Nё kushte, rrethana, apo kohё tё tjera, tё shkuara, apo tё ardhme, ky shkrim, nuk do fillohej kёshtu. Po ja, qё, italianёt, tё futen brenda si mola estetike, tё mprehin sqimёn qё fle pёr shtatё palё qejfe brenda teje e tё ndryshojnё edhe kodin e rrёfimit.
Fillojmё pra, italiançe…
E sheh gjithmonё tё veshur me kёmishё tё bardhё, kostum tё errёt, tё zi ose blu, dmth., pothuaj tё gjitha nuancat e blusё, me kollare me ngjyra tё errёta, ose tё çelta po tё zbehta, dmth., rripi qё i varet nga qafa deri nё brez, nuk feks e s’ta merr mendjen me lajle-lule tё pakta, apo tё shumta. S’bёn vaki qё nga ndonjё pullё e pambёrthyer mirё e kёmishёs t’i dalё ndonjё zinxhir gurmazi: i trashё, i hollё, i artё, i argjendё, kryq apo gjysmёhёnё. S’ia kemi parё ndonjёherё llёrёt e pёrveshura zbukuruar me ndonjё fill shumёngjyrёsh apo ndonjё ushkur Dolce & Gabbana. Edhe kyçet e kёmbёve tё mbuluara mu si ndonjё murgeshё i ka dhe s’del si garip me çorape tёrё bojra e tё ulura nga vapa qё t’i duket kёrciri. Flokёt i ka tё krehur me kujdes e jo me efekte lara-lara si shatush e qimet s’i ka tё lagura qё tё duket i sapodalё nga dushi, sikundёr shfaqen gjithmonё kёta teutonёt e fundit nёpёr botё.
As i qeshur, as i zymtё, i qetё dhe aspak i rrёmbyer, flet qartё e shtruar, pa ndryshime tё dukshme nё stil dhe nё zё. As impulsiv, as i mefshtё, as krruhet kur flet, as gjёmon, as bubullin, as tmerron, as tmerrohet, as thumbon, as kёrcёnon, as tkurret, as bymehet. Pak dandy e aspak trendy dhe “shthurja“ mё e madhe poetike e tij shfaqet nё njё fotografi tё vetme qё tenton tё tregojё njё kryeministёr tё ri dhe sportiv. Njё revistё rozё nga kёto bjerraditёset qё s’mungojnё edhe nё Itali, e ka kapur nё njё çast aspak idilik, teksa ecёn nё rrugё me dy çanta ushqimesh nё duar. Gjesdis, ashtu si rastёsisht, thjesht, pa kollare. Nja gjysmё metri larg, tёrheq zvarrё kёmbёt e dashura e tij qё s’merret vesh nё ёshtё e mёrzitur, apo e mёrzitshme…
Bёhet fjalё pёr Giuseppe Conte-n, kryeministrin italian, qё, pёr sport, apo pёr ta bёrё tё vockёl nё sytё e botёs, Trump-i i andej oqeanit, e thёrret Giuseppi. Kur u zgjodh nga “hiçi” andej nga qershori i 2018-ёs, Conte dukej si kukulla bionde qё duhej t’i kёnaqte tё gjithё. Por, nё tё vёrtetё, tregoi qё ishte kockё qё tё mbet nё fyt. U bё i njohur nё skenёn poltike si “ylli” pa tesёr i “Lёvizjes 5 yjet” qё drejtohet virtualisht nga komiku (dhe vetёm kaq), Beppe Grillo.
Kulmin e arriti me fjalimin e tij tёrё nerv kur u rrёzua Qeveria Conte I. Iu pёrvesh Salvini-t, aso kohe zёvendёskryeministёr dhe ministёr i Brendshёm, vёt e vёt e pas kёsaj, zёvendёsi qё u bё ish-zёvendёs e ministri qё u bё ish-ministёr, s’bёri mё kirikikiiii e mori tё tatёpjetёn. Ky akt, atipik pёr njё italian, mu nё mes tё faltores sё ligjit, u bё historik. Aq historik, si Avni Rustemi nё kohё tё vet kur vrau Esat pashё Toptanin mu nё mes tё Parisit. Kjo besoj se i dha jetё edhe qeverisё Conte II andej nga fundi i verёs sё 2019-ёs. Prej atij çasti, u shfaq personaliteti i vёrtetё i kryeministrit italian qё europianёt, veçanёrisht, e shihnin si hije pa pushtet.
Ka kaluar pothuaj njё vit qё atёherё e Conte vazhdon tё jetё i njёtrajtshёm e koherent, edhe sot, kur e kёrdisin nga tё gjitha anёt. Sepse nё demokraci, kёshtu ngjet, edhe tё kёrdisin. Po ai vazhdon tё dalё me karar dhe me dinjitet para telekamerave, edhe kur i thotё Merkel-it qё nё kёto çaste tё pandemisё, ata (liderёt) po bёjnё histori e nuk po shkruajnё njё libёr tё rёndomtё ekonomie. Edhe kur i kёrkon ndjesё njё gazetari tё thjeshtё e qyqar pse i ngatёrron mbiemrin. Ngrij nё vend. “Je nё vete?!”, mendoj. “Ngrihu e bjeru mediave si kolegёt e tu nёpёr botё! Ata po, qё e kanё gjetur burimin e sё keqes. Korri gazetarёt, vill vrer kundёr tyre e bёhu cinik e pastaj despot! Ose jo, nё fillim despot e pastaj cinik, kёshtu e shijon mё shumё delirin. Shtrembёrohu e zgurdullo sytё para telekamerave si bajlozёt qё na qeverisin!”. Po asgjё e tillё s’ngjet. Conte ёshtё aty, flet ex cathedra.
Ah po, telekamerat! Nuk i mban as poshtё qё tё duket si rojё e pushtetit, as lart qё tё duket si ficco qё miklon pushtetin, as majtas qё tё tregojё profilin e gdhendur, as djathtas qё tё tregojё mjekrrёn e rruajtur ose tё parruajtur. Po i del pёrballё dhe e sheh mu nё kokёrdhok tё syrit. Pas tij, zbukurojnё dy flamuj e njё ideal. Faltorja nga flet, nuk ёshtё njё zgёq i ngushtё, i dalёboje qё i ndihet era e mykut edhe nga ekrani, por ёshtё e pastёr, e madhe e tёrё dritё. I drejtohet popullit me fjalёt e njё njeriu tё kёnduar qё ka pёrballё njё njeri tjetёr tё kёnduar, dmth., i drejtohet njё tё barabarti. Shkurt, bёn gjёra qё na habisin ne shqiptarёve. Si psh., nuk çirret e nuk thinjet para kohe nga “hallet” si njё “baba kombi”, ose nuk hapet si vaji nё lakra si “kunati i kombit”. E quajnё thjesht “avokati i popullit” se nё jetёn reale, kur i heq ofiqet, ha bukё si avokat. Vetёm kaq. Ky ёshtё Conte qё shihet kёndej oborrit tё pallatit Chigi.
Sot, na lipset tё besojmё te njё kryeministёr qё nё kёto rrethana tё jashtёzakonshme qё po jetojmё, duhet tё jetё i jashtёzakonshёm. Si gjithmonё, koha do ta tregojё nёse kapiteni ynё diti t’u bёjё ballё stuhive me nder e lavdi e nёse diti tё jetё mё shumё sesa i zakonshёm. Gjithsesi, mund tё themi qysh tani qё Conte po tregon njё karakter tё fortё, njё mendje tё ftohtё dhe po na shfaqet i pёrkorё. Ai do tё mbahet mend si kryeministri i kohёs sё koronavirusit, krizёs mё tё madhe tё pas Luftёs sё dytё Botёrore.
Shpesh kam menduar se ç’fat na ndihu qё Salvini nuk ishte mё Salvini kur na ra damllaja e covidit. Mё rrallё kam pyetur veten nёse Conte u bё Conte-ja qё njohim sot nga covidi-19, apo do tё bёhej nё çdo rast ai, kapiteni sypatrembur, qё drejton dhe s’braktis anijen nё rrebeshe e stuhi?! A do kishim njё kryeministёr kaq popullor edhe sikur dielli tё shndёrriste mё kot nga mёngjesi deri nё darkё?! S’e di. Duhet tё shullehemi nё diell njё ditё tё tёrё qё tё mund tё themi ndonjё fjalё mё tepёr. Ajo qё me siguri vihet re, ёshtё qё, Giuseppi, qё edhe pse nё fillim dukej si njё çupёlinё e turpshme, tashmё ia merr nё kthesё Trump-it tё trembur, tё zbёrthyer, tё plakur e çuditёrisht serioz e tё mposhtur, siç u pa tё zbriste nga avioni ca ditё mё parё. Njё ditё prej ditёsh, edhe Trump-it tё madh s’i ndriu mё ylli e u bё Trump-i i vogёl qё i pёrngjiste njё trumcaku. Nё dorёn e rreshkur, kapiteni amerikan, mbante “shthurjen” mё tё madhe poetike tё tij: njё kollare tё kuqe qё fekste nga larg e qё dukej si njё flamur i lodhur, i varur nё gjysmështizë.
——–
Autorja jeton në Romë, Itali.
Komentet