Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së (ODIHR) hapi sot zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri.
Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it dhanë sot një konferencë shtypi në mesditë. Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, ambasadori Peter Tejler, deklaroi se do të raportojë pas ditës së zgjedhjeve për ecurinë e procesit.
“E dimë që ky proces do të kundërshtohet nga disa parti, por detyra jonë është transparenca. Ne do t’i referohemi tërësisht procesit dhe jo garës mes partive politike. Vendimi për të garuar është vendim politik, por ne këtu jemi për të monitoruar zgjedhjet. Ne nuk mund të flasim nëse qëndrimi i opozitës është i drejtë ose jo. Misioni ynë është për të vëzhguar dhe jo për të bërë vlerësime” – tha zoti Tejler.
Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it pritet të ketë rreth 300 vëzhgues afatshkurtër në të gjithë Shqipërinë ditën e zgjedhjeve.
Ky mision do të bashkëpunojë me një delegacion nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri veprojnë në mënyrë të ndarë dhe të pavarur sipas mandateve të tyre, theksohet në njoftimet e tyre.
Komentet