Një konflikt në 2014-ën e shtyu moderatoren e sportit Enkeleida Zeko të padiste drejtorin e Radio Televizionit Publik shqiptar, Martin Leka.
Të enjten e 21 prillit 2016, ajo shpërndau një status në Facebook ku shkruante: Mos mendoni se nuk ka drejtesi ne Shqiperi…! Për mua sot drejtësia u bë realitet. Po e shijoj…’
Në media u raportua se moderatorja ka fituar gjyqin ndaj ishdrejtuesit të saj, i cili do të gjobitet me 100 milionë lekë dëmshpërblim për ‘fyerje dhe denigrim të figurës morale e publike’ të Zekos. E kontaktuar nga Anabel.al, Enkeleida Zeko nuk e mohoi lajmin, por u shpreh se nuk mund të jepte asnjë deklaratë lidhur me këtë pa miratimin e avokatit të saj.
Në 2014-ën, ajo botoi një shkrim në median e shkruar ku akuzonte drejtpërdrejt drejtorin se kishte vjedhur fonde dhe thoshte se ishte hequr nga puna. Një status i drejtorit, Martin Leka, në Facebookun e tij pas këtij shkrimi u përkthye si një përgjigje ndaj moderatores: ‘Nuk merrem me k***a (të sponsorizuara nga k***at). Kaq ishte reagimi im për sot’, shkroi ai.
Menjëherë pas kësaj erdhi edhe padia, siç është raportuar, me të cilën moderatorja i kërkonte ta dëmshpërblente me një shumë prej 100 milionë lekësh për dëmtim të imazhit të saj.
Vetë drejtori në fuqi i Radio Televizionit Shqiptar deklaroi asokohe se statusi i tij në Facebook nuk kishte kurrfarë lidhje me Enkeleda Zekon: ‘Qenka interesante gjithë kjo idiotësi. Ma kishin thënë po e mora për budallallëk. Unë nuk i kam thënë kujt k**vë, ma provoni dhe jam gati të paguaj 130 miliardë euro. Botë çudirash, edhe skuthash’.
Leka gjithashtu u shpreh se moderatorja nuk ishte pushuar kurrë nga puna: “U pushua nga puna pak ditë më parë”thonë! As është pushuar, madje as ndonjë masë tjetër ndaj saj nuk është marrë.’ Zeko më pas nisi të moderonte në News 24, ndërsa në RTSH aktualisht emisionet e sportit i moderon Hygerta Sako.
Komentet