Më përpara u zhduk nga sytë, se sa u shfaq. Ashtu, vetëtimthi, e bukur, e shkathët dhe gjithmonë (të paktën në gjithë ato herë që e kam parë), sikur ta ndjekë dikush nga prapa dhe ajo, si për t’iu shmangur një rreziku permanent,vrapon drejt të padukshmes. Kush e sheh për herë të parë, befasohet nga bukuria dhe vrapon që t’i afrohet, por llogaritë i ka bërë, pa e pyetur hanxhinë. E gjithë kjo ligjëratë fjalësh, është veç për NUSLALËN! Nuk ka kafshë të egër më të bukur dhe më të shkathët, njëherësh. Po kështu nuk ka kafshë tjetër, rreth së cilës të jenë thurur bestytni si për NUSLALËN.
Sado që është e vogël, në madhësinë e një maceje,ajo, në vetevete, ka të tilla energji,sa mund të vrasë edhe kafshë,edhe shpendë që janë disa herë më të mëdha se ajo.
* * *
Njerëzit që ia njohin mirë si dobinë, por edhe rrezikun, i kanë dhënë dhe atributin:nuse për lalin (nuslala) që në disa zona do të thotë: nuse për vëllanë e vogël. E kanë pagëzuar dhe nusez, me atë prapashtesën zbutëse dhe në disa zona (siodomos, në veri), e quajnë bukël apo dhe bukurushë.Legjenda shkon drejt një emëruesi të përbashkët:-Kurrë mos e vra,NUSLALËN! Siç ka vënë re, Profesor FRANSZ NOPCSA, ka një thënie porverbiale që është gjetur në Shqipëri,por dhe në Sicili që thotë:”Njeriu nuk duhet ta vrasë NUSLALËN!”.
* * *
NUJA, mëmë Liria nga Marglliçi i Çamërisë ( të më ndjejë atje ku prehet), më tregonte:- Në Çamëri Nuselalës i këndojnë këngë. E marrin me të mirë dhe i premtojnë kurbanë,deri ndonjë shpend apo shqerrë. Natyrisht, krejt këngën nuk e kujtoj dot, por ashtu, shatra- patra, do t’i sjell:”Nuselale,Nuselale/merr furkën e hidh një valle/Hidhe vallen si të desh/ të jap një “darovë” t’e kesh/ do për mish e do për lesh/.
Kurrë nuk jam sugjestuar nga thënie e bestytni që u vishet kafshëve apo qoftë dhe njerëzve, gjasme, të shenjtë, po, kur ka ardhur puna për NUSLALËN, jam dorëzuar dhe i kam besuar të gjitha ato që thuhen për të:qoftë si kafshë e dobishme, por, njëkohësisht, e rrezikshme. Aq rashë preh apo peng i atributit dyfish të NUSLALËS, sa nxënësve u lija porosi:- Kurrë mos godisni me gurë NUSLALËN dhe kurrë mos e shani atë. Legjenda thotë:-Nëse e ngacmon, e trazon, e përndjek, një gjë duhet ta kesh të sigurt: do të hakmerret dhe dëmin do ta paguash shumëfish.Siç thotë populli:- Për një thelë, do paguash një pelë! Pulat apo shpendë të tjera,i gjen pirg në qymez dhe bëhet e frikshme në hakmarrjen e saj:se mund të helëmojë kafshë të shtëpisë dhe thonë,edhe njerëz.
Ushqimi i saj kryesor, janë brejtësit(minjtë), por është aq e zonja sa të fitojë “luftën” me një gjarpër (gjithmonë fiton mbi ta), por nuk ia përton të mbysë një lepur apo shpendë e kafshë të tjera. Dhe populli pse ia njeh dhe vlerën,por dhe rrezikun e “përkëdhel” për ta zbutur zemërimin e saj,me atributin e nominuar:NUSE. Jo vetëm”nuse”, por”nuse për lalin”.
Asnjë vlerë dhe, veç lojra fjalësh do ishin ç’kam shkruar për të, nëse nuk do sillja këtë rrëfim shumë domethënës.
* * *
Ka qenë muaji qershor. Në fshat korrej bari në livadhe. Fshatarët ndihmonin njëri-tjetrin, të grupuar në kolektiva, dhe sot(pra,kur ka ndodhur), po korrnin jonxhën e njërit prej tyre. Secili prej korrësve kishte postatën e tij dhe, pikërisht, tek njëri, mu në mes të postatit, u zbulua një çerdhe me disa këlyshë të vegjël. Ou,- bërtiti Rrahmani,- janë këlyshët e NUSLALËS. Më i riu prej korrësve, vrapoi dhe, kur i pa, hoqi pallton dhe një nga një i hodhi në të.
Mos,-foli Rrahmani! Mos, se tash vjen e ëma dhe ka me na mbytë krejt.
Mos,- tha Rrahmani,por i riu, si veriu. As që dëgjoi me atë vesh. I mori dhe i fshehu diku. Nuk kaloi as një gjysëm ore dhe,kur ia befi e ëma. Kuiste e bërtiste në adresën tonë dhe qe gati të lëshonte flakë nga lebetia. Klithma mend përshkoi gjithë mjedisin kur tek “foleja” nuk u gjet asnjë prej këlyshëve të saj.
-Sillja,- bërtiti Rrahmani. Sillja se ajo do hakmerret. Nuslala qe egërusar aq, sa vinte vërdallë dhe, befas, i zunë sytë kusinë me qumësht që kishim varur në gremçin e një lisi, që qumshtin mos e zinte dielli. NUSLALA vrapoi, iu ngjit lisit dhe, pasi vuri buzët mbi kusi, volli mbi qumësht.
Ne shtangëm të tërë,- tregonte Rrahmani, dhe unë bërtita:- Sillja tani shpejt!!!
I riu vrapoi dhe me pallton para duarësh,erdhi dhe i vendosi atje ku qenë:tek foleja. NUSLALA ndiqte me sy veprimet tona dhe, kur pa ç’ndodhi, pothuaj fluturoi drejt e atje. I pa (zëre se qe njeri dhe i numëroi) dhe, kur u sigurua që ishin të tërë, po “fluturimthi” u kthye tek lisi dhe, pasi u ringjit atje, zgjati këmbët e përparme dhe e derdhi të gjithë kusinë.
– Shpëtuam,- bërtiti Rrahmani,se do na kish helmuar që të gjithëve.
Tiranë, 30 maj 2018
Komentet