse edhe midis tyne kishin spiunë, te futun kastile nga sigurimi. Ndër të tjerat, tue qenë se në një kohë ishte ndalue hymja e gazetave, këto dy djem u binin lajmet që u interesonin të burgosunve. Kjo dukej si e çuditshme, por në ato vitet para kishin ndodh raste të tilla si ky, ku të rij të prekun kishin hy me punë në polici, ushtri e gjetkë. Të burgosunit mendonin se ato dy roje do t’ishin të dobishme në rast emërgjence, si ikje ose kryengritje kundër regjimit. Këto ishin mendime të marra, por në gjendje burgu çka nuk të shkon nëpërmend. Shërbimi sekret i sigurimit ishte organizue në mënyrë të tillë që edhe miza nuk mund të fluturonte pa dijëninë e tij, e jo ma të kishte raste organizimi kundër pushtetit nga kundështarët e njohun të komunizmit, që nuk ekzistonin fare, por që mund të hipotizohëshin. Kundështarët kyesorë ishin eliminue krejtësisht : ose kishin ik jashtë shtetit, ose ishin në mal, të tjerët ishin pushkatue dhe shumica gjëndej në burg. Komunistët tani e mbrapa do të kujdesëshin ma tepër mos dilte dikush nga rradhët e tyne si disident. Sistemi organizativ i sigurimit të shtetit dhe ai i partisë komuniste, ishin në gjendje vigjilence të vazhdueshme, me një ushtri spiunësh që kishin rekrutue nga të gjithë shtresat e shoqnisë shqiptare, sa që ato nuk thonin kot « se ne e dijmë se ç’zien në vorbën ose tënxherën e çdo shqiptari ».
Një ditë aty në derën e tyne dikush foli :
-A thue do të ketë një vend për mue këtu ?
– Patjetër – kishte ndërhy Valentini që ishte veterani i dhomës, edhe në mos pastë nuk do të lajmë përjashta .
U përshëdetën me t’ardhunin e ri : një djalë i pashëm rreth 22 vjeç, me të cilin Valentin doli kushri. Ai ishte Ndue Fusha i biri i ish major Gjon Fushës nga Bulgëri. Megjithëse nuk njihësh ma përpara me të, por e dinte se kishin nji lidhje gjaku nga ana e nanës tij që ishte e bija e Gjon Markagjonit. E mori pranë vetes duke shty pakëz shokët. Prindin, Gjon Fushën, ish major i Mbretnisë, ia kishin vra kojshijtë në kohën e gjermanëve. Të cilët kur erdhën partizanët u bashkuen me ta dhe u banë edhe komunistë. Djali vinte nga birucat e sigurimit, ku kishte pësue tortura ç’njerëzore, pse i kërkonin lidhjet me Mark Gjomarkun, i të cilit ishte nip. Marku në atë kohë ishte i arratisun në malet e Mirditës, dhe konsiderohej si anmik potencial e i rrezikshëm, që kërkonte të organizonte forcat e malit në krahinën e vet të Mirditës. Me ardhjen e tij aty, mendohej se e kishte krye punën e hetuesisë, por s’ishte ashtu. Të nesërmen e morën përsëri e drejt e në birucën e torturave, megjithëse e kishin zanë ethet dhe e kishte temperaturën mbi 39 gradë. E prangosën dhe e çuen para hetuesit në orën 21 të darkës dhe e sollën të bamun pleh në orën 3 pasmesnate. E kishin torturue deri edhe me korrent, dhe për çudi të çudive i kishte ra temperatura normale 36 gradë e gjysmë, si për inat të xhelatëve. Kështu e pa vetën të shëruem, pa çka se me trup të dërmuem. Ç’nuk ndodhte në ato rrethana skëterrore. Edhe ethet iknin nga frika e torturave.
Plaku i Mirditӫs
Aty ndërsa rrinin ç’nuk i tregonin njeni tjetrit të burgosunit. Kështu Ndoj i rrefeu Valentini e shokëve aty për rreth historinë e vërtetë të një plaku mirditor, që u gjet i përfshimë në nji mbledhje të fshatit ku do të flisnin autoritete të ndryshme të vendit, të partisë e të administratës.
Fjalën e kishte marrë një aktivist i madh i partisë që kishte
lind në një fshat aty pranë. Pas ma shumë se një orë fjalime të pranishmit u ftuem me ba vrejtje dhe me kërkue shpjegime, me drejtue pyetje e propozime, etj.
Si zakonisht askush nuk guxonte të ngrihej dhe vazhdoi do kohë me mbretnue një heshtje e plotë. Në sistemin komunist, me marrë fjalën duhej të kishe shumë kujdes sepse çdo shprehje duhej pëshue mirë, sepse për një gjysmë fjale, sikur e thanun edhe pa qëllim, të merrte dreqi. Me gjithë orvatjet e shokëve të podiumit, askush nuk po çohej me folë. Atëhere oratori vetë iu drejtue një plaku 70 vjeç që quhej Pal Doda, që respektohej prej të gjithëve, për moshën dhe pse ishte shumë i squet e shejtan. Pali nuk donte me u çue, por sekretari i partisë nguli kambë :
– He de Pal, çohu e na thuej diçka ! Plaku u çue, e kruejti pak kokën dhe e shkundi mbi pëllambën e dorës çibukun, dhe tha se nuk ishte i përgatitun për ket punë, e prandaj s’kishte çka me thanë.
– Po unë të njoh mirë, kishte folë oratori, dhe e dij se ti nuk ke nevojë për përgatitje, sepse natyra të ka ba gojtar, prandaj mos na nxierr prëtekste të kota. Fol lirisht, çka të bjeri ndërmend, mos u druej për asgja. Plaku u përgjigj :
-Po ti e din, shoku sekretar, se mund të më shpëtojë ndonjë fjalë ose shprehje jo aq e pëlqyeshme. Të gjithë të pranishmit qeshën sepse e njihnin mirë Palin, se ç’plak shejtan ishte.
– Fol, fol or Pal e thuej ç’të duesh, ishte përgjigj sekretari, pak si i penduem që e nxiti me folë atë plak.
Pali, pasi i fërkoi mustakët e tij të bardhë e të gjatë, nisi me folë :
-Për fatin e keq tonin, ne shqiptarët, dhe pikërisint të parët tanë, janë detyrue me iu nënshtrue zgjedhës, mundimeve, dhunës dhe padrejtësive të çdo lloj, nga ana e turqëve, për pesë shekuj me radhë. Shtypja e tyne ishte e padurueshme. Herë pas here fillonte ndonjë kryengritje që shtypej me egërsi të madhe. Pesëqint vjett janë pak si shumë. Po mos të kishim pesue atë periudhë t’errët, ne shqiptarët nuk do të kishim mbet populli ma i prapambetun i Evropës.
Populli nuk duronte dhe e mallkonte çdo ditë e ma tepër atë pushtues barbar e të pamëshirshëm tue iu lut Zotit që ta shpëtonte e lironte nga ajo fatkeqësi e tmerrshme, dhe nga dëshprimi thoshin, ma mirë të na qeverisë djalli vetë se sa Turkia. Ma në fund erdhi dita e andrrueme e u shpall pavarësia e Shqipnisë me 28 nandor 1912. Por fuqitë e mëdha që na i quejmë të shtatë krajlitë, tue mendue se nuk ishim në gjëndje me u qeverisë vetë, na çuen një princ gjerman, princ Vidin, që populli nuk e honepste dhe kështu përsëri thoshin, ma mirë të na kishin pru dreqin se sa ket princ të huej !
Nuk kaloi shumë dhe erdhën pushtues të tjerë, malazezë, serbë, italianë, francezë, grekë, e për të gjithë populli shprehej se ma mire të vinte djalli i mallkuem se ato.
Sigurisht se ne shqiptarët i kemi disa shprehje që nuk mund të përkthehen në asnjë gjuhë tjetër, dhe kjo e thirrjes se djallit për t’i shpëtue nga një e keqe tjetër ma beterre, nuk asht tjetër veçse një mënyrë të shprehunit me një ironi të hollë, për të tregue pakënaqësinë ndaj një regjimi e sistemi, qoftë i huej apo vendas që merrte nepërkambë të drejtat e nevojat e një populli.
Pali vazhdonte me folë në heshtjën e madhe që kishte përfshi gjithë të pranishmit, që kërkonin me dijtë se ku donte me dalë ai plak shejtan me fjalën e tij aq mirë të qëndisun. Sekretari i partisë kishte fillue me u ba nervoz. Ç’iu desh me ia dhanë fjalën !
-Por ja që manëfund na erdhi një burrë asgan, Ahmet Zogu, i cili filloi me qeverisë si kryeministër, e pastaj pas një lëkundje të vogël, i përkrahun nga ushtria e disa oficerë të zotët u shpall nga parlamenti « President i Republikës Shqiptare ». Bukur fort ! Por oreksi iu shtue dhe u vetshpall Mbret me titullin Zogu i parë mbret i shqiptarve. Por populli filloi të mërzitët megjithse ishte një shqiptar që i qeveriste, por po i qeveriste keq, jo si kishte prit. Sepse Zogu filloi të rrethohet me njërëz injorantë e servilë, batakçi deri dhe tradhtarë. Kjo nuk durohej dhe në popull filloi të qarkullojë thanja e vjetër : Ma mirë të na sundojë dreqi se ky batakçi ! Le ta theje qafën ! Dhe ja që erdhi Italia me buk e makarona, me 7 prill 1939.
Mbreti në vend që të mbathte opingat e të lëshonte kushtrimin për luftën popullore ne mal, ia mbathi me brekë nëpër kambë e iku në Greqi, ku thonë se e mbrojti dhe e përcolli një mik e besnik i vjetër i tij, se ndryshe italianët do ta kishin kapë gjallë.
Sa për italianët, sido që të sillëshin si njerëz të qytetnuem e te zhvilluem, prapë se prapë ishin pushtues dhe populli nuk mund t’i honepste. Ma mirë të na vinte dreqi se ky pushtues breshkaman. E ja që pushtuesi e humbi davanë, Duçja thej qafën dhe italianët u kthyen në vendin e tyne, pasi lanë shumë koka këndej. Gjoba duhej pague !
Kur nuk vonoi dhe erdhi gjermani, para të cilit dridhej bota. Shqiptarët po e shihnin veten keq e ma keq, pushtues pas pushtuesi. Edhe një mbret shqiptar që patën i braktisi në ditën ma të zezë. Por gjermani nuk durohej, tepër i egër e tepër i rrebtë. Populli nuk duronte :
- Ma mirë dreqi i kuq me brine se gjermanët !
– Edhe gjemanët na morën të keqën e ikën, vendi u lirue nga pushtuesit dhe erdhi partia dhe u vendos qeveria qe kemi. Tashti s’kemi çka me kërkue dhe unë s’kam çka me shtue ma !. Pasi e mbylli fjalën e tij, Pali u ul, e mbushi llullën me duhan dhe e ndezi, duke nxierr tym nga goja e nga hundët, me kënaqësi.
-Po pastaj, ndërhyni sekretari që ishte çue në kambë me të dy duert të mbështetuna mbi tavolinë.
– Ç’pastaj ? ishte përgjigjë Pali, s‘kam çka me shtue tjetër.
-Po pse ashtu e mbylle fjalën. Nuk ke asgja tjetër për të shtue ? Gjermanët i përzumë po pastaj ?
-E pastaj asgja, ata u shporrën dhe mjaft. Ç’mund të shtoj tjetër, shoku sekretar ?
-Po, se pakut na thuej nëse populli asht i kënaqun pas vuejtjeve që ka pësue, kishte shtue sekretari.
– Patjetër se asht i kënaqun. Atë që e ka kërkue e dëshirue gjithmonë e ka gjetë. S’ka çka me kërkue ma ! tha Pali.
Sa përfundoi këto fjalë, kishin shpërthye duertrokitje e brohoritje, e të qeshuna që askush nga të pranishmit nuk mund t’i përmbante. Sekretari e pa veten keq, e nuk mund ta fshihhte zhgënjimin e tij të madh. Ç’iu desh me i dhanë fjalën atij plaku mirditor, duke e njohun mirë se ç’shejtan ishte, me një gjuhë brisk dhe nenkuptime të thella. Në fillim asnjënit nuk i kishte shkue mendja se ku donte me dalë plaku. Në përmbylljen, si një artist i vërtetë i satirës dhe i ironisë, ai kishte shfaq krejt dramën që po përjetonte populli, tashti që kishte ardh vetë djalli i kuq me brine me sundue mbi shqiptarët për shtat palë qejfe, e popullit i kishte mbetë fjala në fyt sepse nuk ishte çka me thanë. Ç’dreq tjetër me kërkue kur vetë dreqi ishte ulë kambëkryq në votrat e tyne?
Sa për Ndue Fushën, ky djalë i një familje të mirë, arrestue, torture e burgosë si nip i Gjomarkajve, pas do kohë u sëmue randë e kaloi në tuberkoloz. E hoqën nga dhoma e Valentinit dhe e shtruen në spital, aty i shkreti vdiq në lule të jetës. Kur të burgosunit e dhomës tij e morën vesh, u mërzitën, dhe ma fort Valentini, që e kishte dhe kushri dhe mori ngushullimet e të burgosunve. Tregimi i tij mbeti si një kujtim i fundit që ai kishte lanë shoqnisë.
Këtë tregim të Ndout, Valentini e kishte shenue në shёnimet e tij tё kujtimёve të burgut, prandaj e pamë t’arsyeshëm me e përfshi në këtë libër, që të njihët edhe fati i trishtë e këtij të riu fatkeq.
Burgu i vjetër
Burgu i vjetër ishte shum ma i madh dhe dhomat ishin ma të gjana e me dysheme prej betoni. Nuk kishte shtretën dhe të burgosunit e shktretë, kur shtrihëshin natën, ishin aq të shtrënguem sa që nuk mund të kthenin trupin në gjumë e sipër. Në një nga këto dhoma rrinin të stivosun rreth njeqint vetë.
Për klerikët katolikë (nga besimet e tjera nuk kishte fare), duke dashun t’i izolonin, nga frika se mos infektonin njerëzit me doktrinën ose me metodat e tyne, kishin sajue një lloj qelie të mbyllun pa dritare e vetëm me një vrimë në derë ku nuk mund të kalonte as dora.
Të tjerët që nuk ishin akoma të marrun në pyetje, nja pesëmbëdhjetë vetë, rrinin në dhomën e Valentinit.
Kishte kalue ma se një javë nga koha kur u transferue në Burgun e Madh, kur e shoqja i çon një letër Valentinit me anë të një nga dy rojet e mira që quhej Rezmi, ku i thoshte se do të merrte një leje të posaçme për takim. Pas tre ditësh e thërret roja e takimeve dhe duke i hap derën e hekurt i thotë se grueja e priste në sallonin sipër. U ngjit shkallëve dhe u gjet para Gorit që iu hodh menjëherë në qafë duke qa nga përmallimi, pas dy vjetësh që kishin kalue të ndamë. Nuk mundi të hapte gojën për sa kohë ishte përqafue me Valentinin, deri sa u hap një derë dhe u duk drejtori i cili desh të tregohej i sjellshëm dhe i bani me hy në zyrën e tij, ku zunë vend dhe filluen me bisedue. Nuk dihet nëse drejtori e merrte vesh italishtën, sidoqoftë vazhduen të flasin pa ndërhymjën e tij. Ndër të tjerat ajo i përsëriti që ishte i domodoshëm riatdhesimi i saj, që do t’i jepte mundësi të dilte nga burgu. Nuk kishte zgjidhje tjetër ma të mirë. Ç’far mund të banin ata me atë fat që i kishte katandisë në atë gjëndje të mjerueshme e të pa shpresë ? Gori kur u ndanë i tha se po t’i dilte leja për riatdhesim do të merrte përsëri një leje speciale për t’u takue me të, dhe u nda prej tij duke qa me ngashrim. Shokët e burgut kishin ndodhë në oborrin e vogël dhe e kishin ndjekë skenën me emocion, sepse tashma dihej prej të gjithëve se Valentini ishte nji viktimë krejt e pafajshme e fatit qe e kishte sjellë në Shqipni në kohën ma të mbrapsht që mund të mendohej.
Nga ky takim Valentin e kishte kuptue se asaj do t’i jepej leja e riatdhesimit, për ta largue njëherë e mirë prej tij. Dhe sipas opinionit, të shoqnisë së burgut, me largimin e grues, edhe ai, Valentini, nuk do të pësonte ndonjë dënim të randë. Tashma ajo punë kishte marrë rrugë, dhe Valentini e ndjente veten ma çliruem nga pesha shpirtnore që e kishte sjellë të shoqën në Shqipni në atë gjendje katastrofike, ku, ndër të tjerat familja tyne ishte shpërba.
Një gjyq vërtet special
Siç e kemi thanë, Valentini do t’ishte një shoqnues i gjithë ngjarjeve që ndodhën në burgjet e Shkodrës nga 1944 deri në fund tё -1946, ku qendroi dy vjet i padenuem, tue prit e përciell me dhjetra e qindra qytetarë e malësorë të ndërshëm e të pafajshëm që torturohëshin, pushkatohëshin ose denohëshin me burg sipas vendimeve të gjyqeve speciale ose gjyqeve të popullit.
Në ato ditë u mor vesh se kishin arrestue shumë njerëz, ma të shumtit klerikë katolikë, që gjoja paskëshin krijue një organizatë subversive kundërevolucionare. E hapën lajmin se u ishte gjet një sasi e madhe armësh e municionësh të fshehun nën lterët e Kishës së Madhe, fakt që do të kishte randue gjendjen e të arrestuemve. Sigurisht se për të burgosunit që ma tepër se kushdo tjetër, i njihnin metodat e veprimet e komunistëve, këto lajme që vinin nga jashtë ishin krejtësish të pabesueshme. Por « masa » i besonte, pra nji pjesë e mirë e popullit e mashtrueme dhe e dehun nga propaganda komuniste. Këto ngjarje të reja u shërbenin për të gjallnue bisedat e tyne. Nuk kaloi shumë kohë dhe u muer vesh se i ashtuquejtuni gjyq special do t’i hapte përsëri dyert në kinemanë Rozafat. Kësaj radhe ishte fjala për klerin katolik dhe të tjerë që do të implikohëshin në atë proces. Filluen seancat ku do të gjykohëshin nja njëzet vetë, ndër ta dy misionarë italianë, At Gjon Fausti e At Jak Gardini, dhe shqiptarët At Gjon Shllaku, At Daniel Dajani, etje. Dy italianët jetonin në Shqipni prej shumë vjetësh, dhe jepnin mësim në liceun e jesuitëve të Shkodrës. Të tjerët i përkisnin klerit katolik shqiptar, ma e shumta e tyne gjakoj e ndonjë laik.
Si zhvillohej procesi gjyqsor tashma e dinin të gjithë. Po e njejta histori : Akuza të shpikuna kambë e krye të cilave u shtoheshin deklaratat false te dëshmitarëve të rremë. Në fund të javës përfundonte gjithçka me ma tepër se gjashtë denime me vdekje dhe të tjerë me denime te randa me burg . Te dy misionarët që ishin më të vërtetë njerëz të shejtë, u denuen me vdekje bashkë me dy prifta shqiptarë. Nuk kaloi shumë dhe i çuen e i pushkatuen me gëzimin e madhe të “masës popullore” siç e quenin atë grup njerëzish de dehun nga propaganda komuniste që i konsideronte ato te denuem te shkreti si prototipët e kriminalitetit. Deri në atë gjëndje e kishte katandisë popullin! Por merita kryesore për atë arritje fatzeze i takonte udhëheqësit të regjimit, dhe pikërisht djallit vetë, Enver Hoxhës, i cili deri në thellësi të mendjës së tij përverse ushqehej me urrejtje të tillë sa që tue mos pasë mundësi me i shfarosë të gjithë katolikët, ai do të shpallte ateizmin shtetnor, megjithëse ai vetë ishte bir i një hoxhe, siç ishte Stalini bir i nji prifti. Babë Stalini me të birin Enver, nuk mund të mos ushqehëshin nga të njejtat ndjenja kriminale e sadizëm gjakatar. Si me veprue ndryshe ? Shum thjeshtë : për me eliminue për gjithmonë fenë katolike, i duhej te sakrifikonte fenë e tij dhe atë orthodokse, një far shëmbëllimi me Sansonin me Filistejtë. Por për një vendim të tillë nuk ishte koha e përshtatshme, atë vendim djallëzor do ta linte për ma vonë.
Menjëherë pas të ashtuquejtunit zhdukje të asaj organizate subversive të “armatosun” që paskej qenë e udhëhequn nga ato të dy misionarët italianë tetëdhjetëvjeçar, i erdhi radha një grupi tjetër të burgosunish politikë ndër të cilët ishte dhe një ish agjent famëkeq i sigurimit që quhej Pierin Kçira.
Salla e kinemasë ishte mbush plot e përplot me popull, që dallohej për zhurmën e madhe, i gathsëm me himnizue “idhullin” e tyne , të cilit tue bërtitë si të marrë i falnin vjet nga jeta e tyne. Një masë e egërsueme që nuk pritonte me përplas kambët mbi dyshemenë tue kërkue me thirrje ritmike denimin me vdekje të të gjithë të pandehunve. Por kësaj radhe të pranishmit nuk mund te përfytyronin se çfar do të ndodhte me grupin e të pandehunve të rij. Kur erdhi radha e Pierin Kçirës, ky ishte çue dhe ishte afrue befasisht te mikrofoni, ku me një za bumbullues e te qartë deklaroi, pa qenë i lejuem të flasë, pra shpejt e shpejt, që mos vallë e pengonin dhe ia hiqnin mikrofonin.
– Popull i Shkodrës, kleri katolik nuk asht aspak fajtor për veprime kundër shtetit, prandaj procesi i tyne ka qene vetëm një kurdisje. Ata janë krejtësisht të pafajshëm. Armët që u gjetën nën lter i kam vendos unë vetë me duert e mija me urdhën të krenëve të partisë dhe të Sigurimit.
Pjerini përfundoi tue deklarue se e gjithë kjo ishte kurdisë për të eliminue klerin katolik dhe botën katolike shqiptare. Pierini arriti të flasë aq shpejt sa qe kur policët mbrritën aty pët të hjek mikrofonin ai e kishte mbarue fjalimin. U ul krej i kënaqun mbi stolin e tij, sepse tashma e ndiente veten të liruem nga ajo peshë e randë që shpirti i tij ishte dashtë të duronte deri në ato çaste. Prandaj e ndjente veten të gatshëm me u paraqitë para Zotit, me ndërgjegje të pastër. Ai e dinte shum mirë se së shpejt ai do te nisej për në botën tjetër. E pushkatuen menjëherë bashkë me disa të tjerë.
Epizodi i Pierinit ra si një bombë e vërtetë e papritun që e tërboi së tepermi kreun e regjimit. Ai incident duhej te mos kishte ndodhun. Disa njerëz të sigurimit e hangrën për ket pakujdesi të madhe, që demaskonte vetë sistemin bolshevik që kishte mbërthye Shqipnin në kthetrat e terrorit.
Pas fjalës së Pierin Kçirës, në gjithë sallën kishte ra nji heshtje e madhe, sa nuk ndihëj fluturimi i mizës. Por pastaj filloi përsëri poterja me britma shurdhuese, të drejuem kundër atij njeriu që kishte pasë atë guxim të madh për të ia përplasë e demaskue publikisht poshtërësitë e sigurimit e të gjykatave që ishi prova ma e gjallë e padrejtësive, mashtrimëve e fallsifikimëve ma të dënueshme që mund të përfytyrohëshin dhe që e karakterizonin sistemin komunist që bota perendimore nuk arrinte të njihte e të kuptonte.
Mjerisht kështu funksionoi gjatë 47 vjetëve, drejtësia e padrejtë dhe false e atij regjimi. Edhe të pandehunit e kësaj seance gjyqsore morën denime të randa.
Kur grupi i të denuemve doli jashtë i përciellun nga policia, mbi to u lëshue masa për me i mbyt me duert e saj, veçanërisht kundër Pierinit, por policia nuk i lejoi. Pra ato njerëz ishin të bindun se Pierini kishte ba deklarata false, aq ishin të dehun nga propaganda partisë komuniste që gjente në to tokën pjellore për të hedh farën e keqe të saj.
Edhe ky grup e pagoi me gjasht të pushkatuem ndër ta Pierin Kçira që e tregoi veten se ishte burrë trim e i vendosun si një shqiptar i vërtetë. I gënjyem dhe i lidhun me partinë e Sigurimin, këta e kishin përdor për të kurdisë planin e armëve të fshehuna në kishë. Por pas gjyqit të misonarëve italianë e priftave shqiptar qe pastaj u pushkatuen, Pierini e kuptoi se kishte hy në rrugë të gabueme, duke u ba shërbëtor i djallit. Kështu tue mos e tregue veten për asnjë çast karshi sigurimit, se ishte i aftë për gjeste trimie e vetmohimi, priti daljen në gjyq për të shfajsue veten tue thanë të vërteten para popullit Shkodran e për të demaskue kurdisjet e poshtërsitë e një regjimi që e mbante pushtetin për të ba krime mbi krime të ligjerueme gjoja me gjykata e prokurori, të gjithë në shërbim të terrorit e të kriminalitetit të një udhëheqësi psikopat e pervers. Mjer Shqipnia e mjer shqiptarët !
Llesh Marashi
Në një pasdite tё javёs funidt tё janarit ndërsa të gjithë ishin shtri tue u marrë me mendimet e tyne, nga jashtë erdhi nji zhurmë zanash e britmash, që hynte nga dritarja e vogël nalt mbi faqën e murit. Valentini vendosi me pa e tue hyp me mbi kurrizin e një shokut mundi me dallue një turmë të madhe, partizanë e partizane, që vinin rrugës me shumë popull mbrapa, tue shoqnue dy njerëz të lidhun, të mëdhej e mjekrrosha, sigurisht malësorë të arratisun të malit që i kishin kap. Ato dallohëshin mbi gjithë të tjerët për nga shtati, dhe ishin të ruejtun nga njerëz të sigurimit të armatosun deri në dhambë. Sigurisht do t’ishin njerëz të randësishëm, për deri sa ishte grumbullue gjithë ai popull rreth tyne, tue brit e sha, e tue i thur lavde partisë, qeverisë e diktatorit. Rruga bante kthesë dhe turma mori drejtim andej dhe u zhduk. Valentini zbriti. Kush do t’ishin ato të dy malësorë e si me e marrë vesh?
Për mos me ra në sy të spiunëve, Valentini porositi nje nga shokët e tjerë të pyeste kushrinin e Remzisë, që bante shërbim aty. Morën vesh se ishte fjala për major Llesh Marashin dhe një t’afërt të tij, që i kishin kapë atë mëngjes pas një luftimi të shkurt afër Koplikut.
Llesh Marashi, siç dihet ishte ai që andej nga mesi i shtatorit 1945, kryesoj kryengritjen Malësisё Madhe, që quejt e Koplikut, 7 km larg nga Shkodra, me qëllim pastaj me i ra Shkodrës. Me shpresë se do të çohëshin edhe krahinat e tjera përreth, gja që nuk ndodhi dhe kryengritja dështoi. Lleshi me të vetët u detyruen të fshihëshin përsëri në malet e tyne, të ndjekun nga forca të shumta komuniste të dergueme drejt nga Tirana, për t’i asgjesue, nën komandën e Mehmet Shehut superkrimineli i dytë pas Enverit. Me ket rast Mehmeti vendosi një shtetrrethim pesë ditor në Shkodër, ku u arrestue me qindra vetë, dhe pati pushkatime të shumta pa gjyq. Valentini vetë e kishte shpӫtue pothuej kot, sepse mund t’ishte eliminue nga ndonjӫ komandant ose komisar brigate, apo thjesht njӫ partisan pa urdhӫn e dijeni tӫ askujt as tӫ vete Mehmet Shehut.
Majori Llesh Marashi
Udhёheqёsi i kryengritjёs sё Koplikut.
Hero e martir i Lirisё e Demokracisё
Ma vonë ata morën vesh se Llesh Marashi me nipin Rrok Kanti dhe kushrinin Pjetër Bajraktari, që rrinin fshehun prej gati një vit e gjysmë në një shpellë, në një faqe të një mali shkambor mjaft e zorshme me u diktue dhe arrit. Furnizohëshin me ushqime nga njerëz shum besnikë që kur afrohëshin lëshonin za kafshës së pyllit. Shum rallë dilte ndonjëherë i nipi, Rrok Kanti, për kontroll, një e ri i pashëm, i fuqishëm dhe shum i zhdërvjelltë, që ishte shque në luftime kundër forcave komuniste.
Shpella ishte në një vend të fshehtë shum të sigurtë, që as që mendohej se mund të zbulohej. Por me sa duket ndonjë spiun do të ketë vrejtë lëvizjet e njerëzve që çonin ushqime, sado që ato mundohëshi mos me ra në sy.
Kur forcat e sigurimit e rrethuen vendin, komanndanti kishte kërkue dorëzimin e tyne, por në atë çast nipi i Lleshit, Rroku, ishte lëshue pas një shkambi e kishte fillue pushkën. Në të shtënat e para mbetën të plagosun dy ushtarakë e megjithëse Lleshi i thërriste nipit Rrok Kantit, që të pushonte zjarrin, ai nuk donte të ia dinte dhe vazhdonte me luftue me trimni të pashoqe. Por rrethimi sa vinte e shtrëngohej ma tepër, dhe Rroku e pa se i kishin mbetë pak fishekë, atëhere mori vendimin e fundit, ma mirë me vra veten se sa me ra në dorë të komunistёve, kështu që e drejtoi revolverin drejt gjoksit e gjuejti. Ndërkaq komandanti i thirri Lleshit që të dorëzohëshin se nuk kishte tjetër rrugëdalje. Lleshi ishte përgjigj, se po t’ishte për atë, ai nuk do t’ishte dorëzue kurrë, por mendonte per jetën e nipit edhe te kushrinit, pra të Rrokut e të Pjetrit. Në qoftë se ai i garantonte jetën e tyne atëhere ai do të dorëzohej.
Në këtë rast Lleshi nuk dinte asgja për Rrokun, qё ishte vetvra. Komandanti pasi ishte konsultue me komisarin u përgjigj që e pranonin atë kusht. Kështu Llleh Marashi e Pjetër Bajraktari u dorëzuen dhe i sollën në Shkodër. Veç atёherё Llesh e mori vesh se Rroku ishte vra (gjoja), dhe ishte pendue pёr dorёzimin. Rrokun e gjetën të shtrim, me një plagë të madh në gjoks e shum humbje gjaku, dhe e kujtuen të vdekun. Por komandanti ishte afrue dhe kishte vrejtë se ai ishte akoma gjallë, prandaj kishte dhanë urdhën që të përgatisnin me do druj një far lese për ta ulë deri në një vend ku vinte makina. Kështu u veprue dhe Rrokun e mori një makinë dhe e çoj në spitalin e Shkodrës ku e operuen urgjentish duke e shpëtue nga vdekja.
Pasi u shërue, Rrokun e morën në hetuesi për me nxierrë nga ai informata të nevojshme, veçanërsint për axhën, por më kot ai nuk pranoi kurrë n’e kurrës, duke përballue edhe metodat e torturave.
Pёr tё pёrmbush kёtё ngjarje, Lesh Marashin e mbajtёn njё kohё tё gjatё nё qelitё e burgjёve, pothuej njё vit, ashtu tё izoluem. Por me sa dihet nuk asht turturue.
Mendohёt se donin ta thyenin e ta banin pёr vete, tue i premtue edhe ndonjё post me randesi. Kjo, thuhёj se si me anё tё tij, regjimi komujnsit do ta kishte tё lehtё tё asgjёsonte tё gjithё tё arratisunit e veriut e kryesisht ata me peshё e influencё nё popull, si Mark Gjomarku, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari, e tё tjerё. Sigurisht se Llesh Marashi u tregue i pamposhtun. Atё e ekzekutuen me varje mids Shkodrёs me 1946.
Të burgosunit nuk ia falnin aktin e dorëzimit. Një figurë si ai dhe përmatepër ushtarak si Llesh Marashi s’duhët të ishte dorëzue gjallë në dorë të partizanëve leckamanë.
Valentinit po i afrohej një ditë e trishtë. E thirrën në zyrë ku kishte mbrritë e shoqja me një leje takimi të posaçme, për me u përshëndet me të. Takimi si mund të përfytyrohët ishte tepër prekës, aq sa Valentinit iu duk se u përmallue edhe drejtori, sepse pas pak ai u çue në kambë e filloi të shëtiste poshtë e nalt nëpër dhomë, duke e lanë qiftin vetëm që të flisnin lirisht. Valentini u mundue me e qetësue gruen tue i dhan kurajo e zemër, dhe tue përfitue nga rasti kur drejtori o shkonte në fund të dhomës, para se ai të kthehej i tha Gorit se në rastin ma të parë ai do të mundohej të arratisej nga Shqipnia, prandaj kishte një shpresë shpëtimi për ta. Ose pas valës së parë të këtyne masava drastike, gjendja qetësohej dhe krihohej mundësia e bashkimit të tyne përsëri.
Këto fjalë sikur e qetesuen gruen, sa që e mori veten. Sigurisht se ai nuk i tha ashtu vetëm për ta qetësue, por i bindun se ma vonë mund të paraqitej puna që ai të ndërmerrte nje aksion të tillë në rastin ma të parë të volitshëm. Edhe për situatën nuk i dihej. Ndoshta ndërhynin Aleatët për një përmirësim të gjendjës.
Duhet të theksojmë, se mjerisht, gjatë gjithë kohës 45 vjeçare të regjimit komunist, Valentini nuk pati as ma të voglën mundësi arratisje, sepse ishte i ruejtun vazhdimisht. Siç dihet ai kaloi gjithë jetën në kampet e internimit, ku duhej me u paraqit dy tri herë në ditë në apel, ku nuk guxonte kush me mungue, sepse alarmohej i gjithë sigurimi i shtetit. Drejtori e lejoi zgjatjën e takimit deri kur vetë ato të dy e vunë në dijeni se kishte ardhë çasti i ndarjës e nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Kështu e shoqja e përshëndeti drejtorin duke i dhanë dorën në shenjë falendërimi. Por Valentini u çudit kur drejtori, ndërsa ai po i êriellte te dera, i kishte shtrëngue dorën fort duke i thanë : “Mos u mërzit, sepse nuk i dihet, mund të lirohësh e kështu mund të baskohësh përsëri me të.”
Valentini e kishte falendërue dhe ai i la përsëri vetëm, ndërsa kalonin sallonin dhe zbrisnin shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve u përqafuen para se të ndahëshin, pa mund të thonin nji fjalë aq i kishte pushtu emocioni. Valentini e përmbante veten mos me derdh lot, edhe pse matanë hekrave ishin grumbullue shokët e burgut, te cilët donin t’u gjendëshin afër në ato çaste të dhimbshme për mos me thanë dramatikë. Gori, nuk mund ta përmbante veten e kishte shpërthye në vajë të ngashëruem dhe ashtu doli prej burgut krejt e trubullueme dhe e shastisun. Ajo ishte ndarja si e njё Penelope të re, qё shёnonte fillimin e asaj Odiseje tё papёfytyrueshme tё luftёs pёr jetё a vdekje të Valentinit.
Lufta e Trojёs kishte zgjat 10 vjet, e 10 vjet tё tjerё i ishin dashtё Uliksit tё kalonte peripëci e rrëziqe deri sa u kthye në Itaka. Sa do tё zgjaste Odiseja e Valentinit ? Mirë, dhjet vjetёt e parё falëshin. Po pastaj, a do tё kishte zgjidhje pёr bashkimin me gruen, nga njё zbutje e situatёs ? Apo do ta prisnin tëlashe tё tjera, nё shёmbёllin e stuhive detare dhe përplasje nё brigje armiqosre tё Odisesё, pёr dhjertё vjet tё tjr emndja njerëzore normale smund të përfyronte se do të kalonte afër një gjysmën shekulli.
Gjithë ata që ishin mbledhë aty, brenda e jashtë burgut, shoqet e saj e ndonjë mik i familjes, ishin tepër të tronditun nga ajo ndarje e detyrueme nga rrëthana të tilla absurde, ku një regjim me tipare komuniste e me vese kriminale i trajtonte njerëzit pa marrë parasyshë ndjenjat, dëshirat e nevojat e tyne ma të thjeshta, ku në mënyrën ma barbare shkelëshin haptasi të gjithë të drejtat e njeriut.
Ky ishte regjimi që ishte vendos mbi shqiptarët që fillimisht ranë në kurthën e propagandës komuniste që u kishte prenmtue se do t’i banin të hanin me lugë të florinjtë dhe që sipas gjasës do t’i detyrone të hanin me lugë të drunit për mos me thanë të gurit !
Pas ditëve të para të kalueme me një far mërzie që shokët mundohëshin me ia lehtësue me bisedat e tyne, aty erdhi kryetari i degës të qytetit, Zoj Themeli, i njohun si një njeri i pashpirt.
Kaloi nga dhoma në dhomë e kur shihte ndonjë fytyrë të njohun u ndalte të fliste me të. Erdhi në dhomën e Valentinit ku të gjithë u çuen në kambë dhe u vendosën rresht që ai t’i parakalonte. Sëcilit, pasi e pyeste për emnin e mbiemnin i bante ndonjë pyetje të shkurt. Kur u gjet para Valentinit dhe e mori vesh kush ishte e pyeti :
– Mirë, a ke marrë ndonjë lajm prej grues ? Dhe pas pak e pyeti nëse kishte ndonjë kërkesë. Valentini ishte një djalë aspak i druejtun ndaj çdokuj, dhe për ma tepër i mërzitun nga gjendja e tij ndjenësore pas largimit të grues. Kështu që iu drejtue kryetarit të degës, të cilin vetëm kur e shifnin njerëzve u hynte tmerri aq i kishte dalë zani për njëri kriminel dhe i poshtër. Ai i tha nëse ishte e drejtë që ta mbanin akoma në burg, tue e ditë mirë se ai ishte krejtësisht i pafajshëm dhe nuk kishte ba asgja kundër regjimit, tue pasë jetue larg jashtë shtetit shumë vjet e pothuej pa ardhë asnjëherë në Shqipni, ku nuk e njihte kush as ai nuk njihte kënd.
Zoj Themei iu përgjigjigj qetë qetë :
– Duhet të dijshë se po të lironim, populli do të vinte me na kërkue hesap për atë punë. Do të vinin duke protestue e na kërkue pse e kemi lirue djalin e Prenk Pervizit, anmik për vdekje i regjimit etj. Pasi tha këto fjalë kaloi tutje. Pastaj doli në koridor e para e se me zbrit shkallët i tha :
-Familja jote ashte e intenueme në Berat, apo jo ?
-Po, ishte pergjigj Valentini. Ndërsa ai duke zbritë dy shkallë shtoi:
-Ndoshta do të internojmë edhe ty në Berat.
Të nesërmën mori një telegram nga e shoqja ku i thoshte se kishte mbrritë në Bologna ku gjëndej pranë familjes së saj.
Kështu kalonin ditët dhe muejt dhe po mbushëshin dy vjet nga dita e arrestimit. Në një mëngjes e thirrën poshtë bashkë me një fotograf të njohun shkodran që quhej Ded Jakova. Ky bashkë me profesor Guljelm Deda dhe mësuesin Zef Agim, qysh nga dita kur ishte nisë grueja e tij e kishin ftue me nda bashkë me ta ushqimin që u binin familjet.
Për Guljelmin e Zefin kemi folë kur në seancën e gjyqit u plasi gazi, pikërisht kur bahej pretenca e tyne. Ata shpetuen me nga pesë vjet burg. Valentini e Deda po rrinin të shtrimë e të mendueshëm, kur vijnë e i marrin dhe i çojnë të prangosun e me roje deri të zyrat e Sigurimit. Ia dorëzuen një oficeri që i çoi në një sallon ku duhet të pritshin deri sa t’i thirrnin. Aty pritën do kohë ashtu të lidhun. Nga salloni kalohej në katin e dytë nëpër një shkallë të shtrueme me qylym, kurse poshtë në katin e parë zbritej nëpër një shkallë prej betoni. Kalonin aty oficerë apo ushtarë të thjeshtë që i veshtronin sikur t’ishin kafshë t’egra. Pas një ore nga një derë anësore del një oficer që vjen drejt tyne me një çelës në dorë, i cili i liron e zbret posht me Dedën. Valentinit i thotë të presë aty. Dedës së shkretë, qyshë kur e prangosën në burg i kishte hy frika aq shumë, sa që gjatë rrugës nuk kishte këmbye nji fjalë me Valentinin. Kur zbriti poshtë ishte zverdh. Kushedi ç’e priste në katin e parë, dhe Deda e dinte mirë sepse nuk ishte hera e parë që e kishin sjellë aty.
Ndoshta donin të dinin prej tij gjana të tjera e kushedi me çfar çmimi. Nuk kaloi shumë dhe u hap një derë tjetër ku u duk një oficer që i bani shej Valentint që ta ndiqte në zyrë. Pasi u ulën ballë për ballë me në mes tavolinën, oficeri mori një fletë letre dhe një stilograf dhe filloi :
-Kur ke ardhë nga Italia ?
– Në muejin tetor 1944.
-Kur je arrestue ?
– Ditën e parë të shtetrrethimit të Shkodrës.
-Nga dita e ardhjes në deri në ditën e arrestimit, a je takue me t’afërm ose të njohun ?
-Me asnjë.
-Mirë, nuk do të vonojë shumë e do të dalësh edhe ti para gjyqit ku do të denohësh, por lehtë.
E gjithë kjo nuk ishte as marrje në pyetje as proces, veçse thjesht një formalitet për të cilin e kishin thirrë Valentinin, pikërisht për të justifikue mbajtjën e gjatë në burg, duke e ditë mirë se ai ishte krejtësisht i pafajshëm. Jo se ishin të fajshëm të tjerët që pushkatohëshin e denohëshin shumë randë. Por për rastin unikal të një njeriu që nuk kishte jetue në Shqipni dhe kishte ardhë në kohën kur pushteti kishte kalue në dorë të komunistëve. Ai kishte ardhë me i shërbye atdheutn si një oficer i dalun nga një akademi ushtarake. Por sistemi komunist nuk i merrte parasyshë aftësitë e cilësitë e mira të njerëzve, bile për cilësi të tilla përfundoje si mos ma keq dhe të shkonte dhe jeta. Për kuriozite shtojmë, se kishte dhe akademistë të tjerë të ardhun nga Italia, që s’u kishin ba gja, Bile kishte raste që i kishin caktue me punë, me dhanë mësim të artit ushtarak, në kuse që ishin krijue, por Valentini vështrohëj e trajtohëj si bir i Prenk Pervizit, që për të ishte një fakt dënimi që hynte në kriterët e ligjet e regjimit komunist,
që përfshiej ë „ luftën e klasave“, e shpikun dhe e zbatueme nga vetë diktatori, Enver Hoxha.
Në këtë tregim na duhet të kthehëmi te takimi i grues së Valentinit me Mehmet Shehun, kur Mehmeti i thotë asaj : « Kujtova se keni ardh të na falenderoni që nuk e kemi pushkatuar… » Shprehje e randë, por qe tregon edhe diçka ma tragjike, sepse ndonjë oficer ose partizan mund ta kishte eliminue Valentinin pa i dhanë llogari kuj e pa i kërkue kush llogari, me një shprehje qё e pёrdornin nё raste tё tilla :
-E po e qeruem edhe një reaksionar bir reaksionari. Shkurt fjala, Mehmeti i kishte kthye atë përgjigje asaj sepse e dinte se ne te tilla raste e në atë valë krimesh nga ana e partizanëve Valentini mund të kishte shkue si qeni në rrush, pa pasë dijen askush për atë punë, as vete komandanti i operacionit. Por një grueje te huej, e sinqertë e naive nuk i përplasej nje shprehje e tillë aq brutale.
Ndërsa Valentini ishte tue u marrë në pyetje ne atë zyrë, aty hyni një ushtarak me një alamet kartelë të trashë të ngjeshun me letra. Me një shenjë të oficerit e vuni mbi tavolinë. Sipër ishte shkrue me germa të mëdhe të zeza « Procesi i Llesh Marashit ».
Sipas gjasës atë figurë shumë të randësishme e mbanin në podrumin poshtë katit përdhes.
Pas pak oficeri i tha me prit jashtë. Ndoshta duhej të priste Dedën, kurse erdhi një ushtarak që pasi i vuni prangat e përcolli deri në burg. Pasditën vonë u kthye Deda, krejt i skuqun dhe i shqetsuem. E kishin mbulue me shamje, por kësaj radhe nuk e kishin keqtrajtue, dmth nuk e kishin rrah. Ndër të tjera tha se ku e kishin mbyll Llesh Marashin. Në një birucë të ngushtë në fund të një koridori t’errët. Në ato lloj birucash të ngushta mbanin vetëm nga një person në izolimi të rrebtë, të ndertueme kastile për njerëz që do t’i nënshtrohëshin një hetuesie të posaçme. Të mos flasim ma për metodat e mjetet e torturave që përdorëshin nga katilat e sigurimit për të detyrue viktimat që të pranonin procesin e hartuem prej tyne. Të tilla metoda e mjete ata i kishin dhuratë të çmueshme nga kolegët e tyne stalinianë të Siberisë, ku viktimat kishin arritë në miliona. Tani në dhomën e tyne nuk kishte asnjë të pa marrun në pyetje. Valentini kishte qenë i fundit pas dy vjet qendrimi ne burg kot bigarihak.
Erdhi dita kur duhej me dalë në gjyq. Vetë drejtori u paraqit me një listë në dorë dhe lexoi 15 emna ne atë dhomë e tre në një dhomë tjetër, gjithsejt 18 veta. U tha se të nesërmen do të shoqërohëshin te një sallë gjyqi kastile për ta, pa altoparlanta dhe me pak dëgjues, ma të shumtët t’afërmit e tyne.
Valentini nuk kishte njeri të vetin që të vinte në gjyqin e tij. Familjarët i kishte të internuem e prindin të arratisun e të strehuem në malët e Kurbinit qysh nga nendori 1944, e tani ishte shtatori 1946. Plot dy vjet i ndjekun kamba kambës nga forcat e sigurimit që nuk dinin se ku fshihej gjenerali, ose ndoshta kishte dalë jashtë shtetit që nuk kishin asnjë informatë për të. Vinin kot vërdallë maleve të Kurbinit pa ndeshun se pakut në një shënjë të tij. Mister !
Gjyqit u zhvillue ne një sallë pothuej të boshatisun me pak dëgjues. Por aty na ishte si prokuror vetë Aranit Çela ! Katili i katilëve, që kishte çue në pushkatim ajkën e Shkodrës, intelektualë, oficerë, priftën e seminarista, studentë e profesorë, katolikë, musilmanë e orthodoksë, qytetarë e malësorë. Një kasaphane e përbindshme.
Çfar mund të pritej prej tij, kur dihej se kishte marrë pjesë në pushkatimet sikur t’ishte në një shfaqje argëtuese, duke i gjuejt viktimat me revolverin e vet, për kënaqësi e zbavitje. Edhe kur ai lexonte pretencën ku do të kerkonte denimin me vdekje të viktimave që kishte caktue partia e qeveria, e bante sikur po mbante fjalim ne ndonjë gosti gazmore dhe jo në një sallë ku sundonte fryma tragjike e njerëzit konsiderohëshin berre për t’u çue te kasapi dhe jo vllaznit e tij shqiptarë, për të cilët ai vetë e dinte shumë mirë se ishin të pâfajshëm, por kështu kishte urdhnue partia, e ashtu do të vepronte duke ba kasaphane mbi ta, sepse partia ishte truni dhe zemra e popullit ! Absurditet !
Të 18 vetët brenda dy ditëve u morën në pyetje e mbaruen punë me trupin gjykues dhe me prokurorin. Valentinin e kishin lanë të fundin. Kryetari i gjyqit që zakonisht sa për formalite bante ndonjë pyetje, kishte mbet e nuk dinte nga me ia fillue. I erdhi në ndihmë prokurori. Kur Araniti iu drejtue Valentinit, fytyra e tij u vrejt dhe nisi t’i flasë me za të naltë, sigurisht për t’i shti frikën e pastaj për ta mbylltë me pretencën e tij fodulle. Valentini e mblodhi veten për të iu përgjigj ashtu si duhet. Ai lloj prokurori e nisi pretencën me gjana të sajueme, trillime e dëshmi false. Hodhi mbi Valentini akuza të randa të çpikuna e të shpifuna. Se para se me ardhë në Shqipni paskej takue disa personalitete të njerëz të arratisun në Itali, si Abaz Kupin, Mehdi e Mitat Frashërin, e të tjerë, prej të cilëve paskej marr udhëzime se si me fillue një kryengritje kundër regjimit komunist për ta rrexue atë, e të tjera absurditete.
Valentini nuk ia kishte vu fare veshin atyne shpifjeve neveritëse, dhe ishte thellue në medimet e veta, sa që Araniti e kuptoj se nuk po ia varte dhe mbeti keq. Nërkaq ndërhyni kryetari, një njeri i paaftë e i pa shkollë, i cili iu drejtue Valentinit tue i thanë :
-He pra, a je në gjëndje me u shfajsue ? Hajde, përgjigju .
Ndërsa Araniti po fshinte shkumbën që i ishte formue te goja si t’ishte një qen i tërbuem (që ishte), Valentini nisi me folë qetësisht :
-Fillimisht duhët të deklaroj këtu, para trupit gjykues dhe me përgjegjesinë time të plotë, se ato personalitete që permendi zoti prokuror, nuk i kam njohun as pa kurrë në jetën time, dhe as që kam dëgjue të flitet për ta para se t’arrestohësha. Vetëm në burg duke lexue shtypin kam marrë vesh se kush ishin.
-Se dyti, duhet të theksoj, se të gjithë akuzat që prokurori ka dashtë të mi ngarkojë janë krejtësisht false dhe të pathemelta. Po t’ishte se unë do të kisha pasë qëllimin me ardhë e me luftue në Shqipni, siç thote prokurori, kundër regjimit komunist, sigurish se nuk do ta kisha marrë gruen me vete, aq ma shumë se ishte e huej !
Mjaftuen këto fjalë t’urta e me vend me ia ulë prokurorit tërbimin e tij të zakonshëm, siç e tregonte fakti që i dilte shkumbë nga goja. Pas kësaj skene, prokurori nisi të lexoje kërkesën e tij për denimin përkatës të secilit të pandehun. Denimet nisen nga 15 vjet punë të detyrueshme në minierë dhe denime te tjera ma te lehta. Kur erdh radha e Valentinit u ba pak pushim, pastaj prokurori lëxoi kërkesën e tij që për çudi ishte për tre vjet internim, që kryetari e aprovoi me vendimin e tij. Kur u kthye ne burg të gjithë u gëzuen, duke e urue për atë zgjidhje që i jepte fund një gjendje pritjeje të padurueshme. I internuem, por kështu kishte mundësinë të rrinte me njerëzit e familjes dhe me marrë frymë në ajër të lirë e të pastër. Sigurisht se në ato rrethana, rreziku qendronte mbi kryet e çdo njenit prej tyne, dhe Valentini mund të kishte pasë pasoja ma të randa, siç kishte ndodhë me shumë të tjerë, miq e dashamirë, heroj e martirë, trima mbi trimat e njerëz t’urtë e të mirë. Kosa e komunizmit priste bashkë me barin e thatë edhe të njomin, bashkë me ferrat edhe lulet. Por kishte edhe një huq akoma ma të keq, që kenaqej ma shumë kur kosiste vetëm lule, vetëm livadhet me lule. Tashma bota mbarë shqiptare e din, ashtu dhe bota e jashtme, se diktatura komunsite në Shqipni bani kërdinë me një genocid të përbindhëm mbi njerëz krejtëshit të pafajshëm ku nuk u kursyen edhe fëmijët e qumështit. Diktatura Komunsite shqiptare u cilësue si ma e egra e gjithë vendëve komuniste të Evropës Lindore.
Internimi në Berat
Pas disa ditësh drejtori e kishte thirrë në zyrën e tij ku e kishte prit njerëzishëm e duke buzëqeshun i kishte thanë që të bahej gati se ndoshta të nesërmën mund të nisej për në Berat. Shtoi se atje do të gjente gjyshën dhe nanën që sigurisht do të gëzohën shumë. Besoj se je i kënaqun, a po jo ?
-Po zoti drejtor, nuk di si me e shpreh gëzimin tim tue mendue se do t’i takoj jashtë murëve të burgut dhe pas pesë vjet ndarje prej tyne.
Dhe në fakt të nesërmen u nis i shoqnuem nga një polic që u suell mirë gjatë rrugës, ndryshe nga disa të tjerë turizëz e kapadai, që ua binin në majë të hundës me sjelljet e tyne të ashpra njerëzve si Valentini, për të tregue se ishin të lidhun me partinë dhe i luftonin ata që ishin kundër saj.
Polici e përcolli deri te Dega e Brendshme e Beratit. Kur arriti aty dalloi disa fytyra të këqia të sigurimit, me uniformë oficerash. Ishin të lajmëruem me telefon për ardhjën e tij, e kishin dalë për ta pa, e në ato çaste dolën edhe të gjithë të tjerët nga zyrat sikur t’ishte një n,jerii jashtëzakonshëm.
Oficeri që merrej me të internuemit, pasi i kishte regjistrue të dhanat i tha se do të paraqitej në Degë dy herë në ditë, në mëngjes deri ora nandë dhe në darkë deri ora 19.
Kur Valentini doli nga zyra, para Degës, iu afruen disa vetë tue e pyet se kush ishte e nga vinte. Valentini e kishte kuptue nga e folmja dhe pamja se ishin të internuem verior. U tregoj se vinte nga Shkodra dhe se kush ishte, dhe se aty në Berat kishte gjyshën e nanën. Ata u gëzuen shumë dhe pasi i treguen se kush ishin i banë urimet për lirimin nga burgu. Ndërkaq një djal i ri u nda prej tyne për me lajmerue nanën e Valentinit. Kështu u nisën gjithë se bashku. Pas pak takohët rrugës me nanën që i kishte dalë përpara sa mori vesh ardhjën e tij. Një takim i përmallshëm pas pesë vjet ndamje. Nuk munguen lotët prej gëzimit.
U përshëndetën me shoqnuesit dhe u nisën drejt banesës ku priste me padurim gjyshja. Takimi me gjyshën ishte dhe ma emocionues, ajo e përqafonte dhe e prekte në trup si për me u bind se ishte ai vetë, nipi i saj i dashun. Banesën që u kishin dhanë në Berat ishte krejt e prishun e vendosun sipër një stalle. Një dhomëz prej 14 metra katrore pa tavan e me një çati ku mungonin binarë e tjegulla. Kështu që shiu pikonte kudo. Edhe dyshemeja ishte e prishun e i mungoni disa dërrasa. Era hynte nga të katër anët, sepse muret ishin ça e në disa vende pa tulla. Kështu që në ato ditët e para iu desh me ba vetë disa riparime, me mbeturinat që kishin mbetë nga lufta që kishte kalue edhe aty, ku e ndihmuen edhe shokët e ri të internuem. Kështu disi e rregulloi dhomëzën.
Këtë qytet të njohun për antikitetin e tij, ku spiskaste kalaja me mure të fuqishme, me kisha të vjetra, ku ishin ruejtë ikona, mozaike e libra deri dhe kodi i famshëm me shkronja të arta, regjimi komunist e kishe caktue si qëndër internimi për familjet e mëdha dhe plot të tjera nga krahinat e veriut. Shumë nga këto familje rrinin edhe në lagjën e kalasë, si dhe lagjet e tjera, si Mangalemi. Familjet dhe individët ishin internue për shkak të pjestarëve të tyne të arratisun në mal ose jashtë shteti. Kur ata vritëshin ose kapëshin ua lironin familjët. Por kishte nga ato familje që quhëshin të mëdha e të randësishme që nuk u liruen kurrë, edhe kur njerëzit e tyne u vranë apo vdiqen. Duke qenë se qyteti ishte damtue nga lufta, banesat e shkatërrueme u ishin dhanë për strehim të internuemve, të cilët mundohëshin me u rregullue në ato ndërtesa gjysmë të shembuna.
Komanda ishte mjaft larg, nga ana tjetër e qytetit, e megjithatë si nana ashtu gjyshja duhet të paraqitëshin dy herë nënё ditё. Kjo pёr gjyshё, plakё 85 vjeçe, ishte njё torturё. Kështu që pa kurgja mbas shpirtit, fërguhëshin me racionin e bukës së misrit që u kishin dhanë, prej nji kile buk në ditë. Kjo sasi buke u jepej për të kompesue mungesat ushqimore. Ata e shitshin e shitsnin gjysmën beratasve që edhe ata vetë vuenin nga buka prej krisës ushqimore që kalonte vendit, dhe e kishin racionin 400 gram për njeri. Ishte krizë e madhe buke,sepse të gjithë tokat bujqësore kishin mbetë pa u punue, prej dy vjetësh. Sa që ndërhyni UNRRA, me furnizim mielli, për të përballue atë mungesë. Edhe të internuemit e tjerë kështu vepronin, që regjimi komunist i kishte debue nga vendet e pasunitë e tyne pa u lejue të merrni asgja me vete. Me ato pak lek të bukës ato mundohëshin me shtye përpara në atë gjëndje të pa shpresë ku i kishin pllakos.
Me ardhjën në Berat Valentini pati mundësi t’i niste dy kartolina grues tij në Bolonja, ku e njoftonte se ishte transfërue nga Shkodra në Berat ku ishte bashkue me gjyshën e mamën. Ai përdori kartolinat pse e dinte se letrat çensurohëshin rreptë nga sigurimi. Për fat kartolinat kishin mbrritë atje, sepse pas një muej ai mori përgjigje, po ashtu me një kartolinë, ku e shoqja shprehte gëzimin e saj për transfërimin e tij në Berat, ku ishte bashkue me familjarët e tij. Kështu u hap një far mundësie që qifti të merrej vesh sado perciptas, se ishin mire, ku nuk mungonte shpresa e një përmërismi të gjëndjës që të mundësonte ardhjen e Gorit në Shqipni. Këto ishin ma tepër dëshira dhe andrrime, sepse realiteti ishte tepër i pa shpresë në atë drejtim. Ata që mendonin se situata do të qetësohej pas . stuhisë fillestare që kishte ba gjithë ato masakra e shkatërrime, do te mbentëshin të zhgënjyem sepse terrori do të vazhdonte i pamëshirshëm, me gjyqe e pa gjyqe, duke mbjellë vazhdimisht viktima të tjera, ndër shtresat ma të mira të popullsisë.
Valentini mbasi bani dy vjet burg, u denue me tre vjet
internim ne Berat, ku u bashnkue me gjyshӫn e nanӫn.
(Foto Xhimitiku, Berat, 1949)
Gjyshja, Mrika Pervizi dhe mama, Ana Pervizi,
internuar nӫ maj 1945 ne Berat, e pastaj mӫ 1948-1954 nӫ Tepelenӫ ku gjyshja vdes mӫ 1950, nӫ mohӫn 90 vjeçe., pas 5 vjet internim e mama, pas 32 vjet internim vdes ne Pluk tӫ Lushnjӫs mӫ prill 1977, nӫ moshӫn 77 vjeçe, pas 32 vjet internim.
Berati nga 1945 deri 1948 u ba qender internimi per familjet e mӫdha tӫ Veriut e shumӫ familje tӫ tjera qӫ kishin njerӫz tӫ arratisur nӫ mal ose jashtӫ shetitit.
Një vështrim retrospektiv
Duhet me ba një analizë ose me mirë me thanë me hedhë një vështrin retrospektiv, pra me u kthye mbrapa, pikërisht në kohën e kapitullimit të Italisë që shënoi ardhjen e gjermanëv në Shqipni, për me u dhanë kuptim e me sqarue ngjarjet që shoqnuen atë periudhë, e që lidhen me tregimin mbi Valentinin dhe familjen e tij.
Si një dëshmitar i sakte dhe i ndërgjegjëshëm që i kam ndjek dhe i kam përjetue ato rrethana, them se tregimi im do të shërbejë për të sqarue shumë punë që janë paraqitë tjetër për tjetër, pra anapolla, ose janë deformue e manipulue qëllimisht për interesa t’errta klanore, krahinore, fetare e ideologjike, duke qenë se e kam si të ngulitun në tru për t’i paraqitë ngjarjet sipas një kand vështrimi sa ma real e të të përpiktë. Urrej shkrimtarët që servilosën për qëllime përfituese privilegjësh materiale apo morale, të cilët kthehen në idhtarë e himnizues individësh, partishe, klanesh, krahinash e besimesh, tue arrit në sajime e trillime neveritëse, që përfshihën në termin e « fallsifikimit » me dashje të historisë shqiptare.
Ka pasë raste që edhe të ashtuquejtuna figura e personalitete të botës shqiptare, të kenë fallsifikue qellimisht fakte historike, të njohuna mirë, me tregimet e tyne, duke përfitue nga emni dhe titujt që mbanin e mbajnë. Kjo do t’ishte një nga poshtërsitë ma të mëdha që i bahët historisë sonë. Do të kemi rast të rithehemi në këtë bisedë, por le të vazhdojmë me atë që kemi nis.
Kur, me 8 shtator 1943 u shpall kapitullimi i Italisë, po atë ditë prindi im, Gjeneral Prenk Pervizi, bashkë me disa oficerë të tjerë madhorë të ushtrisë shqiptare, ndër ta Gjeneralët Gustav Mirdashi e Aqif Permeti e nja dy kolonelë, u paraqitën të Komanda e Ushtrisë Italiane, ku patën takim me kryekomandantin e asaj ushtrie në Shqipni, Gjeneralin Dalmazzo. Në atë takim, im atë, në emën të ushtrisë shqiptare, i njoftoi atij se kishin ardhë me marrë në dorëzim Komandën. Gjeneralit Dalmazzo iu kërkue që të lëshonte urdhnën garnizonëve italiane që të dorëzohëshin me gjithë armatimet e tyne, pranë forcave efektive të ushtrisë shqiptare ose të atyne të malit, për të mos provokue incidente e derdhje gjaku, për deri sa pushtimi italian në Shqimi kishte marrë fund. Shqipnia tashma e ndiente vetën të lirë e të pavarun. Dalmazzo e mori përsipër ta kryente atë punë. Ndërkaq, im atë ndërhyni tue e këshillue që të merrte me vete sa ma shumë italianë me anijet që kishin, sepse gjermanët mund të hakmerreshin me ta, për tradhëtinë që u ishte ba. Dalmazzo i kishte falendërue shqiptarët për fisnikërinë e tyne, dhe me atë rast i kishte ofrue si dhuratë e kujtim babës, dy kuajt e tij të bardhë në shenjë respekti për kolegun e tij shqiptar që ishte sjellë aq fisnikërisht, ndaj tij dhe komandadës italiane. Im atë e kishte refuzue ofertën. Kështu komanda italiane i dorëzoi zyrat dhe ndërtesën e komandës, ku zuni vend komanda shqiptare me babë në krye. Ky ishte akti i parë i kryem nga ushtria shqiptare, që historikisht nuk përmendet, sepse historianët me tituj e kravata, kërkojnë dokumenta të shkruem që s’janë ba por që efektivisht veprat janë krye me marrëveshje gojore, besë e burrni. Në këtë rast dëshmitar kryesor ishte im atë bashkë me oficerë të tjerë madhore, dhe ngjarja njihej asokohë nga të gjithë, kurse unë i biri isha vetë në Tiranë e në dijeni të plotë për sa ndodhte. Duhet theksue se dorëzimi i ushtrisë italiane u ba pa probleme sipas marrëveshjes që u arrit për dorëzimin paqësor. Kështu duhet kuptue dorëzim i ushtrisë italiane, dhe jo siç asht paraqit nga komunistët dhe nga forcat e tjera politike. Aq e vërtetë asht sepse ndodhi një incident në Burrel pak ditë ma përpara kapitullimit, kur forcat italiane kishin urdhnin e kundërt për mos me u dorëzue dhe me iu përgjigjë me zjarr çdo tentative sulmi nga ana e shqiptarve. Matjanët, të nxitun kushedi se prej kuj, u bashkuen e sulmuen Burrelin, ku u pritën me breshëri mitrolozash e gjuejtje topash që banë kërdinë në to, dhe ikën të tromhasun e të çakërdisun tue lanë të vdekun e të plagosun. Pra, theksojmë, se disa ngjarje të asaj kohë duhën veshtrue e paraqitë brenda suazës së vërtetës. Dhe e vërteta mund të vonojë por del një ditë në dritë. Uroj që kjo dritë të ketë ardh kur historia e Shqipnisë të shkruhet e saktë e pa paimponueme dhe e pamanipolueme, e jo siç ka ndodh deri tashti. Ndërsa im atë me disa oficerë të tjerë, ndër to Generalët Gustav Mirdashi dhe Aqif Permeti, si dhe kolonelat, Fiqri Dine, Hysni Dema,Tahsim Bishqemi, Sami Koka, etj., kërkonin me organizue sa ma parë ushtrinë shqiptare, ngjarje të paparishikueme u banë pëngesë. Ishte hap fjala se Gjeneral Prenk Pervizi, kishte dalë në mal (ku?) dhe u bante thirrje reparteve të zonave të veriut që të bashkohëshin me të. Të gjithë repartët u shkrinë tue u kthye pas oficerëve të tyne në krahinat perkatëse, pasi plaçkitën depot e ushtrisë italiane, tue marrë materiale e armatime. Im atë i njoftuem dhe i alarmuem deshi të ndërhynte po u gjet para faktit të kryem. Unë vetë e mbaj mend kur vinin me radhë tek ne në Laç, oficerë e ushtarë, ndër ta disa oficerë miq e kushrij tanë, si Dod Bardhoku, Mark Doçi, Mark Doda, Ndue Lala, Mark Arapi, Rustem Martini, etj, tue pyet se ku duhet të shkonin me u bashkue me gjeneralin. U detyruen të kthehën në shtëpitë e tyne në Mirditë e krahinat e tjera. Ajo punë doli shqerrë, siç thotë populli. Kështu brenda pak ditëve vendi mbeti pa ushtri. Vetëm në Kosovë, dy regjimente shqiptare të dislokuem atje nuk ishin shpërnda. Kjo punë u quejt si një taktikë e komunistëve për ç’organizimin e ushtrisë shqiptare, që ndryshe paraqiste rrezik të madh për ta. Kjo sepse nacionalistët që tashma po merrnin pushtetin në dorë dhe me një ushtri të fortë nuk do t’u linin shteg komunistëve me përmbushë qellimet e tyne pro sllave, dhe nuk do të lejonin kurrë as marrjen e pushtetit nga komunistët as dorëzimin e Kosovës Jugosllavisë. Thuhej edhe se mund të kishin gisht anglezët edhe këta për të mos lejue krijimin e një ushtrie të rregullt e të fortë shqiptare, që nga nji anë nxirrte jashtë loje misionin anglez, kur te krijohej një qeveri nacionaliste që do të sundonte vendin dhe do të luftonte për bashkimin kombëtar që ishte në programin e gjithë forcave dhe partive nacionaliste. Nga ana tjetër Kosova e Dibra e Madhe mbetëshin brenda kufijve etnikë shqiptarë. Kjo nuk u shkonte për shtat anglezëve, që Kosovën ia kishin premtue Titos, nga vetë fakti që Cërçilli e kishte dergue me mision të birin pranë shtabit të Titos.
Ndërsa misionin e perparshëm anglez me kolonel Bill Maklin dhe oficerët e tjerë, e kishnn çue në Shqipni. Krijilmi e forcimi i një ushtrie kombëtare shqiptare, për anglezët do t’ishte një zhgënjim e dështim i pôlitikës tyne pro Jugoqllavisë së Titos. Në këto rrethana im atë me bashkëpuntorët e tij, vendosën me përforcue ushtrinë e Kosovës, që siç thamë, nuk ishin shpërnda. Ai u emnue Ministër i Mbrojtjës Kombëtare. Kjo detyrë i jepte atij autoritetin e nevojshëm dhe absolut në fushën ushtarake. Siç e dijmë, Kosova e Dibra e Madhe ishin përfshi në Jugosllavinë, sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më 1913 dhe traktatit të Versailles më 1919, megjithëse dihej se ato territore ishin shqiptare dhe të banuem nga shqiptarë. Siç duket në atë kohë , Fuqitë e Mëdha që quhëshin prej shqiptarve « Të Shtatë Krajlitë », në atë konferenncën e Londrës, kishin vetëm një hall, atë që të përkrahnin dhe të kënaqnin Jugosllavinë me çdo kusht, në kurriz të vendëve ma të vogla e të dobëta. Shqipnia sapo kishte dalë nga pushtimi 500 vjeçar turk e mëzi mbahej në kambë e nuk kishte asnjë mbështetje ndërsa kishte shumë anmiq, që donin ta zhduknin nga faqja e dheut, qoftë me anë të forcës e po ashtu me anë të lojnave dhe hileve të dipllomacisë evropiane. Fati i saj që doli një president amerikan si Wilsoni që nuk e lejoi coptimin përfundimtar të saj. Tue u kthye në periudhën vendimtare të 1943, im atë bashkë me disa patriotë të tjerë, si Mehdi Frashëri, Anton Hatapi, Lef Nosi, Mitat Frashëri, Fiqri Dine, Hysni Dema, Rexhep Mitrovica, Ibrahim Biçaku, Muharrem Bajraktari, etj., mendonin se me mbarimin e luftës qeveria nacionaliste do të bante çmos për mbajtjen e Kosovës, tue fillue nga forca e armatosuna deri te zbatimi i « Kartës » së Kombëve të Bashkuara, për vetvendosjen e popujve. Por tue i paradalë mundësisë së deshtimit diplomatik ata vendosën që në Kosovë duhet të përforcohej kontingjenti i trupave për t’i dalë zot mbrojtjes me çdo kusht së kufijve etnikë. Kjo barrë i kalonte Ministrisë së Mbrojtjes dhe im atë u angazhue me gjithë mundësitë dhe autoritetin që kishte, në krye të ushtriës kombëtare shqiptare.
Në këto kushte u dukën gjermanët, të cilët me kapitullimin e Italisë erdhën e zunë vendin e saj, me gjeneralin Neubacher, Ministër për Ballkanin, i cili në ndërhyemjen e parë që bani deklaroi se Gjermania e njihte Shqipninë të lirë, të pavarun e neutrale. Shqiptarët të vazhdonin punën e tyne për qeverisjen e adminstrimin e vendit. Gjermanët nuk do të përzihëshin në punët e tyne, sepse kërkonin vetëm rrugë kalimin nëpër Shqipni dhe asgja tjetër. Aq e vërtetë asht kjo, sa që ato nuk ndërhynë në punët e shqiptarve, tue ditë se nuk kishte familje që nuk mbante në shtëpi italianë të mbetun në Shqipni, dhe asnjë italian nuk u vra as nuk u arrestue prej tyne, kryesisht në veri. E njejta gja duhet të thuhet për hebrejtë, që nuk pesuen asnjë përsekutim dhe Shqipnia mbeti si i vetmi vend në botë ku holokausti i hebrejve nuk u zbatue. Sigurisht pse qeveria nacionaliste i kishte marrë masat për sigurimin e tyne, tue i pajis të gjithë sa ishin e sa vinin me dokumenta shqiptare, jo me fushatë bamirësie por me vendime zyrtare, me goje e me letër. Kjo vinte edhe nga shkaku që permendëm, se gjermanët respektonin vetqeverisjen e vetadminstimin e shqiptarve, duke qenë se u kishin njohun lirinë, pavarsinë e neutralitetin. Kjo sa thamë, përforcohet nga fakti se u hapën kabllot telefonike e telegrafikë me Evropën e deri me Amerikën. Për ata që mund të dyshojnë e kemi faktin se prindi im kishte një problem blerje prone, ku i zoti ishte një mik i tij në Amerikë qysh në kohën e Zogut, me të cilin u lidh, foli dhe e zgjidhi çeshtjen. Keshtu kishin veprue dhe te tjere që munden me u lidhë me njerezit e tyne në SHBA e gjetke. Jam ma se i bindun se për shumë lexues këto pohime janë të padëgjueme prej tyne, por që kanë randësinë e vet për të tregue se si ishte gjëndja në Shqipni asokohë. Jo vetëm kaq, por mbretnonte një lloj demokracie e pa pame deri atëhere. Shtypi shkruente lirshëm, e shkrimtarët mund të botonin vepra që në kohën e italisë nuk mund të dilnin. Komunistët qarkullonin në Tiranë lirshëm, ku banin propagandën e tyne, me fletushka e me fjalime pa i trazue kush. Une vetë isha takue në rrugë me të rij moshatarë studentë e komunistë, tue folë si t’ishim në Angli. Ato që quhëshin atentate, çdokush mund t’i bante, aq lirshëm shkonin e vinin njerëzit në punët e tyne pa i kontrollue kush. Po pse flitet aq keq për atë periudhë « pushtimi » ? E po kjo asht vetëm këmbana e komunsitëve që bie, për të justifikue ardhjen e tyne në fuqi, dhe nuk lejohej as po lejohet edhe sot që të dëgjohët edhe kambana tjetër e nacionalistëve. Me anë të shtypit të tyne, të librave shkollorë, e të veprave të shkrimtarëve, bashkëpuntorë, konformistë e servilë si dhe me anë të filmit, teatrit të veprave artistike, pikturë e skupturë, e shfaqjeve të tjera artistike kulturore, komunistët arritën të krijojnë një imazh heroik e patriotik të pa qenë, sipas thanjës së një shkrimtari të madh si Volteri, se gënjeshtra e përsëritun bahet e vërtetë. Kështu regjimi komunist që zbatoi një propagandë të tillë shpifjesh, falsifikimesh, gënjeshtrash e mashtrimesh, të paraqituna zyrtarist në shkallë shkollash, universitetësh e akademie, dhe aktivitetesh kulturore-artistike gjatë një gjysmë shekulli, krijoi një histori kryekëput të deformueme e të fallsifikueme, që mjerisht gëlltitet si e vërtetë. Në ket rast të vjen keq për intelektualët e ri që bien në atë kurthë e nuk kërkojnë të gjurmojnë ma tutje, sa asht koha, sepse ma vonë do ta kënë shumë zor të heqin nga Fjalori Enciklopedik, ne mes të tjerave, figura si Lenka Çuko, Muho Asllani, e kriminelë si Aranit Cela, Josif Pashko, Shefqet Peçi etj. me shokë, të paraqitun si heroj, e që nuk kishin lanë krim pa krye mbi kokat ma të zgjedhuna e bijt ma të mirë të Shqipnisë, lenë që kosovarët i kishin gri me sharrë të ndryshkun, siç e deklaronin vetë me mburrje. Të mburrësh se vret e torturon njerëz asht veti vetëm e kriminelëve, të tillë kanë qenë shumica e atyne qe quhën sot, veteranë të luftës, vrasës e xhelatë, që mburrën për medaljet që mbajnë në gjoks, për heroizmat e krimeve të tyne, sepse për pesëdhjetë vjet Shqipnia nuk luftoi me kërkënd. E lufta kyesore e sistemit komunist ishte « lufta e klasave », e ato medalje mbanin erë gjaku viktimash e torturash.
Sa të gënjeshtër dhe të fallsifikueme e kanë shkrue historinë Akademia komuniste me historianët e saj, kjo del fare qartë nga fjalori enciklopedik 1985, ku shkruhet se në Luftën e Tiranës, paskëshin qenë vra 3000 gjermanë ?! As parë as dëgjuar ! Unë, autori i këtij libri, sot 88 vjeç, e kam jetue vetë atë kohë. Në Tiranë në vitet 1943-44 nuk ka ndodhë që të jetë vra një gjerman i vetëm. Kur komunistët kanë hy në Tiranë me 17 nendor, gjermanët kishin 20 ditë që ishin largue (me 27 tetor) pa u hy ferrë në kambë. Kështu me ketë fakt, historisë së komunistëve i vihet vula e turpit të fallsifikimit. Brezat e rij, te kenë kujdes mos te bienn në këtë batak mashtrimesh. XSiç thamë kjo ishte një ndërhyrje retrospektive si u zhvilluen ngjarje që sollën në pushtet komunistët. Ku Valentini me gruen erdhën pikërisht në atë kohë si t’ishte diçka e progamueme ose e porositun.
Vllaznit e shtjellime tё tjera
Valentini nga nga viti 1943 nuk ishte takue me vllaznit. Kur erdhi në Shqipni më tetor 1944 mori vesh se ata ishin strehue në mal pas djegies së shtëpive në Laç e Skuraj. Ata qëndronin të fshehun me gjithë nanën e gjyshën nga frika e komunistëve, siç e kemi tregue, ku ndëjtën 8 muej nën mbrojtjë e familjës së Nikoll Llesh Gjokës në Skuraj. U kthyen në Laç në prill 1945 të shtëpia e djegun dhe kaluen në Tiranë, ku zunë një dhomë me qira. Ndërsa nana e gjyshja u internuen në Berat, ku ma vonë i arriti Valentini. Nga dy vllaznit, unë ma i vogli kisha zanë punë në librarinë e qiftit korçar Kote-Pepo, në ish librarinë italiane Marzoko, e djegun gjatë luftës dhe e rindetrtueme prej tyne. Ata me pranuen si shitës duke qenë se e kishin njohun babën, kur ai ishte me detyrë në Korçë, dhe kishin një konsideratë të mirë për të. Kjo më vlejti si njëfar mbrojtje, sepse si Llambi Kote asht e shoqja Vrisidha Pepo ishin komunistë e kishin njohje e miqësi me funksionarë të lartë deri dhe ministra si Koçi Xoxe dhe vetë kreun e qeverisë, Enver Hoxhën. Ndërsa Genci mundohej me gjet ndonjë punë krahu. Kryesorja ishte me shty ditët me shpresë të një ndryshimi drejt zbutjës. Mendohej se Aleatët do të banin diçka e do të ndërhynin për të normalizue situatën, që ishte ashpërsue me ngritjën e gjyqëve speciale e me masa drastike, si pushkatime, burgosje dhe internime të qindra e qindra familje, siç ndodhi me familjën tonë. Duke kapërcye rrethana të tjera, po tregojme se si u ba e mundshme qe grueja e Valentinit te riatdhesohej. Fakt që hyn në rrjedhat e ngjarjëve që shoqnuen jetën e Valentinit. Ajo erdhi në Tiranë, për të rregulue dokumentat për riatdhesim me anë të „Çirkolo Garibaldi“ që përkujdesëj për riatdhesimin e italianëve që kishin mbet në Shqipni. Ishte Genci që i siguroi qёndrimin pranё familjëve mike Bonati e Toptani. Ajo erdhi në librari për t’u njoh me mue. U njoh edhe me pronarët z. Llambi Kote dhe Znj. Vrisidha Pepo, që e morën vesh historinë e saj e mbetën shumë të prekun.
Vllaznit e Valentinit Genci e Leka
Genci pӫrfundoi me 10 Burg. Me Valentini u takue pas 15vjet nӫ Kuç. Me Lekӫn nӫ Tiranӫ pas 6 vjet pa u pa. Valentin e Leka do te arrestohӫshin mӫ 1950, dhe do tӫ kalonin 40 vjet nӫ burgjet e kampet e ndryshme deri me 1990
E shoqnueme prej Gencit ajo arriti t’i plotësojë dokumentat që kërkohëshin e kishte ngel puna vetëm për firmën e Ministrit Brendshem Koçi Xoxës. Si me ia ba ? Të shkonte ajo vetë ? Mos i ndodhte si me Mehmet Shehun ? Nuk dinim si me veprue. Në ato rrethana Gori vjen te libraria ku do të priste Gencin që kishte shkue diku.
Aty ndodhi pronarja e librarisë znj. Vrisidha, e cila e ftoi të rrinte me të deri sa të vinte Genci. Vrisidha e mori vesh problemin e saj.
-Si ? Ka mbetur puna për firmën e Koçit ? Ma jepni ta shoh dokumentin, këtë punë ka mundësi ta zgjidh vetë.
Ishte diçka e papritun. Gori e befasueme nga ajo sjellje aq fisnike, duke bëlbezue „Grazie… grazie signora… Lei è troppo buona, nxori nga çanta dokumentin dhe ia dorëzoi. Vrisidha i hodhi një sy dhe e futi në çantën e saj ndërsa i fliste Gorit :
-Rri e qetë. Do të hyj vetë drejt e te Ministri, sa të marr vesh se kur mund ta gjej në zyrë.
Zoja Vrisidha e mbajti fjalën dhe të nesërmën nga ora dhjetë drejt e në zyrën e Koçit. Unë rrija në pritje të kthimit të saj. Nuk kaloi një orë veç kur e pashë që po vinte si e nxitueme. Hyni në librari krej e buzëqeshun, dhe ma tregoi dokumentin e firmosun.
– Ia mora firmën qenit ! Dhe kaloi te z. Llambi që u gëzue shumë. Pastaj na tregoi se si Koçit e kuptoi se Gori i përkiste familjës së Preng Pervizit dhe i kishte ba vrejtje. Unë i thashë, tregonte ajo, se atë grue e kisha një shoqe te ngushte që donte me u kthye te prindët. I kam dhënë fjalën, prandaj erdha ketu të ma kryejsh këtë ndër. Ai atëherë e firmosi dokumentin, duke tundur kokën.
Nuk vonoi shumë dhe Gori erdhi me Gencin. Nuk përshkruhet gëzimi saj, ndërsa e falendëronte Vrisdhën krejt e emocionueme. Në Cirkolo Garibaldi u gëzuen dhe menjëherë i caktuen datën e nisjës, pas 10 ditë. Ajo shkoi në Shkodër ku e lanë me u takue në burg me Valentinin, siç e kemi tregue. Pastaj ditën para nisjës erdhi me u përshëndet me Gencin e me mue dhe me pronarët e librarisë, ku ndarja me znj. Vrisidha ishte tepër emocionuese. Gori ia dedikonte asaj shpëtimin dhe e quente si një mrekulli.
Nuk vonoi shumë dhe në librari erdhi një telegram dergue znj. Vrisidha, ku i tregonte gezimin e saj që ishte bashkue me familjën në Bolonja, tue theksue se nuk do ta harronte kurrë të mirë që i kishte ba. Këto ishin rrethanat qe shoqnuen riatdhesimin e Gorit.
Le të rikthehëm te Valentini, që tani ishte në Berat, dhe kishte mundësi të merrej vesh me Gorin me ndonjë letër, por ma tepër me kartolina, duke qenë se letrat çensurohëshin rrebtë. Sa që Valentinit nuk i vinin letrat e Gorit dhe i pat shkrue se si ishte puna që nuk po merrte letra prej saj. Në një kartolinë ajo i thoshte se i kishte shkrue vazhdimisht. Kështu që edhe ajo nisi të përdorë kartolina me pak fjalë. Sigurisht se me largimin e saj e gjithë familja jonë u qetësue, por qëndronte problemi sa do të zgjaste kjo ndarje e dy bashkëshortëve. A do të kishte përmirësim gjëndja? Njerëzit e shpresonin një gja të tillë, por faktet tregonin ndryshe. Nuk shihej as një llojë zbutje. Vazhdonte fushata e terrorit, me arrestime, gjyqe, dënime me vdekje, pushkatime e burgje e internime. Kjo valë përfshinte shtresën e ngritun intelektuale, por nuk kursente as popullatën e thjeshtë, veçanërisht atë të krahinave të veriut. Berati, na tregonte Valentini, u mbush plot me t’internuem dhe u ba problem. Një pjesë e tyne u transferuen në Kuçovë, ku u caktuen me punue për ndërtimin e fushës së aviacionit. Të tjerë në fermat e Valiasit e të Kamzës. Kur ja papritun u prishën marëdhanjet me Jugosllavinë. Kjo shkatoi arratisjen masive të malsorëve të Veriut për në Jugosllavi. Si rrjedhim shteti ndërmori masa drastike ndaj familjëve të tyne, duke i internue në Berat, që ishte caktue si qendër internimi. Berati nuk kishte ku me i çue ato mija të intenuem, që mbushnin rrugët e sheshet e qytetit. Atëherë qeveria vendosi të krijojë një qendër tjetër ma të izolueme, dhe zgjodhi Tepelenën. Jo qytetin por disa fshatna përreth, si Turanin, Veliçotin e Memalian, ku ishin disa baraka italiane të braktisuna. Ky transfërim ndodhi në gusht 1948. Valentinin nuk e gjeti ky transferim sepse papritun i erdhi lirimi per mbarimin e tre vjetëve të dënimit. Por mama dhe gjyshja u përfshinë me qindra familje të tjera, ku shuma e përgjithshme e t’internuemve të veriut artrinte ne rreth 3000 vetë, shumica dërmuese , pleq, gra e fëmijë. Situata u ashpërsue dhe perpesktivat e një përmirësimi të gjëndjës zhdukëshin. Mundësia që Valentini të bashkohej me Gorin ishte hipotetike. Vuejtja shpirtnore e të dy bashkëshortve rritej dita ditës, pa rrugëdalje. Valentini e ndjente veten dyfish të denuem.
Ndërkaq diçka kishte ndodh, që nga një anë ishte një gëzim për ne, sepse im atë kishte arrit të arratisej në Greqi në shtator 1946, keshtu qe në u liruem nga ankthi se mos e kapej ose vritej në mal ku mundi me qëndrue dy vjet, pa u diktue kurrë, prej besnikërisë së fortë të njerëzve që e mbronin e strehonin. Në këtë arratisje ishim përfshi unë e Genci me familjen mirditore të Llesh Gziqit e birit tij Ndue Lleshi, që e kishin mbajtë të strehuem në shtëpinë të tyne në Sauk, 10 ditë, pothuej ngjit me Pallatin e Brigatave. Por heroj i asaj ngajrej ishte shoferi korçar Llazi Sterjo që e kishte përciellë Gjeneralin e tij nga Tirana deri në kufinin grek, në zonën e Bilishtit, prej ku im atë kishte kalue në Greqi. Lajimin, Valentini, gjyshja dhe mama e morën nga vetë shoferi Llazi Sterjo, i cili mbasi e përcolli komandantin e tij shkoi fill e në Berat për t’ua dhanë sihariqin. Por kjo nuk kaloi pa telashe , sepse Genci me shoferin, Llazi Sterjon, Ndue Lleshin si dhe zonja Marta Doda, e përfshime në atë punë, u denuen me nga 10 vjet burg, kështu që unë mbeta fillikat vetëm në Tiranë në mëshirë të fatit.
Gjithë sa po tregojmë merr edhe kuptimin e një Odiseje të dhimbshme ku në vend të tallazëve e stuhive të detit që përballoi Uliksit, Valentinit e ra me kalue nëpër tallazet e stuhitë e ndjenjave të acarueme, të shpresave të shueme, dhe të sakrificave e vuejtjeve shpirtnore, fizike e materiale. Ndarja prej grues se tij, prej së cilës i mbetëj me kujtue vetëm kohën e rinisë së lumtun, i shkaktonte një revolttim të brendshmë, për padrejtësitë që i bahëshin pa qenë fajtor për asgja. Aq ma tepër për Gorin e tij të dashun, që ishte krejt jashtë kësaj gendje, dhe binte vërtet si një viktimë e sakrifikueme në altarin e idiocisë njerëzore. Sepse për çfar po ndodhte në Shqipni, mund të kuptohej vetëm si një idioci, marrëzi e çmenduni. Përfundimi asht, se lufta botnore kishte marrë fund, e gjith sa ndodhte në Shqipni i përkiste një kohë paqëje, ndërsa diktatura komuniste po sillej si në kohë lufte. Kjo luftë e brendshme justifikohej me përkufizimin „lufta e klasave“, që supozonte një gjendjen lufte që do të vazhdonte gjatë një gjysmë shekulli.
Lirim i papritun
E treguem ngjarjën e arratisjës së prindit, për të plotësue ato rrethana që Valentini nuk mund të dinte se si ishin zhvillue. Ai i mori vesh të gjitha prej meje, kur papritmas u lirue e erdhi në Tiranë. Si ndodhi ? Më dhjetor 1947, komandanti i kampit të Beratit, toger Xhaferr Pogaçe, i njofton lirimin. Ishin mbushë tre vjetët e dënimit të gjykatës së Shkodrës. Ai fillimisht desh të qëndonte në Berat pranë gjyshës e mamës, ku mund të gjente ndonjë punë e t‘u vinte në ndihmë. Por disa miq e këshilluen që të largohej sepse aty do të shikohej e trajtohej gjithmonë si një i intenuem. Kështu në shkurt 1948 Valentini vjen në Tiranë ku bashkohet me mue. Një gëzim i madh për mue që tani kisha një mbeshtetje dhe zhdukej mërzia e vetmisë që më kishte mbështjellë. Me këtë rast ai i morr vesh gjithë përpjekjet e Gorit, për të nxierrë dokumentët e riatdhesimit të saj. Në këtë mes ajo kishte pasë mbështetjën, sidomos të Gencit që e shoqëroj në çdo zyrë e instancë. Por rol kryesor kishte luejt „Circolo Garibaldi“ që ia lehtësuen nxierrjën e dokumentëve, ku mungonte vetëm firma e Ministrit të brendshëm. Siç shpjeguem, paraqitej vështirësia e aprovimit nga Koçi Xoxe. Pëngesa kryesore. Ja që doli një njeri i mirë, Zoja Vrisidha Pepo që e zgjidhi atë punë. Mos te lashtë Zoti pa njerëz të mirë !
Lirimi i Valentinit dhe ardhja e tij në Tiranë i gëzoj të gjithë sa na njihnin. Ai pati rast të falendëroje Zojën Vrisidha e zotin Llambi për përkrahjën që i kishin dhanë Gorit. Gjithashtu familjët Bonati e Toptani, ku Gori kishte qëndrue gjatë kohës së rregullimit të dokumentëve që zgjati afro një muej. Ndërkaq ai u takue me disa ish shokë akademistë që nuk kishin pësue gja dhe ishin punësue si llogaritarë pranë ndonjë ndërmarrje. Kjo i jepte shpresë mos edhe ai siguronte ndonjë punë. Pastaj mori vesh si ndodhi arratisja e prindit tonë, dhe u njoh e miqësue me ata që e strehuen, Ndue Lleshin, të cilin e kishin lirue me një falje që u ba me 28 Nëndor 1947, në 35 vjetorin e Pavarësisë. Edhe të zotët e shtëpisë ku banonim, zoti Qazim Zyma dhe e shoqja, zoja Nurie u gëzuen. Qazimi ish major në gardën e Mbretit Zog dhe si ai ashtu e shoqja e njihnin mirë prindin tonë dhe e treguen atë miqësi tue mos na marrë qëra për dhomën që na kishin lirue. Z. Qazimi e mori përsipër ta njohë Valentinin me çështje llogarie, ku randësi në atë kohë ishte zotërimi i asaj që në kontabilitet quhej „doppia partita“. Por kjo nuk i hyni në punë, sepse sa merrnin vesh i kuj ishte i mbyllej dera.
Në gjithë sa thamë, ma e randësishmja ishte se Valentini i jepej mundësia të komunilonte me gruen e tij me letra. Ajo ishte gëzue shumë për lirimin e tij, dhe shprehej për mundësinë e ardhjës së saj për t’u bashkue përsëri me Valentinin. Por duhej ecun me kujdes në këtë drejtim dhe Valentini e mbante Gorin me fjalë të mira për një zgjidhje të tillë. Sepse në Shqipni vazhdonte vala e terrorit dhe po dallohëshin shenja të një lëkundje të marrëdhanjëve me Jugosllavinë. Tito e Stalini kishin fillue mos me qenë dakord në disa pika. Kjo dallohej në ardhjën e kontaktet e emisarëve të ndryshëm të dy palëve me udhëheqësit shqiptarë. Ku disa prej tyne shkonin e vinin nga Belgradi dhe Moska. Flitej se në atë verë Marëshalli Tito do të vizitonte Shqipninë. Se kjo vizitë do të kulmonte me shpalljën e përfshiirjës së Shqipnisë në Federatën Jugosllave si Republikë e shtatë. Për këtë punë kishte ardhë në Tiranë i derguemi i posaçëm Titos, Stamboliç. Diçka vlonte e mbulueme me sekret të madh. Por në popull qarkullonin të tilla fjalë.
Në këto rrethana të reja që u krijuen për Valentinin, Gori i shkruen se në Itali ia kishin ndërpre përfitimin nga rroga e Valentinit, e i kërkonin një prokurë prej tij. Kështu ne u intersuem dhe Valentin e hartoi një prokurë të tillë, të një noter. Por ajo prokurë duhej aprovue e vulosë në Ministrinë e jashtme dhe në ambasadën e Jugosllavisë, që përfaqësonte Shqipninë. Kjo detyrë me ra mue sepse Valentini kishte gjetë një punë si mekanik në një ofiçinë automjetësh. A do ti se si në Ministrin e jashtme ashtu në ambasadën jugosllave nuk hasa në asnjë pëngesë, dhe kështu dokumenti i shkoi Gorit e cila u gëzue shumë.
. Pavarësisht nga këto rrethana, për Valentinin qëndronte gjithmonë problemi i kësaj ndarje të imponueme nga rrethanat e mbrapshta e ku një zgjidhje nuk dallohej në horizont. Të dy palet vuenin nga kjo gjëndje e pa shpresë të dukshme, veçse e supozueme mos realizohej nga rrethana të paprituna të përmirësimit të situatës në Shqipni. Kjo me thanë të drejtën ishte një si andërr sepse realiteti tregonte të kundërten. E gjithë mundësia një ndryshim drej normalizimit të situatës në Shqipni nën regjimin e diktaturës komuniste qëndronte sipas shprehjës italiane „in alto mare“ në det të hapun.
Shpresa tё thyeme
Me ardhjën e Valentinit, unë mora kurajo me provue për vazhdimin e shkollës. Asnjë shkollë nuk më qaste. Një vit ma përpara se si kisha depërtue ne gjimnazin e natës. Kjo në saj të Prof. Abdurrahim Buzës, piktori i shquem, i cili e kishte njoh mirë babën dhe kishte admirim për të. Ai bani si bani e më regjistroi. Unë e vazhdoja punën në librari. At vit unë e përfitova dhe u pajisa me një dokument shkollor shqiptar. Por rrezikohësha të më merrnin ushtar. Duhej një shkollë e rregullt dite. Ndërkohë Valentini interesohej me gjet ndonjë punë të përshtatshme mos e ndihmonin edhe disa shokë me pozita, si Abdyl Kellezi, i cili ishte forcue shumë në parti e qeveri. Ky u tregue tepër i dobët ndaj Valentinit. Kur shoku i tij Minella Naçe i foli për të, ai ishte përgjigj fodullçe, « Ç’të bësh ! Valentini është një viktimë e kohë s ! » Me ket frazë cinike, ky që ishte shok i ngushtë, Abdyli, i lau duert si Pilati për Valentinin e pafajshëm. Minella kishte mbet i skandalizuem. Si ore Abdyl, shokun tand ma të ngushtë e quen një viktimë të kohës ? Mos t’i pâfsha ma sytë !
Edhe Valentini ishte i shqetësuem për mue. Se kush e drejtoi për te një shkollë të mesme të re ekonomike që hapej, ku dhe arrita të regjistrohëm, sepse nuk po mbushej numëri i nxanësve. Pas dy muej më përjashtuen me cerimoni bashkë me djalin e Qazim Mulletit, Rëshitin. Nuk na rrahën. Edhe nga Liceu Artistik më kishin përjashtue vitin perpara nga konkursi. Po ashtu nga një kurs gjeometrësh, ku me kishte perzanë, vetë ministri industrisë Abedin Shehu (që ma vonë, gjoja vrau veten). Në atë kohë, jo vetëm unë, por të gjithë studentët nga familje reaksionare e të deklasueme i kishin përjashtue bile tue i rrah. Kështu kishte ndodh edhe me liceun artistik, prej ku i kishin përzanë gjithë nxanësit nga familje reaksionare, me ceremoni rrahje me shqelma e grushta, nga vetë shokët e tyne, të Organizatës së Rinisë. Papritun ndodhën ngjarjet e prishjës me Jugosllavinë. Ku ia ngarkuen asaj të gjithë ato masa të këqia që ishin zbatue deri atëherë. Nxanesit e perjashtuem u rikthyen ne bankot ku kishin qenë. Me ket rast mora zemër dhe vendosa të paraqitem përsëri në Liceun Artistk. Konkurs. Fitova. Megjithëse i banë disa orvatje të tërthorta për me më largue e mos më lejue të vazhdoja. Valentini u gëzue. Në të gjithë ato të këqija po fillonte me lind një shpresë normalizimi, ndonse i dhimbshëm. Letrat nga Italia ishin ma të rregullta. Kishim shpresë se Gori mos na ndihmonte me pako e pare. Prej babës që nuk dinim asgja, me anë të Gorit merrnim vesh se ishte mirë. Ai vazhdonte të qendronte në Greqi.
Në këto kushte shoku i burgut i Valentinit Zef Mazrreku, ose Zef Agimi që kishte miqësi me piktorin Fadil Pllumbi, i cili ishte caktue si përgjegjës se Ekzpozitës së pësvjetorit të çlirimit që do të hapej më 29 Nënror 1949, me bani me punue si piktor në atë Ekspozitë. Aty punonim piktorë e njohun, Sadik Kaceli, Bukurosh Sejdini, Safo Marko etj., Fadil Pellumbi, ishte dhe shok i ngushtë i Gencit dhe me njihte edhe mue, kështu që e bani atë gjest të mirë. Fitova ca pare dhe na u ngroh zemra se mund të ia dilnim n’anë, me ndihmue dhe gjyshën, mamën e Gencin. Kur na erdhi lajmi i zi i vdekjës së gjyshës në Tepelenë ! S’ishte punë që bahej, thesi i shqerrun s’mbahët me arna. Ndërkaq, re të zeza të tjera po grumbullohëshin mbi ne. Unë shifsha andrra të këqia me lumej të trubullt, ura të shembuna, kercënime kafshësh t’egra etj. Si mos me u besue andrrave, kur këto në njefar mënyre dilnin ? C’lidhje kishin me fatin tonë ? Ngjarjet që ndodhën, do të me jepnin pakëz të drejtë.
Ishte marsi 1950. Andej nga mbramja e nje dite te zakonshme, duket në librari një fytyrë e pame diku, po që nuk po e njihja. Ishte Ded Gjomarku, i porsa liruem nga burgu, pas pesë vjet. Vinte nga kampi i Lekajt. Ku të shkonte ? Gjithe familja ishte e internueme ne Tepelenë. Genci e kishte drejtue te ne, kushërij ose daja të tij. Alarm ! Sigurimi na ruente nga të katër anët. Pritshin që mos ndërmerrnim ndonjë hap të gabuem. Doli se Dedën e kishin lirue qëllimisht. U kurdis loja. Arrestojnë mue dhe Valentinin, duke na shtrëngue me kallzue se ku mund të kishte shkue Deda, i cili, gjoja, ishte zhduk e nuk e gjenin. Mue me kishin arrestue kur isha me Dedën, dhe me ndanë prej tij. Kështu që ne të bindëshim se ai kishte arrit të arratisej në mal ! Na përplasën ndër biruca të ndryshme e përfundimisht na mbyllën ne kalanë mesjetare të Portopalermos, bashkë me shume të tjerë. Burg e kalue burgut ! Për Dedën asnjë lajm. U hap fjala se Ded Gjomarku kishte dalë ne mal, për të organizue të arratisunit. U kishte ik organëve të sigurimit, ndërsa dy bijt e Prenk Pervizit i kishin arrestue e zhduk diku. Plan i kurdisun bukur mirë!
Valentini, Ded Gjoni e Leka,
47 – 45 – 40 vjet dënime, burgje e kampe internimi.
Foto, Kuç i Vlorës, 1957.
Nga tigani nё zjarr
Kur na pllakosën në kalanë-burg të Portpalermos, aty gjetëm të mbylluna në atë kala mesjetare, disa nga familjet ma të randësishme të veriut, si Gjomarkaj, Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, Ndreaj, Topalli, Mirakaj, Kolaj, Spahia, Sinaj, Shehaj, etjera familje bajraktarësh nga Mirdita, Malësia e Madhe, Puka, Lezha, etj., ë gra e fëmijë, pleq e plaka. Aty gjetëm mamën tonë dhe kushrinën Bardha Gjomarkaj, e cila ishte njohun me Valentinin po atë ditë kur ai kishte mbrritë nga Italia në Shkodër. Nuk kaloi një javë dhe të gjithë familjet i larguen e i çuen në kampin e Tepelenës. Kalaja e Portopalermos u kthye në burg vetëm për burra. Jo me dënime nga ndonjë gjykatë por të përplasun brenda saj nga Sigurimi. Aty mbretnonte vetëm errësina e lagështina. Mue me Valentinin na kishin caktue në një kthinë të madhe, 10 x 5 metra dhe e lartë 6-7 metra. Drita mëzi hynte nga një përzore në fund të një tuneli prej tre e ma shumë metrash, sa ç‘ishte trashësia e murit. Në atë kthinë si shpellë e ciklopit Polifem, na caktuen vendin në fund të saj nga ana e lindjës, drej mbi rrasa guri. Aty ishin shtri nga të dy anët me një shteg kalim në mes 20 vetë rresht njeni pas tjetrit me kokë ,nga muri dhe kambët karshi njenitjetrit. U njohëm menjëherë me ta. Përballë kishim Vasil Kokalin, një djal i ri nga Saranda, e Shpend Sherifin, isht toger nga Tropoja, që kishte qenë në burgun e Shkodrës me Valentinin. Pastaj vinin me radhë, Luigj Marku, Luigi Hila, Avni Agolli, dy vllaznit Çullhaj, Bajram Xhaferri, Sherif Tafani, e të tjerë që nuk me kujtohën, e kam fjalën për dhomën tonë. Nga të tjerë në atë kala, Haziz Kurjani, Kujtim Velmishi, Piro Mavromati, Xhevit Matjani, Bexhet e Haziz Ndreu, Zef Gjoka, Seit Ukaj, Cen Golja, vllaznit Dushi, ku ma i madhi Deda ishte bukëpjeksi ynë, sepse buka piqej në furrën e kalasë. Ne ishim në kushte të një izolimi të plotë. A kalonte a s‘kalonte një kamion në muej në rrugën Vlorë Sarandë. Mue dhe Valentinin kur na sollën këndej, makina na la në Himarë te posta e policisë, ku fjetëm atë natë nën yjet. Të nesërmën, dengun e teshave mbi kurriz e në kambë deri të Kalaja të shoqnuem nga një oficer i sigurimit i armatosun. Me mbylljen në kalanë e Portopalermos, Valentinit iu pre çdo lidhje me të shoqën. Jo vetëm kaq por dhe me dashtë me shkrue nuk kishte as letër as zarf as kartolina, fjala vjen. Pa asnjë t’ardhun e ndihmë tjetër ne jetonim vetëm me spirilangun e kazanit që na ndahej një lugicë në ditë dhe copën e bukës të qulltë prej thekni. Sa që u ba problem dhe u vendos që ta zbrisnin racionin nga 650 në 400 gram, por të pjekun në tullë. Së pakut të hanim buk dhe jo pelte. Njerëzit ishin dobësue nga mungesa e ushqimit. Gjysma të dënuemve ishin verbue nga mungesa e vitaminave, si Ndue Dushi, Mark Dushi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi, etj. që ecnin kamba doras e duhëshin mbajt për krahu. U sëmue për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu që zëvendësoi komandantin, kapter Ahmetin, u tha atyne që e ruenin : Merrëni ket kermë e hidheni në det ! Përmendëm kapter Ahmetin nga Kuçi i Kurveleshit, i cili kishte qën roje në burgun e kalasë së Gjirokastrës që mbahej i tmerrshëm. Kur e sollën komandant në Portopalermo mbeti pa mend nga kushtet tëpër të keqia dhe u shpreh haptas, se kalasë së Gjirokastrës i paskej dalë nami për keq kot, sepse kjo e Palermos qenka për t’i qa hallin , shumë më përdreqe !
Nuk vonoi dhe filluen të sjellin ish të burgosun që kishin plotësue dënimin pesëvjeçar, si Viktor Dostin, Fatbardh Kupin, një far Kalenja, nga Mallakastra ish shok i Mehlmet Shehut, qe na tregonte për krimet e tij. Pastaj kalaja u mbush me nja 20 vetë nga Devolli e Korça të familjëve Bylykbashi, Kollçinaku, Merolli, Kadiu, Barolli, Kulla etj. Sollën disa nga Mirdita e Puka që ishin arrestue për vrasjën e Bardhok Bibës. Kështu u pa se ajo kala do të mbushej mirë me të burgosun politikë me një qëllim shumë djallëzor e përvers. Atë të zhdukjës fizike me anë të mungesës ushqimore, me një trajtim tepër të keq. Përveç të tjerave, nuk kishte asnjë strukturë higjenike. As ilaçe e mjekime. Për mjek as që flitej. Siç thamë nga dobësia njerëzit filluen të vërbohën nga sytë. Filloj të shfaqej dizanteria. Policia na çoj disave në Himarë për të marrë disa pako që kishin ardhë aty, nga familjet e të dënuemve.
Mue me kishte zanë dhimbja e një dhëmballe dhe kishte disa net qe nuk flija. Me atë rast ma hoqi dhëmballën bërberi që kryente edhe detyën e dentistit për të shkul dhambë e dhëmballë, pa asnjë mjekim, me një palë dana të zeza sterr. Dhëmballa u shkul me sukses e shpëtova. Se si mu dha me kërkue një mjek, dhe polici me lejoi. Mjekut puro himariot i besova dhe i tregova për vërbimin, dizanterinë, ushqimin e keq dhe mungesën e ilaçëve. Njeri i mrë siç ishte me tha troç: E keni pisk, në ato kondita pa shpresë!… Ç’të thoshte tjetër, i kishte thanë të gjitha.
Fatmirësisht qëndrimi në ketë kala nuk shkoi gjatë se do të kishim dek të gjithë. Doktori himariot u shpreh qartë, … pa shpresë. Kishte plotësiht të drejtë. Ushqimi ditor ishte mizerabel dhe i pamjaftueshëm. Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë në ato mure tre metra të trasha. Dritaret ishin shumë të vogla, ambjenti ishte gjithmonë në terr. Lagështia mbretnonte e plotfuqishme. . Për të fjet si dyshek kishim rrasat e gurit. Ujë të kripur e me krimba pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë, para zyrave. Ajo dobësi kishte përfshi edhe Valentinin. Unë dhe të tjerë po e shihnim se ishte zverdh në fytyrë, dhe mezi lëvizte. Pse? Ç’kishte ? Unë insistova të tregonte. Atëherë ai me mori e me çoj te një ndërtesë të rënnueme, në një qoshe, dhe zbuloi dy sqetullat e krahëve. Ç’me pa? Dy lunga të mëdha, plot qelb e gjak. Po pse nuk na ke kallzue Valentin ? Duhën shpue urgjentisht. Si me ia ba ? Unë shkova dhe mora një gjëmb të madh drize, s’kishim mjet tjetër. Ia shpova e çava, me atë gjëmb e kështu shpërtheu i gjithë qelbi. Në ato çaste sikur po і binte të fikët dhe u bana gati me thirr ndihmë. Për fat e mori veten, dhe gjithçka kaloi. Eh mor Valentin, ku ti e ku Gori ? Ajo në Parajzë e ti në Ferr. E ku mund ta përfytyroje ajo si jemi degdisë ? Valentini shpëtoi kot, se lungat janë shumë të rrezikshme, jo si të thatët. Ato shkaktojnë helmimin e gjakut
Skicë e kalasë së Portopalermos (1950) që unë kisha vizatue në një copë letër dosido.
.
Operacioni primitiv me një gjëmb drize, i pa imagjinueshëm nga mjekësia, ia shpëtoi jetën Valentinit. Por po të vazhdonim në ato kondita të mjerueshme, zor të shpëtonim të gjithë sa ishim nga që po shkrihëshim dita ditës, dhe ishim të vetëdishëm për njëmbarim tragjik tonin. Portopalermo për Valentinin ishte si ato ishujt ku shkapetëj Uliksi me shokë nga tallazët e detit. Kush do të mund të na xirrte prej andej?
Paptrimas gjendja ndryshoi. Ata kriminelë që kishin vendosë të na vdisnin aty, u detyruen të na heqin urgjentisht. Transferimi nga Portopalermo u bë i befasishëm me nxitim të madh. Kur, sa kishte gdhi dita na nxorën nga kalaja, të ngarkuem me plçkat tona, pamë se aty ngjit me bregun ishte një motobarkë e madhe e huej. Plot oficerë e policë. Nxorën nga barka të prangosur pesë vetë dhe і ngarkuen në një gaz Molotov me drejtim nga Vlora shoqnue me dy xhipsa. Në anën tjetër me turi nga Saranda, ishin katër kamionë të mbuluem. Ne të tjerëve na hypën në ato kamionë me gjithë plackat. Udhërtuem gjithë kohën si duket me drejtim nga Delvina, dhe sosëm në Tepelenë natën, ku na stivosën në gazermat ciklopike duke na bashkue me të internuemit e tjerë. Ishte nëntori 1950. Qyshë të nesërmën na nisën në mal në punën e detyrueme për të ngarkeue në kurriz barrë drushë e shtylla për miniera, bashkë me të internuemit e tjerë, gra e burra, dhe kjo punë bahej çdo ditë, nga agimi deri kur binte nata.
Para kalasë së Portopalermos pas 72 vjet (1950-2012), bashkë me gruen Gjuliana (Beba). Konstatova se nga faqja e murit sipër hyrjës ishte heq plllaka me mbishkrimin greqisht që tregonte për ndërtimin e saj. U muer vesh se pllaka ishte vjedhë e shit në Greqi.
Kampi i Tepelenёs
Kampi ngrihej rrazë kalasë (shiko vizatimin), midis lumit Bençe e rrjedhjës së Vjosës. Gazermat ishin ngrit nga ushtria italiane gjatë luftës italo-greke. Në kamp ngrihëshim në orën 5 për apelin ndërsa në orën 6 do të grumbullohëshim para drejtorisë për me na caktue punën. Organizimin e punës e bante policia e kampit, që në përbamjen e saj kishte 15 policë, të gjithë tetarë, rreshterë e kaptera si dhe nja dy marshalla. Komandant ishte toger Xhaferr Pogaçe, po ai i Beratit. Një pjesë (gra e burra të moshuem) punonim në perimorën e komandës, që shërbente dhe për qytetin e Tepelenës. Pjesa tjetër, e përbame nga të internuem prej moshës 15 vjeç deri 50 vjeç, që arrinin në 400-500 vetë, trasportonin dru në kurriz nga mali i Turanit 7 km larg. Përveç ngarkesës me dru dhe pllaka guri, gratë mblidhnin pleh organik nëpër stanet e maleve të Tepelenës dhe e transportonin në kurriz me litar për kilometra të tanë. Edhe gratë me fëmijë i banin me punue rreth kampit. Disa punonin tokën me bel, të tjera mbanin shkurre e bezga që shërbenin për guzhinën e furrën, që merrnin 5 km larg kampit, pertej lumit Vjosës. Detyrohëshin me kalue mbi urën e pezullt që lëkundej rrezikshëm dhe ishte mbajtun keq.
Shpesheherë puntorët ktheheshin nga puna të lagur prej shiut, e nuk kishin të tjera për t’u ndërrue. Ata ndiznin zjarre në kazermën e shembun për me u tha. Kampi kishte deri 2500 të internuem. Por maksimumi kishte arritë më gusht 1949 rreth 4000 vetë, kur u intenuen qindra familje mirditore për vrasjën e Bardhok Bibës. Ushqimi ishte me nga një lugictëçorbë në ditë, me produkte të skadueme si groshë, oriz e bollgur të krimbun. Ndryshe nga Portopalermo, buka ishte prej gruni dhe piqej mire: 650 gram pë njeri, ndërsa puntorët e kishin 750 gram. Ardhja në Tepelenë, na shpëtoi nga trajtimi mizor i Portopalermos. Por sigurisht se vuejtjet, mundimet e sëmundjet e banin dhe ketu punë e tyne, dhe nuk kishte ditë që s’vdiste dikush. Kryesisht pleq e fëmijë. Llogaritet se për 9 vjet (me Beratin) 1945-1954, aty kanë vdekur njemijë të intenuem, ku rreth 300 fëmijë. Ne u bashkuem aty me mamën. Që e sollën me të tjerë nga Lushnja ku і kishin çue me punue në një fermë. Kjo ishte një lloj kënaqësie shpirtnore. Ndienim mungesën e Gencit, kushëdi se ku e kishin mbyll, se nuk dinim asgja për të. Qanim hallin e Gorit edhe ajo atje larg, pavarësish se midis të mirave, shpirtnisht e dërmueme nga kjo ndarje. Në Tepelenë Valentini u mundue me nis ndonjë kartolinë me anë të fëmijëve që vazhdonin shkollën në qytet. Punë e kotë sepse Dega e Brendshme e kontrollonte postën e nuk linte as me shkue as me ardhë të tilla letra ose kartolina në gjuhë të huej për një të internuem të tillë si Valentin Pervizi. Kështu që periudha e Tepelenës 1951-1954, ishte një përiudhë e errët për ketë qift fatkeq. Nga 1944 e arrestimit e burgut dhe ndarjës prej grues deri 1954 mbushëshin 10 vjet sa ato të luft€s së Trojës, ndërsa kjo ishte luftë për ekzistencë. Sa vjet do t’i duhëshin këtij Uliksi moden të shek. XX që të merrte fund Odiseja që kishte nisë e të ribashkohej me Penelopën e tij ? Sa stuhi prapështinash, denimësh, vuejtjësh e mundimësh do t’i duhej me përballue e shpëtue prej tyne ? Po Gori sa pelhurë do të thurte e shprishte me fijet e mendimit e të shpirtit të saj të trazuem në një pritje të pafund e krye ? Pse sigurisht edhe asaj i vinin rrotull bukuroshë me pretendime si ato të Itakës. Mbi Valentinin varej një pikëpyetje e madhe, sa vjet do të kalonin ? Maksimumin e kishte caktue Uliksi, 20 vjet, dhe e kishte sanksionue Homeri mjeshtrisht në poemin Odiseja. Ishte një cak i pranueshëm prej të gjithëve. Mund të ndodhnin situata të tilla që i ndanin njerëzit nga të dashtunit e tyne për aq vite. Kishin ndodhun disa raste pothuej të tjera. Kishte shqiptarë që ishin nda nga njerëzit e tyne, tue u arratis jashtë shtetit. Të tjerë që ishin denue me ma tepër se 20 vjet burg. Kemi qenë dëshmitarë të tilla rastëve Një i veçantë pothuej si i Valentinit ose ma mirë me thanë si i Kontit të Montekristos ishte i Gani Lamçës (Starova). Në fakt Ganiun nga Pogradeci e kishin arrestue ditën e dasmës së martesës dhe dënue 20 vjet. E fejuemja e tij, edhe ajo si një Penelope e vërtetë e priti 20 vjet, në kampin e Plukut, deri sa doli nga burgu dhe pati një fëmijë me të.
Edhe Valentini do të kishte pranue të dënohej 20 vjet, por ama të lirohej e të merrte fund denimi tij, ku mund të bashkohej me gruen. Po gjëndja e tij ishte tiq e mos këput pa kurrfarë zgjidhje. Përmatepër Valentini i nënshtrohej punës së detyrueme fizike, e stërmundimeve që pëshonin mbi t’internuemit që trajtohëshin si kafshë pune ose skllavë. Pa ndihmë dhe pa gjëprejgjëje, veç me racionin e bukës dhe lugicën e çorbës, të internuemit ishin të dobësuem, dhe pati vdekje edhe në radhën e puntorëve. Valentini si ushtarak ishte shumë i rregullt dhe e ndante racionin e bukës ne tri pjesë. Ai i këshillonte dhe shokët të banin ashtu që nga uria kishte raste e hanin racionin sa e merrnin në mengjes e rrinin gjithë ditën barkthatë. Ai ishte shembëll veçanërisht për të rijtë, që e respektonin dhe zbatonin këshillat e tij, jo vetëm ne rastin që përmendëm por dhe për qëndresë e vendosumëni ndaj peshës së diktaturës, që kërkonte jo vetëm dobësimin fizik të tyne por edhe dobësimin shpirtnor e moral. Kishte pasë raste ku sigurimi kërkonte të bante per vete nga radha e të rijve, të cilët kishin refuzue me përbuzje ato joshje dashakeqe për t’i rekrutue si spiunë.
Në mars 1952, ne kamp erdhi një ispektim prej disa oficerësh të Ministrisë Brendshme, që për çudinë e të gjithëve shkuen drejt e te vendi ku rrinim ne, ku gjetën Valentini dhe iu drejtuen për të folë lirshëm për konditat e kampit. Valentini nuk kishte pritue e kishte fol drejt, se kampi nuk ishte i përshtashëm për pleq gra e fëmijë, siç mund ta shihnin vetë. Se gjithë keta njerëz ishin të pafajshëm e pse mbahëshin aty kot. Oficerët s’e kishin zgjat bisedën e kishin kalue pastaj te disa familje te tjera të njohura, si Gjomarkajt, Dinet, Bajraktari, Dema etj. Ndërkaq puna e detyrueme ishte pëzuillue. Diçka kishte ndoh. U hap fjala se në një mbledhje të Kombeve të Bashkuara ne New York, i ishte tërtheq vrejtje delegacionit të Bashkimit Sovjetik për mbajtjën e kampëve të internimit në Shqipni. Sa që ishin përmendë dhe disa emna të familjeve që ishin mbyllun aty, ku edhe ajo e Gjenaral Prenk Pervizit. Sovjetikët kishin ndërhy te qeveria shqiptare që të mos mbanin kampe të tilla të mbyllun se po na diskreditoni para opinionit ndërkombëtar, ne një kohë paqëje, që ka shtatë vjet që lufta ka mbarue. Kështu në qërshor 1952, e gjithë forca puntore prej ma se 500 vetësh të aftë për punë u trasfëruen në punë në disa qytete. Valentinin e ndanë prej nesh dhe e çuen në Ҫorovodë me nje grup për ndërtimin e Degës Brendshme. Në atë grup ishin dhe Dom Nikoll Mazrreku, Patёr Jak Gardini, Gjosho Vasija, Gjok Marku etj. Çorovoda ishte edhe si kamp internimi, ku ata gjetën familjen e vëllait të pushkatuem të Sadik Kacelit e të tjerë. Siç thamë në Tepelenë ishte pezullue puna e detyrueme, sepse kishin mbet veç pleq, gra me fëmijë e të sëmunë. Pas largilmit të punëtorve u ba një lirim për familjet mirditore e personat të internuem për vrasjën e Bardhok Bibës. Kampi u boshatis, por u mbush përsëri sepse aty sollën të internuemit jugorë nga Kamza e Valiasi, familje të tana.
Pamje e kampit Tepelenës, vizatuar nga Lek Pervizi, piktori i kampëve, më mirë së një fotografi, që nuk ekzistonte as edhe një foto për atë kamp. Ishin vizatimet e tij që benë të njohur gjendjën e kampit siç ishte ndertuar e siç kishte funksionuar.
Portret me laps i Valentinit me skica anash pӫrciell me disa vargje qӫ tregojnӫ udhӫtimin e tij prej Italisӫ ne ferrin komunist duke marrӫ me vete edhe gruen, qӫ fatmirӫsisht u riatdhesue. Ata u kthyen ne Uliks e Penelope te njӫ Odiseje tӫ shek. XX.
Pamje qendrore e njӫ kazerme ku rrinin mbyllun e stivosun familje tӫ tana tӫ internueme. Vizatim nga origjinli nga Lek Pervizi, qӫ e kishte pӫrjetue atӫ kamp e ku kishte arritӫ tӫ marri disa skica qё mbetӫn dӫshmi tӫ sakta.
Të aftit për punë i kishin caktue si ata të Tepelenës në punë ndërtimi dhe Fabrikën e tullave në Tiranë, ku pas ndërtimit të Degës së Ҫorovodës, çuen edhe Valentinin me shokë. Gjatë gjith kësaj kohë, lidhjet me gruen e tij ishin ndërpre.
Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll përfundimisht dhe u krijuen kampet e punës në bujqësi në rrethin e Lushnjë, që ishte caktue si qëndër e internimëve. Këtu të inernuemit u caktuen në punët bujqësore me pagesë. Racioni i bukës e kazani ishin heq. Të intertnuemit do të fërgueshin me t’ardhunat nga puna. Gjysma e së keqës. Ata u përmblodhën pothuej të gjithë në fermën 29 Nëntori, ma e madhja në shkallë republike, nga Rogozhina në kodrat e Ardenicës, me 13 sektorë që ishin dhe kampe internimi. Qendra ishte në Savër, ku rrinte dhe komanda. Ne u caktuem në Pluk, në kampin ku kishin qenë ma përpara grekët që kishin ik nga Greqia pas shpartallimit të lëvizjës komuniste. Këtu, unë e mama u bashkuem përsëri me Valentinin. Na jepej pak liri lëvizje e marëdhanje me njerëzit. Valentinit iu hap rasti të shkruej një kartolinë dhe fatmirësish mori përgjigje nga Gori, shumë e gëzueme që u ba përsëri lidhja. Krejt e merakosun për ato tkatër vjet pa asnjë lajm prej të shoqit. Sa që ajo kishte ndërhy pranë Ministrisë së Jashtme italiane që të interesohej me marrë informata për bashkëshortin për të cilin nuk kishte lajme tash disa vjet. Ambasada italiane ishte përgjigje me keqardhje se ishte e pamundun me marrë informata pёr atë njeri. Aq e rrebtë ishte vigjilenca e njerëzve të sigurimit. Veçse dihej se kampi famëkeq i Tepelenës ishte mbyll dhe të internuemit ishin përqendrue në disa kampe në zonën e Lushnjës, ku mund t’ishte dhe Valentini.
Por edhe kjo mundësi nuk do të shkonte gjatë se mue e Valentinin erdhën e na morën një ditë dhe bashkë me nja 10 të tjerë t’internuem në Savër na degdisën në kampin e Shtyllazit, ngjit me të burgosunit, ku na bashkuen me nja 100 vetë, shumica intelektualë që ì kishin plotësue nga 10 vjet burg, dhe ne vend që t’i lironin i kishin mbledh aty me hap kanal si të burgosunit. Pra edhe vrejtjet e Sovjetikëve po shkelëshin. Diktatura e Enver Hoxhës nuk hiqte dorë nga metodat e saj shtypëse. Terrori ishte ne rend të ditës. Aty Valentini u takue me ish shokët e burgjeve të Shkodrës, ndër ta Prof. Guljelm Dedën dhe axhën e tij, kolonel Lin Dedën, Mark Temalin, Karlo Çobën, Sandët Saraçin, Zef Shirokën, Ibrahim Sokolin, etj. Pjesa ma e madhe ishin shkodranë. Na caktuen me hap kanal me të njejtën normë si të burgosunit. Nga të internuemit e Lusnjës bashkë me ne kishin marrë dhe disa të Savrës :Viktor e Ernest Dostin, Tomorr Dinën, Faabatdh Kupin, Musa e Tomorr Maçin, Ali Demën, Tefik Pobratin, Lazër Radin, Flamur Sfirin, etj. Nga kolegët e miqt e tim etit aty gjetëm edhe disa oficerë të njohun, si Ali Erebara, Luigj Berisha, Ded Jakova, Demir Dema, Isa Kokalari, Lin Deda, dhe ish shokë shkolle të tij në Shkodër e në Austri, si Zef Shiroka, Sandër Saraçi, Spiridon Kasaroci ,dhe qytete të tjerë si Mitat Araniti, Nedim Kokona, Vasil Avrami, Pandeli Nase, Remzi Çela, Izedin Beshiri, Dilaver Tartari,Mihal Sherko etj.
Këto burra ishin një trup i vërtetë pedagogësh të lartë për katedra universitare dhe me drejtue një Akademi. Por shteti komunist totalitar dhe vetë diktatori saj Enver Hoxha ishin për zhdukjën e kësaj shtrese intelektualësh të shquar. Kjo për ne të rijtë ishte një surprisë e mirë, se dhe pse në rrethana fare të këqija, po njihëshim me elitën e intelektualëve jo vetëm të Shkodrës por edhe të tjerë, emna të dëgjuem, me të cilët im atë kishte pasë njohje e lidhje miqsore. Edhe në atë rreth prej 100 vetësh historia e Valentinit veshtrohej e gjykohej si një ngjarje e veçantë dhe e pabesueshme për rrethanat që ishin krijue. Si kishte qenë e mundun që një njeri që kishte kalue gjithë rininë atje ndër miradinat e Italisë, në qëndër të qytetnimit, pavarësish nga lufta, të nisej drejt përfundimit në skëterrën bolshevike me gjithë gruen italiane, prej së cilës skëterrë njerëzit kërkonin të iknin tue rrezikue jetën. Kjo ngjallte bisedën rreth fatit, me përfundimin se ishte pikërisht një forcë ose fuqi misterioze që ndikonte në përcaktimin e jetës së njeriut, prej të cilit ndikim nuk mund të shpëtoje. Populli e kishte përkufizue shumë mirë këtë problem : fatit hapi derën ja për mirë ja për keq. E pranonin se edhe ata kishin hy në ingranazhinn e një fati të keq, por rasti i Valentini ishte tepër i veçantë. U muer vesh se ai personi që ia kishte mbush mendjën dhe e solli në Shqipni, shoku i tij i shkollës, Nuri Nuçi, ishte largue në Itali pa i hy ferrë në kambë me gjithë gruen, tre muej ma vonë. Ky njeri paskej qenë ose një vegël e fatit ose e ndonjë force njerezore zevendësuese e fatit, që ishte sigurimi i shtetit. Pra të gjithë ia qanin hallin Valentinit, ndërsa edhe ata vetë ishin viktima të fatit.
Kampi i Shtyllazit ishte transferue në Radostinë ku vazhdonte puna përfundimtare e atij kanali. Një mëngjes kur të internuemit u çuen, ç’ka me pa ? Të burgosunit ishin zhduk, i kishin transferue gjatë natës. Kishte mbet veç rrjeti i ndarjës dhe karakolli pa roje dhe dera prej rrjeti e hapun. U grumbulluem të gjithë në oborrin para barakës. Askujt nuk ia mbante me u afrue te dera aq ma pak me dalë prej saj. Kur ja vjen një xhips, prej së cilës zbret një oficer, që të burgosunit e njohën : Kolonel i Sigurimit Shpend Dega, tropojan, nje injorant me kallo por dhe me spaleta. Shoqërohej nga dy kapterë të policisë, për çudi pa armë. Ai zuni vend para grupit të dënuemve :
-Dëigjoni, partia e qeveria kanë vendos me iu lirue nga kampi me tela, sepse asht konstatue se i keni ndërrue kokat dhe jeni përmirësue. Të kuptoni se ne punojmë për të mirën e vendit e të qytetarve. Prandaj mbas sodit jeni të lirë me qarkullue brenda zonës së Fierit, me kusht apeli të detyrueshëm dy herë ose tre në ditë që do ta bajë një kapter që do të caktohet kastile për ju. Mund të gjeni ndonjë punë, por gjithmonë në dijeni të këtij kapteri. U sigurohet buka dhe një kuti konserve mishi në javë. U morëm vesh ? Si erdhi shkoi me atё sjelje harbutshe. Sa u largue oficeri shkodranët filluen tuj u tallë me njenitjetrit, si u ba që kemi ndërrue kokat pa e ditë ? Pse koka të tjera kemi tashti. E di partia !
Qëllimi paskej qënë tjetër. Ndërsa po pritshin mos vinte ndonjë vendim tjetër me i lirue fare e me u kthye në shtëpitë e tyne, veç kur një mengjes që do të bahej apeli erdhi një kamion, dhe një oficer që zbriti me një letër në dorë : ata që do të degjojnë emnat të marrin plaçkat dhe të hypin në kamion. Ishin emnat e njezet vetëve që konsiderohëshin të aftë për punë. Ndër to edhe Valentini, bashkë me Guljelm Dedën, Isa Kokalarin, Nikoll Palucën, Pjetër Bardhecin, Mitat Aranitn, Ibrahim Sokolin, Estref Frashërin, disa korçarë e të tjerë, fiks 20 vetë. Ku po i çononin ? Veç kur vjen një letër prej Kuçit të Kurvfeleshit, prej Valentinit. Ku shkruhej se ishin në Kuç duke meremetue dy banesa ku do të iu bien edhe ju të gjithëve. Kështu pra qëllimi i kampt të Shtyllazit e kishte përfundimin në izolimin tonë në zonën e thellë të grykës së Kurveleshit, nja 6 orë rrugë e keqe nga Vlora. Po pse na tha ai zotnia se i keni ndërrue kokat ? Ne po ato koka po kemi, s’kemi pas si me i ndërrue ! vazhdonin të banin shaka pleqtë shkodranë.
Nuk kaloi muej dhe pikërisht ditën e 28 nëndorit na hypën ne të tjerëve në dy kamionë të pambulesë e nëpër shi, që na kishin hedhë nji si mushama të madhe sipër. Na nisën për në Kuç ku mbërritëm natën. Kështu u themelue kampi i izolimit të Kuçit të Vlorës ose Kurveleshit, me 28 nëndor 1955. Në dy shtëpi të Gjolekajve të riparueme prej t’internuemve. Fshati і Kuçit njihej si fshat komunist me 400 shtëpi dhe 400 oficerë (të gjithë të sigurimit). Me ket rast Valentini kishte pasë mundësi t’i shkruente Gorit nga posta e Kuçit një kartolinë dhe mori përgjigje po me kartolinë. Gori shkruente se e kishte marrë vesh se ku ishte. Në Një vend të bukur e klimaterik. Ajo shkonte në shtëpinë e oficerëve ku në një hartë ushtarake e kishte gjet Kuçin malor ku po “defrehej” Uliksi і saj. Valentini ia kishte kthye se do t’ishte mire që ajo të vinte e ta « shijonte » bukurinë e atij vendi bashkë me të. Sigurisht se Gori e kishte kuptue ku gjendej dhe pse e kishin çue atje. Nuk ishim të detyruem me punue e na jepnin racionin e bukës për një javë që vinte nga Vlora dhe asgja tjetër. Mund të bridhnim nëpër Kuç deri te klubi i vetëm e nja dy duqane. Duke qene se na jepnin vetëm bukën, për me ble ndonjë send ushqimor, komanda na lejonte me nxierrë kucka shqope që i merrte grumbullimi me pagesë. Por duhet të respektonim apelin, tri here në ditë e mos me u largue përtej disa caqëve tё caktuem.
Kampi і Kuçit u kthye në një Akademi të vërtetë, ku në 100 vetë, 60 ishin te diplomuem në Universitete ma të mira europiane e me tituj, Prof. Dr. dhe funksione të nalta shtetnore, kulturore, ekonomike, ushtarake, etj. Një kuriozitet domethanës. Kuçi nuk kishte drita elektrike. Inxhinjer Estref Frashëri i propozon Këshillit të Kuçt me anë të komandës se ata ishin në gjëndje ta furnizonin me energji elektrike fshatin, po të donin. Propozimi ishte pranue dhe këta armiq të popullit sajuen një far hidroqentrali në perruen e Buronjës tue ndërtue një tunel për vërshimn e ujit me force ku u vendos një elektromotor i fuqishëm (sipas kërkesës së inxhinjer Frashërit) që kishin sjellë nga Vlora. I rregulluen fletëzat prej druni dhe bane lidhjet e përshtashme dhe fap në çdo shtëpi të Kuçit u ndezën llampat, sepse Këshilli e kishte krye shpërndarjën e linjës. Kjo, punë ua ndryshoi mendjën kuçiotëve, ku sigurimi dhe partia kishin përhapë mashtrimin se në kampin e Kuçit partia e qeveria kishin sjellur njerëz të rrezikshëm, armiq të populli e kriminelë, duke ditë se kuçiotët ishin njerëz besnikë të partisë e të qeverisë, të vendosun e vigjilentë që i urrenin keto armiq dhe ua tregonin grushtin e vendin kur ta lyptë puna. Ndodhi e kundërta. Kuçiotët e kuptuen se kishin të banin me ajkën e shoqnisë shqiptare. Njërëz paqësor, të ditun e të mençur.
Valentin Pervizi, Viktor Dosti, Guljelm Deda e Thabit Rusi, nӫ Kuç, ku qendruen tre vjet, 1955-1958. Nga Albumi “Nё rrathёt e Ferrit” te Lek Pervizit.
Erdhi dita kur pas tre vjet, më 1958, kampi u mbyll si pasojë e afrimit të Hrushovit me Ajzenhaurein e vizitën që ai bani në Amerikë. Na grumbulluen të gjithë në kampin e Gradishtës, mes moçalëve të Lushnjë, ku na caktuen fillimisht në punët bujqësore. Po pse, Bukur ishte të shikoje alamet profësorësh duke prashit misër, pambuk e hap vija kulluese e kanale. Një turp і madh që nuk mund të konceptohej nga një mendje e shëndoshë, por e realizueme nga disa mendje djabolike, që urrenin virtytet e larta të qytetnimit europian që kishte ndriçue botën mbarë. Të kishe studiue në vendet europiane përbante një akt akuze të randë, ku gjëndej preteksti me të pushkatue e denue me burgje e kampe internimi. Me te trajtue si bujk-rob, skllav e kafshë pune. Si mund ta përfytyronte e shkreta Gori, kjo Penelope e shek. XX, se burri і saj, oficer akademist me perspektivë të shkeqyeshme, të rrinte gjithë ditën i krrusun mbi lopatën, kazmën e belin për një kothere bukë ? Edhe kur ma vonë këto punë i tregohëshin e shpjegohëshin asaj, nuk arrinte t’i besonte , aq absurde i dukëshin. Jo vetëm asaj, por gjithkuj me mendje normale të shoqnisë së vendëve të qytetnueme perëndimore.
Valentini, oficer akademist me njӫ t’ardhme tӫ shleqyeshme perpara pӫr t’i shӫrbye Atdheut e shoqnisӫ, katandiset ne nje bujk-rob nӫ parcelat kӫnetore tӫ Myzeqesӫ, i dӫnuar i pӫrjetshӫm, po mos tӫ ishte pӫrmbysӫ diktatura komuniste.Aq ma tepӫr i dӫnuar me ndarje nga grueja italiane, Gori, 47 vjet. Kalue e stӫrkalue Uliksit e Penelopӫs sӫ Odisesӫn se Homerit. Cili Homer tjetӫr do tӫ mund tӫ pӫrshkruente kӫtӫ Odise tӫ re tӫ shekullit XX ? Shkrimtari qӫ mbahӫt i madh, I.K., u muer me nӫnӫn Parti e shokun Enver, me idhujt gjakatarӫ qӫ kӫrkonin flijime njerӫzore. E si mund t’i thotӫ ai vetes shkrimtar i madh, qӫ nuk ishte as nuk asht aspak nӫ gjӫndje tӫ pӫrshkrueje njӫ jetӫ tӫ tillӫ tӫ vuejtun, aq i pӫrveçӫm i shoqӫrisӫ njerӫzore tӫ shek. XX ?
Pritje pafund e krye
A do të kishin marrë fund peripecitë e Uliksit tone ? Rikthimi në kushte të një internimi ma të lire, pa rrethim me tela me gjëmba, të internuemve nuk u hiqej nga kurrizi apeli dy tri herë në ditë, sipas humorit dhe tekjëve të kapterëve. Në Gradishtë ne u bashkuem si familje edhe me Gencin, që ishte lirue pas 10 vjet burg më 1957. Ai Ishte i fejuem me të bijën e Llesh Marashit, Albina, me të cilën u martue më 1958 në Gradishtë. Këto kondita të reja i dhanë mundësi Valentinit t’i shkruete Penelopës tij e cila u qetësue e gëzue për Uliksin që kishte kalue në detë ma pak tallazor. Përsëri filluen të ngjallën shpresat e një përmirësimi të gjendjës. Një far zbutje midis Amerikës dhe Sovjetikëve e kishte ul tensionin e terrorit. Që tashti kishte përfshi edhe radhët e komunistëve qyshë me konferencën e Tiranës më 1956, ku disa prej tyne e pësuen me jetën dhe të tjerë përfunduen burgjëve dhe internimëve. Ndodhi që Hrushovi të më 1960 të vizitonte Shqipninë. Mobilizim i madh për pritjën e tij triumfale. Ky mobilizim na përfhsiu ne të internuemit. Të gjithë sa ishim burrat na hoqën nga puna dhe sektorët afër qytetit të Lushnjës, dhe na mbyllën dy javë në kotecët e pambukut e misrit të sektorëve të largët, ndër to edhe Gradishti, ku na jepej vetëm racioni i bukës. Ruhëshim nga police të armatosun e nuk kishim të drejtë qarkullimi jashtë zones së kotecëve. Ishte verë dhe na kishin shti aty bredna pa shtrojë e mbulojë, veç me rrobat e shtatit. Këto ishin masa gjoja të sigurimit ndaj nesh si “armiq të betuar të popullit e të partisë, mos bënim ndonjë të pabërë”. Kjo gjatë gjithë kohës së vizitës së Hrushovit. Pavarësisht se gjëndja ishte zbut nga afrimi i Rusëve me Amerikanët që kishte kulmue me përqafimin e Hrushovit me Presidentin Ajzenhauer dhe vizitën e Hrushovit në fushat e mistrit në Dallas. Pas dy javë na kthyen në gjëndjen e maparshme dhe në punët që na kishin caktue. Valentini dhe unë me disa të tjerë ishim caktue ne sektorin e ndërtimit të fermës. Mue ferma më tërhoqi në sektorin e Plukut si piktor dhe si profesonist i mirë (kështu me kishte dalë zani) në punë ndërtimi, mekanike etjera. Valentini punonte ne një brigatë ndërtimi në Çermë ku i çonin me makinë dhe i kthenin në Gradishtë të dielave të shoqnuem me policë. Ne disa te internuemve qe na kishin caktue ne Pluk, nja 10 vetë, flinim ne një barake me kallama të suvatuem nga brenda. Unë dhe Petrit Merlika ishim caktue pranë ofiçinës dhe zdruktatrisë. Petriiti, inxhenier, lirue pas 10 vjet burg, kryente pune mekanike. Edhe ai e kishte gruen italiane, dhe fati e kishte zanë që ajo të mos ishte largue në Itali. Kështu e shkreta Elena, profesore e letërsisë, e kishte kalue Tepelenën tue bajtë dru si kafshë. Fta që do tëkishte a zanë dhe gruen e Valentinit. Ndërsa unë, figuroja pranë zruktarisë por kryeja edhe punët e një piktori për emulacionin socialist (siç quhej) dhe ativiteteve të tjera te llojjt) si ekzpozita bujqësore, muzeume, kabinete agroteknike, etj. Në këto kondita dhe unë u martova dhe na dhanë një dhomë si banesë. Kështu Valentini rrinte me ne gjatë gjithë javës të punës dhe të dielave shkonte në Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër ose kartolinë. Sikur u lidh nje far korespondence ma e rregullt me Gorin. Nga kjo far lirie, në letrat e Valentinit e të Gorit shprehëj dashuria e pashterrshme dhe shpresa e një bashkimi të afërt të tyne. Me prishjën e marëdhanjëve me Bashkimin Sovjetik, sikur u acarue gjendja përsëri e lidhja me Kinën e këqësoi ma shumë. Letër këmbimi me Gorin u bllokue. Kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje. Letrat e kartolinat as shkonin as vinin. Pse ? Valentini (dhe ne te tjerët) ishim të shqetësuem për ketë punë e ndarje që zgjaste pa ia pa fundin. Sigurisht edhe ma tepër e shoqja ne Bolonja. Kjo e merakosun, i drejtohet prapë Ministrisë Jashtme. Nga Ambasada në Tiranë vjen një telegram ku shkruhej :
“…për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shum e zorshme që Pervizi, që konsiderohet “armik i popullit”, të mund të fitojë lirine”.
Ambasada Italiane
29 shtator 1967.
Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria nëpërmjet Shtëpisë Oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe ku ai figuronte akoma efektiv (si rob lufte). Sidoqoftë Gorit, me gjithë kujdesin e treguem nga oficeri përgjegjës, lajmi i kishte shkaktue troditje e kishte kalue ne depresion, ku iu desh te shtrohej disa ditë në spital. E ama i kishte vdek, ashtu dhe vëllai e tre motra. Kishte mbet vetëm njena, mjaft e pasun, që kujdesohej për të. Këto Valentini i mori vesh shumë ma vonë. Ambasada nuk do të kishte arritë kurrë të merrte nje informartë të tillë. Por qëlloi që një mik yni i lire, të cilit i lipsej një dokument për motrën e tij të martueme ne Itali, dhe ishte lejue të hynte ne Ambasadën, vetë ambasadori e kishte pyet nëse e njjihte dhe dinte gja për një Valentin Pervizi. Ai që na njihte fare mire, i kishte tregue se si Valentini gjëndej i internuem pa shpresë lirimi në Gradishtë. Ky mik punonte e banonte ne Lushnje dhe me qe ndonjëherë e takoja, me tregoi për Ambasadën, ku e kishin pyet për Valentinin. Gjendja shpirtnore e Valentinit ishte randue. Ajo siduket ndikonte në shëndetin e tij. Andej nga 1974, duke u kthye nga Lushnja me biçikletë ishte rrexue nga një marrje mendsh. Kjo pati pasoja dhe ai u detyrue te vizitohët ku e shtruen menjëherë në spital. Mjeku i pavionit qëlloi Dr. Çabej (vëllai i Eqrem Çabejt), mik i yni, i cili konstatoi se diçka kishte në mushkëri dhe duhej patjetër të shtrohej në Sanatariumin e Tiranës. Duke qenë se duhej leja e Degës, që ndoshta e pengonte atë punë, spitali e mori përsipër, duke raportue ne Degë se i quajturi Valentin Pervizi duhej shtruar urgjentisht në Sanatorium. Kështu Valentinin e çuen në sanatorium me ambulancën e spîtalit. Drejtor e kirurg ishte Prof. Ndroqi, qe na njihte mirë. Pas kontrollit qe bani, doli se Valentini kishte diçka si plagë në mushkëri, dhe lipsej patjetër të operohej dhe i kërkohej të pranonte e te firmoste për atë ndërhyrje. Firmosi.
Operacioni doli me sukses. Ishte një proces ekinokoku i përthamë. U desh të hiqej një pjesë e mushkërisë për t’u sigurue nga përhapja e një infensioni. Kështu Valentini qëndroi afro një muej i shtruem nё sanatorium. Gjёndja e tij shёndetsore u përmirësue plotësisht. Ndërsa gjendja politike ishte për faqe të zezë. Revolucioni kulturor kinez preku dhe Shqipninë. Diktatori kishte kalue në një faze shendetsore që mezi qendronte ne kambë. Kishte kalue një ose disa infarkte. E kishte pushtue një lloj çthurje mendore. Kjo i jepte shkas se shoqës, Nexhmijës, t’i rrinte mbi krye e të udhëhiqte punët politike me mbështetjën e Ramiz Alisë. Ndërkaq kishin ndodhë ngjarje të randa, si pushkatimet e Beqir Ballukut, Petrit Dumës etjerë.Pastaj vrasja e Mehmet Shehut (që u prallis si vetvrasje) dhe arrestimi e dënimi i përkrahësve të tij. Ekzekutimi i Kadri Hazbiut e kompani. Qifti Ramiz-Nexhi, i kishte hap rrugën vetvetës për të vazhdue me mbajtë shtetin e partinë në dorë. Masha ishte Nexhmija dhe punët i kryente Alia. Kërkohej një rrugëdalje, sepse po shihej se sistemi komunist ishte në dështim të plotë, si brenda vendit ashtu jashtë tij, në republikat motra, ku nisën valet e protestave atikomuniste që përfunduen me vrasjënn e Causheskut me të shoqën në Rumani. Kjo u kalli frikën sundimtarve komunistë shqiptarë. Aq ma tepër kur nisi invadimi i Ambasadave të hueja nga mija qytetarë të paknaqun, që kërkonin shpëtim nga skëterra komuniste shqiptare. Jo vetëm ata që ishin damkosë si reaksionarë, por dhe vetë komunistët u strehuen me forcë në ambasadat. Sa që u detuyrue vetë Perez de Kuejar me ardhë në Shqipni, dhe me imponue qeverisë lëjimin e largimit të refugiatëve të amasadave, si dhe dhanjën e pasaportave të internuarve që mbahëshin në kampe pune, dhe të familjëve të damkosuna si reaksionare e te deklasueùme. Në këtë kontekst sigurimi lojti rol të madh duke nxierrë jashtë vendin me qindra agjentë e spiunë të tij, për të mbajtë nën kontroll situatën brenda dhe jashtë vendit. Por njëkohësisht, duke u klthye te Valentini, atij iu hap shpresaq se mund të përfitonte për t’u bashkue me gruen në Bolonja. Siç e përmendëm, letërshkëmbimi i tyne u ba me i rregullt, dhe e shoqja dërgoi edhe disa pako, si dhe dollarë. Ajo shfaqte dëshirën që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapen dyert e lirisë. Por Valentini e këshilloi mos me e ba atë hap e ta priste në Bolonja ku do të vinte vetë. Po të kishte ardhë grueja, ku ta çonte, në kampin e Gradishtës ? Mirë do të kishte qenë për të njohun kushtet mizerabel ku kishte jetue e punue Uliksi i saj.
Me urdhnin e lëshimit të pasaportave, Dega e Brendshme e Lushnjës kishte njoftue të internuemit qe të dilnin në fotografi për pasaportat. Kështu Valentini bashkë me ne e të tjerë të internuem i dorëzuen nga dy fotografi në Degë. Dega do të nxirrte emnat me radhë për tërheqjën e pasaportave. Këto filluen të jepëshin deri ne nje far kohë, pastaj u bllokuen perseri. Nisën akroballeqet e oficerit të sigurimit i caktuem për këtë punë. Me 100 dollarë e kishe pasaportën e sigurueme, por duhet të gjeje njeriun mik të atij oficeri pa të përfitoje pasaportën. 100 dollarët në atë kohë kishin vlerë të madhe. Me 400 dollarë bleje një shtëpi në Tiranë. Si me ia ba si mos me ia ba. Neve na doli një njeri yni mik, i internuem si ne, por që kishte miqësi të madhe me brigadierin e tij. Ky nga ana e tij e kishte mik të ngushtë atë oficerin. Kështu me 100 dollarë ne, unë grueja dhe dy djemtë (i treti ishte ushtar në Himarë) morëm pasaportat. Valentini e mori vesh dhe u inatos. Nuk jap asnjë lek. E kanë për detyrë. Nuk e pranoi atë allishverish. Ne arritëm të largohemi në tetor 1990 në Belgjikë. I lamë porosi atj mikut tonë që të ia nxirrte edhe Valentinit pasaportën. Me ikjen tonë Valentinit iu mbush mendja dhe i dha 100 dollarët. Kështu u pajis me pasaportë. Vizën ia dhanë menjëherë në Ambasadën itlaiane. Por ç’far ndodhi. Tue shkue poshtë e nalt në kohë dimni nga Gradishta në Lushnje, disa here, deri sa ia dhanë pasaportën, mori një ftohje të randë e mbeti i gozhduem në krevat nja dy javë me penicilina e streptomicina. Sikur po e ndiqte e torturonte dhe fati, për ta pengue në udhëtimin e fundit për në Itaka të Bolonjës. Më 2 shkurt 1991, pikërisht në ditën e rrëximit të statujës së diktatorit, gjëndej në aeroport për të hyp në avionin për në Bolonja. Demostrata e madhe në sheshin Skënderbeg për rreximin e statujës ishte marrë vesh anëmbanë. Valentinit i hyn frika mos krijohej ndonjë incident dhe pezullohej udhëtimi. Këtu si duke fati hoqi dorë nga e mbrapshta dhe avioni u nis. Pas dy orëve Valentini zbriste në aeroportin e Romës ku e priste me padurim Penelopëja italiane. Ai zbret dhe shiko këndej shiko andej nuk e dallon gjëkundi gruen e tij. Shkon e rrin në një qoshe të sallës së pritjës duke shikue nga jashtë, me mend se Gori do t’ishte vonue ose mund të kishte ngatërrue orarin. Në anën tjetër e shoqja edhe ajo po priste, sepse nuk e kishte dallue Uliksin e saj ndër udhëtarët që zbritën.
Kur vendi u boshatis, ajo dalloi atë njeri që po rrinte në anën kundrejt, me shpinë të kthyeme, tue shikue jashtë nga xhamat. Ajo afrohet dalëngadalë deri afër përsonit, dhe me një gjysmë zani i foli : « Scusi Signore, lei non è per caso Valentino ?… » . Valentini ishte kthye : « Gori ? » …dhe u përqafuen pas 47 vjet si pleq. Ky Uliks i shekullit njezet, ia kishte kalue Uliksit të 3000 vjet ma parë, sepse jo 20 vjet por ma tepër se dyfishin e kohës i ishte dashun të përballonte stuhitë e tallazët e detëve ideologjike të komunzmit, për të arritë të përqafonte të dashunën e tij, që ia kishin grabitë nga krahët në moshën ma të bukur të rinisë. E tashti pas 47 vjet arritën të bashkohën, sa thue nuk po njihnin njeni tjetrin. E vetmi ndryshim ishte se Uliksi Valentin, nuk e gjeti pallatin të pushtuem nga pretendentët ndaj Penelopës tij. S’pati nëvojë me tregue se kush ishte as me luftue kundër tyne e me i zhduk. Bashkimi me gruen krijoi për të dy një periudhë qetësie e çlodhje mendore. Ata e ndienin mungesën e një fëmijë e një Telemaku. Fati nuk ishte tregue shpirtmadh me i lanë ashtu dy pleq të vetmuem. Në këto kushte në shkuem disa here në Bolonja. Pastaj e morëm Valentinin në Belgjikë. Vizituem Parisin, me monumentët e pallatet mbretrore e perandorake. Kryesisht Luvrin me kryeveprat e artit botnor e me admirue Mona Lisën e Leonardit. Armsterdamin me u njoh me veprat e Rembrantit dhe të Van Gogut. Me Valentinin shkuem edhe ne Amerikë, në New York, ku ishin instalue grueja e fëmijët e vellait tonë Gencit, që kishte vdek në prag të shembjës së diktaurës, dhe i kishte tërheq një dajë e tyne atje. Pra Valentini pati mundësi të shijonte diçka nga bota e lire, prej së cilës e kishin izolue hermetikisht 47 vjet. Ku asht pa e dëgjue një tragjedi e jetueme në kushte dënimesh pa fund e krye, dhe ku Valentini ishte cilësue si një anmik i popullit që zor të fitonte një ditë lirinë. Ky ishte përfundimi i Ambasadorit italian në Shqipni më 1967, të cilit Ministria e Jashtme italiane i kishte kërkue informatë për togerin Valentin Pervizi, siç e treguem ma sipër. Në kushtet e lirisë së fitueme Valentini nisi të shkruej kujtimet e veta në disa fletore, me qëllim që të botonte një libër. Por duke e pa se po binte nga shëndeti e pas një operacioni të vështirë, mi dorëzoi gjithë shënimet që kishte rreshtue, me porosi që t’i plotësoja për një botim. Punë që unë po baj. Sëmundja iu randue dhe mbeti i shtruem në spitalin Sant’Orsola e pastaj Malpighi të Bolonjës, ku unë i qëndrova të kryet katër muej rresht deri sa vdiq me 4 mars 1999 në moshën 79 vjeç.
Ashtu i sëmurë siç ishte, që nuk ngrihej dot nga krevati, një ditë mu drejtue : “Degjo Lek, sa të shërohëm, do të shkojmë bashkë në Shqipni e t’i rregullojmë disa punë… Dëshira e tij ishte e parealizueshme, por se pakut atë e mbante shpresa e shërimit. Në varrimin e tij morën pjesë oficerët e lagjës ku banonte, dhe ato të regjimenti tij. Historia e tij ishte e njohun, dhe gjithkush tregonte ndaj tij, sa jetoi, nderim e respekt, dhe në Shtepinë e Oficerëve, e thërrisnin Gjeneral. Ai sa ishte gjallë e kishte ba kerkesën për ndërtimin e karrierës dhe ngritjën në gradat që i takonin. Mendimi ishte se mund t’i njihej grada e gjeneralit, duke qenë se ai kishte qenë në shërbim efektiv deri në çastin që vetë komanda e kishte lirue nga shërbimi (si gjithë oficerët e tjerë), në armëpushimin e dytë me gjermanët. Koha e Shqipnisë si i burgosun nën diktaturë i njihej si rob lufte. Por nuk u ba gja sa ishte gjallë. Dy vjet pas vdekjës i erdhi së shoqës, vendimi për njohjën e grades si nënkolonel. Ata të komandës tij, u çuditën dhe u shprehën për një vendim të padrejtë, Valentinit duhet të ia kishin njohun gradën e lartë si gjeneral. Ai kishte dhanë prova të aftësive ushtarake te tij e quhej një hero (i pashpallun) i betejës së Tivolit pranë Romës më 8-15 shtator 1943. Po ashtu një rob lufte në kushte dënimi me burgje e kampe përqëndrimi. Një rast unikal në historinë e ushtrisë italiane, që meritonte ma shumë vemendje nga autorirtetet e larta kompetente. Gorit, tashma grue e vejë, ne i rrinim pranë në çdo rrethanë. Ajo nuk pranonte me ardhë në Belgjikë. Ishte tepër e lidhun me kujtimet e familjës që kishte jetue vazhdimisht ne Bolonja dhe me praninë e Valentinit, dhe i dukej një mospërfillje largimi i saj nga ai qytet. Në vitin e fundit që ishte mjaft e sëmurë, ajo e kishte thirrë gruen time që të rrinte me të. Kështu ime shoqe ndejti pranë saj gati një vit deri ditën e fundit kur vdiq në spital. Në spital nuk kishte krevetën të lirë, dhe duke qenë se e donte gruen time aty pranë, ime shoqe flinte pranë krevatit saj mbi dyshemenë, ku kishte shtrue disa kartona. Drejtori spitalit kur e mori vesh dhe e konstatoi vetë gjëndjën, u shpreh se kjo grue meriton të shpallej heroinë. Koha ban të vetën dhe kështu edhe Gori, kjo Penelope e shekullit njezet, ndërroi jetë për t’u bashkue me Uliksin e saj, Valentinin, në përjetësinë e Parajzës. Ky ishte romani i jetuar nga ky qift, njё Odise e vёrtetё e Pafajsisё.
Kjo ishte i gjithë historia e Valentinit, e denjë për pena të forta e regjizorë filmash. Ne e dhamë thjesht ashtu siç ishte zhvillue , pa ia teprue me përshkrime të stërhollueme. Besojmë se lexuesi do të mbetët
i emocionuem nga kjo histori e dhmbshme, ku del ne pah kriminaliteti i një diktature çnjerëzore, që shtypte mizorisht të drejtat e njeriut deri dhe në jetën private të njerëzve, duke mos ua le jue që ta jetojnë e gëzojnë.
Fati u tregue i pamëshirshëm ndaj Valentinit tue e përfshi në një shtegtim shumë të gjatë e të trishtë. Një udhëtim jo nëpër tallaze e stuhi detare, por vuejtjësh e mjerimësh të papërshkrueshme. Gjatë 47 vjet iu desh të përballonte terrorin komunist që ia grabiti një jetë të tanë. Kur u arrestue ishte 24 vjeç, dhe kur u lirue 70 vjeç. Ndërsa Uliksi që kishte shkue ne luftën e Trojës 20 vjeç u kthye në Itaka në moshën ma të mirë, 40 vjeç, ku e priste krahëhapun Penelopëja akoma e re, e bukur dhe besnike Ndërsa Uliksi tjetër, Valentini, do te takohej me Penelopën e tij, pas 47 vjet në moshën mbi 70 vjeç, ku dallohët fare mirë tragjedia që e kishte përfshi ket qift fatkeq. Një fat mizor që ua shkatërroi jetën. Për të njohun ferrin komunist, që e gjunjëzoi gjithë Shqipninë gjatë një gjysmë shekulli tue e katandisë në një gjëndje të mjerueshme, mjafton të ndjekin nga pas Valentinin në atë udhëtim të gjatë që e katandisi nëpër ato guva skëterrore ku ishin stivosë e vuenin me mija e mija qenjë të pafajshme. Në udhëtimin e tij imagjinar Dante takohej me personazhe të ndryshme, të dënuem ne Ferr për mëkatët , krimet e fajet e tyne. Ndërsa me anë të Valentinit, njihëmi me personazhe të vërtetë të njollosur me akte katilash duke krye krime të çdo lloji mbi krijesa njerëzore të pa pambrojtje. Paradoksi qendron në faktin se këto mëkatarë e kriminelë jetonin në nj Parajzë të tyne toksore ndersa njerëzit e mirë e të pafajshëm i kishin mberthye e pllakosë në shpellat e një ferri real e të kobshëm. Sa për Valentinin, nuk kishin mjaftue 25 vjetët e Mandelës, por ishin shtue pothuej dyfish deri në 47 vjet, një jetë të tanë. Nelson Mandela, gëzonte të drejtën të vizitohej në burg nga ministra, parlamentarë, gazetarë, politikanë, etj., dhe të ndiqte studimet universitare e të diplomohëj aty. Ndërsa disa qindra Mandela të Shqipnisë me nga 45 vjet dënime mbi kurriz, s’guxonte kush me u afrue dhe jo ma me u ba vizita zyrtare, me fol e shkrue gazetat e aq ma tepër me vazhdue universitetet e me fitue diploma në kushte burgu. Kështu edhe Valentini, jo vetëm se nuk mund të guxonte kush t’i vinte në takim, por ai vetë po t’ishte afrue ma tepër te telat me gjemba të rrethimit të kampëve, rrezikohej të gjuhej e të vritej nga armët e rojëve çerbërë e kriminelë. Ai i shpëtoi vdekjës së dhunshme, por jo vuejtjëve dhe vështirësive të panumërta që ishin një Kalvar i vërtetë në një rrugëtim aq të gjatë e të lodhshëm, që me aq mundime i doli në krye, por në një moshë që s’premtonte ma për mirë.
FUND
Komentet