Një komision i posaçëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për koronavirusin u mblodh për të diskutuar gjendjen aktuale të pandemisë. OBSH-ja po bën thirrje për solidaritet global në përpjekjet për ta vënë nën kontroll atë.
Komisioni i Emergjencës ra dakord njëzëri për herë të katërt se COVID-19 përbën një çështje urgjente të shëndetit publik me përmasa ndërkombëtare. Kur komisioni e bëri për herë të parë këtë deklaratë më 30 janar, kishte më pak se 100 raste dhe asnjë vdekje jashtë Kinës.
Tani pas gjashtë muajsh, Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton për mbi 17 milionë raste në shkallë globale dhe mbi 750 mijë vdekje. Më shumë se gjysma e rasteve të infektimit dhe vdekjeve kanë ndodhur në kontinentin amerikan.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus thotë se këto shifra janë një kujtesë e sfidës së jashtëzakonshme që paraqet kjo krizë.
“Pandemia është një krizë shëndetësore që ndodh një herë në shekull, efektet e së cilës do të ndjehen për dekada me radhë. Shumë vende që besonin se e kishin lënë pas fazën më të rëndë, po përballen tani me valë të reja”, tha ai.
Afro 35 ekspertë dhe këshilltarë që morën pjesë në takim virtualisht, kanë hartuar një sërë rekomandimesh për të orientuar përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar pandeminë. Një prej tyre është që të bashkërendohen angazhimet rajonale dhe globale për zhvillimin e vaksinave dhe mjekimeve.
Zoti Tedros tha se i kupton shpresat për gjetjen e një vaksime dhe mjekimeve për të trajtuar sëmundjen, megjithatë ai bën thirrje për një ulje të pritshmërive.
“Megjithëse zhvillimi i vaksinës po bëhet me shpejtësi, ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin dhe ta luftojmë me instrumentat që kemi”, tha ai.
Komisioni i Emergjencës thotë se shëndeti publik dhe masat e sjelljeve sociale janë disa nga mjetet më të mira që kanë komunitetet për të luftuar koronavirusin, përfshirë testimin, identifikimin, distancimin fizik dhe larjen e duarve.
Komisioni këshillon që shtetet të kenë sisteme vëzhgimi të koronavirusit me bazë në komunitete dhe u bën atyre thirrje që të ndajnë informacion për masat e udhëtimit, bazuar në vlerësimin e rrezikut në mënyrë që udhëtimi ndërkombëtar të rifillojë në mënyrë të sigurt.
Po ashtu i nxit shtetet që të luftojnë keqinformimin dhe informacionin e rremë për COVID-19-ën që minon përpjekjet për të luftuar pandeminë.
Komentet