Në foton ilustruese jam sapo mazhorene plot ëndërra për t’u realizuar në një Shqipëri më në fund Demokratike.
Nuk ndodhi!
Sot kanë kaluar dekada e ëndërra mbetet e njëjta Shqipëria e lirë.
Nuk ka një shoqëri të lirë, kur përfshirja e gruas në politikë, në profesion e në ekonominë e vendit kontrollohet nga shteti me detyrimin e teserës rozë të Partisë në pushtet.
Si ndjehet një grua kur shtëpia e saj shëmbet e prona i shpronësohet nga politika “strategjike” e klientelizmit të qeverisë?
Si ndjehet një vajzë, një grua, një nënë kur e drejta e formimit të saj e për fëmijët e saj limitohet nga varfëria ku i ka shtyrë mungesa e politikave sociale të qeverisë?
Si ndjehet një grua kur e drejta për t’u punësuar kushtëzohet nga tesera e partisë në pushtet?
Si ndjehet një grua kur kosto e lartë e jetesës, pagat e ulëta, inflacioni në pikiatë, qiratë e shtrenjta, ndihma sociale e paekzistueshme limiton zgjedhjen e saj për t’u bërë nënë?
Si ndjehet një grua kur vota e saj vidhet, abuzohet, transformohet nga pushteti i mashkullit i vetëshpallur i plotëfuqishëm?
Si ndjehet një grua kur i mungon liria për t’u informuar?
Si ndjehet një grua, një nënë kur përcjellë fëmijët e saj në emigracion?
Si ndjehet një vajzë, një grua, një nënë që ndaj dhunës fizike, verbale, psikologjike e ekonomike, zgjedh të hesht se jeton në një shtet që nuk i garanton mbrojtje e në një shoqëri ku pushteti imponon heshtjen?
Si ndjehet një grua kur siguria e jetës e dënimi i krimit, nuk garantohet nga Kushtetuta por orientohet nga qeveria?
Kjo është gruaja shqiptare dhe Shqipëria e 8 marsit 2024, me këto të drejta e të tjera akoma, të dhunuara.
Nuk ka një shoqëri të lirë, kur përfshirja e gruas në politikë, në profesion e në ekonominë e vendit kontrollohet nga shteti me detyrimin e teserës rozë të Partisë në pushtet.
E nuk ka një sistem demokratik me gra të dhunuara nga të drejtat kushtetuese.