O krimineli im i dashtun,
unë mërgimtari,
jam tue u përpjekë
me t’marrë me t’mirë,
megjithse ti
me ftyrën tande t’mazueme,
e tue kërcllue dhamët,
m’pret si turist
n’vendin tem…
.
O krimineli im i dashtun,
ti nuk ke kurgja tepër meje,
ma shumë se unë
n’at’ vend,
n’mos paç ma pak…
se veç farën e urrejtjes
ke mjellë,
e unë kam mjellë
veç farën e dashnisë…
.
O krimineli im i dashtun
unë i çova dollarët e paktë
prej Amerike,
me i mjellë katër fidanë pishe
n’malet e Lurës,
qi kanë mbí
e janë rritë,
me kujdesin e Jetmirës…
.
E ti i dashtuni krimineli im
asnji pemë s’e mollé,
se nuk e din çka don me thanë
folja ” me mjellë”,
ti e din Shqipen gjysmakshe,
veç foljen ” me fshehë” din,
me fshehë ftyrën tande,
me i fshehë krimet tueja,
me i fshehë paret
e vjedhuna,skaj Botës,
a n’gopin e sat ame,
edhe ke trimninë e t’marrit
me ta vjell goja
e me m’quejt mue turist
n’tokën teme,
mor biri i kurvës…
.
O krimineli im i dashtun
Unë i jam tutë lavdisë së rreme,
jet’ e mot,
I kam ikë si xhirafa e paqme
me kryet nalt,
q’i shqelmon me thundër
çakejt n’tundër,
çakej e hiena,
qi sillen me e shqye…
Atdheu asht edhe i jemi
e ti kqyrëm n’sy
çka po t’them
e vare vath n’vesh:
unë jam biri i asaj toke,
e ti veç nji padron
krejt kalimtar
i vdekshëm në xhungël…