Dukej si rrugicë ndërmjet oborreve të Shën Damasit dhe të Marshalit, që nuk binte në sy, gjithmonë në hije, deri në zbulimin, gjatë një inspektimi: në një lartësi prej rreth 20 m. u dukën mbetje pikturash të lashta. Puna grafike restauruese e arkitektëve e zbuloi dhe e riktheu dekorimin origjinal piktorik: kopshtin e populluar nga zogj të këndshëm, ngjyra- ngjyra, veçanërisht papagaj, nën një qiell blu, që “vijojnë të fluturojnë” mbi mur që nga mesi i shekullit të 16-të, shkruan Radio Shqip e Vatikanit.
Kur Papa Piu IV, Giovanni Angelo Medici para papnisë, shikonte nga dritaret e apartamenteve të tij, në zemër të Pallatit Apostolik, shihte vetëm një mur të zhveshur, të ndriçuar nga dielli, që përshkon për disa orë oborrin e ngushtë dhe katërkëndsh me emrin e çuditshëm “Oborri i Papagallit”.
Papa nuk mund të kundronte horizontin e kaltër të kodrave, as të shihte gjelbërimin e Kopshteve të Vatikanit, të cilat ai vetë i kishte zbukuruar e ku kishte ndërtuar, në vitin 1558, Shtëpizën që edhe sot e kësaj dite mban emrin e tij, e njohur edhe si Villa Pia. Papritmas, pati një ide: thirri një artist dhe i kërkoi t’i pikturojë ato mure pa emër, në mënyrë që të ndryshonin pamjen. Kanë kaluar shekuj dhe nëse sot përshkojmë oborrin, për të shkuar nga Cortile del Belvedere në atë të Marshallit, në shikim të parë shohim të njëjtat mure të verdheme. Nuk i kushtojmë rëndësi disa fragmenteve blu, pastileve, vijave të kuqërremta dhe formave të verdha të arta që janë shumë të larta, në lartësinë rreth 20 metra.
[Fragmente pikture ende të dukshme në oborr]
Zbulimi
Gjatë një inspektimi, arkitektët e Guvernatoratit të Vatikanit, duke shikuar lart, zbuluan rastësisht fragmente suvaje të pikturuara në ato mure. Ishin dekorime polikrome, që krijonin iluzionin e pjergullave dhe lozhave të banuara nga zogj dhe kafshë të tjera.
Rikthimi “virtual”
Hulumtimet arkivore nxorën në dritë mungesën e informacionit deri në shekullin e 20-të, me rastin e rindërtimit të fasadave në oborr të cilat, me ndërhyrjet e zbardhjes, ndikuan edhe më shumë në shkatërrimin dhe, si rrjedhojë, në harrimin e afreskeve. Në një vizatim të piktorit Biagio Biagetti, në vitin 1934, i ruajtur tashmë në arkivat e Muzeumeve të Vatikanit, ky dekorim, edhe pse gati-gati i zhdukur, duket në përgjithësi dhe në disa detaje.
Më në fund, Marcella Morlacchi, duke përdorur teknikën e relievit të drejtpërdrejtë, restauroi të gjitha fasadat duke filluar nga vizatimi i Biagetti-t e, duke i krahasuar me fragmentet e mbetura, nxori në dritë pamjen e plotë të afreskeve, si në ngjyra, ashtu edhe në dekorime.
Fluturimet e zogjve shumëngjyrësh
Afresket shpalosen në tre breza ose regjistra të mbivendosur. Në pjesën e poshtme ka kryesisht hardhi të ngarkuara me rrush dhe gjitarë të vegjël ekzotikë si majmunët. Në të dytën, vërehet një arkitekturë e lehtë, tipike e kopshteve, me kafaze, perspektiva false dhe pagoda. Në të tretën është parapeti i një ballkoni përgjatë të cilit, në intervale të rregullta, shikojmë stemat dhe emrin e Piut IV. Më tej, për të mbyllur kompozimin, vazo të mëdha në ngjasim të bronzit, të punuara në reliev. Sfondi blu i qiellit shtrihet kudo. Të mbyllur “në kafaze me korniza të praruara”, të lirë në hapësirë ose të vendosur përgjatë kornizave të kornizave të vargjeve, vërehen lloje të ndryshme zogjsh, veçanërisht papagaj, prej nga vjen edhe emri i oborrit, i cili për këtë arsye ruan gjurmët e këtyre dekorimeve. Syri i këtij oborri, që shikon qiellin, nuk është shumë i madh dhe mund të mendojmë se ishte i mbyllur nga një rrjetë, për të krijuar një kafaz ku të rriten zogjtë dhe të shijohej fluturimi i tyre.
[Kthimi i afreskeve në anën lindore, Marcella Morlacchi]
Një qiell blu, i ngjashëm me atë të Mikelanxhelos
Sfondi është pikturuar plotësisht me ngjyrë blu, për të krijuar një qiell verbues. Ky element bie në sy edhe sot në ato pak fragmente të mbetura dhe është e pamundur të mos bëhet një krahasim me atë të Gjyqit të Mbram, në Kapelën Sikstine. Michelangelo përdori sasi të mëdha lapislazuli për ta pikturuar atë qiell me këtë ngjyrë të fortë. Është një qiell që me siguri do t’i bënte përshtypje kujtdo, që e admiron. Dhe përsëri, duke vijuar të prekemi nga zbulimi, mund të mendojmë se edhe Piut IV i kishte bërë po aq përshtypje, saqë i kërkoi autorit të pikturave të oborrit të bënte të njëtën gjë.
Piktori misterioz i oborrit
Arkitektja e Guvernatoratit, Maria Mari, autore e vëllimit të botuar në vitin 2016 nga Shtëpia Botuese e Vatikanit “Il Cortile del Pappagallo. Hortus Conclusus”, mendon se pikturat duhet të jenë vepër e protagonistit të madh të manierizmit, Taddeo Zuccari i cili, me të vëllain, Federico, dhe “botegën” – a punishten e tij, pikturoi në pallatin e Vatikanit që nga koha e Papës Juli II, duke vazhduar me shumë entuziazëm edhe nën Piu IV. Ndër veprat e tij, mund të përmendim pikturat në Sallën e Dritëhijeve ose Palafrenieri, në Dhomat e Pallatit Apostolik (1556), afresket në Sala Regia dhe në Kazinonë e Piut IV (1561). Kjo hamendje bazohet në vëzhgimin e dokumenteve arkivore të mbledhura në koleksionet e dhomave të tregtisë, që duket se kanë qenë pagesa të vazhdueshme dhe e konsiderueshme për Zuccari-t. Për më tepër, në Arkivin Shtetëror të Romës është një dokument që shënon llogarinë e punës së kryer, më shumë se 700 scude “sepse përveç shpenzimeve të mëdha, të përditshme të piktorëve, duhej pasur parasysh edhe shqetësimi e humbjes së madhe të kohës për ta çuar deri në fund pikturën, për të cilën po flasim”. Dokumenti kujton lartësinë e skelave dhe faktin se afresket nuk ishin përfunduar ende, por nuk jep të dhëna për vendndodhjen e veprës, megjithatë shumë të dhëna nga burime të tjera na çojnë në Oborrin tonë dhe na kujtojnë se duhet të jetë kryer nga një punishte, ose nga një ekip piktorësh.
[Gjendja aktuale e afreskeve të mbijetuara në oborr]
Ballafaqimet
Skena të ngjashme janë tejet të përhapura në shekullin e 16-të. Në Romë dhe në rrethinat e saj mund të përmendim ato që janë më të ngjashme me Oborrin tonë, si Palazzo Altemps, Villa Giulia dhe Villa Farnese në Caprarola. Kjo ikonografi është shumë e ngjashme dhe zakonisht gjendet në kalimet, si korridoret dhe në qemeret e lozhave. Në Cortile del Pappagallo vërejmë një risi; atë të shtrirjes në një mur vertikal dhe në mure të jashtme. Megjithatë, synimi është i njëjti: ai i krijimit, me teknikën piktoreske të trompe-l’œil, të iluzionit të një hapësire nën hije.
[Caprarola, Palazzo Farnese, Oborri, ndoshta nga shkolla e Antonio Tempesta, 1579-1581]
Pamjet e kopshteve
Tema e kopshtit, në art, ka tërhequr gjithmonë dashamirë dhe artistë. E kjo, sepse rikrijon me penel një natyrë idilike dhe asnjëherë kërcënuese. Një vend freskie, ku mund të admirosh bukurinë e një natyre të zbutur nga dora e nga puna e njeriut. Në kohën romake, përfaqëson atë epokë të artë shumë të dëshiruar, që e kënduan poetë si Virgjili ose Ovidi. Nën perandorinë e Augustit, kopshti simbolizonte paqen dhe prosperitetin, si në Ara Pacis, ku mund të lexosh një alfabet të vërtetë simbolik lulesh.
Rikthehemi në Villa Livia, që tani mund të vizitohet në Palazzo Massimo në Romë, ku mund të sodisim pamjen mahnitëse të katër mureve të një dhome të pikturuar plotësisht me bimë, pemë frutore, lule dhe zogj. E njëjta gjë, në shtëpinë e byzylykut të artë, në Pompei.
Në latinisht, kopshti i mbyllur quhet hortus conclusus. Ndikimet e rëndësishme të metodave dhe kulturave tipike të kopshteve rrjedhin nga Arabia dhe mbërrijnë në Itali, përmes Siçilisë.
Kopshti rinis të duket në mesjetë, kryesisht në sferën fetare, në manastire dhe në sferën e oborreve mbretërore. Mjafton të kujtojmë përshkrimin e Boccaccio-s tek Dekameroni. Në art, është i mbuluar me kuptime simbolike, të cilat të çojnë në Parajsë. Kopshte të bukura lulesh gjejmë në shumë ikonografi dhe mbi të gjitha te Lajmërimi i Zojës dhe, në përgjithësi, në paraqitjet e Virgjërës. Muri që mbyll hapësirën e gjelbër të kujton virgjërinë e Marisë; e shumë lloje kafshësh dhe lulesh e rrethojnë Nënën e Zotit.
[Leonardo da Vinci, Andrea del Verrocchio, Shpallja, 1472, Galeria Uffizi]
Me kalimin e kohës, që nga Rilindja e këtej, këto kuptime zbuten dukshëm, duke u bërë selia e simboleve më të gjera dhe të paqarta, ku e shenjta dhe profania përzihen në atmosferat ekzotike, që i gjejmë te Cortile del Pappagallo, te papagajtë dhe majmuni. Për më tepër, në këtë oborr të Pallatit Apostolik arkitekturat kanë më shumë lozha dhe ballkone, sesa një kopsht të vërtetë të mbyllur, ndër të tjera të paraqitur në mënyrë të saktë në ikonografinë me mure të larta, ndërsa këtu gjithçka përshkohet nga një ndjenjë lehtësie dhe hapësirë ajrore iluzore, të ngjashme me dekorimet e pallateve të tjera luksoze të shekullit të gjashtëmbëdhjetë në Itali.
Nevoja për restaurim
Me teknologjitë e reja, për shembull me projektime në fasada, është e mundur të rikrijohen virtualisht afresket, megjithatë ndërhyrja e shpresuar, nënvizon Maria Mari, është restaurimi dhe konsolidimi i asaj pak që ka mbetur dhe rikuperimi i mundshëm i fragmenteve të tjera të pikturuara.syri.net