Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë.
Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.
Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (14), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.
Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.
Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.
Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Gazetarët e REL-it në vendin e ngjarjes raportojnë se nxënësit janë evakuuar përmes hyrjes dytësore të shkollës.
“Ishte e tmerrshme”, ka thënë E.M., 14 vjeçe, pasi u evakuua nga shkolla.”Kishim edukatë fizike, dhe unë isha poshtë kur dëgjova të shtëna të vazhdueshme, nuk ishte vetëm një e shtënë”, ka treguar E.M., e cila u prit nga nëna e saj jashtë shkollës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.
“Të gjitha informatat relevante lidhur me tragjedinë dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ajo, do të bëhen të ditura nga Ministria e Brendshme, ndërsa institucionet kompetente shëndetësore do të njoftojnë për gjendjen e të plagosurve”, tha përmes një deklarate Ministria e Arsimit e Serbisë.
Sindikata e Punëtorëve të Arsimit në Serbi tha se “tragjedia në shkollën fillore është dëshmi se jetojmë në kushte ekstreme dhune”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
“Në këtë moment të vështirë, mendimet tona janë me të plagosurit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në deklaratën e saj.
Zhelko Komshiq, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, i dërgoi ngushëllime presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në Twitter se “është e tronditur dhe e pikëlluar nga të shtënat” në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd.
Në Serbi, të shtënat në masë janë shumë të rralla, dhe vendi ka rregulla shumë të rrepta për përdorimin e armëve të zjarrit.
Incidenti i fundit i tillë ka ndodhur më 2013, kur një veteran i luftërave të Ballkanit nga vitet ’90 qëlloi për vdekje 13 persona në një fshat në Serbinë qendrore.