Të nderuar miq e të ftuar, Sot jemi mbledhur për një datë tepër të rëndësishme për Vetëvendosjen, por edhe për krejt Kosovën, për të përkujtuar dhjetë vjetorin e demonstratave të 10 shkurtit.
Është e pamundur të kujtojmë ato demonstrata dhe të mos nderojmë me respekt të thellë dy dëshmorët e republikës dhe të demokracisë Mon Balaj dhe Arben Xheladini. Me këtë rast përulem me respekt edhe përpara të nderuarave familje Xheladini e Balaj, që sot përkujtojnë humbjen e dy njerëzve të dashur, të mirë e idealistë. Po ashtu përshëndes edhe të nderuarën familje Dehari, e cila po ashtu i ka dhënë shumë luftës për republikë, liri, e sovranitet në Kosovë, dy bijtë e saj, prej të cilëve Astriti humbi jetën në burg, ku mbahej si i pafajshëm.
Nuk do të zgjatem shumë që të përshkruaj dhimbjen tonë, e as mallin që kemi për ta. Ata janë të pazëvendësueshëm, dhe janë përherë të pranishëm në zemrat tona. Ata e shënojnë veprimtarinë tonë – dhe ne veprojmë në emër të tyre, duke ndjekur idealet për të cilat ata dhanë jetën.
Dita kur përkujtohet rënia e një dëshmori, shpeshherë është festë. Por ky nuk është rasti me 10 shkurtin. Para dhjetë vitesh ne ishim në zi për Monin dhe Arbenin, dy dëshmorët e rënë në demonstrata për një Kosovë të lirë, sovrane e demokratike, një Kosovë vetëvendosëse. Sot jemi sërish në zi, e kemi humbur para pak muajsh edhe një tjetër njeri të mirë e aktivist të paepur, pikërisht si pasojë e mos mbërritjes së ndërtimit të një Kosove të lirë, sovrane e demokratike.
Një shtet, i cili u themelua duke shtypur kërkesat e dhjetë shkurtit, do të përfundonte sigurisht në një pesë nëntor.
Ky shtet u themelua mbi konceptet më jodemokratike që i njeh Europa, sajë pakos së Ahtisaarit. Kundër atyre koncepteve jodemokratike protestonim atë ditë. Si gjithmonë protestonim paqësisht. Si gjithmonë policia u vërsul mbi ne. Por koha ka treguar se nuk jemi trembur, as nuk jemi pakësuar. Kemi ardhur duke u rritur, dhe tani jemi bërë një forcë e madhe, me mbështetje të gjerë popullore.
Është thënë shpesh se demonstrata e 10 shkurtit ishte kundër planit të Ahtisaarit. Por jo. Demonstrata e 10 shkurtit ishte demonstrim i radhës vullnetit politik të popullit për liri. Ky vullnet kishte histori të gjatë dhe shprehje të ndryshme nëpër etapa: ishte shfaqur si luftë ishte shfaqur si demonstrata popullore, pastaj prapë si luftë çlirimtare dhe më tej si demonstrata popullore. Ishte insistim që për Kosovën të vendoste populli, vendim ky i vetmi sovranizues e demokratik.
Plani i Ahtisaarit dhe negociatat në Vjenë ishin kundër këtij vullneti. Pra, ishte Plani i Ahtisaarit ai, që ishte kundër demonstratës, kundër drejtësisë dhe të drejtave kolektive. Ishte përpjekja e radhës për ta disiplinuar vullnetin politik, për ta pakësuar atë, për të rrudhur demokracinë, që ta futë në paketë. Me një fjalë ishte kundër vetëvendosjes.
Më 10 shkurt kërkonim sovranitet shtetëror e ekonomik, që institucionet tona të zgjedhura në mënyrë demokratike të ishin të shtrira në tërë territorin, të ishin në funksion të qytetarëve, të ofronin mbrojtje dhe siguri për të gjithë. Që resurset tona ekonomike dhe kapacitetet industriale të garantonin mirëqenie për të gjithë. Plani i Ahtisaarit ishte kundër këtyre. E ndante Kosovën në vija etnike, ia mbivendoste Kosovës misione me pushtet ekzekutiv që nuk zgjidheshin në mënyrë demokratike, por emëroheshin nga jashtë, na i ndalonte ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse. Për më tepër na e ngarkonte borxhin e Serbisë përmbi shpinë për të na varfëruar tutje, pa na dhënë edhe qasjen në pasuritë e Jugosllavisë në të cilën Kosova ishte detyruar në kontribuojë. Na e cungonte vetëvendosjen në shtetformim dhe në zhvillim shoqëror.
Para 10 viteve demonstronin vullnetin tonë për barazi mes nesh dhe të Republikës sonë me të tjerët. Plani i Ahtisaarit e luftonte këtë barazi përmes asimetrisë së kompetencave të Komunave, përmes peshës së vetos të deputetëve të caktuar në Kuvend dhe përmes peshës së ndryshme të votës së qytetarëve varësisht përkatësisë së tyre kombëtare.
Në atë kohë pati njerëz që thoshin se protesta ishte e kotë, e se punët e politikës së madhe duhet t’ia lëmë të huajve. Mirëpo ja ku jemi sot, dhe duke ia lënë punët e politikës së huajve, gjendemi pa sovranitet. Jo vetëm pa sovranitet, por edhe pa demokraci. Jo vetëm pa demokraci, por edhe pa drejtësi. Jo vetëm pa drejtësi, por edhe pa barazi. Jo vetëm pa barazi, por edhe në varfëri. Pa shkolla, pa spitale, pa punë, pa ushtri. Ja ku na çoi vizioni i shkurtër i atyre që thoshin se s’kemi pse të protestojmë për sovranitet.
Demokracia nuk ka asnjë kuptim tjetër përveç sovranitetit. Çfarë kërkuam ne atëherë? Kërkesa jonë bazohej në një parim universal. Të ishim një vend si gjithë të tjerët. Të kishim të drejta të vendosnim për veten tonë. Ata që kanë qejf të mendojnë me logjikë ekstremiste, thonë se ka vetëm dy mënyra, ose mungesa e sovranitetit, si sot, ose sovraniteti total si izolim. Por ne nuk kërkuam asnjërën nga këto. Neve kërkuam sovranitetin si demokraci, që shoqëria jonë e kombi ynë të kenë po aq sovranitet sa vendet fqinjë e sa vendet e tjera të botës. Asnjë grimë më shumë. Asnjë grimë më pak. Fundi i fundit, kemi pësuar aq shumë në histori, kemi luftuar aq shumë, sa që sot e meritojmë këtë dinjitet e këtë liri.
Pakoja e Ahtisaarit nuk u shqetësua për dinjitetin e lirinë tonë, ajo u implementua dhunshëm, madje duke e nxitur policinë e OKB-së të vrasë protestues paqësorë. Neve na trajtuan si popull të dorës së tretë. Këtë nuk kemi për ta harruar kurrë. Ama, jo pse duam të hakmerremi. Ne nuk udhëhiqemi nga parimi i hakmarrjes, dhe nuk do t’i marrim hak askujt. Ne dinjitetin tonë do ta ndërtojmë duke punuar. Do ta ngremë prej zeros, ku e kanë rrënuar qeveritarët tanë të korruptuar, së bashku me disa zyrtarë ndërkombëtarë që janë më të shqetësuar se ç‘thotë Vuçiçi, Nikoliçi e Shesheli, se sa për atë që thonë pasardhësit e viktimave të tyre në Kosovë.
Mungesa e sovranitetit, pra është mungesë e demokracisë. E kemi parë të gjithë se si në këtë vendin tonë, të themeluar mbi mungesën e sovranitetit, nuk respektohen as peticionet, as rezolutat parlamentare, as ligjet, e as referendum nuk ka. Jemi populli i vetëm në Evropë që ka kaq pak të drejta demokratike. Nuk i kemi as një të tretën e të drejtave demokratike që i kanë evropianët, po as ato të fqinjëve tanë.
Situata e protektoratit ndërkombëtar, e cila është arsyeja dhe shkaku i mospasjes së sovranitetit, është themel i pabarazisë përpara ligjit. Shembulli tipik, policët rumunë që vranë Monin dhe Arbenin. Ata nuk janë ndëshkuar kurrë, edhe pse gjykatat ndërkombëtare i kanë shpallur fajtorë. Përkundrazi janë dekoruar nga vendi i tyre, vend i cili nuk e njeh Kosovën. Pra, është një situatë thuajse koloniale. Protektorët ndërkombëtarë mund edhe ta vrasin shqiptarin, se përballë ligjit nuk ka për t’i gjetur asgjë. Sigurisht, nuk janë vetëm ndërkombëtarët që përfitojnë nga pabarazia. Përfitojnë edhe politikanët e korruptuar vendorë, që funksionojnë si servilë të pazëvendësueshëm të ndërkombëtarëve. Pabarazia përballë ligjit i favorizon po ashtu të pasurit, mafiozët, kontrabandistët e të korruptuarit. As UNMIK, as EULEX, nuk kanë dënuar ndonjë kriminel prej strukturave paralele të Serbisë apo ndonjë politikan të korruptuar shqiptar, edhe pse këta vjedhjet i kanë bërë haptazi. Të vetmit që vuajnë përballë kësaj pabarazie jemi ne, populli i thjeshtë, qytetarët, opozita.
Pra Kosova e Ahtisaarit u themelua në pabarazi. Pabarazia përballë ligjit është e njëjtë me mungesën e lirisë.
Kur njeriu i hyn një rruge të gabuar, më mirë është të kthehet në fillim të rrugës e të gjejë rrugën e duhur, se sa të vazhdojë përpara për të parë se ku përfundon. Kështu edhe Kosova, e cila ka hyrë në qorrsokak me pakon e Ahtisaarit. Ne duhet të kthehemi në fillim të rrugës, dhe ta ndërrojmë kushtetutën, duke e shpallur një Kushtetutë të Re. Në atë Kushtetutë duhet të sanksionohet sovraniteti i popullit dhe e drejta për referendum, siç e kanë gjithë vendet e tjera. Po ashtu, respekti i plotë për minoritetet, por edhe kontrolli i plotë territorial. Në atë Kushtetutë duhet të themelohet edhe Ushtria e Kosovës, që të mos vazhdojmë të jemi synim i preferuar i secilit agresor që kemi pranë.
Vetëm atëherë, me Kushtetutën e Re, me Republikën e Re, do të kemi sovranitetin, demokracinë, barazinë dhe lirinë. E këto, do të na e mundësojnë kthimin e shpresës dhe fillimin e punës për politika zhvillimore e për mbështetje të ekonomisë.
Politikanët vendorë e ndërkombëtarë ndoshta s’janë duke e parë, por Kosova e Ahtisaarit tashmë është shteti më i zymtë në Evropë. Ky projekt ka dështuar qartë. Rinia jonë përditë e më shpesh po merr rrugët e emigracionit, e këtu te ne po mbetet veç varfëria e shkatërrimi. Është koha për një projekt të ri. Është koha për një ndryshim rrënjësor.
Dhe 10 shkurti jo vetëm që është rasti për të pohuar se ne kemi pasur të drejtë qysh dhjetë vjet më parë, por është rasti edhe për të thënë se tani numri i atyre që mendojnë njëjtë është rritur shumë.
Ne nuk do të ndalemi, për nder të Monit e të Arbenit, për nder të amanetit të dëshmorëve e për nder të dëshirës fisnike të këtij populli. Republika e Re shumë shpejt do të jetë realitet, e atëherë 10 shkurtin do ta përkujtojmë jo me zi, por me lumturi, sepse sakrifica sublime e Monit dhe Arbenit do të gjejë përmbushje dhe premtimi që ne i kemi dhënë atyre, do të realizohet. Nuk ndalemi deri atëherë!
Komentet