TIRANË – Ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, zhvilloi këtë të dielë një vizitë në Tiranë, ku pati një axhendë e ngjeshur me në fokus reformën në drejtësi.
Në përfundim të takimeve, zyrtarja e lartë amerikane deklaroi në një konferencë për shtyp se reforma në drejtësi është jetike për të ardhmen e Shqipërisë.
Zonja Nuland bëri të ditur se ambasadori Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë kanë përgatitur një propozim të ri për reformën në drejtësi, që siç tha ajo, është një propozim hibrid që ka mbështetjen e Washingtonit.
Zyrtarja e lartë amerikane theksoi se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje për reformën, pasi populli shqiptar është duke pritur.
“Ky është një moment vendimtar për demokracinë shqiptare. Reforma në drejtësi për të cilën po punon kuvendi, për të cilën po punon si qeveria edhe opozita është tejet jetike për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Do të japë një kontribut të rëndësishëm për ti dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Eshtë një hap tjetër thelbësor që Shqipëria duhet të ndërmarrë në hapin tjetër drejt bisedimeve për tu anëtarësuar në BE. Negociatorët nga të dyja palët kanë punuar fort dhe drafti është drejt përfundimit tani. SHBA dhe BE janë shumë krenarë që kanë pasur mundësinë të lehtësojnë procesin e negociatave të ndihmojnë dhe gjithashtu shumë krenare për punën që Lu dhe ambasada kanë bërë këtu. Në mënyrë që të ndihmojë palët që të mund të mbyllin atë hapësirë bosh ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE kanë bërë një propozim të ri që është në diskutim. Ky është një propozim hibrid i cili ka marrë ide nga qeveria e Shqipërisë, opozita shqiptare dhe është në përputhje me Komisionin e Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time dhe mbështetjen e gjerë nga Uashingtoni dhe lidershipi aty.”- deklaroi Nuland.
“Kam pasur mundësi që ta shqyrtoj me hollësi në takimin tim me kreun e qeverisë dhe kreun e opozitës i kam nxitur që të dy ata, në mënyrë që të mund të mblidhen së bashku rreth asaj që është propozuar. Ka ardhur koha të arrihet një marrëveshje, populli shqiptar është duke pritur. Eshtë çasti që të gjithë patriotët e Shqipërisë të bashkojnë forcat dhe të japin atë që ky vend po pret.”- tha zonja Nuland, duke theksuar se tashmë nuk ka më kohë, dhe palët duhet të gjejnë dakordësi.
PERFUNDOJNE TAKIMET
Në takimin me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, zonja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Pas takimit me zyrtaren e lartë amerikane, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se me zonjën Nuland diskutoi propozimet e PD-së, si dhe propozime të tjera për të futur në rrugën e zgjidhjes reformën në drejtësi. Basha theksoi se ajo që kërkon PD është zbatimi i rekomandimit 88, dhe për këtë ka propozuar disa alternativa.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e ka quajtur një sinjal shumë të rëndësishëm për shqiptarët vizitën e Nuland në Tiranë. Ai tha se kjo tregon rëndësinë që i kushtojnë SHBA-të reformës.
“Ardhja e Nuland, sinjal shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Vizita tregon rëndësinë që i kushton Amerika reformës. Tregon se çfarë humbim duke mos e votuar reformën në drejtësi”, është shprehur kreu i qeverisë.Gjithashtu ai ka folur për një plan B të reformës. “Jemi në zhvillim të planit B. Plani B, ecja përpara me draftin në parlament”, tha kryeministri Edi Rama.
Ora 18:20 – Rreth orës 18:20, ndihmës/sekretarja amerikane Victoria Nuland ka mbërritur në kryeministri, ku po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama. Sikurse edhe në takimet e tjera të zhvilluara sot në Tiranë, edhe në takimin me kryeministrin Rama në fokus të bisedës do të jetë reforma në drejtësi.
BASHA PAS TAKIMIT: TË ZBATOHET REKOMANDIMI 88, RRUGË TJETËR NUK KA
Ora 16:30 – Pas takimit me zyrtaren e lartë amerikane, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se me zonjën Nuland diskutoi propozimet e PD-së, si dhe propozime të tjera për të futur në rrugën e zgjidhjes reformën në drejtësi. Basha theksoi se ajo që kërkon PD është zbatimi i rekomandimit 88, dhe për këtë ka propozuar disa alternativa.
“Diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera, padyshim këto propozime do të jenë pjesë e rrugës së zgjidhjes. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88, që reforma të miratohet me konsensus. Rrugë tjetër nuk ka. Nuland ka një rol të çmuar që prej ditës së parë të angazhimit për Shqipërinë, jam i sigurt që do të vazhdojë ta bëjë këtë rol.”- u shpreh Basha.
Sipas kryedemokratit Basha, “PD ka dhënë një kontribut thelbësor për reformën në drejtësi. Për një vit e gjysmë ekspertët tanë kanë bërë të mundur përmes punës së tyre përmirësimin e një drafti që synonte të kapte drejtësinë. Sot ka mbetur një çështje që ndan palët. PD e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Ka bërë 3 propozime, atë të vendeve të rezervuara, që është hedhur poshtë. Propozimin e listave alternative dhe së fundmi propozimin tonë të tretë të bërë publik të premten nga zoti bylykbashi”.
Basha theksoi se kjo reformë duhet të miratohet vetëm me konsensus politik mes palëve.
“PD ka kontribuar me këtë propozim, duke mbetur besnike 100% e paragrafit, rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Ftojmë palët tjetër të reflektojë dhe jemi të hapur që së bashku me palën tjetër ti hapim rrugë kësaj reforme”- u shpreh Basha.
PRONONCIMI I PLOTE I BASHES
Pata një takim shumë konstruktiv me Ndihmës Sekretaren Nuland, një mikeshë e vjetër e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe një person me kontribut të çmuar në rrugëtimin euroatlantik të Shqipërisë, që vazhdon të japë kontributin e saj për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve duke përfshirë edhe reformat e mëdha që pret dhe meriton vendi, reformën në drejtësi, reformën elektorale, reformën e dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit. Si rrugët që do ta çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt një qeverisje të mirë, të drejtë dhe frytëdhënëse për ta dhe jo për oligarkinë.
Në këtë kuadër sigurisht që biseda u përqëndrua tek çështja e reformës në drejtësi. Partia Demokratike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm substantiv, thelbësor për reformën në drejtësi. Për një vit e gjysëm ekspertët tanë, anëtarët tanë në komisionin Ad-Hoc të reformës në drejtësi kanë bërë të mundur përmes punës së tyre, përkushtimit të tyre, përmirësimin thelbësor të një drafti që nisi si një përpjekje për të kapur drejtësinë dhe për t’ia nënshtruar atë interesave politike të mazhorancës aktuale.
Sot ka mbetur një çështje e cila ndan palët. Partia Demokratike e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, zbatimin në mënyrë të plotë dhe tërësore të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Në këtë kuadër kemi bërë tre propozime.
I pari, që në fakt është propozim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ai i vendeve të rezervuara i cili është hedhur poshtë nga kundërshtarët tanë politikë.
Propozimin e listave alternative të formalizuar përmes draftit të miratuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në fund të majit.
Dhë së fundmi, propozimin tonë të tretë i bërë publik ditën e premte nga z.Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit Ad-Hoc për Reformën në Drejtësi.
Këtë kontribut historik, riktheva në vëmendje të zonjës Nuland dhe bashkëbiseduesve të tjerë së bashku me detajet e propozimit tonë të tretë.
Ne jemi të bindur se kjo reformë mund dhe duhet të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë për reformën në drejtësi, veç konsensusit politik mes palëve. Ndaj Partia Demokratike ka kontribuar me këtë propozim, duke lëvizur nga pozitat e saj sa i përket propozimeve të mëparshme por duke mbetur besnike e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv të diskutojë mbi meritat e këtij propozimi dhe jemi të hapur që së bashku me palën tjetër, në mënyrë konsensuale ti hapim rrugë kësaj çështje të vetme që i ndan palët sa i përket miratimit në parim të draftit kushtetues për reformën në drejtësi.
Pyetje: Znj.Nuland e ka marrë përsipër një rol negociatori në këtë mes dhe a ju ka premtuar që do të gjejë një konsensus me palën tjetër?
Basha: Zonja Nuland ka një rol të çmuar që prej ditës së saj të parë të angazhimit me Shqipërinë. Jam i sigurt që do të vazhdoj ta ketë rol, jam i bindur dhe shumë mirënjohës për rolin e saj. Por unë nuk mund të flas dhe as nuk mund të bëj zëdhënësin e zonjës Nuland.
Pyetje: Z.Basha po thoni që jeni i bindur për kompromis,do të thoni që e përjashtoni mundësinë e dështimit të reformës në rast se nuk bëhen votat?
Basha: Thashë që kjo reformë mund dhe do të kalojë vetëm me konsensus politik.
Pyetje: Z.Basha a pati propozim konkret nga znj.Nuland?
Basha: Pati, diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera. Padyshim këto propozime do të jenë pjesë sa na përket ne e rrugëzgjidhjes. Ajo që mbetet për tu konfirmuar është vullneti i palës tjetër. Pala jonë ka një propozim mbi tavolinë, ka vullnetin të diskutojë këtë propozim.
Pyetje: Cilin?
Basha: Propozimin tonë atë që bëmë publik ditën e premte. Të diskutojmë mbi bazën e këtij propozimi. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88 për t’i dhënë Shqipërisë një reformë në drejtësi me konsensus politik. Rrugë tjetër nuk ka.
Të dielë të mbarë dhe mirupafshim!
VIKTORIA NULAND TAKOHET ME BASHËN
ORA 15:35-Fill pas takimit me kryediplomatin shqiptar, Ditmir Bushati, Nuland po zhvillon një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Mësohet se takimi po mbahet në hotel ‘Rogner’. Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit shoqërohet nga ambasadori Doland Lu, ndërsa basha nga deputeti Oerd Bylykbashi dhe Aldo Brumçi.
BUSHATI TAKON NULAND: TË VENDOSUR PËR MIRATIMIN E REFORMËS NË DREJTËSI
ORA 14:40-Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në një takim Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, e cila po zhvillon një vizitë në Tiranë. Kjo vizitë është dëshmi e një agjende intensive të bashkëpunimit e kontakteve dypalëshe: pas vizitës së Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë dhe takimit ne Shtëpinë e Bardhë të Kryeministrit Rama me Presidentin Obama. Bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rëndësia e miratimit të reformës në drejtësi, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor ishin ndër çështjet e trajtuara në takim.
Ministri Bushati e njohu Nuland me zhvillimet më të fundit në vend, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie parësore në forcimin e shtetit ligjor në vend, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Ai falënderoi Ndihmës Sekretaren Nuland për mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara për proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e ekspertëve amerikanë është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës në drejtësi.
Ne këtë kontekst Ministri Bushati u shpreh se: “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim”. Duke u ndalur në bashkëpunimin në kuadër të partneritetit strategjik, Ministri Bushati siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale.
Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Në vazhdën e vendimeve të marra gjatë Samitit të NATO-s në Varshavë, Nuland vlerësoi rritjen e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misioneve të aleancës dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
AXHENDA
Nuland mbërrin në kryeqytet në mesditë dhe nis në orën 14:30 takimet me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Rreth 60 minuta më vonë Nuland do të takojë kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha, me të cilin Nuland ka pasur në 3 qershor edhe një bisedë telefonike, që i parapriu takimit mes tij dhe kryeministrit. Në takimin e sotëm, kreu i PD-së Lulzim Basha mësohet se në “Rogner” do të shoqërohet nga deputetët Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi.
Sikurse në vizitën e sekretarit John Kerry, edhe Nuland do të ketë një takim me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në orën 16:00.
Axhenda e ndihmës-sekretares amerikane të shtetit Viktoria Nuland, mbyllet me një darkë pune me kryeministrin Edi Rama.
Vizita e ndihës-sekretares amerikane është në kuadër të intensifikimit të përpjekjeve për gjetjen e dakordësisë mes palëve për reformën në drejtësi. 21 korriku është dita kur ndryshimet kushtetuese do të votohen në parlament, çështje për të cilën edhe ambasadori amerikan, Donald Lu iu ka bërë thirrje disa herë deputetëve që ta votojnë.
Komentet